nga Sarah Gretler :Reflektim i mangët i të kaluarës së afërt në marrëdhëniet Zvicër – Kosovë

image de l'article
Kritikat ndaj presidentes së shtetit, Calmy-Rey, ose, madje kërkesat për kthimin mbrapa të njohjes së pavarësisë së Kosovës që po bëhen në kontekstin e debatit për raportin e Dick Marty-t, dëshmojnë për një ballafaqim të mangët të Zvicrës me historinë e re të Jugosllavisë dhe të Kosovës, ashtu si dhe të rolit të saj në gjithë këtë.

Edhe më tutje vazhdon të hakmerret fakti se Kosova dikur ka qenë një fëmijë jetim (thjeshtër) mezi i rënë në sy i politikës ndërkombëtare. Jugosllavia, në botën bipolare të Luftës së Ftohtë, devijonte nga rregulli: ajo ishte një vend socialist, por, falë rrugës së veçantë të Titos, për të kishte në Perëndim një parashenjë pozitive. Në të kundërtën, emërtimi “shqiptar” nuk ngjallte asociacion tjetër përveçse atë me Enver Hoxhën dhe me Shqipërinë e tij. Dhe Shqipëria po vinte tash në sytë e Perëndimit – edhe të shumicës së të majtëve perëndimorë – pikërisht në skajin tjetër të grafikut të trajtave të mundshme të paraqitjeve socrealiste dhe të shumtën është treguar si vendi me fjalën kyç “Stalinizëm”.

Kosova: Nga fëmija jetim i politikës, deri te fëmija i preferuar i SHBA-së

Gjendja e popullatës shqiptare në Kosovë dhe në Jugosllavi, prandaj, ndodhej në këndin e vdekur të interesit politik ndërkombëtar. Asnjë orientim ideologjik, asnjë strategji e fuqisë politike nuk hidhte një sy mbi Kosovën dhe kështu nuk u shtruan kurrë çështjet që ishte me kaq shumë rëndësi të shtroheshin. Në lidhje me njohjen e pavarësisë, fjala vjen, do të ishte e udhës të kihet një ide për faktin se si paraqitej çështja e një Republike të Kosovës atëbotë në kuadrin e Jugosllavisë. Mirëpo, kjo çështje nuk e preokuponte në vitet tetëdhjetë askënd jashtë Jugosllavisë, para së gjithash – me gjithë praninë e dhjetëra-mijërave sezonierëve shqiptarë – asnjë parlamentar zviceran. Në Kosovë mund të sundonin të gjithë mujsharët (despotët) jugosllavë nga Tito e Rankoviçi, e deri te Millosheviqi, ashtu si t’ u pëlqente.

Vetëm në vitet e fundit para luftës Kosova filloi të bëhej deri në njëfarë shkalle objekt i perceptimit zviceran dhe, madje, me vlerësime kundërthënëse. Ende në vitin 1997 presidenti i Zvicrës, Arnold Koller, pas negociatave pafundësisht të gjata pati nënshkruar një marrëveshje kthimi të refugjatëve me ministrin e Brendshëm dhe të besueshmin e Millosheviqit, Zoran Sokoloviq, për riatdhesimin e mijëra azilkërkuesve kosovarë. Nga ana tjetër, organizata si “Schweizerische Flüchtlingshilfe” dhe shumë personalitete nga politika, kultura dhe drejtësia po shihnin në Kosovë një situatë të dhunës gjithëpërfshirëse dhe të shkeljes më të rëndë, sistematike, të të drejtave të njeriut. Kjo pjesë, politikisht jo shumë e fuqishme e opinionit publik, protestonte kundër marrëveshjes dhe i kërkonte politikës së jashtme zvicerane që të angazhohet në mënyrë aktive për një zgjidhje politike të konfliktit të Kosovës.

Për herë të parë kur në pranverën e vitit 1998 njësitet jugosllave-serbe ushtruan masakra të tmerrshme mbi familjen Ahmeti dhe atë Jashari në Drenicë, dhe me këtë lufta e Kosovës filloi, fillimisht në mes të UÇK-së dhe trupave serbe-jugosllave, Bundesrati tregoi se e kishte marrë seriozisht situatën në Kosovë. Këtë e dëshmoi duke marrë gradualisht veprime zemërgjera ndaj të gjithë azilkërkuesve ekzistues kosovarë dhe atyre që po vinin, të cilëve u ndau leje qëndrimi. Ndërsa, familjarëve të kosovarëve që jetojnë në Zvicër u ofroi procedurë të lehtësuar të vizave për vizita në Zvicër.

