Njeriu që dikur shkruante në kartë-vizitën e tij "Homo Sapiens"
Emri: Jacques. Mbiemri: Lacarriere. Vendlindja: Limoges e Frances, më 1925. Filozof, romancier, poet , përkthyes, mitolog…Në njeri i lindur në një familje modeste të Bourgogne-s, me një baba llogaritar dhe nënë rrobaqepëse, dhe ku në shtëpinë e tyre nuk gjendej asnjë libër. Ai është një nga të rrallët shkrimtarë të sotëm që ka guxuar të ecë me këmbë mijëra kilometra, nëpër Francë, Vosges, Corbières…"Nëse nuk i do njerëzit, është e kotë të ecësh, - thotë ai, duke e përmbledhur me dy fjalë humanizmin e tij.
Shkrimtari udhëtar
"Së pari jam shkrimtar dhe pastaj udhëtar", - të thotë ai. "Eshtë interesant të shohësh se cilët janë udhëtarët që kanë shkruar, dhe cilët janë ata shkrimtarë që kanë udhëtuar, pasi veprat e tyre nuk janë njëlloj. Ka një diferencë të madhe mes librave "Voyage dans les Cévenes" të Stevenson, "En Pentagonie" e Chatevin apo "Le Colosse de Maroussi" e Henry Miller, nga ato libra me kujtime të shkruara nga Bali apo një ditar oriental i dikujt që e shkroi sepse u ndodh atje. Pier Loti është një shkrimtar, kurse Magelani, i cili është po aq i rëndësishëm, është një udhëtar, një lundërtar që na ka lënë kujtimet e tij. Në "Universitetet e mia », Maksim Gorki thoshte : "Të jesh njeri, s'do të thotë vetëm të dish, por para së gjithash, të dish të jetosh me të tjerët". E pra udhëtimet, pikërisht kësaj i shërbejnë". Madje Lacarriere nuk harron dhe një detaj tjetër nga vitet e adoleshencës së tij: "Atëhere i thoja nënës sime: Dashuri, udhëtime, poezi, ja jeta! Dhe ajo më përgjigjej: Poezi ti mund të bësh, dashuritë shpresoj të jenë të lumtura për ty, por për udhëtimet, do të të duhen para". Ja që unë kurrë s'kam patur para, megjithëse kam udhëtuar. Kam patur fat të kem qënë i varfër. Kjo gjë në Greqi më detyroi të punoja, të takoja njerëz, të jetoja me ta. Po të kisha shumë para do të kisha shkuar në hotel dhe asgjë nuk do të kisha mësuar". Udhëtimet i dhanë shumçka këtij shkrimtari filozof. Udhëtimet e pasuruan dhe u bënë për të buronja frymëzimi. Çdo udhëtim do të ishte një ngasje krijimtarie, një nxitje për të shkruar një libër. Ashtu ishte nisur ai një ditë të vitit 1950, në këmbë, me autostop. Doli në "Porte d'Italie" në periferi të Parisit dhe u nis drejt jugut të Francës. Udhëtimi i tij i fundit ka qënë në Anadoll, disa vjet më parë. Pas atij udhëtimi ai botoi librin "Pluhuri i botës" (Poussière du Monde") për dervishin e famshëm Jonuz Emre, poet mistik. "Bashkë me gruan time bëmë itinerarin e tij. Ndoqëm hapat e këtij dervishi, që kishte jetuar në shekullin e XIII. Atëhere të gjithë njerëzit ecnin në këmbë dhe kjo ishte e natyrshme.
I çuditshëm itinerari i këtij shkrimtari-filozof. Udhë, shumë udhë…Itinerari i njeriut të dashuruar me njerëzit, qiellin, lumenjtë, pyjet, me kozmosin. Dhe kështu kujtesa e tij mbushej me emra, histori, portrete…udhëtimi për të ishte gjithnjë një zbulim. Kështu lindi dhe libri "Duke ecur", një libër që shpejt në Francë do të bëhej mjaft popullor.
