2011-01-22

Gratë e Hitlerit dhe Marlena

Guido Knopp



Ato, gratë e Hitlerit, kanë rrëfyer copëzat e jetës së tyre, të bashkëjetesës së tyre të dashurisë së tyre me Hitlerin. Kanë lënë dhe të tjerët të flasin, duke shtjelluar gjithçka rreth tyre. Të gjitha këto histori-kujtime, janë renditur ndër faqet e një libri, nga pena e një gazetari gjerman ( ish- redaktorit të Frankfurter Allgemeine Zeitung), i cili aktualisht është drejtues i redaksisë së historisë bashkëkohore në kanalin ZDF. Ajo që Guido Knopp shkroi për gratë e Hitlerit, është sjellë edhe në shqip nga Sabina Dhrimo. Historitë-kujtime “Gratë e Hitlerit dhe Marlena” janë hedhur edhe në tregun shqiptar nën siglën e shtëpisë botuese “Dudaj”.
* * *
Nuk është ky i pari rrëfim që zbulon gratë e Hitlerit. Shumë informacione janë dhënë, në kohë të ndryshme nga pena të ndryshme. E megjithatë kurioziteti për të ditur dhe diçka më shumë rreth kësaj figure, nuk shuhet. Kurioziteti mbetet po ai, ndërsa pena të reja nxjerrin fakte të reja. I ngacmuar nga një kuriozitet i tillë, Guido Knopp, gazetar i njohur në Gjermani, nisi të kërkonte dhe të zbulonte rreth Hitlerit. I tërhequr prej historisë, ai do të zgjidhte luftën e tij, fëmijët e tij dhe shumë e shumë argumente të tjera, për t’ia dhënë më pas në duar lexuesve. E pak kohë më pas do të “ngrinte në këmbë” librin e tij “Gratë e Hitlerit dhe Marlena”. Guido Knopp nuk mund ta linte pas dore një temë të tillë, jo vetëm për ngacmimin që përbën por edhe për të zbuluar një pjesë të rëndësishme të ekzistencës së diktatorit.
* * *
Rrëfimi i Guido Knopp nis me Eva Braunin. Pas kësaj dashnoreje, radha i vjen në rrëfim bashkëpunëtoreve të Hitlerit…regjisores së famshme Leni Rifenshtal. Pas saj edhe Magdës, gruas së ministrit të Propagandës Gëbels…Autori nuk do të linte jashtë këtij rrëfimi Marlene Ditrih, artisten e famshme, e cila ishte e deklaruar antihitlerjane, madje antigjermane. Ditrih që u bë me amerikanët, do t’u këndonte atyre gjatë Luftë së Dytë Botërore.
Libri është ndërtuar në një mënyrë të veçantë. Rrëfimi është organizuar me fraza të shkëputura nga ditaret e grave, nga letrat e tyre dhe nga deklarimet e protagonisteve. Një vend shumë të rëndësishëm në këtë libër zënë edhe deklarata të të tjerëve, që i kanë njohur këto gra. Paragrafi i secilës grua është mbyllur me një histori kronologjike, të ngjeshur dhe të plotë.
* * *
Gratë janë paraqitur me detaje të hollësishme në këtë libër- “Ajo ka pasur një figurëz shumë moderne elegante e shumë e mbajtur. Ka pasur edhe kohën edhe paratë për këtë. Një garderobë e mrekullueshme, ndërrohej disa herë në ditë, për drekë, për darkë. Në një farë mënyre të hynte në zemër”- Kështu do të shprehej rreth Eva Braunit, kujdestari i shtëpisë së Hitlerit, në vilën malore. Dhe s’mund të ishte ndryshe përderisa ishte e zgjedhura e Hitlerit. Në të vërtetë nuk ishte më shumë se kaq. Nuk ishte një bashkëpunëtore e mirëfilltë. Dhe veç kësaj, e trembur dhe gjithnjë e më shumë e pakënaqur nga lidhja e saj që po i shndërrohej në makth: “Atij unë i duhem vetëm për qëllime të caktuara”, -kishte filluar të dyshonte teksa pyeste veten “Pse më torturon kështu dhe nuk i jep fund menjëherë?”-është rrëfyer vetë Braun, pa mundur të gjejë dot të vërtetën. Ndërsa Leni Rifenshtal rrëfehet- “Hitleri më ka vlerësuar shumë. Partia prandaj më ka urryer. Nganjëherë Adolf Hitleri më vinte para njerëzve të tij si model prej të cilit ata mund të mësonin”. Por, teksa zonja Gëbels do të helmonte pa ngurrim, kur do të ndjente fundin, veten dhe të gjithë fëmijët e saj, si një shprehje të fundit e përkrahjes ndaj Hitlerit, artistja konformiste që do të jetonte gjatë, do të deklaronte: “Unë nuk kam pasur kurrë interes për politikë dhe për Hitlerin…”. Marlene Ditrih do të deklaronte dhimbjen por dhe urrejtjen njëkohësisht duke pohuar - “Sikur të mos ishte Hitleri do të kisha tërë ata fëmijë dhe një shtëpi në atdheun tim”. Të tilla rrëfime, të zbuluara nga gazetari gjerman, kanë mbushur faqet e këtij libri, i cili tashmë vjen dhe në shqip…për të shpërndarë ndër lexues të tjera histori të Hitlerit dhe grave të tij.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...