2011-01-22

Ismail Kadare dhe identiteti shqiptar Vështrim kritik mbi pikëpamjet e shkrimtarit të shprehura në librin e tij: “Identiteti evropian i shqiptarëve”


Nga Akademik Prof.dr. Rexhep Qosja


“Të mendojmë. Të mendojmë ndershëm dhe, vetëm ndershëm, qoftë edhe kundër të gjithëve, sepse ashtu mendojmë për të gjithë”

ROMEN ROLAN


Premisa të gabuara


Siç e kam paraparë në parafjalën e saj, trajtesa mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare, e botuar me vazhdime në gazetën e Prishtinës, “Epoka e Re”, dhe në gazetën e Tiranës, “Korrieri” e, pastaj, e botuar edhe si libër me titullin “Ideologjia e shpërbërjes” nga shtëpia botuese “Toena”, ka shkaktuar një sërë reagimesh si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë. Nuk e di a është më i madh numri i reagimeve pajtuese a numri i reagimeve mospajtuese. Si të parat, ashtu edhe të dytat d ë s h m o j n ë , ndërkaq, se çështjet e ngritura në atë trajtesë ishin të nevojshme të ngriheshin.

Shkrimtari i madh argjentinas, Horhe Luis Borhes, thotë se “Libri që nuk e përmban kundërlibrin mund të konsiderohet i panevojshëm”. Çdo libër, pavarësisht a është letrar a shkencor, e përmbarojnë lexuesit, miq dhe kundërshtarë të autorit, qoftë duke e pohuar, qoftë duke e mohuar. Për t’iu përgjigjur të gjitha reagimeve, do të duhej të shkruaja një libër më të madh se “Ideologjia e shpërbërjes”, i cili, sigurisht, do të shkaktonte reagime të reja të përshkuara edhe prej më shumë ndjenjash se reagimet e deritashme. Në vend se të gjithave, do t’i përgjigjem vetëm reagimit të Ismail Kadaresë, “Identiteti evropian i shqiptarëve”. Kjo, domethënë se mbesin pa përgjigje të gjithë reaguesit e tjerë ndaj trajtesës “Ideologjia e shpërbërjes”:

1. Predikuesit e identitetit kombëtar kosovar, si identitet kombëtar i ri në Ballkan
2. Predikuesit e gjuhës së dytë standarde për folësit me identitet kombëtar kosovar
3. Thirrësit për kthimin e shqiptarëve myslimanë në “fenë e të parëve”, si gjoja kusht për pranimin më të shpejtuar të Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian!

Në reagimin e Ismail Kadaresë “Identiteti evropian i shqiptarëve”, do të përgjigjem për këto arsye kryesore: e para, pse e ka shkruar një shkrimtar dhe publicist i njohur, me popullorësi të veçantë; e dyta, pse në këtë reagim është i përmbajtur një shpërdorim dhe një shtrembërim i disa pikëpamjeve të mia, sidomos, i pikëpamjeve mbi ndikimin e mundshëm çintegrues të vetëdijeve të tejshquara fetare në shoqërinë e sotme shqiptare; e treta, pse ky reagim ka shkaktuar jehonë ndër lexuesit shqiptarë, si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë dhe, e katërta, e më vendimtarja, pse në këtë reagim janë shprehur ide e janë krijuar përfytyrime, që nuk e nderojnë kulturën shqiptare. Sprova e Ismail Kadaresë, “Identiteti evropian i shqiptarëve”, është e mbështetur në premisa të gabuara: në përpjekje për të dëshmuar, në njërën anë kundërshtitë kulturore midis Evropës e Lindjes myslimane, kurse, në anën tjetër, sipërinë e identitetit evropian ndaj identiteteve të tjera, para së gjithash, ndaj identitetit mysliman! Dhe, kjo sipëri është – të përdor një togfjalësh të Zhan-Pol Sartrit – sipëri raciste.

Gjykimet e këtilla të Ismail Kadaresë, gjithsesi shumë befasuese, nuk mund të mos shikohen si rrjedhojë e disa dukurive dhe disa disponimeve të përtashme politike e fetare në botë. Nuk mund të mos mendohet se tani, kur si pasojë e fundamentalizmit islamik, të tejshkallëzuar mbas pushtimit amerikan të Irakut, është rritur disponimi kundërmysliman në disa vende perëndimore; kur kryetari Xhorxh Bush bën mobilizimin politik të krishterimit; kur emri i profetit Muhamed dhe fjalët islam, mysliman, xhami, shkaktojnë sëndisje në mjedise të ndryshme perëndimore; kur, si thonë studiuesit, po kthehet epoka e konflikteve midis krishterimit e islamit dhe e kryqëzatave; kur disa politikanë shqiptarë në Kosovë e quajnë politikisht të leverdishme për karrierën e vet të ndërrojnë fenë; kur, si pasojë e sjelljeve shpërfillëse të disa politikanëve shqiptarë ndaj dinjitetit të fesë myslimane, gjithnjë e më shumë shqiptarë myslimanë në Kosovë e në Shqipëri ndihen të diskriminuar, ja, tani, Ismail Kadare pandeh se i ka ardhur çasti i dëshiruar që të dëgjohet për disa oktava më lartë zëri i tij, më parë i pëshpëritur, kundër identitetit mysliman, në të vërtetë kundër përbërësve myslimanë në identitetin e përbashkët, të përgjithshëm, historik, të shqiptarëve!

Për këtë arsye, është shumë e nevojshme që këto ide dhe këto përfytyrime të Ismail Kadaresë të hidhen poshtë me kohë dhe pa hamendjesime. Do ta bëjë këtë vendosmërisht edhe pse me shumë keqardhje, për shumë arsye në këtë përgjigje detyrimisht të gjatë. Nuk e bëj këtë, pse e kam emrin mysliman Rexhep. Jo.Nuk e bëj këtë pse shkoj në xhami a pse falem pesë vaktet e ditës! Jo. As nuk shkoj në xhami për t’u lutur, as nuk falem në asnjë vakt të ditës. Jo. E bëj këtë për hir të perëndive të mi: të Vërtetës dhe të Drejtës. E bëj këtë për të njëjtën arsye, për të cilën kam shkruar mijëra faqe gjatë shumë viteve të kaluara: për të mbrojtur bashkëkombësit, bashkëqytetarët, prej padrejtësive të pushtetit, prej dhunës së shtetit serb dje, dhe prej diskriminimit, pavarësisht kush e bën këtë diskriminim sot.

E bëj këtë për të njëjtën arsye, për të cilën në vitin 1994 kam mbrojtur krishterimin shqiptar prej disa shpjegimesh të disa bashkëqytetarëve tepër të përkushtuar si myslimanë, për çka dhe kam shkruar në librin “Tronditja e shekullit”. E bëj këtë për të qenë ku duhet të jetë gjithmonë intelektuali i vërtetë: në anën e lirisë, të të voglit, të të pambrojturit, të të diskriminuarit. E bëj këtë për të qenë shpirtërisht i lirë, pavarësisht prej çmimit që paguaj për këtë liri. E unë jam i lirë, sepse kam zgjedhur të Vërtetën dhe të Drejtën.

Gjykimet e këtilla të Ismail
Kadaresë, gjithsesi shumë
befasuese, nuk mund të mos
shikohen si rrjedhojë e disa
dukurive dhe disa disponimeve të
përtashme politike e fetare në botë

Sprova e Ismail Kadaresë, “Identiteti evropian i shqiptarëve”, nuk është reagimi i tij i parë mospajtues ndaj pikëpamjeve të mia letrare e kulturore. Në shkrimin “Rreth ndikimeve të huaja dhe karakterit kombëtar të letërsisë”, botuar në gazetën “Zëri i popullit”, më 8.4.1973, me të cilin i përgjigjej shkrimit tim “Letërsia kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve”, botuar në përmbledhjen “Panteoni i rralluar” në vitin 1972, ai më akuzonte si “tellall i kozmopolitizmit”, që, me gjuhën e atëhershme politike do të thoshte se po predikoja evropianizimin dhe amerikanizimin e letërsisë shqipe. Tani, 34 vjet më vonë, ai më akuzon se kinse po e mohoj atë që atëherë e predikoja! Unë, natyrisht, nuk po e akuzoj Ismail Kadarenë tani se, para 34 vitesh, duke predikuar veçimin e Shqipërisë dhe identitetin stalinist, në të vërtetë predikonte kundërevropianizimin! Unë vetëm po vë në dukje se perëndia i shndërrimeve Protej, i cili e ka dhuruar Ismail Kadarenë edhe me dhuntinë e nxitimshndërrimeve për të qenë politikisht sa më i koniunkturshëm, ia ka parathënë edhe këtë nxitimshndërrim, fryt i të cilit është sprova “Identiteti evropian i shqiptarëve”. Po t’i lëmë njëherë për njëherë këto dy shkrime të një kohe të kaluar dhe të merremi me reagimin e tanishëm të Ismail Kadaresë “Identiteti evropian i shqiptarëve”, ndaj trajtesës sime “Ideologjia e shpërbërjes”, në të vërtetë ndaj kreut të kësaj trajtese “Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare”, që sigurisht nuk do të jetë nxitimshndërrimi i tij i fundit. Dhe të shohim sa të vërtetën dhe sa të drejtën do t’ia flijojë qëllimit të tij: shpërfilljes së identitetit mysliman si njëri nga përbërësit fetarë të IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR. Shprehitë e vjetra Kritikën e pikëpamjeve të mia mbi ndikimin e mundshëm çintegrues të vetëdijes së tejshquar fetare në shoqërinë e sotme shqiptare, prandaj edhe në identitetin kombëtar, Ismail Kadare e fillon ashtu siç filloheshin shkrimet politike e ideologjike në kohën e komunizmit: duke zbatuar metodologji ideologjike - duke ia vënë gishtin tregues komplotit të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm politikë e klasorë dhe duke kërkuar likuidimin e tyre moral! Dy ngjarje politike i shërbejnë Ismail Kadaresë për të bërë politikisht e ideologjikisht të dyshimta, në të vërtetë kombëtarisht të dënueshme, pikëpamjet e mia mbi çështjen e trajtuar: e para, ardhja e kryekomisionarit të Bashkimit Evropian, Baroso, në Tiranë në lidhje me nënshkrimin e afërm të marrëveshjes së Shqipërisë me Evropën dhe, e dyta, fillimi i bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës, që sapo kishin filluar në Vjenë. Unë isha ai që, ja, me veprimtari mendore dhe politike po sabotoja fitoret që sapo dukeshin në horizontin shqiptar! Po t’ia japim fjalën vetë Ismail Kadaresë: “Sa më shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej, aq më fort ndiheshin murmurimat. Sa më shumë që afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera, besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale, aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mish i huaj, pra i padashur për Evropën”.

Dhe, më tej: “S’ishte mbushur as java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionarit evropian, Baroso, ishte ulur në Aeroportin e Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqën, madje, edhe atje ku priteshin më pak, si për shembull, në ndonjë deklarim të akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja”.

Meqenëse presjet i vë edhe ku s’duhet, nuk është e çuditshme pse Ismail Kadare nuk e vë pikëçuditjen ku duhet: në fund të kësaj fjalie. Po të lëmë rregullat e pikësimit e të gramatikës e të shohim logjikën. Për të parë sa larghedhëse është kjo logjikë politike po i kthejmë dy pasuset e cituara në trajtën e bashkëbisedimit, sepse kështu do të mësojmë më mirë çka në thelb mendon autori dhe si mund t’i përgjigjet ndonjë lexues.

Çka po ngjante ndër shqiptarët në çastet kur po afrohej nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Bashkimin Evropian?

Po ndiheshin murmurimat.
(Mungon pikëçuditja).

Çka po ngjante në çastet kur po afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale?
Aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mishi i huaj, pra i padashur, për
Evropën!

Cilët ishin këta krrokatës?
S’ka përgjigje!



Çka ngjau pak para se të mbushej java e fillimit të bisedimeve të Vjenës për statusin e Kosovës, e s’kishin kaluar veç disa orë që avioni i kryekomisionarit evropian, Baroso, ishte ulur në Aeroportin e Tiranës?
Murmurimat kaotike u shtuan edhe më shumë.

Prej nga erdhën ato murmurima kaotike?
Prej nga priteshin më pak.

Prej nga priteshin më pak?
Nga ndonjë deklarim i akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja.

Akademiku nga Kosova? Pse e quan akademiku nga Kosova? A vetëm nga Kosova?
Ai në zemër s’e ndan Shqipërinë nga Kosova. Për ta larguar prej Shqipërisë shtetërore apo për të treguar se nuk njihet në Shqipërinë shtetërore?
S’ka përgjigje!

Mos kur thua se priteshin më pak, do të thuash se, megjithatë, nuk është që nuk priteshin fare murmurima kaotike prej gojës së tij?

Megjithatë, murmurima të tilla kaotike priteshin edhe prej tij?