Takim me orakujt e kohës antike
Ai ishte mjaft i ri kur u nis për herë të parë në Greqi. Ishte viti 1947. Në Sorbonne kishte studiuar letërsinë, mitologjine, por ndryshe ishte të prekte djepin e vjetër të qytetërimit të Evropës. Donte të njihte buronjat e miteve. Fantazia e djaloshit gëlonte nga historitë mitike, personazhet mitologjikë, figurat e Edipit, Jocaste-s, Zeusit, Orestit, Akilit…Atë vit në Greqi ishte luftë civile. Në Delf ishin ende partizanët e gjeneralit Markos. Por edhe pse luftë, ai do të guxonte të shkonte në Delf, nën ehot e krismave, në tempullin e madh të historisë. Ai nuk e kuptonte atë luftë. Për të rëndësi kishin mitet. Dukej se Jacques Lacarriere kishte takim me orakujt. Kështu ai do të udhëtonte shpesh në Greqi gjer në vitin 1966. Nga këto udhëtime lindi libri "Vera greke" (L'éte grecque"), një libër-udhëtimi ku përshkruan me një humanizëm të thellë njerëzit dhe takimin me mitet e botës antike. Por pas vitit 1966 ai nuk mund të shkonte më atje. Ishte "koha e Kolonelëve", koha e juntës ushtarake.
Në gjurmët e Herodotit
Dëshira e Lacarrière ka qënë gjithnjë zbulimi i qytetërimeve dhe i botërave të reja. Orienti e ka tërhequr gjithnjë pa masë. Po kështu dhe lindja e Mesdhe, India. "Pas Greqisë, unë u nisa në Indi. Mësova gjuhën hundistane në Institutin e Qytetërimeve dhe të Gjuhëve Orientale, në Paris. Pastaj mësova arkeologjinë dhe rastësisht u gjenda në Bejrut. Dy vjet qëndrova mes Libanit dhe Sirisë, fill pas luftës, ku mësova shumëçka mes njerëzve nëpër fshatra. Pastaj u nisa në Egjipt, ç'ka më shtyu të shkruaj librin "Njerëzit e harruar të Zotit". Udhëtoja me një çantë në shpinë, nëpër shkretëtirë,me egjiptianë dhe arkeologë. Orë të tëra rrija nëpër xhami, bisedoja me njerëz. Udhëtimi për mua do të thoshte të bëhesha disi dikush tjetër…" Lacarrière i ngjante kështu Herodotit të famshëm grek, duke u kthyer njëkohësisht dhe në një dishepull i tij. "Herodoti ka qënë ndër të parët njerëz të shquar që u nis për udhëtim që të mësonte mbi botën. Ai nuk u nis në udhëtim për t’i shërbyer luftës, për të bërë luftë apo tregti. Lundërtarët nuk niseshin për të parë yjet në qiell por për të përcaktuar rrugët nëpër detra për ushtrinë dhe tregtinë. Ndërsa ai ishte i pari që u nis të njihte popujt që rrethonin vendin e tij. Përse persët dhe grekët luftuan kundër njeri tjetrit: sepse nuk njiheshin siç duhej. Herodoti ngado që shkonte pyeste njerëzit, mbante shënime…ai ishte, si të thuash, ati i gazetarisë…"
Takimi me "Njeriu me karafil"
Miqësia e Lacarrière me Janis Ricos, poetin e "Njeriut me karafil" të përkthyer dhe në shqip, është nga më të bukurit dhe më prekësit. Silvia, gruaja e Lacarrière njihej me Ricosin, ajo do të bëhej ndërmjetësja mes tij dhe Ricosit, do t’i jepte Ricosit poezitë e përkthyera nga Lacarrière dhe do t’i jepte francezit poezitë e reja të Ricosit. Në Perëndim atë kohë Ricosi nuk njihej. Intelektualët e evropianë nuk e njihnin fatin tragjik të poetit. Do të ishte Lacarrière ai që do të botonte një artikull në "Le monde" me titullin "Janis