2011-01-22

Libri, tre dite bujtes ne Korce

Libri do të jetë bujtës për dy ditë në Korçë. Nga data 8 - 10 maj në këtë qytet do të zhvillohen dy veprimtari të rëndësishme të librit shqip: edicioni i dytë i Panairit të Librit, si dhe Takimi tradicional i poezise: "Netët Korçare të Poezisë - 2003". Nën organizimin e Lidhjes së Botuesve Shqiptarë dhe Klubit të Shkrimtarëve Korçarë "Bota e Re", si dhe me mbështetjen e Bashkisë së Qytetit, këto dy veprimtari zhvillohen tashmë tradicionalisht çdo vit, por është hera e parë që ato organizohen në të njëjtën periudhë, duke bashkuar për tre ditë me radhë krijuesit, botuesit e lexuesit rreth librit.
Sipas kryetarit të Lidhjes së botuesve shqiptarë, Fatmir Toçi, i cili është një ndër organizatorët kryesorë, “kjo mund të sjellë një përvojë të re në organizimet e këtyre veprimtarive edhe në qytete të tjera, si dhe një interesim më të madh të publikut për të vizituar stendat me libra që do t'u ofrojnë botuesit”.
Në Panairin e Dytë të Librit në Korçë, i cili do të organizohet në mjediset e Bibliotekës së Korçës, parashikohet të marrin pjesë rreth 50 nga botuesit më të njohur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, të cilët do të ekspozojnë mbi 5000 tituj, nga të cilët rreth 500 tituj të rinj. Veprimtaritë me librin dhe kulturore do të jenë të shumta gjatë ditëve të Panairit. Shumë botues do të organizojnë paraqitjen e botimeve të tyre më të fundit, por do të organizohen edhe debate për librin nga Klubi i Shkrimtarëve "Bota e re", si ai me teme: "Poezia dhe përkthimi - arritje dhe probleme aktuale", do të jepet një koncert nga Shoqata "Serenata Korçare" në ditën e çeljes së Panairit, do të organizohet mbjellja e pemës simbolike nga fituesi i "Kurorës së Poezisë 2003", do të ketë mbrëmje të recitimit të poezive nga vetë poetët, ndarje çmimesh, shitje të librave me autograf të autorëve etj. Nga organizatorët do të hartohet dhe do të shpërndahet programi i veçantë i veprimtarive për të tre ditët e panairit. Janë rreth 50 poetë të ftuar për të marrë pjesë në këto dy veprimtari, jo vetëm nga Shqiperia, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Greqia, Turqia etj. Disa prej shkrimtarëve dhe poetëve të ftuar janë: Nga Shqipëria, Dritero Agolli, Natasha Lako, Moikom Zeqo, Pano Taçi, Agron Tufa, Flutura Açka, Visar Zhiti, Ilirjana Sulkuqi, Vojsava Nelo, Skënder Demolli, Dhimitër Pojanaku, Skënder Rusi, Milianov Kallupi, Xhelal Tosku, Irhan Jubica, Koçi Petriti, Lirim Deda, Skënder Hasko, Bardhosh Gaçe, Kujtim Dashi, etj. Nga Kosova: Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Nazmi Rrahmani etj. Nga Maqedonia: Ali Aliu, Resul Shabani, Shuaip Emerllahu, Ahmet Selmani, Kalosh Celiku, Haxhi Shabani etj. Nga Greqia: Valentina Patamionu, Jorgo Samarxidhis. Nga Turqia: Shaqir Iliozogllu, Jahja Akemgin, Esat Bajram. Në ditët e para të muajit maj, në prag të çeljes së Panairit, do të riinformojmë për të rejat në lidhje me organizimin, interesimin dhe konfirmimet përfundimtare të shkrimtarëve dhe botuesve pjesëmarrës.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...