Si mund të priteshin murmurima të tilla që t’i i pandeh kaotike prej tij, kur ai ka shkruar mbi 3500 faqe për çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në përgjithësi dhe të gjitha këto faqe janë dëshmi e përpjekjeve të tij për t’u çelur dyert e shtëpisë së madhe evropiane edhe për shqiptarët?

Si mund të priteshin murmurima të tilla kaotike prej tij, që ti i pandeh kundërevropiane, kur aq përpjekjet mendore dhe politike ka bërë dhe bën ai për të sjellë vlerat dhe standardet evropiane në jetën e popullit të vet?
S’ka përgjigje!


Në fund të shtjellimit të
sipërthënë është e kuptueshme të
shtrohet pyetja: ku i çon shqiptarët
përdorimi i tillë i tejshtrirë e i
tejmadhëruar fetarisht i emrit, i
portretit dhe i veprimtarisë së Nënës Terezë


Dhe, ja sesi e dëshmon Ismail Kadare pohimin e tij, se edhe prej meje priteshin murmurima kaotike kundër ardhjes së kryekomisionarit evropian, Baroso, në Tiranë në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë dhe kundër bisedimeve të Vjenës për caktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, domethënë për kthimin e Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës në familjen mëmë. “Përveç nervozizmit të papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar, nervozizëm që nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënë Terezes në institucionet e Kosovës, në këto shkrime (pra në shkrimet e Rexhep Qosjes- R.Q) spikat diçka e errët dhe e rrezikshme: ndarja e identitetit shqiptar”. Nuk ka dyshim se Ismail Kadare nuk është “i ngathët nga mendja” që të mos e kuptojë të vërtetën dhe të drejtën, por Ismail Kadare sado përpiqet të lahet e të shpërlahet nga e kaluara politike dhe ideologjike, nuk arrin të lirohet prej shprehive mendore të krijuara në atë të kaluar. Ato shprehi bëjnë që në shkrimin tim të mos shohë çka në thelb ka dhe që në shkrimin tim të fusë çka nuk ka! Në trajtesën për idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare askund, me asnjë fjali, nuk jam marrë me “traditën kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”.

Në qoftë se në këtë shkrim me asnjë fjali nuk jam marrë me atë traditë kulturore, shtrohet pyetja: ku e gjen Ismail Kadare atë “nervozizëm të papërligjur” të Rexhep Qosjes ndaj “traditës kulturore, që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”?Në veprat e mia? Jo.

Në shkrimin për Gjon Buzukun, “Një vazhdim a një fillim i madh”, të paraqitur në sesionin shkencor, në Ulqin në vitin 1995, me rastin e 440-vjetorit të “Mesharit”? Jo.

Në Antologjinë historike të letërsisë shqipe, të botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës në Prishtinë në vitin 1985, në të cilën janë përfshirë edhe Formula e pagëzimit dhe përkthime e shkrime të Buzukut, Lekë Matrangës, Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Gjon Nikollë Kazazit, Ndue Bytyçit, Filip Shirokës, Ndre Mjedjes, Zef Skirovit, Luigj Gurakut, Hilë Mosit? Jo.

Në Historinë e letërsisë shqipe, Romantizmi I-II-III, të botuar për herë të parë në vitin 1984-1985, në të cilën, përpos autorëve të besimit ortodoks dhe myslimanë, natyrisht, janë paraqitur edhe autorët katolikë, mes të cilëve edhe Zef Skiroi, të cilit Ismail Kadare atëherë mund t’ia përmendte emrin vetëm dënueshëm? Jo

Në studimet, trajtesat, sprovat e mia të botuara në revista në Prishtinë për Ndre Mjedjen, Filip Shirokën, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën? Jo.

Në studimin mbi periodizimin e letërsisë shqipe prej Rilindjes e deri sot, të botuar për herë të parë në vitin 1973 dhe të mbajtur, mandej, si ligjëratë edhe në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në të cilën është folur edhe për Gjergj Fishtën dhe është folur në një kohë kur Ismail Kadare për të shqiptonte akuza tepër të rënda me të cilat e zhvlerësonte krijimtarinë e Fishtës dhe, në përgjithësi, letërsinë e klerikëve katolikë? Jo.

Në librin “Tri mënyra të shkrimit shqip”, në të cilën flitet edhe për Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin, Pjetër Bogdanin, Ndre Mjedjen, Gjergj Fishtën? Jo.

Askund në veprat e mia në monografitë, studimet historike, trajtesat, sprovat, antologjitë e mia, askund nuk mund të gjendet farë “nervozizmi i papërligjur ndaj asaj tradite kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”. Përkundrazi: për secilin që gjykon ndershëm, mund të gjendet një përkushtim, vërtet, i madh, si edhe ndaj gjithë letërsisë shqipe.

Ku e gjen atëherë Ismail Kadare atë “nervozizëm të papërligjur” të Rexhep Qosjes “ndaj traditës letrare që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”? Ku, vërtet?

Mos në nxitimet e tij të tanishme për të qenë politikisht i koniunkturshëm, duke u paraqitur si mbrojtës kinse i asaj tradite që dikur e zhvlerësonte, madje e mallkonte politikisht, ideologjikisht dhe artistikisht? Mos për t’i krijuar vetes edhe mundësinë “e përligjur” që të bëhet politikisht dhe letrarisht i koniunkturshëm, duke mbrojtur gjoja edhe një figurë politikisht fort të koniunkturshme sot: duke mbrojtur Nënë Terezen prej meje thuajse ajo “tradita kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar” dhe Nënë Tereza pashmangshëm janë në lidhje historiko-letrare?

E bën këtë lidhje të paligjshme Ismail Kadare për të pasur mundësinë “e ligjshme” që të shprehë habinë e tij- të mbrojtësit tmerrshëm të vonuar të “asaj tradite kulturore që ka qenë e lidhur me katolicizmin e hershëm shqiptar”- se si mendja ime – e mbrojtësit të asaj tradite, kur ai e mohonte dhe fyente – nuk e arsyeton” mbajtjen e portretit të Nënë Terezes në institucionet e Kosovës.”

Dhe, këtu, pikërisht në mospajtimin tim me mbajtjen e portretit të Nënës Tereze e të Papës në institucione partiake e administrative të Kosovës, Ismail Kadare pandeh se paska zbuluar Djallin e Tasmanisë, për çka do t’i shprehet mirënjohje nga shqiptarët në Kosovë e në Shqipërinë shtetërore, ndoshta në Evropë apo, pse jo, edhe në Nju-Jork! Zbulimi i këtij Djalli që u ngritka edhe kundër vënies së portretit të Nënës Tereze në institucionet në Kosovë e bën shumë të koniunkturshëm katekizmin politik dhe ideologjik të Ismail Kadaresë. Përdorimi politik i emrit të Nënë Terezes

Po cila është e vërteta për qëndrimin tim ndaj mbajtjes së portretit të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës, në të vërtetë në një institucion partiak dhe në një institucion administrativ të Kosovës?

Nuk është e vërtetë se jam ngritur me “nervozizëm” kundër mbajtjes së portretit të shenjtores, Nëna Tereze, në institucionet e Kosovës; e vërtetë është, vetëm, se jam ngritur dhe ngrihem pa nervozizëm kundër përdorimit politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së misionares e humanistes, Nëna Tereze, prej disa fundamentalistëve fetarë dhe disa koniunkturistëve politikë gjithnjë për interesat e tyre fetare - në rastin e parë dhe pushtetore –në rastin e dytë. Të them se menjëherë pas vdekjes së saj, për një sprovë dhe kam dhënë dy deklarata: njërën të kërkuar prej BBC-së e tjetrën prej mediave të Prishtinës. Qëndrimi im ndaj emrit dhe portretit të Nënës Tereze sot nuk mund të mos jetë i kushtëzuar nga përdorimi fundamentalist fetar dhe politik i atij emri dhe atij portreti. Mbas gjithë asaj që është bërë dhe po bëhet rreth Nënës Tereze, domethënë mbas gjithë këtij përdorimi e shpërdorimi politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së saj si misionare e humaniste, nuk e quaj kombëtarisht të mençur mbajtjen e portreteve të saj, qoftë në institucionet politike e shtetërore të Kosovës, qoftë në institucione politike e shtetërore të Shqipërisë shtetërore. Jo.

Është tejtheksuar se veprimtaria prej humanisteje e Nënës Tereze është e pandarë, madje, e kushtëzuar, nga veprimtaria e saj prej misionareje katolike. Papa Gjon Pali i Dytë ka shpallur disa qindra të shenjtë, gjithsesi, thonë njohës të tij, më shumë se të gjithë papët para tij. Ndër shenjtorët dhe shenjtoret që ka shpallur Ai dhe që kanë shpallur papët para tij natyrisht se nuk ka ortodoks, hebre, hindus, mysliman. Të gjithë janë shpallur shenjtorë dhe shenjtore sepse ishin të jashtëzakonshëm si katolikë. Është e kuptueshme se prej të gjithë atyre që e shikojnë portretin e Nënës Tereze, kudo qoftë i vënë ai, që e shikojnë shtatoren e saj kudo qoftë e ngritur ajo, që e lexojnë emrin e saj kudo qoftë shkruar ai, Nëna Tereze perceptohet si shenjtore katolike. Kot përpiqen të na e mbushin mendjen përdoruesit fetarë dhe politikë të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së saj humaniste, se Nëna Tereze meriton të jetë portreti, shtatorja, mbishkrimi mbizotërues në institucionet politike e shtetërore, në institucionet kulturore të qyteteve shqiptare, sepse është fituesja e vetme shqiptare e çmimit “Nobel”. Çmimi “Nobel” i është dhënë edhe shkencëtarit e humanistit shqiptar, Ferid Murati, zbulimi shkencor i të cilit është i rëndësishëm për të gjithë njerëzit në të gjitha kontinentet e jo vetëm për të sëmurët, të varfrit e të braktisurit e botës, para së gjithash, të Indisë. Por, Ferid Muratit nuk i ngrihet kund një shtatore, nuk stoliset me emrin e tij ndonjë institucion kulturor, nuk vihet portreti i tij në ndonjë institucion politik e shtetëror. Pse? Sepse Ferid Murati nuk është i krishterë, prandaj emri dhe portreti i tij nuk mund të shpërdoren për nevojat e mobilizimit politik të krishterimit dhe për nevojat karrieriste të koniunkturistëve tanë politikë dhe kulturorë. N

ë fund të shtjellimit të sipërthënë është e kuptueshme të shtrohet pyetja: ku i çon shqiptarët përdorimi i tillë i tejshtrirë e i tejmadhëruar fetarisht i emrit, i portretit dhe i veprimtarisë së Nënës Terezës? Çka u sjell shqiptarëve, të cilët u takojnë jo vetëm dy a tri, po pesë feve (katolike, ortodokse, myslimane, protestante dhe ateiste) përdorimi aq irracional i emrit, i figurës dhe i veprimtarisë së një shenjtoreje sa edhe emri i Aeroportit të Tiranës pagëzohet me emrin e saj: NËNA TEREZE, edhe pse çdokush mund ta dijë se prej atij aeroporti, ashtu si edhe prej çdo aeroporti në këtë botë, mund të ngrihen nesër edhe aeroplanë luftarakë, që do të bombardojnë fshatra e qytete e të vrasin burra, gra, fëmijë, të varfër e të sëmurë, të cilëve ajo ua kishte kushtuar jetën?

Çka do të thotë ky mitologjizim në thelb fetar, për arsye fundamentaliste fetare dhe të koniunkturshme politike, i një shenjtoreje në një vend shumëfetar? Logjika e jep këtë përgjigje: do të thotë nxitje e pjesëtarëve të feve të tjera, para së gjithash, të fesë myslimane, që e njëjta gjë të bëhet me emrat dhe me portretet e figurave të shquara fetare të fesë së tyre. Për këtë arsye emri, portreti dhe shtatorja e Nënës Tereze duhet vënë në mjedise fetare, humanitare dhe shëndetësore e jo edhe në Aeroportin e Tiranës, e jo edhe në institucione politike e shtetërore, e jo edhe në sheshe të qyteteve. Bashkëjetesa e harmonishme mes feve të cilave u takojnë shqiptarët, baraspesha historike midis këtyre feve, interesat historike të popullit shqiptar e kërkojnë sot si dje, nesër si sot, që emrat, portretet dhe shtatoret e figurave të njohura, të shquara e të mëdha kombëtare, historike e kulturore, siç janë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Gjon Buzuku, Marin Barleti, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Konstandin Kristoforidhi, Vaso Pasha, Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri, Çajupi, Fan Noli, Faik Konica, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Eqrem Çabej Aleksandër Moisiu dhe të sa e sa piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve, shkencëtarëve, krijuesve e artistëve të tjerë të mos zëvendësohen nga emra, portrete, shtatore klerikësh, shenjtoresh, që perceptohen para së gjithash si vetje fetare – katolike, myslimane, ortodokse. Të sipërpërmendurit janë emra vetjesh që mbahen mend për veprat kulturore që kanë lënë a për bëmat historike që kanë bërë, që kanë pasur, kanë dhe do të kenë funksion integrues në jetën e popullit shqiptar, sepse vepra e tyre, krijimtaria e tyre, veprimtaria e tyre kulturore, shoqërore, politike i shërbente Shqipërisë, u shërbente të gjithë shqiptarëve. Pavarësisht se cilës fe i takojnë, ata perceptohen ndryshe se ç’perceptohet Nëna Tereze: perceptohen kryekëput si krijues e veprimtarë atdhetarë e jo si fetarë.