Sot Kosova nuk është më fëmijë bonjak politik, por ajo po quhet fëmijë i preferuar i SHBA-së. Portreti i madh i Bill Clintonit shkëlqen me përmasa mbidimensionale në një mur ndërtese mbi Bulevardin Bill Clinton në Prishtinë. Shumë njerëz në botë, edhe në Evropën Perëndimore, SHBA-ja nuk ka mundur t`i bindë, së paku nga lufta e Vietnamit e këndej, se ajo politikën e saj të jashtme e udhëheq në emër të diçkaje që nuk është thjesht politikë e forcës.

1999: Debate të ashpra ndërzvicerane lidhur me bombat e NATO-s mbi Jugosllavinë

Po ashtu jo, edhe kur ajo, (SHBA) respektivisht NATO-ja e dominuar nga ajo në vitin 1999 bombarduan Jugosllavinë. Debati në Zvicër mbi dhe gjatë kohës tremujore të bombardimeve të NATO-s ishte i ashpër.  Blocheri ishte kundër bombave të NATO-s, (por jo për shkak të një qëndrimi antimilitarist), ndërsa bashkëthemeluesi i GSOA, Andreas Gros, (Grupi për një Zvicër pa ushtri) ishte pro.  Ngjashëm sikur në debatin aktual, në qarqet e majta kalonte një hendek në mes të përkrahësve dhe kundërshtarëve. Befasisht shumë kundërshtarë të NATO-s dolën në rrugë, ballafaqimi i argumenteve tërhoqi rrathë të gjerë në të gjitha mediet. Dhe kjo, të kemi parasysh, po ndodhte në Zvicër, në vendin që nuk po merrte pjesë në veprimet luftarake. Ishte dëshpërues krahasimi i kësaj mase imponuese të angazhimit antiluftarak me bilancin e dobët që dilte nga interesimi i gjithëmbarshëm politik për shqiptarët e Kosovës në njëzet vjetët e fundit.

Në mes të kritikës për NATO-n dhe mungesës së mëparshme të interesimit për fatin e Kosovës, e cila prej dhjetë vjetësh po vuante nën sundimin e armatosur e arbitrar të Millosheviqit -  e të mos flasim për mosdijen edhe më të madhe për dhjetëvjetëshat pararendës për dënimet e gjata me burgim, për torturat dhe vdekjen e të burgosurve politikë - tregohej një diskrepancë më shumë se e qartë.

Dhe, pikëpamjet politike ngjashëm me ato tashmë të llojit të përmendur nga koha e luftës së Vietnamit, pra antiamerikane, antimilitariste dhe pikëpamjet të cilat luftën me bomba të NATO-s e paraqitnin si mjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut-  siç përshkruhej nga zëdhënësit e SHBA-së dhe NATO-s – ishin të ndara, në shumë raste, nga hendeqe ideologjike të thella. Andaj një akt edhe më të madh balancimi duhet të realizonte dikush që, nga njëra anë ishte antimilitarist dhe, në të njëjtën kohë, e kishte parasysh gjithë historinë e popullit të shtypur të Kosovës. Dhe kjo nuk mund t`i lejonte një kritikë të izoluar të luftës së NATO-s pa qëndrimin kritik për faktin që situata pararendëse në Kosovë nuk është marrë seriozisht.

Njohja e pavarësisë kërkon diskutim të hapur lidhur me historinë më të re të Kosovës

Në këtë kontekst Qeveria e Zvicrës ka bërë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, ajo, të paktën për aq sa mund të kuptohet nga mediet, asnjëherë nuk është thelluar në mënyrë eksplicite në historinë komplekse të Kosovës dhe në rrethanat që sollën deri aty që Kosova në përgjithësi të mund të shpallte pavarësinë e saj. Nuk është thelluar (qeveria zvicerane) as në qëndrimin e saj për Kosovën para luftës së NATO-s. Zvicra nuk kishte pasur të bënte as në planin teorik e as në atë praktik me çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Ishin shkaqe pragmatike ato që shtynë qeverinë e Zvicrës për të marrë këtë hap diplomatik. Për këtë arsye nuk habisin qëndrimet e ndryshme të cilat shfaqeshin që nga koha e luftës së NATO-s, qëndrime që edhe sot sërish, pak a shumë qëndrojnë papajtueshëm kundër njëri-tjetrit. Këtu nevojitet një debat i hapur për historinë e re të Kosovës dhe rolin e Perëndimit e të Zvicrës në të.