Identiteti dhe identitetet Përveç, si e pamë, për nervozizmin që “nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës”, Ismail Kadare më fajëson edhe se po e ndaj “identitetin evropian” të shqiptarëve në “identitet mysliman” dhe në “identitet të krishterë”. Dhe, kjo ndarje që bëkam unë i ngjan atij si një muzikë e njohur, që e ka dëgjuar shumë herë. I shqetësuar prej tingujve të kësaj muzike të dëgjuar shumë herë, është e kuptueshme pse ai ua përkujton lexuesve shumë i sëndisur pasojat e një ndarjeje të tillë, domethënë të një muzike të tillë! Në vend të gjithë fjalive, në të cilat numërohen ato pasoja, po e citoj vetëm fjalinë përmbyllëse:

“Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese”.

Bukur apo jo! Një popull është ai që është.
S’ka dyshim.

Dhe, s’ka nevojë për pudër zbukurimi. Padyshim.
As për blozë përçmuese. Pa dyshim.

Kur e zbukurojmë një popull me pudër zbukurimi?
Kur e quajmë evropian dhe të krishterë, padyshim.

E kur e shëmtojmë me blozë përçmuese?
Kur e quajmë joevropian dhe mysliman, padyshim!

Domethënë: pudra zbukuruese mund të qitet vetëm në fytyrën evropiane dhe të krishterë, kurse bloza përçmuese vetëm në fytyrën joevropiane e myslimane!

Kjo është përgjigjja e qartë, serioze dhe, pse jo e prerë e Ismail Kadaresë!
Bukur apo jo!

Muzika ngjan shumë e njohur apo jo!

Po, t’i kalojmë njëherë për njëherë gjykimet e këtilla “serioze”, serioze në mënyrë raciste, të Ismail Kadaresë dhe të merremi pak me katekizmin e tij të identitetit. Prej sprovës së tij “Identiteti evropian i shqiptarëve” shihet se Ismail Kadare e trajton identitetin si diçka të dhënë njëherë e përgjithmonë, që e përcaktojnë gjeografia, lidhja gjinore, ngjyra e lëkurës dhe... hajde gjeje çka më!

“S’duhej ndonjë filozofi për të kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti, ashtu si lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një”! Kultura materiale dhe shpirtërore, feja, tradita, zakonet, historia – si të mos ishin fare: ato nuk lënë kurrfarë shenjash në identitetin e vetjeve, grupeve etnike dhe popujve! Ku është dëgjuar kjo? Maturanti që do të gjykonte ashtu për identitetin në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të do të përsëriste klasën. Ndikimin e fesë në përbërjen e identitetit Ismail Kadare jo vetëm se e mohon, por edhe e përbuz! Thuajse nuk ka parë dhe thuajse nuk ka dëgjuar se fetë janë përbërës shumë i rëndësishëm i identitetit, aq të rëndësishëm sa shumë herë dhe shumëkund janë bërë përcaktues të tij. Po të mos ishte kështu nuk do të flitej, për shembull, për qytetërimin e krishterë dhe për qytetërimin islamik. Dhe, po të mos ishte kështu nuk do të shkruante Semjuel Hantingtoni veprën e tij “Konflikti i qytetërimeve”, në të cilën bazë të qytetërimeve që ai, fatkeqësisht, i pandeh në konflikt, quan fenë myslimane, në njërën anë, dhe fenë e krishterë, në anën tjetër! Në sprovën e tij Ismail Kadare gjykon dhe bën përgjithësime për identitetin, duke mos pasur parasysh se kemi identitet të veçantë dhe identitet të përgjithshëm; identitet vetjak dhe identitet kolektiv; identitet konvencional dhe identitet të ri; identitet historik dhe identitet kulturor; identitet politik dhe identitet mendor; identitet fetar dhe identitet shtetëror. E të tjera. Të gjitha këto identitete, që janë identitete më pak a më shumë të veçanta, të një rrafshi më të ngushtë, bashkohen në një përgjithësi, në një të tërë, që do t’i themi identiteti kombëtar. Dhe, më konkretisht: kemi shqiptarë me identitet kosovar, shqiptarë me identitet lab, shqiptarë me identitet gegë, shqiptarë me identitet toskë, shqiptarë me identitet mirditas, shqiptarë me identitet malësor, por të gjitha këto identitete të veçanta bashkohen në atë përgjithësinë, të përgjithshmen, të tërën, që i themi identiteti kombëtar shqiptar.

Dhe, më tej: kemi shqiptarë me identitet katolik, shqiptarë me identitet ortodoks, shqiptarë me identitet mysliman, shqiptarë me identitet protestant dhe shqiptarë me identitet ateist, por të gjitha këto identitete të veçanta, më të ngushta, më të vogla, në sajë të përbashkëtave të përmbajtura në secilin prej tyre bashkohen në atë përgjithësinë, në atë të përgjithshmen, në atë të tërën që i themi IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR.

Ai që i ka të qarta këto, ai që ka kuptim për marrëdhënien e të veçantave me të përgjithshmen, nuk do të akuzojë se po ndan shqiptarët në të krishterë dhe në myslimanë, vetëm pse konstaton se kemi shqiptarë me identitet të krishterë dhe shqiptarë me identitet mysliman- se ata si të krishterë (katolikë, ortodoksë, protestantë) dhe myslimanë janë të gjithë shqiptarë: janë shqiptarë në sajë të përbashkëtave shqiptare të përmbajtura në secilën prej feve të tyre.

Pse, atëherë, Ismail Kadare çel derën e çelur prej meje para tij?! Evropa shumëkulturore Ashtu siç nuk do ta kuptojë drejt marrëdhënien e identiteteve fetare shqiptare me identitetin kombëtar shqiptar, po ashtu Ismail Kadare nuk do ta kuptojë drejt as marrëdhënien e identitetit kombëtar shqiptar me identitetin evropian! Nuk është e vështirë për të parë se togfjalëshin identitet evropian ai e njëjtëson me projektin politik evropian, domethënë me Bashkimin Evropian, si bashkësi e shteteve dhe popujve evropianë, në njërën anë dhe me krishterimin, në anën tjetër. Nuk ka dyshim se shtetet dhe popujt, që do të përbëjnë Evropën e Bashkuar, do të kenë një identitet politik – shtetëror, si një përgjithësi, si një e tërë, si një e përbashkët e të veçantave politike dhe shtetërore të shteteve që do ta përbëjnë. Evropës së Bashkuar të gjitha shtetet që do ta përbëjnë do t‘ia dhurojnë, të mos thuhet do t’ia flijojnë, të veçantat e tyre politiko-shtetërore, por nuk do të mund të thuhet se Evropës së Bashkuar do t’ia flijojnë, së paku tani për tani, identitetet e tyre kombëtare, në të cilat janë të përmbajtura veçantitë që nënkuptojnë historia, gjuha, feja, tradita, kultura, zakonet e të tjera. Nuk e di si do të jetë sot pesëdhjetë a sot njëqind vjet, por sot për sot shihet se të gjithë popujt evropianë, që përbëjnë Bashkimin Evropian, kujdesen të ruajnë përbërësit e identitetit të tyre kombëtar: historinë, gjuhën, fenë, kulturën, traditën e përbërësit e tjerë. Bashkimi Evropian bëhet Evropë e kombeve.

Përpos me projektin politik evropian, domethënë me Bashkimin Evropian, togfjalëshin identitet evropian Ismail Kadare e njëjtëson edhe me krishterimin. Ky njëjtësim, historikisht i shikuar, nuk është i saktë. Kontinenti evropian nuk ka prejardhje vetëm të krishterë. Është i madh numri i intelektualëve dhe i politikanëve evropianë, të cilët vitin e kaluar e kanë kundërshtuar nismën për të futur në Kushtetutën e Bashkimit Evropian konceptin mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit. Shkrimtari dhe teoriku i njohur italian, Umberto Eko, e kundërshton atë nismë për dy arsye:

e para, për arsye politike, dhe,
e dyta, për arsye historike.


Arsyeja politike: nuk duhet të futet në Kushtetutën e Bashkimit Evropian koncepti mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit, sepse Evropa e ardhshme duhet të jetë, thotë ai, projekt politik dhe vizion antropologjik e kjo, projekt politik dhe vizion antropologjik, për të e nënkupton Evropën shumëkulturore, shumëfetare dhe, gjithnjë e më dukshëm, shumëracore, shumëngjyrëshe – jo vetëm të bardhë.

Arsyeja historike: nuk duhet të futet në Kushtetutën e Bashkimit Evropian koncepti mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit sepse e kaluara e kontinentit, thotë ai, nuk është plotësisht e krishterë. Kulturën evropiane e kanë pasuruar: matematika e Indisë, mjekësia arabe, filozofia dhe shkenca greke, kur e kur e zbuluar në Evropë përmes arabëve, filozofia dhe shkenca romake, gjuha latine si gjuhë e ritualeve të shenjta, mitet dhe adetet pagane me trajtat e politeizmit,monoteizmi i hebrenjve. E të tjera. Ide raciste Nuk mund të them a është a s’është Ismail Kadare i një mendjeje me intelektualët dhe politikanët evropianë, që janë ngritur kundër futjes në Kushtetutën e Bashkimit Evropian të konceptit mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit, por mund të them se disa ide dhe disa mendime të tij të përmbajtura në “Identitetin evropian të shqiptarëve” do të priteshin mirë prej publicistes së njohur italiane, Oriana Falaçi, dhe prej kultshkrimtarit francez, Mishel Uelbek, që në vendet e tyre janë akuzuar për ide raciste!

Pse do të mund të priteshin mirë prej asaj publicisteje dhe prej atij shkrimtari disa ide e mendime të shkrimtarit tonë?

Sepse janë ide raciste. “Letrat e Shqipërisë – shkruan Ismail Kadare në ‘Identitetin evropian të shqiptarëve’ – janë të qarta. Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë”.

Kush janë ata që nuk dëshirojnë ta shohin këtë identitet të qartë të shqiptarëve?
S’ka përgjigje!

Kush janë ata të cilëve nuk u intereson ta shohin identitetin shqiptar, që nuk është i “fshehur pas lajlelulesh mashtruese”?
S’ka përgjigje!

A ka identitete të fshehura pas” lajlelulesh mashtruese”?
S’ka përgjigje!

Pse s’thuhet se edhe letrat e Kosovës janë të qarta?
S’ka përgjigje!

Çka thuhet më tutje?
Thuhet: “Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”. Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trakoilirëve”.

A është e mundshme? Shkrimtari është bërë mësues i gjeografisë: po na tregon se Shqipëria është në Evropë. Nxënësit që do të përgjigjeshin saktë do të merrnin notë dhjetë!

A është e mundshme! Muzika, vërtet, ngjan si e njohur! Tragjikisht e njohur. Shqipëria dhe Kosova, kur është fjala për identitetin, i paskan letrat e ndara! E mësuam prej gojës së Ismail Kadaresë se letrat e Shqipërisë janë të qarta, por çfarë janë letrat e Kosovës. Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Maqedoni? Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Mal të Zi? Çfarë janë letrat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Të paqarta!

Pse nuk qenkan të qarta letrat e Kosovës? Pse nuk qenkan të qarta letrat e gjithë shqiptarëve të tjerë kudo qofshin ata? Përgjigjen na e jep, natyrisht, vetë Ismail Kadare: duke i ndarë letrat e Kosovës prej letrave të Shqipërisë shtetërore! Dhe, kjo përgjigje nuk është e bindshme për arsye se gjeografia, “gjëja më kokëfortë në botë”, atë që e dëshmon për Shqipërinë shtetërore do të duhej ta dëshmonte edhe për Kosovën dhe shqiptarët e tjerë, së paku në Ballkan. Gjeografia është një “gjë” shumë e dashur nga shkrimtari ynë. Pse? Sigurisht për dy arsye:

e para, për arsye se e dëshmon evropianitetin e shqiptarëve të Shqipërisë shtetërore
dhe, e dyta, pse Evropën e ndan, në sajë të Gjirit të Bosforit, të Mesdheut, dhe të Gjirit të Gjibraltarit, prej Azisë dhe prej Afrikës!

Ismail Kadare është i gëzuar pse Shqipëria shtetërore është më larg prej Azisë se disa shtete të tjera evropiane me identitet evropian. Ai është i gëzuar pse midis Shqipërisë shtetërore dhe Azisë shtrihen tri shtete: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. “Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”! Dhe, këtë çerekshtetin tjetër, Turqinë evropiane, ai e fut në thonjëza! Pas këtyre margaritarëve gjeografikë, me të cilët e stolis qafën e Shqipërisë, shkrimtari ynë na e dhuron kryemargaritarin gjeografik, me çmimin e të cilit shpreson të na bëjë të lumtur të gjithëve:
“Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë”.

Në qoftë se gjeografia u ka caktuar shqiptarëve dhe evropianëve të tjerë fatin që të jenë të bardhë, mos gjeografia ua ka caktuar fatkeqësinë aziatikëve dhe afrikanëve që të jenë të verdhë, të vrugët, të zinj? Mos ngjyra është arsyeja pse Ismail Kadare dëshiron të na mbajë sa më larg prej tyre? Nuk është gjeografia e vetmja frymëzuese e idesë raciste të Ismail Kadaresë: frymëzim të njëjtë mund t’i sjellin atij edhe historia e arkeologjia.Dëgjojeni: “Ashtu si gjuha, ajo quhet (popullsia shqiptare – R.Q) në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve”!
Meqenëse, si e thonë studiuesit e tij, racizmi është “botëkuptim që s’pranon t’i çmojë dinjitetet të barabarta”, atëherë na del se rumunët e shkretë, si pasardhës të dakëve, fis trakas, nuk mund të kenë dinjitet të barabartë me pasardhësit e ilirëve, madje, as të iliro-trakasve.Po, t’i lëmë për pakëz idetë raciste dhe të merremi me frymëzuesen e tyre kryesore: me gjeografinë.

Gjeografia lëvizëse Eshtë e çuditshme pse Ismail Kadare, megjithëse do të ketë qenë në kontinente të ndryshme, sigurisht, në Amerikë, në Azi dhe në Afrikë, nuk do të shohë se deri ku arrin roli i gjeografisë në përcaktimin e identitetit të popujve dhe të grupeve të ndryshme etnike. Nuk është shumë e vështirë, edhe në qoftë se nuk kemi pasur fatin që, përpos Evropës, të shohim edhe kontinente të tjera, të pranojmë se gjeografia, vërtet flet shumë për identitetin e popujve e të grupeve etnike por, megjithatë, nuk i thotë të gjitha për të. Përpos gjeografisë, edhe një sërë faktorësh të tjerë marrin pjesë, cili më pak e cili më shumë, në përcaktimin e identitetit të tyre. Mund të thuhet se dikur, para, fjala vjen, katër-pesë shekujsh, gjeografia, vërtet, e përcaktonte plotësisht ose përafërsisht plotësisht, identitetin e popujve dhe të grupeve të ndryshme, por më vonë ky ndikim i saj do të vijë duke u pakësuar gjithnjë e më dukshëm. Zbuluesit e kontinenteve e të vendeve të reja, Kristofor Kolombo, Ferdinand Magelani, Amerigo Vespuçi dhe hulumtuesit e kontinenteve të zbuluara, mandej, posaçërisht të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Jugore do të jenë të merituar – do të thoshin kozmopolitët apo do të jenë fajtorë – do të thoshin kundërshtarët e tyre – pse lartmadhëria e saj gjeografia pothuaj ka rënë prej fronit të lartë të identitetit.

Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet kështu, sepse janë të shumtë shembujt që e dëshmojnë shfronësimin e gjeografisë në mbretërinë e identitetit. Nuk ka dyshim se dikur, para zbulimit të kontinenteve të reja, gjeografia e kontinentit të Australisë e përcaktonte identitetin (fizik, shoqëror dhe kulturor) e aborixhanëve; gjeografia e Amerikës e përcaktonte identitetin e majëve, inkëve, shoshonëve, çejenëve, apaçëve, komançëve e të fiseve të tjera indiane; gjeografia e kontinentit të Afrikës e përcaktonte identitetin e zezakëve, të arabëve dhe të popujve a grupeve të tjera që në atë kontinent jetonin; gjeografia e kontinentit të Azisë e përcaktonte identitetin e persianëve, tani të quajtur iranas, të afganëve, të kinezëve, të japonezëve, të vietnamezëve, të hindusve, të tajlandezëve e të tjerëve. Ajo kohë, ndërkaq, ka kaluar përgjithmonë dhe nuk do të kthehet më. Kontinentet e reja, Amerika dhe Australia, janë banuar me popullsi të kontinenteve të vjetra, para së gjithash, me popullsi të Evropës, të Afrikës dhe të Azisë. Prej gjysmës së dytë të shekullit njëzet lëvizjet e njerëzve prej shteti në shtet, prej kontinenti në kontinent janë bërë më të shpeshta. Tani njerëzit sikur e marrin gjeografinë me vete: në shpinë dhe në shpirt.

Çka po shohim tani? Tani po shohim, natyrisht ata që duan të shohin, se anglezët, skocezët dhe irlandezët, fjala vjen, të cilëve dikur ua përcaktonin identitetin ishujt britanikë, e kanë ruajtur identitetin e tyre historik edhe në Amerikë, në Kanada, në Australi dhe në Republikën Jugafrikane, natyrisht, të pasuruar me përbërës apo me ngjyresa përbërësish, që ka sjellë koha dhe që ka sjellë bashkëjetesa me popuj të tjerë në ato kontinente. Apo jo? Arabët jetojnë në dy kontinente, në kontinentin e Azisë dhe në kontinentin e Afrikës, prej të cilëve Ismail Kadare, pikërisht pse arabët jetojnë atje, përpiqet aq shumë ta largojë Evropën, sidomos, Shqipërinë, por arabët e kontinentit aziatik pothuajse nuk ndryshojnë prej arabëve të kontinentit afrikan: kanë të njëjtin identitet – arab, me prejardhje, me gjuhë, me fe, me kulturë, me qytetërim pothuaj të njëjtë.

T’i afrohemi edhe më tepër Evropës. Turqit jetojnë në kontinentin e Azisë dhe në kontinentin e Evropës, që janë të ndarë nga Bosfori, por turqit e Turqisë evropiane nuk ndryshojnë me asnjë përbërës të identitetit prej turqve të Azisë. Rusët jetojnë edhe në Evropë edhe në Azi, por rusët e kontinentit evropian kanë të njëjtin identitet që kanë rusët aziatikë. Shqiptarët jetojnë në Ballkan, në këtë pjesë të skajshme të Evropës, e jetojnë edhe në SHBAtë, në Kanada e në Australi, por shqiptarët ballkanikë, që kanë pasur rastin të vizitojnë bashkëkombësit e tyre në ato kontinente, nuk thonë se e kanë ndryshuar identitetin, së paku jo ata që kanë lindur në Ballkan. Përkundrazi. Thonë se shqiptarët që jetojnë në kontinente të tjera nuk janë më pak shqiptarë se ne në Ballkan: e kanë tejçuar atje identitetin kombëtar dhe e ruajnë traditën kulturore me shumë dashuri. Se sa është bërë i paqëndrueshëm roli i gjeografisë në përcaktimin e identitetit të popujve e të grupeve të ndryshme etnike në këtë planet më së miri, ndoshta, e tregojnë hebrenjtë. Fati tragjik historik i ka shpërndarë në disa kontinente, në vende të ndryshme të kontinentit evropian, të kontinentit aziatik dhe të kontinentit amerikan, por, prapë, edhe nëse përpiqen shumë që t’u përshtaten kushteve politike, shoqërore, kulturore në vendet ku jetojnë, prapë e ruajnë identitetin historik të hebrenjve.

Por, sa i paqëndrueshëm është bërë ndikimi i gjeografisë në identitetin e popujve e të grupeve të ndryshme na e thotë edhe deklarata e shkrimtares së njohur amerikane, Emili Dikinson. I takonte brezit të ashtuquajtur brezi i humbur i shkrimtarëve amerikanë; kishte vendosur të jetonte një kohë larg Atdheut të vet – në Evropë, në Paris. Kur, më një rast, miqtë evropianë e pyesin: a frikësohet se duke jetuar aq gjatë larg atdheut, larg SHBA-ve, do të mbetet pa rrënjë, ajo do të përgjigjet:
“Çka më duhen rrënjët në qoftë se nuk janë rrënjë që mund t’i marr me vete”. Kjo shkrimtare, me popullorësi, kryesisht të paktë, por, megjithatë, shkrimtare gjeniale, para Luftës së Dytë Botërore e kishte vërejtur atë që ne as shtatëdhjetë vjet pas saj nuk po e vërejmë: se gjeografia nuk është më çka ishte.

Kush ju beson të dhënave sendore mund të bindet se të njëjtën fjali të shkrimtares amerikane do të mund ta shqiptonin edhe Fani Noli, Faik Konica, Arshi Pipa, që kanë jetuar dhe kanë vdekur në SHBA-të, Naim Frashëri e Sami Frashëri, që kanë jetuar dhe kanë vdekur në Azi, në Stamboll; Vaso Pasha që ka vdekur në Azi, në Liban; Andon Zako Çajupi që ka vdekur në Afrikë, në Egjipt; Filip Shiroka që ka jetuar dhe ka vdekur në Azi, në Liban, dhe sot, Naum Prifti e Naim Balidemaj, që jetojnë e krijojnë në Nju-Jork.

Ç’duan të thonë të gjitha këto të dhëna? Duan të thonë, ndoshta, se gjeografinë mund ta shpallin edhe më tej faktorë vendimtarë në përcaktimin e identitetit të popujve e të grupeve të ndryshme etnike vetëm ata politikanë e intelektualë, të cilët, kur flasin për gjeografinë dhe identitetin, në thelb mendojnë për gjeografinë e kohës së Kristofor Kolombos. Harrojnë se, përpos lëvizjeve të njerëzve prej kontinenti në kontinent, edhe teknika e teknologjia, mediat elektronike, interneti dhe globalizimi i egër, ndikojnë në identitetin e popujve më shumë se gjeografia e shfronësuar.

Ç’duan të thonë të gjitha këto? Duan të thonë, ndoshta, se që nga zbulimet e Kristofor Kolombos e këndej e, sidomos, që nga Revolucioni i Madh Francez, në 1789-ën e këndej, shumëfish më tepër se gjeografia është gjeopolitika, pra, politika e të fuqishmëve dhe e të pasurve, ajo që luan rol të “perëndishëm” në identitetin e vartësve të të gjitha llojeve.

Identiteti dhe kultura Përpos gjeografisë, Ismail Kadare do ta vërë edhe kulturën në shërbimin e përpjekjeve të tij për të qëruar hesape njëherë e përgjithmonë me përbërësit myslimanë të identitetit të shqiptarëve. Është bindur, më në fund, se vetëm me gjeografinë nuk e ka kryer punën. Përpos nocioneve, më së shpeshti të pasqaruara a të keqkuptuara, ai do të përdorë edhe krahasime, metafora e simbole për t’i mohuar e, kur nuk arrin t’i mohojë, për t’i zhvlerësuar ata përbërës. Si shkrimtar do ta quajë të arsyeshme apo, ndoshta, edhe të obligueshme që më së pari të qërojë hesape me letërsinë e bejtexhinjve, e cila, sipas tij, është fryt i luftës që bënte Perandoria Otomane, “për zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimin me atë otoman”, edhe pse kjo letërsi nuk ka luajtur ndonjë rol të veçantë në krijimin a mbajtjen e identitetit të shqiptarëve myslimanë. Në këtë betejë fitoren e pandeh të paracaktuar, për ç’arsye edhe mund të shkruajë: “Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier shqiptaro – turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental, ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-latine”. Sa më kujtohet, as Osman Myderrizi, as studiuesit e tjerë të paktë para tij apo pas tij të letërsisë së bejtexhinjve, nuk kanë shkruar se autorët e saj ishin të detyruar prej pushtetit turk që të shkruanin ashtu siç shkruanin, domethënë se ajo letërsi ishte e tillë çfarë ishte sepse në Perandorinë Otomane kishte një doktrinë teorikeletrare dogmatike, së cilës, deshën s’deshën, ishin të detyruar t’i përmbaheshin shkrimtarët, në radhë të parë shkrimtarët shqiptarë. Sa dihet, në Perandorinë Otomane nuk kishte një formacion letrar, që do të quhej “realizmi otoman” apo, “realizmi despotik”. Perandoria Otomane, si e thonë historianë të saj evropianë, që kanë jetuar në Stamboll si përfaqësues diplomatikë të vendeve të tyre evropiane, ishte një shtet, kur më pak e kur më shumë despotik, si mbretëritë e asaj kohe në Evropë. Ka, madje, historianë evropianë që thonë se Perandoria Otomane, së paku deri në shekullin XIX, ishte shtet që e karakterizonte toleranca etnike. Mos të ishte kështu, thonë ata, nuk do të mbahej aq gjatë. Në këtë mbretëri ngjante, sigurisht, shpesh, që fatkëqijtë e shpallur fajtorë të nguleshin në hunj, por edhe në mbretëritë evropiane ngjante që fatkëqijtë e shpallur fajtorë të digjeshin në turrë të drurëve! Mund të besohet se ndonjëri nga të dënuarit më parë do të zgjidhte djegien në zjarr se nguljen në hu, por mund të kishte edhe të tillë që më parë do të zgjidhte nguljen në hu se djegien në zjarr! Barbaria politike ishte ligji i kohës edhe në Azi edhe në Evropë.