Ai që i emërton gabimet dhe lëshimet e tij, mund të ushtrojë kritikë të papenguar për partnerin. Të marrësh sot me seriozitet Republikën e Kosovës si partnere dhe të mbështetësh atë, nënkupton që edhe të mund të shtrosh pyetje rreth NATO-s dhe UÇK-së. Politika e sotme shumë aktive e Zvicrës për Kosovën dhe po ashtu ndihma zemërgjerë për zhvillim, kanë nevojë për një mbështetje të brendshme politike të gjerë. Shqetësimi aktual i shkaktuar nga raporti i Dick Marty-t zbulon një konsensus të brishtë dhe shumë pyetje të drejta, pa përgjigje, të cilat kanë të bëjnë me raportet Zvicër – Kosovë, bile i tejkalojnë ato nganjëherë. Sepse, siç u parashtrua tashmë, qëndrime të ndryshme në lidhje me luftën në Kosovë dhe lidhur me kohën pas saj kishin lindur, në një farë përmase, mbi bazën e parimeve botëkuptimore. Relevanca politike e çështjeve të shtruara në lidhje me raportin e Martyt e bën më të qartë të dhënën se Kosova sot është më shumë se vetëm emri i këtij regjioni. Pra, Kosova është një shembull shkollor që nuk i mungon pothuaj asnjë analize apo traktati ose qëndrimi politik për një spektër të gjerë temash të diskursit politik. Duke filluar nga raporti në mes të të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, nga i ashtuquajturi “intervenim humanitar” për shkak të “pastrimit etnik”, e drejta e popujve për vetëvendosje, udhëheqja ndërkombëtare dhe administrimi i protektorateve të OKB-së, municioni me uran e deri te angazhimi ushtarak jashtë vendit dhe shumë tema të tjera.

Emërtimi i gabimeve dhe i lëshimeve të Perëndimit mundëson distancën me strategjinë e UÇK-së dhe NATO-n

Ngadhënjimi ndaj trupave të Milosheviqit në Kosovë ishte shumë më tepër vepër e intervenimit të ashtuquajtur humanitar të NATO-s, se sa i veprimit të UÇK-së. Është e kuptueshme se në rrjedhën e viteve të gjata të despotizmit të armatosur serb, pjesë të popullatës në Kosovë ta ndjenin veten të detyruar të ushtronin rezistencë të armatosur. Para së gjithash, pasi që Rugova, me gjithë politikën e tij paqësore, nuk kishte hasur në sukses për një intervenim politik dhe ushtarak ndërkombëtar në Kosovë, burra të rinj nxorën një konsekuencë më të guximshme, atë që duke lënë peng jetët e tyre të sillte ndryshimin, pas poshtërimit të vazhdueshëm që përjetonin, perspektivës së zymtë për gjithë popullin. Por se UÇK-së për të luftuar kundër armatës jugosllave i nevojitej një ndihmëtar i fuqishëm, ishte fare e qartë që në fillim, dhe sipas të gjitha gjasave menjëherë pas themelimit kjo ishte bërë pjesë e kalkulimeve të strategëve të saj. Për këtë, parimisht, nuk mund t`i bëhet vërejtje dikujt nga askush, i cili në logjikën e tij e inkorporon edhe luftën si Ultima Ratio (mjetin e fundit). Kjo logjikë vazhdon të jetë mbizotëruese në botë dhe po ashtu edhe në Evropë. Mirëpo, duke ecur këtij shtegu, zgjidhjet e tjera, të mbështetura në qasje politike paqësore, bëhen gjithnjë më të vështira.

Një zgjidhje e tillë, e përqendruar në mjete paqësore do të duhej të vihej në veprim më herët, së voni pas marrëveshjes së Daytonit, në vitin 1995. Siç dihet, Perëndimi vazhdonte të mbështetej në Milosheviqin si të ashtuquajtur garant të stabilitetit. Nëpërmjet këtij qëndrimi ndikimi i UÇK-së po legjitimohej po aq sa edhe po forcohej nëpërmjet faktit që në vitin 1998, gjatë kohës së kërcënimeve të shumëfishta të NATO-s, UÇK-ja nuk ishte përfshirë në negociatat në mes të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë dhe Milosheviqit.

Pas përfundimit të luftës Zvicra ka ndihmuar fuqishëm dhe në mënyrë zemërgjerë rindërtimin e Kosovës. Nga ajo kohë ajo realizon një bashkëpunim shumë profesional për zhvillim në Kosovë dhe angazhohet në rrafshe të ndryshme për shtetin e ri. Mirëpo, mungon ballafaqimi (vetë)kritik me qëndrimin perëndimor dhe të sajin gjatë dhjetëvjetëshave të shtypjes në Kosovë, ballafaqimi me parahistorinë e luftës së NATO-s, me rolin e NATO-s dhe rolin e UÇK-së. Po qe se qeveria dhe parlamenti i Zvicrës do ta kompensonin këtë mungesë, ndarja e një çmimi të diasporës shqiptare mund të rridhte në një atmosferë transparente. Në lidhje me një raport si ai i Martyt do të reagohej më me kompetencë dhe në mënyrë më specifike, për arsyen se vetëdija jonë për aspektet kritike të historisë më të re të Kosovës do të ishte tashmë pjesë e nënkuptuar e diskursit tonë të përbashkët. Po ashtu me këtë, kontributi i sotëm konstruktiv zviceran për Kosovën dhe diasporën e saj do të vendosej në themelet e një politike koherente.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)