Bejtexhinjtë shqiptarë shkruanin ashtu siç shkruanin jo pse ishin të detyruar t’i nënshtroheshin luftës së Perandorisë Otomane “për zbehjen e identitetit shqiptar” dhe për “gjymtimin e trurit të tyre”, por pse vetë, vullnetarisht, kishin vendosur të shkruanin ashtu: përzishëm! Letërsia e bejtexhinjve shkruhej prej vetjeve, që kishin kryer farë shkolle fetare në gjuhën turke, arabe a persiane, ashtu siç shkruhej letërsia e krishterë prej vetjeve që kishin kryer farë shkolle a fakulteti në gjuhën latine. Ajo shkruhej prej vetjeve të cilët, si shumëherë dhe shumëkund gjatë historisë, e kishin pranuar pushtetin, gjuhën, kulturën, politikën, ideologjinë, zakonësinë, rendin shoqëror të pushtuesit: të pushtuesit despotik i cili, megjithatë, vëllezërit e tyre të besimit katolik dhe ortodoks i lejonte të shkruanin qoftë shqip, qoftë latinisht, qoftë greqisht apo italisht. E tillë çfarë ishte ajo përfaqësonte për ta dhe lexuesit e tyre shijen e kohës, besimin dhe iluzionin e kohës. Letërsia e bejtexhinjve ishte, pra, shprehje e vullnetshme e autorëve të saj, ashtu siç ishte letërsia katolike apo ortodokse shprehje e vullnetshme e autorëve të tyre, ashtu siç ishte letërsia e realizmit socialist shprehje e vullnetshme, edhe teorikisht e mbështetur, e Ismail Kadaresë në kohën e komunizmit. Letërsia e bejtexhinjve shkruhej mbi temat fetare, si edhe letërsia e krishterë. Letërsia e bejtexhinjve, ndërkaq, më shpesh se letërsia e krishterë, shkruhej edhe mbi tema laike dhe kjo do të thotë se tematikisht ishte më e pasur se ajo. Po t’i vlerësojmë artistikisht, pa paragjykime fetare, letërsinë e bejtexhinjve dhe letërsinë e krishterë do të mund të themi se nuk dallojnë shumë njëra prej tjetrës, me përjashtim të sibilave të Pjetër Bogdanit që shquhen me vlerë estetike: janë letërsi me vlera kryesisht modeste artistike. Por, aq sa e ul vlerën e letërsisë së bejtexhinjve leksiku i huaj-turk, arab dhe persian, po aq e shton vlerën historike gjuhësore të letërsisë së krishterë, në mënyrë të veçantë të letërsisë katolike, pikërisht gjuha shqipe e përdorur në të sado me shumë shtresa të huaja. Ismail Kadare na bën me dije, i gëzueshëm, se letërsia e bejtexhinjve na qenka thyer përfundimisht “si një sajesë prej qerpiçi” prej “murit hijerëndë e monumental, ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-latine”. As historia e letërsisë shqipe, as historia politike e popullit shqiptar nuk e dëshmojnë këtë pohim poetik. Letërsia dygjuhëshe shqiptaro- latine asnjëherë, gjatë asnjë shekulli, nuk ia ka vënë përpara letërsisë së bejtexhinjve murin e saj “hijerëndë e monumental”, prandaj edhe nuk e ka thyer, siç thuhet, “si një sajesë prej qerpiçi”. Letërsitë nuk qërojnë hesape mes vetes as me mure, as me qerpiçë! Letërsitë dygjuhëshe shqiptaro-latine, shqiptaro-greke dhe shqiptaro-turke, shqiptaro-arabe kanë bashkëjetuar, duke mos u takuar apo duke u takuar rrallë e tek, deri në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Jo ato njëra tjetrën, po vetëm letërsia e Rilindjes Kombëtare, që në jetën e popullit shqiptar sjell idenë laike as katolike, as ortodokse, as myslimane, që kryetemë të saj bën Kombin në vend të Fesë, do t’i tregojë historikisht jo përkatëse, historikisht të tejkaluara ato letërsi. Shkrimtarët e Rilindjes do t’i pranojnë ato si traditë të veten pavarësisht prej ideologjive fetare në të cilat mbështeteshin jo për arsye artistike sa për arsye se, duke i pranuar që të tria, mund të ndërtohej ideologjia kombëtare shqiptare mbi sloganin: fe e shqiptarëve është shqiptaria.

Ata i trajtonin ato letërsi të barasvlershme qoftë edhe pse ishin të vetëdijshëm se nuk kishte arsye as etnike, as shoqërore, as ideologjike që autorët e njërës prej tyre të shpalleshin më të aftë, më të talentuar se autorët e të tjerave. Mendja e shëndoshë nuk do t’i quante më të pa dhunti krijuese bejtexhinjtë se krijuesit e letërsisë së krishterë vetëm pse ishin myslimanë. Sado letërsia e Rilindjes kombëtare e bënte historikisht të tejkaluar, letërsia e bejtexhinjve, si edhe letërsia e krishterë, do të vazhdojë të shkruhet edhe më vonë, në Kosovë, madje, deri te Lufta e Dytë Botërore. Qëndrimi tepër subjektiv, nga pikëpamje historiko-letrare i paarsyeshëm i Ismail Kadaresë ndaj letërsisë së bejtexhinjve nuk merr fund me kaq. Ai shkruan se “gjatë kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi”. Dhe, këto përpjekje për “rehabilitimin” e saj bëheshin pavarësisht pse studiuesit që “e morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e pamoralshme”.

E pse ishte qesharake, për nga niveli kjo letërsi? Ishte qesharake për nga niveli pse nuk përshkohej prej besimit të krishterë si letërsia e krishterë, sidomos ajo katolike, po prej besimit mysliman!

E pse ishte thellësisht e pamoralshme kjo letërsi? Ishte thellësisht e pamoralshme jo aq për shkak se pjesa e saj erotike ishte e “mbushur me motive ashikësh e dylberësh”, që Shqipëria mund t’ia paraqiste Evropës sot” si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme”, por pse “e ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. Ne – vazhdon Ismail Kadare – i dëgjojmë këto këngë edhe sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh ç’thonë. Ato gjëmojnë disa herë nëpër lokalet e natës, madje, në programet televizive, e ne prapë shtiremi se nuk i kuptojmë”.

Kjo që thotë shkrimtari ynë është e vërtetë: në pjesën erotike të kësaj letërsie kishte, si të themi, pornografi, kishte homoseksualizëm, kishte ashikë e dylberë, kishte, ndoshta, edhe “bejte dhe lavde për pedofilinë”! Kishte shumë çka nga ato që mund të shihen e mund të dëgjohen edhe në një pjesë të nënkulturës së sotme masive. Por, lexuesit e sprovës së Ismail Kadaresë “Identiteti evropian i shqiptarëve”, që mund të kenë dëgjuar dhe lexuar se kush ishte kush në kohën e komunizmit, mund ta pyesin Ismail Kadarenë: ti që ishe gjatë deputet i Kuvendit të Republikës Popullore të Shqipërisë, që ishe, njëkohësisht, nënkryetar i Frontit Popullor të Shqipërisë, që edhe deputet, edhe nënkryetar i Frontit Popullor ishe përzgjedhur si përfaqësuesi më i shquar i letërsisë, një, si mund të thuhet, ideolog i krijimtarisë artistike komuniste, pse nuk e ngrije zërin kundër rehabilitimit të letërsisë së bejtexhinjve dhe kundër diskriminimit të letërsisë së krishterë, sidomos asaj katolike? Do të kishe argumente të fuqishme:
ruajtjen e masave popullore prej atyre që këndoheshin në atë letërsi: prej homoseksualizmit, që aq fort e dënonte komunizmi dhe prej pedofilisë, që aq fort e dënonte edhe komunizmi dhe e gjithë bota? Pse i lejoje vetes të shkruaje në sprovën “Mbi ndikimet e huaja dhe karakterin kombëtar të letërsisë”, me të cilën i jepje përgjigje sprovës së Rexhep Qosjes “Letërsia kombëtare dhe letërsia botërore” ose afrimi përmes ndryshimeve: “Nuk ishte pak për letërsinë tonë (të realizmit socialist – R.Q) që në këta tridhjetë vjet të jetës së saj të ngrihet si një protestë kundër botës së vjetër, të ndante llogaritë një herë e përgjithmonë prej letërsisë reaksionare zyrtare, dekadente dhe klerikale të së kaluarës...”?

Po mirë, të mos kërkojmë shumë prej Ismail Kadaresë, në atë kohë kur nuk ishte e lehtëtë thoshe lirisht çka mendoje, sidomos çka mendoje në kundërshtim me mendimet zyrtare, sado në Shqipëri edhe në atë kohë kishte intelektualë dhe qytetarë të zakonshëm që e thoshin mendimin mospajtues pavarësisht prej pasojave. Por, hajde, ta kërkojmë të drejtën dhe të vërtetën prej Ismail Kadaresë sot! Në qoftë se me të drejtë ngre zërin kundër pornografisë tradicionale në letërsinë e bejtexhinjve e në këngët popullore, pse nuk ngre zërin edhe kundër pornografisë në nënkulturën tonë të sotme? Mos pse ajo e para shprehet në gjirin e ideologjisë fetare myslimane, kurse kjo e dyta nuk është në lidhje me këtë ideologji fetare? Në qoftë se Ismail Kadarenë e shqetësojnë lokalet dhe televizionet në të cilat, ja, këndohen këngë për ashikët, dylberët, pedofilët, pse nuk e shqetësojnë po aq edhe filmat pornografikë, në të cilët vajza të reja përjetojnë përuljen më të shtazërishme që mund të imagjinohet e që jepen rregullisht në shumë televizione në botë, që i shohin të rinjtë dhe qytetarët tanë, që duan t’i shohin? Në qoftë se sinqerisht e shqetësojnë këngët për dylberat, ashikët dhe pedofilët, pse nuk e shqetësojnë edhe këngët e shfrenimet pornografike në klubet e natës, në të cilat për joshje ashikërie përdoren edhe lloje të ndryshme të drogës? Pse nuk e ngre zërin edhe kundër këtij zhgruanimi, “zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt”?

Mos pse ajo e para na qenka Lindje, kurse kjo e dyta Perëndim? Mos pse kjo e dyta është dëshmi e identitetit modern evropian, kurse ajo e para ishte dëshmi e identitetit “lëngaraq”, si e quan Ismail Kadare identitetin mysliman, të cilin identiteti shqiptar, “si një luan i zgjidhur nga zinxhiri”, bënte përpjekje ta hidhte “si leckë”! Bukur! Identiteti, si luan me zinxhirë në qafë! Ku është parë luan i tillë? Me zinxhirë në qafë! Betejës së pabarabartë mes identitetit mysliman dhe identitetit shqiptar pas çlirimit nga Perandoria Otomane i jep fund vetë Ismail Kadare kur thotë: “Kombet nuk ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet”. Për të dëshmuar sa serioz, sa shkencor, sa i qëndrueshëm është ky pohim i Kadaresë po e japim një të dhënë. Në Enciklopedinë linguistike të Kembrixhit, të autorit Dejvid Kristal, shkruan se deri sot, në botë, janë shuar rreth njëzetmijë gjuhë, që ishin gjuhë të grupeve të vogla etnike, të fiseve dhe të popujve. Me to mund të besohet se janë shuar a janë përvetuar nga popuj të tjerë edhe folësit e tyre. Dhe, mund të besohet se numri më i madh i këtyre grupeve, fiseve dhe popujve janë shuar a janë përvetuar nga popuj të tjerë si pasojë e pushtimeve dhe e kolonializmit. Edhe historia shqiptare e përgënjeshtron përgjithësimin “teorik” të Ismail Kadaresë: pushtimi turk ka sjellë konvertimin e mbi dy të tretave të popullit shqiptar, kurse ky konvertim ka sjellë një identitet fetar, identitetin fetar mysliman, si përbërës i identitetit të përgjithshëm, historik shqiptar: i identitetit kombëtar shqiptar. Domethënë: kombet mund të ndryshohen shumë edhe nga pushtimet, edhe, sidomos, nga konvertimet.


Thirrje për kthim në fenë e të parëve

Myslimanofobia e Ismail Kadaresë, vërtet, është delirante!
Dhe, është e leverdishme!


Përpos në Shqipërinë shtetërore, ku, thotë Ismail Ka d a r e , përkraheshin prej komunizmit, bejteve, muzikës, këngëve, veshjeve, në përgjithësi, traditës myslimane, shqiptarët do t’ia shohin sherrin edhe në ish-Jugosllavinë. Dhe, do t’ia shohin sherrin jo vetëm në Jugosllavinë mbretërore, por edhe në Jugosllavinë komuniste. Duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet, shkruan ai, shqiptarët po treteshin:” i gjithë ngjyrimi kombëtar po zbehej me shpejtësi. uzika po orientalizohej më fort se më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që edhe gjatë periudhës së gjatë otomane ishin ruajtur, po zëvendësoheshin, jo prej veshjeje të kohës si kudo, por me petka arabe, që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend. Jugosllavia, kjo primadonë e "botës së tretë", po i ofronte kësaj bote popullsinë më të padëshiruar të saj, shqiptarët. Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë". Megjithëse në fund të kësaj fjalie do të duhej të vihej, së paku një pikëçuditje, Ismail Kadare e vë një pikë të zakonshme! Jugosllavia, "primadona" e botës së tretë, po i afronte asaj bote popullsinë më të padëshiruar: shqiptarët në ndryshorin (variantin) afrikano-verior dhe aziatik! Domethënë: popullsia më e padëshiruar e kësaj bote nuk ishin shqiptarët, po vetëm shqiptarët që ngjanin "më pak evropianë e aq më shumë afrikanoveriorë e aziatikë"! Përfundimi i gjykimit të këtillë të Ismail Kadaresë është ky: afrikano-veriori dhe aziatiku, për shkak se dallojnë prej evropianit, nuk kanë dinjitet të barasvlershëm me të.

Ja edhe një shpërthim racist i shkrimtarit tonë - edhe një qërim hesapesh me turqit dhe me arabët! Nuk ka dyshim se si në Jugosllavinë mbretërore ashtu edhe në Jugosllavinë komuniste janë bërë përpjekje të ndryshme për shkombëzimin e shqiptarëve. Përpjekje për shkombëzimin e tyre, gjithsesi shumë djallëzore, ishte regjistrimi pa i pyetur, i një numri shqiptarësh si myslimanë apo si turq! Por, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë komuniste shqiptarët as nuk janë kandisur, as nuk janë detyruar që të orientalizojnë muzikën e tyre, veshjen e tyre, pamjen e tyre vetëm e vetëm që të ngjajnë sa më pak evropianë e sa më shumë aziatikë, domethënë turq dhe afrikano-veriorë, domethënë arabë. Jo. Përkundrazi: ka ngjarë që detyrueshëm të "çaziatizohen" dhe të "çafrikanizohen"! Kështu, për shembull; grave, në shumë raste, me dhunë u është hequr ferexheja. Aziatizim dhe afrikanizim folklorik i shqiptarëve në Kosovë, "duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet", nuk ka ngjarë. As në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë komuniste, turqit nuk janë përbuzur, përkundrazi: janë çmuar. Kudo ishin në Jugosllavi - në Kosovë, në Maqedoni, ata ishin një si shtresë e lartë; në Kosovë ata ishin ytetarët e qytetëruar të Kosovës, fisnikët e Kosovës. Ata trajtoheshin kështu qoftë edhe për shkak se si Jugosllavia mbretërore ashtu edhe Jugosllavia komuniste kishte marrëdhënie politike dhe shtetërore me Turqinë të mira, në situata të veçanta, jashtëzakonisht të mira, kurse babai i Turqisë moderne, Ataturku, kishte qenë mik i mbretit Aleksandër, ashtu siç kishte qenë kryetari i mëvonshëm, gjeneral Evreni, mik i Josip Broz Titos. Në Serbi dhe, në përgjithësi, në Jugosllavi nuk përbuzeshin siç i përbuz Ismail Kadare as veshja, as muzika turke apo arabe. Si muzika e veshja ashtu edhe veçori të tjera orientale të kulturës serbe shiheshin si një mbetje historike, që do të duhej të ruhej në muze, në teatër apo në festivale të këngës popullore. Të rinjtë shqiptarë, që kanë studiuar në universitetin e Beogradit, mbajnë mend se në dekanatin dhe sallat e Fakultetit të Gjuhës dhe të Letërsisë Serbe mbahej portreti i madh me fes në kokë i themeluesit të gjuhës letrare serbe, Vuk Stefanoviq Karaxhiqit, i cili njihet edhe si autor i sloganit ku jeton qoftë edhe një serb është tokë serbe, që do të bëhet slogani i nacionalizmit pushtues serb, duke filluar prej gjysmës së parë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Në teatrot serbe, qoftë edhe në Beograd, më shpesh se asnjë shfaqje tjetër do të shihej shfaqja e punuar sipas dramës së shkrimtarit serb, Borisllav Stankoviq, Koshtana, në të cilën të gjithë personazhet janë të veshur siç ishin veshur në kohën e Perandorisë Otomane - allaturka dhe argëtoheshin siç ishin argëtuar atëherë - allaturka! Ata që urreheshin në Jugosllavi, ata që përbuzeshin në Jugosllavi, në Jugosllavinë mbretërore dhe në Jugosllavinë komuniste, mund të ishin vetëm shqiptarët. Ata ishin të paracaktuar për të bërë punët më të rënda dhe më të pista në Beograd e në qytete të tjera si më të mëdha në të dy Jugosllavitë: për të bartur qymyrin dhe për të fshirë rrugët.

Dhe ata që ishin të paracaktuar për dajakun e policisë dhe për plumbat e ushtrisë serbe kudo e, sidomos, në kufirin me nënën Shqipëri, ishin kësulëbardhët - shqiptarët, që mbanin në kokë qylafin, që i binin fyellit dhe çiftelisë! Vetëm ata, thuhej në Klubin kulturor serb, ku përpunohej strategjia e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare e ku ishte paraqitur edhe projekti i Vasa Çubrilloviqit Shpërngulja e arnautëve -para Luftës së Dytë Botërore dhe në UDB-në e Rankoviqit – pas Luftës së Dytë Botërore, e mbajnë kombin sepse vetëm ata nuk e ndërrojnë qykën lehtë! Në kohën kur Sllobodan Millosheviqi e kishte filluar të ashtuquajturin jogurt - revolucionin, me qëllim që të përmbyste autonominë e Kosovës të njohur në vitin 1974 dhe, ashtu, mandej, t'i ndryshonte marrëdhëniet kushtetutore mes republikave të ish- Jugosllavisë, serbëve që prej Kosovës shkonin nëpër Serbi për ta shprehur zëshëm mosdurimin e tyre ndaj shqiptarëve, në Novi Sad të Vojvodinës, u thuhej: kthehuni atje prej nga keni ardhur dhe qërojini hesapet me ato kokat e gjipsuara! Vetëm ata ju vijnë haqesh ju! Jo shqiptarët që Ismail Kadare i pandeh të veshur në rroba turke (aziatike -thotë ai) dhe arabe (afrikanoveriore - thotë ai) po shqiptarët, me kokë "të gjipsuar", ishin ata që duhej të dëboheshin prej Kosovës, sepse prej tyre, prej vitalitetit të tyre, prej qykës së tyre, frikësoheshin serbomëdhenjtë. Do ta provojmë këtë në vitin 1998 dhe në gjysmën e parë të vitit 1999: fshati shqiptar ishte ai mbi të cilin u derdh gjithë tërbimi i shtazërishëm i paramilitarëve, i policive në uniforma të ndryshme dhe i ushtrisë serbe dhe i cili u "pastrua etnikisht", për fat, vetëm përkohësisht. E, këta, "primadona e botës së tretë", Jugosllavia, nuk do të denjonte t'i vishte në veshjet e miqve të atëhershëm politikë: të turqve dhe arabëve.

Qëllimin e këtyre bredhjeve të tij fetare, politiko-historike, nëpër Jugosllavinë mbretërore dhe Jugosllavinë komuniste, Ismail Kadare do ta shpjegojë vetë kur shkruan: "Një shekull më pas - thotë ai - duke e zgjatur harkun kohor në një shekull edhe pse rrëfimin për orientalizimin e shqiptarëve në Jugosllavi e kishte filluar nga vitet e 50-ta të shekullit njëzet - kundër propagandës serbe që këmbëngulte t'i jepte shqiptarët si turq apo aziatikë të ardhur vonë në Ballkan, dhjetëra mijëra të rinj myslimanë shqiptarë më 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve". Sa shumë do të befasohen "të rinjtë myslimanë shqiptarë" kur ta lexojnë këtë pohim propagandistik të koniunkturshëm të Ismail Kadaresë. Rinia studentore dhe shkollore e Kosovës, as në vitin 1981, as në vitin 1989-1990, nuk është ngritur në demonstrata "për të kërkuar rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar". Demonstratat e vitit 1981 dhe të vitit 1989-1990 nuk janë bërë as për të kërkuar rrënjët e paganizmit ilir, as të krishterimit të hershëm, as të krishterimit të vonshëm, as të myslimanizmit të hershëm a të vonshëm. Jo dhe jo. Kërkimi i rrënjëve të krishterimit të hershëm do të bëhet zbulim i komunistëve të kthyer shpejt e shpejt në gjoja demokratë pas viteve të '90-ta, të cilët do ta kuptojnë se duke i kërkuar ato rrënjë do të mundë të përfitojnë politikisht për karrierat e tyre! Dhe, disa prej tyre edhe do të përfitojnë: do të dëgjohet për ta dhe do të jenë të ndihmuar në përparimin e tyre. Të rinjtë e ngritur në demonstratat e vitit 1981 dhe 1989-1990 nuk do të kërkojnë rrënjë, sepse ata rrënjët i kishin me vete si në shtëpi, në shkolla e në fakultete ashtu edhe në demonstrata. Në qoftë se, megjithatë, do të pranojmë se do farë rrënjësh i kërkonin, atëherë duhet të thuhet e vërteta: të vetmet rrënjë që disa prej tyre kërkonin më 1981, fatkeqësisht, ishin rrënjët marksiste-leniniste!

Ata nuk ishin ngritur në demonstrata as "për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve". Ata brohorisnin: jemi shqiptarë jo sllavë, jo për të thënë se shqiptarët janë rrënjës, banorë më të hershëm të Kosovës se serbët, po për të thënë se Kosova as etnikisht, as historikisht s'i takon Jugosllavisë. Ata nuk ishin ngritur në demonstrata as për arsye fetare,as për arsye arkeologjike, historike a linguistike. Për këtë as nuk kishin nevojë, as nuk kishin kohë. Ngulitjen e popullit të tyre në Kosovë përpara sllavëve e kishin dëshmuar arkeologët, historianët dhe gjuhëtarët e shquar shqiptarë: Hasan Ceka, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti, Vangjel Toçi, Neritan Ceka, Aleks Buda, Arben Puto, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Kristaq Prifti, Ali Hadri, Gazmend Shpuza, Eqrem Çabej, një varg shkencëtarësh të huaj - gjermanë, francezë, italianë, bullgarë, kroatë, boshnjakë, madje, edhe ndonjë serb. Ata nuk e lodhnin mendjen atëherë të shqiptojnë në demonstrata parullat fetare që Ismail Kadaresë do t'i duhen dhjetë a njëzetepesë vjet më vonë për koniunkturën e tij politike dhe letrare. Ata ishin ngritur në demonstrata për ta bërë botore një kërkesë shumë më të rëndësishme: kërkesën për Kosovën republikë e cila, mbasi të bëhej republikë, do të mundë të bashkohej me, si thuhej atëherë, shtetin amë - Shqipërinë.

Cili s'është misioni i Shqipërisë

Nxitimi për të qenë politikisht i koniunkturshëm atje ku ai shumë dëshiron të jetë i koniunkturshëm, do të bëjë që Ismail Kadare të predikojë një ide politike oh sa të palejueshme për Shqipërinë dhe një ide politike, oh sa të palejueshme për të si krijues!

Ta dëgjojmë me ç'vetëbesim e predikon këtë ide ai. "Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe një "vend i as-asit", s'na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk është e vërtetë, së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh "gjysmak", që në shqip midis të tjerash do të thotë "tarrallak". Ideja e përhapur andejkëndej, dhe fatkeqësisht e përkrahur nga Qosja, se "fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit", të kujton një nga njollat (e) historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit. Ide të tilla delirante, ato me të cilat, Shqipëria, për një kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve".

Çfarë margaritari politik!
Çfarë margaritari diplomatik!
Çfarë margaritari historik!
Çfarë margaritari gjuhësorstilistik!

Për ta kuptuar plotësisht, me të gjitha ngjyresat politiko-diplomatike, dhe tragjiko-komike këtë katekizëm politik të Ismail Kadaresë është e nevojshme ta kthejmë në trajtë të bashkëbisedimit.

Çka është pohimi i Rexhep Qosjes se fati historik i popullit shqiptar është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes e Perëndimit?

Është një klishe krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes e Perëndimit. Thënë ndryshe? Thënë ndryshe do të thotë një vend i as-as- it.

Çka s'na bën ky pohim i Rexhep Qosjes?
S'na bën kurrfarë nderi.

Pse s'na bën kurrfarë nderi pohimi për Shqipërinë si vend ndërmjetës, që mund të zbusë kundërshtitë midis Lindjes dhe Perëndimit?
Sepse, kjo së pari nuk është e vërtetë.

E së dyti? Së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, të lakmosh të bëhesh ndërmjetës është njëllojsi të vetëshpallesh gjysmak
.
Çka do të thotë gjysmak në shqip? Gjysmak në shqip, midis të tjerash, do të thotë "tarrallak".

A është kjo ide që i pari e paraqet publikisht Rexhep Qosja?
Kjo është ide e përhapur andej-këndej?

Nuk më kujtohet që për këtë ide të kem lexuar në gazetat tona a të kem dëgjuar në mediat tona elektronike.
S'ka përgjigje! Idetë e përhapura andej këndej kanë një shqiptues të parë.
S'ka përgjigje!
Duket, megjithatë, se shqiptues i parë publik i kësaj ideje djallëzore, kësaj klisheje, të jetë Rexhep Qosja.
S'ka përgjigje!

Çka të kujton kjo ide e Rexhep Qosjes e përftimit të Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu?
Më kujton një nga njollat e historisë shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëmleninizmit?

Ëhë! Po cili është kontributi yt në kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit?
S'ka përgjigje!

Sa kap numri i vjershave, tregimeve, romaneve, sprovave, artikujve, referateve, intervistave me të cilat ti i ke shërbyer posaçërisht shumë asaj kapardisjeje të Shqipërisë në kohën e komunizmit për kinse misionin e saj planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit?
S'ka përgjigje!


A dëshiron t'i përkujtojmë titujt e tyre dhe të shënojmë ndonjë citat si më të gjatë?
S'ka përgjigje!

Si mund të cilësohet ideja e Rexhep Qosjes për përftimin e Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu?

Mund të cilësohet si ide delirante?

Deri ku ju kanë ardhur idetë e tilla delirante shqiptarëve?

Idetë e tilla delirante, me të cilat për një kohë Shqipëria u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve.

E pse idetë e tilla delirante ju kanë ardhur në majë të hundës shqiptarëve? A vetëm pse i shqipton Rexhep Qosja?

Sepse idetë e tilla po "shkaktojnë çoroditjen kryesore në politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoiste".

E pabesueshme! Vërtet delirante! Lindjefobi! Myslimanofobi!

Politika e kështjellëzimit


Prirja e Ismail adaresë për të
qenë me çdo kusht i koniunkturshëm
politikisht, nuk është më vetëm çështje e tij: kjo
është, tani, mëzirë e letërsisë dhe e
kulturës sonë



Shkrimtari Ismail Kadare jo vetëm se kundërshton, dënon, zhvlerëson, duke e quajtur, madje, njollë në historinë e Shqipërisë, pohimin tim se “fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit”, por njëkohësisht merr në thumb të gacatores së tij edhe atë pjesë të politikanëve shqiptarë, që bëjnë politikën e bashkëpunimit politik, diplomatik, ekonomik dhe, pse jo, kulturor të Shqipërisë me të gjitha vendet pa dallim race, kombësie, feje, ideologjie. Shihet qartë: Ismail Kadare e ngre zërin, zëshëm, vendosmërisht, kundër çdo kontakti të Shqipërisë me vendet e Lindjes së Afërme e të Lindjes së Mesme, domethënë me vendet islamike, duke përfshirë këtu, madje, edhe ish-republikat aziatike sovjetike, si vende me popullsi kryesisht myslimane. A është e mundshme? Dhe, përpos vendeve myslimane, Ismail Kadare e ngre zërin edhe kundër çdo bashkëpunimi të Shqipërisë me Kinën e cila për të vazhdon të jetë maoiste, si në kohën kur e ka shkruar romanin “Dasma” – jehonën e revolucionit kulturor kinez në letërsinë shqipe! Siç e këshillonte dikur Shqipërinë komuniste që të mbahej larg, sa më larg, prej imperializmit perëndimor dhe sa më larg prej revizionizmit sovjetik, Ismail Kadare e këshillon tani Shqipërinë demokratike që të mbahet larg, sa më larg, prej vendeve islamike! A ka nevojë fare të shpjegohen burimet dhe frymëzimet e kësaj myslimanofobie në të vërtetë të këtij kshtjellëzimi të ri në mënyrë të koniunkturshme të Ismail Kadaresë? Jo.

Por ka nevojë të thuhen edhe disa fjalë për zhvlerësimin politik dhe historik që i bën ai mendimit tim mbi fatin e paracaktuar historik të Shqipërisë për zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit. Për fatin e popujve të tyre, dhe për fatin e kulturave e të qytetërimeve të tyre është i madh numri i intelektualëve në Perëndim dhe në Lindje të cilët as në kohën e Luftës së Ftohtë nuk janë pajtuar me kështjellëzimin e popujve e të shteteve të tyre, të cilët kanë predikuar dhe të cilët predikojnë lidhjet, bashkëpunimet, bashkëmarrëveshjet midis Perëndimit dhe Lindjes, midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit mysliman. Dhe, fatmirësisht, numri i tyre tani është në rritje si pas Luftës së Dytë Botërore. Janë këta intelektualë të cilët jo vetëm se nuk e kundërshtonin dhe nuk e kundërshtojnë, dhe jo vetëm se e predikonin dhe e predikojnë, por e quanin dhe e quajnë të fisëm misionin historik të vendit të tyre për zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit. Dhe, për më tepër, këtë fat të rëndë, të vendit të tyre e quanin dhe e quajnë të shenjtë. Po e citoj njërin prej tyre: po e citoj shkrimtarin grek, Nikos Kazanxhakis, i cili në romanin e tij të lavdishëm, një kryevepër e letërsisë botërore, “Letër El Grekos”, përkthyer në shqip nga Miço Gubera e botuar nga shtëpia botuese “Eugen”, në vitin 2001, përpos të tjerash, shkruan: “Pozicioni i Greqisë është me të vërtetë tragjik; përgjegjësia e Greqisë së sotme është dërrmuese; ajo ngarkon mbi supet tona një detyrë të rrezikshme, të vështirë për t’u plotësuar. Forca të reja ngrihen nga Lindja, po ashtu forca të reja ngrihen nga Perëndimi dhe Greqia qëndron gjithmonë midis këtyre dy shtysave që përplasen e bëhet edhe më shumë vendi i vorbullave. Perëndimi ndjek traditën e logjikës e të kërkimit, turret për të pushtuar botën; Lindja, shtyrë nga forca të tmerrshme të subkoshiencës, përpiqet edhe ajo të pushtojë botë. Greqia, ndërmjet tyre, kryqëzimi gjeografik e shpirtëror i botës, ka detyrë sërishmi t’i pajtojë këta dy sulmues të mëdhenj, duke arritur sintezën e tyre. A do të mundet? Fat i shenjtë, tmerrësisht i hidhur”.

Bëni krahasim! Sa i thjeshtë është mendimi im për fatin e paracaktuar historik të Shqipërisë për të zbutur kundërshtitë midis Lindjes dhe Perëndimit në krahasim me mendimin e autorit grek, i cili nuk ishte njeri pa paragjykime politike dhe ideologjike, por, megjithatë, ishte humanist i vetëdijshëm për misionin që historia ia kishte caktuar vendit të tij: jo vetëm për të zbutur, si them unë për Shqipërinë, kundërshtimet mes Lindjes e Perëndimit, po për të bërë sintezën e tyre
.
Bëni krahasim! Sa kundërhistorik e sa shkurtpamës është mendimi i Ismail Kadaresë, gabimisht i pandehur si i koniunkturshëm sot, me të cilin ia mohon Shqipërisë, me mbi dy të tretat e popullsisë-myslimane, misionin që ia kanë paracaktuar historia dhe gjeografia, për të luajtur rol, vërtet, ndërmjetësues,për të qenë jo “sanduiç”, po subjekt historik, qytetërues, moral në zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit sot! Sa përjashtues dhe moralisht i mjerë është mendimi i Ismail Kadaresë në krahasim me mendimin e gjeniut grek, Nikos Kazanxhakis, i cili Greqinë, me fare, fare pak popullsi myslimane dhe jo greke, e sheh si ndërmjetësuese, madje si vend pajtimi, ku do të arrijnë sintezën e tyre Lindja e Perëndimi, i cili Greqinë e sheh çka ajo ishte e do të jetë: kryqëzimi gjeografik e shpirtëror i dy botëve. E kush e sheh njëmendësinë shqiptare të tillë çfarë është, kush e sheh njëmendësinë shqiptare pa paragjykime fetare e politike, kush e sheh njëmendësinë shqiptare pa e shpërnjohur për shkak të leverdive të veta të çastshme, do të thotë: më parë se Greqia – me fare pak popullsi myslimane dhe jogreke, është Shqipëria (me Kosovën dhe Maqedoninë Perëndimore) – me mbi dy të tretat popullsi të besimit mysliman, është, pra, Shqipëria ai kryqëzimi gjeografik dhe shpirtëror i dy botëve, i Lindjes dhe i Perëndimit, që ka misionin historikisht të paracaktuar për zbutjen e kundërshtive të tyre.

E kuptueshme. Tokat shqiptare janë ato në të cilat, më dukshëm e më krijueshëm se kudo në Ballkan apo në botë, ka ngjarë takimi i Lindjes dhe i Perëndimit, është arritur bashkimi midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit mysliman. Kultura dhe qytetërimi shqiptar, ashtu si i ka trashëguar brezi ynë – brezi që i afrohet fundit të jetës, është dëshmia e kësaj. Dhe, bashkëjetesa shumëshekullore e harmonishme fetare në tokat shqiptare është dëshmia e mrekullueshme e kësaj. Dhe, ky mision i paracaktuar i Shqipërisë nuk e nxjerr Shqipërinë sot as gjeografikisht, as shpirtërisht, as politikisht prej Evropës. Përkundrazi, pikërisht për shkak të këtij misioni, do të duhej ta bënte më të dëshiruar për Bashkimin Evropian. Mos mendojmë ne se Evropa dhe Amerika do të na çmojnë, vërtet, pse prodhojmë këso mendimesh përjashtuese, si të Ismail Kadaresë, që na kthejnë në kohën e Luftës së Ftohtë? Mos mendojmë ne se Amerika dhe Evropa do të na çmojnë, vërtet, më shumë pse ministrin spanjoll të Punëve të Jashtme e presim gojëkyçur vetëm pse kishte ardhur në Tiranë për të frymëzuar pikërisht rolin zbutës të Shqipërisë, me një pjesë të madhe të popullsisë së besimit mysliman, në marrëdhëniet e sotme midis Lindjes myslimane dhe Perëndimit të krishterë? Mos mendojmë ne se Amerika dhe Evropa duan të na konvertojnë në të krishterë për të na përdorur në “luftën” fetare midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit islamik? Jo. Kjo nuk është ardhmëria jonë. Dhe, kjo nuk është ardhmëria e qytetërimeve. Dhe, kjo nuk është politika e Perëndimit. Kjo nuk duhet të jetë dhe historikisht nuk do të mund të jetë politika e Shqipërisë. Kjo mund të jetë vetëm rrëshqitje politike dhe intelektuale e Ismail Kadaresë. Identiteti i nënçmuar Prej hidhërimit mospajtues me të cilin reagon ndaj pohimit tim se në identite tin shqiptar janë të përmbajtur përbërës të krishterë dhe përbërës myslimanë, se identiteti kombëtar shqiptar në të vërtetë është një përgjithësi, një e përbashkët, një e tërë e gjerë, e identitetit fetar të krishterë dhe e identitetit fetar mysliman, në të cilët janë bashkuar edhe përbërës historikë, kulturorë, zakonorë, moralë e të tjerë edhe më të përparshëm; prej përzgjedhjes së njëanshme të disa të dhënave apo trillimit të disa të tjerave; prej analizës dhe shpjegimit të njëanshëm të tyre, kur e kur të cekët e të njëanshëm deri në naivitet dhe, më në fund, prej disa përgjithësimeve që bën, del qartë se Ismail Kadare mohon të vërtetën dhe të drejtën për identitetin shqiptar, i tillë çfarë është dhe madhëron një identitet evropian shqiptar, sot të mbajtur prej tij në shemërim të supozuar me identitetin mysliman të Lindjes. Qëndrimi shpërfillës ndaj identitetit mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar nuk ka se si të përjetohet ndryshe, përpos si fyerje prej shqiptarëve myslimanë, që si përbërës të identitetit të vet kombëtar e çmojnë edhe fenë myslimane me të gjitha të veçantat e saj shpirtërore, morale dhe qytetëruese. Mund të thuhet kështu sepse në gjykimet e tij janë shpërfillur:
adetet që shoqërojnë ceremonitë e lindjes, të martesës dhe të varrimit; mënyra të jetës në shtëpi e në shoqëri; ceremonitë fetare në ndërtesat dhe në vendet e kultit; veshjet me të cilat shumë gra myslimane vishen në shtëpitë e tyre apo edhe dalin në qytete; muzika popullore me veçori të muzikës orientale; vallet popullore me veçori të valleve orientale; kuzhina popullore me veçori të kuzhinës orientale; arti popullor në të cilin janë të përmbajtura motive dhe veçori të tjera të artit popullor turk e arab; krijimtaria letrare, fetare, iluministe, pedagogjike, morale, dokumentare e shkruar me alfabetin arab; monumentet fetare kulturore, siç janë xhamitë, teqetë dhe tyrbet, numri i të cilave, posaçërisht i xhamive, është i madh në Shqipëri, në Kosovë e në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë në Ballkan; urat dhe kështjellat e ngritura në kohën e Perandorisë Otomane, vlera kulturore historike e të cilave është e madhe; objektet e arkitekturës bashkëkohore, në të cilat shihen përbërës të arkitekturës tradicionale orientale; qytetet e njohura shqiptare si Shkodra, Berati, Vlora, Prizreni, Gjakova, Peja, Gjirokastra e të tjera, në të cilat arkitektura evropiane paraqitet vonë, kryesisht, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e komunizmit. Në turrin e tij shpërfillës të përbërësve myslimanë, në të vërtetë të identitetit mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar, Ismail Kadare ka shkuar aq larg, sa ka shpërfillur edhe emrat e mbiemrat e disa miliona shqiptarëve e kjo do të thotë se ka shpërfillur qytetërimin që ika krijuar ata!

Dhe, jo vetëm kaq. Në këtë turr shpërfillës, Ismail Kadare ka shkuar edhe më larg: ka shpërfillur edhe emrin e vet, Ismail, sigurisht duke mos dashur ta pranojë se edhe emri i tij e nënkupton një qytetërim – se është shprehja e tij dhe një identitet – se është dëshmia e tij. Domethënë: në këtë turr të myslimanofobisë së tij, të supozuar të leverdishme sot, ai ka shpërfillur një qytetërim - një sistem vlerash materiale e shpirtërore, zakonesh, rregullash, shprehish, virtytesh e vesesh, që karakterizojnë identitetin mysliman të shqiptarëve myslimanë e që, bashkë me identitetin e krishterë të shqiptarëve të krishterë, është i përmbajtur në identitetin e përbashkët: në identitetin kombëtar shqiptar.

A është e mundshme? Mos ka dashur Ismail Kadare t’i bëjë të verbër he t’i bëjë të shurdhër evropianët që kanë qenë ndonjëherë në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë dhe në Maqedoni? Dhe, mos ka dashur Ismail Kadare të na bëjë edhe ne të verbër e të shurdhër: të mos shohim çka shohim dhe të mos dëgjojmë çka dëgjojmë! Dhe, të mos jemi edhe çka jemi! Po, kjo është e drejta e tij: njeriu mund të bëjë me veten çka të dojë. Nuk mund të bëjë çka të dojë, ndërkaq, me të tjerët: me identitetin e tyre. Mbas përmbysjes së komunizmit kjo quhet shkelje e të drejtave e lirive themelore të njeriut.

Si ta sjellim Evropën në jetën tonë Nuk ka dyshim se rruga që ka ndjekur Ismail Kadare për ta treguar evropian identitetin tonë, është e gabuar dhe është e gabuar për dy arsye:

e para, pse prej identitetit tonë është përpjekur të heqë ato që nuk mund të hiqen,
dhe, e dyta, pse në jetën tonë nuk po i sheh ato që do të duhej të hiqeshin.

Duke vrapuar nëpër histori, ai nuk u është afruar pothuaj fare çështjeve kryesore në jetën e sotme shqiptare. Pse Evropa po i afron shqiptarët më ngadalë se popujt e tjerë të Ballkanit? Sigurisht, jo për shkak se në identitetin e tyre, në atë përgjithësinë, në atë të tërën, që i themi identitet kombëtar i shqiptarëve, është i përmbajtur edhe identiteti mysliman i numrit më të madh të tyre. Siç shkruan Rexhep Meidani në artikullin “Eurobarometri dhe barometri shqiptar”, të botuar në gazetën “Panorama”, më 11 janar 2005, Agjencia e Komisionit Evropian për Hulumtimin e Opinionit dëshmon se vetëm 33 për qind e qytetarëve evropianë e përkrahin pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kurse Bosnjën e Hercegovinën 40 për qind. Kjo e dhënë dëshmon mjaftueshëm se nuk është feja myslimane e shumicës së shqiptarëve arsyeja pse ata dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian se, po të ishte feja arsyeja, atëherë më pak se shqiptarët do të ishin të dëshiruar boshnjakët. Arsyeja e vërtetë pse shqiptarët dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian, në të vërtetë është joevropa e sotme në jetën e tyre të sotme politike e shtetërre, janë mentalitetet, shprehitë, sjelljet, veprimet, të bërat e palejueshme, jodemokratike, primitive në politikën e tyre të sotme, që po ua vrasin sytë evropianëve që na vizitojnë, a që janë në Kosovë, që u kanë ardhur në majë të hundës edhe shqiptarëve, e për të cilat Ismail Kadare nuk e quan të nevojshme të bëjë fjalë në sprovën e tij “Identiteti evropian i shqiptarëve”. Dhe, këto mentalitete, shprehi, sjellje, veprime, të bëra të palejueshme, jodemokratike, në thelb cenuese për identitetin tonë në sytë e të tjerëve aq sa janë orientale janë edhe oksidentale, aq sa janë burimore janë edhe të mësuara prej botës së huaj të djeshme dhe të sotme. Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë për një intelektual shqiptar, që do të merrej me çështjen e përbërë të identitetit, shumë më e arsyeshme se të shemërojë identitetin kombëtar shqiptar dhe identitetin mysliman, që të shemërojë Lindjen dhe Perëndimin në kulturën dhe në qytetërimin tonë, është të bëjë betejën mendore pikërisht kundër kësaj joevrope të sotme në politikën dhe në jetën tonë të sotme. Është e rëndësishme për të sotmen dhe për të nesërmen tonë evropiane që të ngremë zërin e të mos lejojmë që në heshtje të bëhen përbërës i identitetit tonë:

kultura e kuptuar vetëm si e drejtë e jo, para së gjithash, si obligim;

shteti i privatizuar që po ngjan në Shqipëri e në Kosovë;

shteti i kuptuar kryekëput si pushtet mbi popullin e jo si servis i tij;

politika e kuptuar si sundim urdhërdhëniesh e jo si qeverisje demokratike;

tribalizmi dhe krahinorizmi të dëshmuar jo vetëm në zgjedhje, në organizimin partiak e në administratë, po edhe në gjykimet politike të njerëzve të politikës;

konflikti i ideve moderne dhe i shoqërisë së mbyllur folklorike;

trajtimi i pabarabartë i dinjitetit të feve, që mund të cenojë baraspeshën e tyre historike dhe të ndikojë në çintegrimin e shoqërisë;

politika e njerëzve të papërgjegjshëm që ia mësojnë popullit papërgjegjësinë, shfrenimin, shumëfytyrësinë, paqëndrueshmërinë morale, shndërrimet servile;

lidhja pushtetmedia, që sjell uzurpimin dhe shpërdorimin e sovranitetit të popullit dhe shpërfilljen e të drejtave dhe të lirive të qytetarëve; vetitë e pushteteve despotike, siç janë vrazhdësia, arroganca, hipokrizia, nënshtrimi para të fuqishmëve dhe përçmimi i të vegjëlve; tirania e vazhdueshme e gënjeshtrave;

demokracia frikësuese-predikimi i demokracisë me britmë, me kërcënime, me gënjeshtra dhe me urrejtje;

trajtimi i partive si firma tregtare më parë se si organizata që reformojnë shoqërinë; korrupsioni tmerrësisht i përshtrirë si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë, në të cilin janë zhytur prijës politikë, familjarë, miq dhe të afërm të tyre të tjerë;

plaçkitja marramendëse e pronës, dikur të quajtur shoqërore në Kosovë nga ana e pushtetarëve dhe të afërmve të tyre;

luksi tragjiko-komik i njerëzve të politikës në Kosovë, ndërsa 67 për qind të kosovarëve janë të papunë, 38 për qind jetojnë në varfëri, kurse 17 për qind jetojnë në varfëri të skajshme; despotët qesharakë, të cilët krye më vete, pa pyetur Kuvend, qeveri a popull shpallin: ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, afër Prishtinës, si ajo në Uashington dhe ditën e Presidentit, domethënë të vetvetes, si dita e stafetës së rinisë e mareshal Titos;

despotët qesharakë të cilët, pa pyetur Kuvendi, qeveri a popull caktojnë flamur dhe himn të vendit ende të pabërë shtet, caktojnë urdhra, medalje e dekorata të folklorizuara, me të cilat i bëjnë “figura kombëtare” miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët e vet;

politikanët të cilët pjesë të teknikës nga kabinetet e veta çojnë në vilat vetjake, kurse pastruesit e zyrave në institucione i përdorin për pastrime në shtëpitë e tyre;

administrata më e shtrenjtë partiake, politike dhe shtetërore në skajet më të varfra të Evropës; gropat e rrugëve në kryeqytetet shqiptare;

telat e korrentit të rënë nëpër arat dhe livadhet e Shqipërisë shtetërore e të Kosovës; qërimhesapet foljore e trupore, tashmë të shpeshta, në Kuvendin e Shqipërisë;

kthimi i Kuvendit të Kosovës në kuvend të familjarëve, miqve, shokëve, kushërinjve të kryetarëve, nënkryetarëve, sekretarëve të partive të përfaqësuara në Kuvend.

E të tjera e të tjera.

Të gjithë shembujt e sipërthënë të joevropës së sotme në politikën dhe në jetën tonë të sotme flasin mjaft për mbetjet e shumta:

1. Të despotizmit oriental
2. Të tribalizmit primitiv
3. Të totalitarizmit komunist në identitetin tonë të sotëm.

Do të duhej të shqetësoheshim: mos shembujt e sipërthënë dhe shumë të tjerë si ata, mund t’i nxisin institucionet evropiane të mendojnë se klasës politike, që prodhon aq të këqija në jetën e popullit të vet, i mungon përgjegjësia për jetë të përbashkët institucionale në një bashkësi demokratike, moderne, siç është Bashkimi Evropian! Për këtë arsye është e nevojshme që parullat e Ismail Kadaresë për identitetin tonë evropian t’i zëvendësojmë me përpjekje të sinqerta, këmbëngulëse, të vazhdueshme që të sjellim Evropën në jetën tonë: shtetin e së drejtës, demokracinë e vërtetë, kulturën politike, gjedhen kulturore kritike, standardet dhe vlerat evropiane. Vetëm kështu do ta shpejtojmë integrimin në Evropë.Një nga personazhet në romanin “Mbreti i xhindeve” të shkrimtarit bashkëkohor francez, Mishel Turnie, thotë se çdo popull i shquan si virtyte të vetat pikërisht ato që më së shumti i mungojnë. Ismail Kadare në sprovën e tij “Identiteti evropian i shqiptarëve” është përpjekur që t’i japë sa më shumë të drejtë këtij personazhi dhe ta bëjë përbërës të identitetit tonë pikërisht atë që më së shumti na mungon: identitetin evropian! Jo rastësisht këtë identitet edhe e ka rrëgjuar në gjeografinë. E kuptueshme!

Popullorësia e Ismail Kadaresë, përpos në atë pjesë të çmuar të krijimtarisë së tij, që i ka shpëtuar realizmit socialist, në masë të madhe u detyrohet edhe iluzioneve, gjysmë të vërtetave dhe të pavërtetave historike e bashkëkohore, me të cilat i ka ushqyer ai gjatë shumë viteve përkushtimet politike, ideologjike, kurse tani edhe anshëm fetare të lexuesve e me të cilat është bërë edhe frymëzuesi më përshtypjelënës i atdhetarizmit të rendit të tretë në jetën tonë kombëtare. Për këtë arsye, është shumë e nevojshme, është në interesin e shkencës letrare shqipe dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, që krijimtaria e tij, aq shumë politike dhe e politizuar, të shpjegohet dhe të paraqitet kritikisht, objektivisht, ndershëm. Kjo do të jetë e dobishme edhe për vetë Ismail Kadarenë sepse leximi, shpjegimi, vlerësimi glorifikues i krijimtarisë së tij e ka bërë të vetëkënaqur: i ka krijuar iluzionin se të gjithë lexuesit, paraqitësit dhe kritikët pajtohen edhe me koniunkturizmin e tij politik. Ky koniunkturizëm është edhe arsyeja kryesore pse Ismail Kadare, sado krijues me vepër letrare të rëndësishme,
nuk është bërë pikë referimi në kulturën shqiptare. Dhe s’mund të bëhet. Mjerisht. Prirja e Ismail Kadaresë për të qenë me çdo kusht i koniunkturshëm politikisht, nuk është më vetëm çështje e tij: kjo është, tani, mëzirë e letërsisë dhe e kulturës sonë, sepse letërsia dhe kultura jonë prirjen e tillë po e shpërblejnë! Dhe, kjo ka një çmim moral, që letërsia e kultura jonë e paguajnë në dëmin e vet! E, kulturës dhe jetës sonë publike, për shkak të shtrirjes së jashtëzakonshme të korrupsionit mendor, moral dhe material në jetën kombëtare, sot më tepër se kurrë i nevojiten:

-ndershmëria intelektuale
-intelektualë të qëndrueshëm, me karakter të fuqishëm, që nuk shikojnë si t’iu përshtaten pushteteve dhe opinionit mbizotërues, që të vërtetën e të drejtën nuk pranojnë t’ua flijojnë leverdive vetjake:
-intelektualë, që në çdo kohë nuk ngurrojnë që –si thuhet për ta në botë- të tregojnë terrin që mund të pllakosë shoqërinë dhe, njëkohësisht, të ndezin qiriun që të shohim në atë terr.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...