Ricos, poeti i burgosur", shkrim që do të trondiste Francën dhe Perëndimin. Lajmi i burgosjes së poetit u përcoll njëherësh në të gjithë botën. Shpejt, poezitë e Ricosit do të recitoheshin nga të rinjtë në rrethet studenteske, në amfiteatrot dhe teatrot e Francës. "Gjatë kohës së diktaturës, atëhere kur dhe unë ndihesha azilant, sepse e kisha të ndaluar të shkoja në Greqi, gazeta "Le monde" në Greqi u cenzurua. Por azilantët greke në Francë mundën t’ua çonin atë të afërmëve të tyre. Më 1976 kur më së fundi munda të kthehesha përsëri në Greqi, së pari shkova të pëqafoja Janis Ricosin. Ai më tha se prej shumë kohësh e priste këtë takim dhe se kishte dashur të më tregonte diçka. Kështu ai nxorri tri paketa duhani, ku sejcila prej tyre kishte brenda një copë të prerë të artikullit që kisha shkruar atëhere në "Le monde", fshehur kështu nga rojet e tij. Më tregoi se ishte lumturuar e trimëruar kur kishte ndier se nuk ishte harruar dhe se jashtë Greqisë interesoheshin për fatin e tij.
Përkthyesi
Me siguri që dashuria për tragjedianët e mëdhenj grekë, Eskilin dhe Sofokliun, e ka shtyrë Lacarriere të mësojë dhe greqishten e vjetër, krahas greqishtes moderne. Një ushtrim i vështirë por që për inteligjencën dhe vullnetin që e karakterizonte këtë njeri, dhe kjo u bë e mundur. Sidoqoftë vetëm kështu ai mundi të hyjë në botën magjepsëse të tragjedianëve grekë. Ishte pikërisht regjisori i madh i teatrit francez Jean Vilar që në krye të Teatrit Kombetar të Parisit do të vinte në skenë tragjedine "Antigonea", të përkthyer nga Lacarriere. Kjo pjesë do të shfaqej dhe në skenën më të famshme të teatrit francez, në Pallatin e Papëve të Avignon, atje ku Lacarriere kishte njohur nga afër dhe Gerard Philippe. Përkthimet e Lacarrière janë të shumta: nga Esopi apo Agamemnoni tek Seferis, nga pjesët teatrale të Sofokliut dhe "Hymnes" të Homerit tek Vasilikos, autori i romanit "Z", nga Herodoti tek Ricos, Elitis dhe poetë të tjerë të kohës së sotme. 35 poetë grekë dhe antologji poetike greke, nuk janë pak në jetën e një përkthyesi. Poeti Lacarrière që shkruante vetë poezi, përkthente me ëndje poezitë e miqve të tij grekë. "Poezia nuk është një recital që e harrojmë sapo themi fjalën e fundit, por ajo është një mënyrë të jetuari, - thotë Lacarrière.
Ballkani, djepi i vjetër i Evropës
Çdo udhëtim i Lacarriere është pra një libër më vete. Kësaj radhe udhëtimi i tij nga Parisi, do të kalojë përmes Shqipërisë, do të përvijojë në Shkup e Prespë (ai ka shkruar dhe një histori të mrekullueshme për Aleksandrin e Madh) për të vazhduar më pas në Greqi.
Një udhëtim ballkanik ku filozofi-poet ka dëshirë të vizitojë kishat e Beratit, të pikëtakohet me Onufrin e Shpatarakun, të kuvendojë me bektashinjtë dhe sufitë shqiptarë. Udhëtim ballkanik në një fillim mijëvjeçari, në një kohë kur në Ballkan diktaturat nuk ekzistojnë më, as luftrat, dhe ku popujt e lashtë pikëtakohen në një dritë të re, ku njerëzit kërkojnë të hapin portat e shtëpive, kufijtë. Ja pra një "galua" i frankëve të vjetër që pikëtakon ballkanikët e sotëm, pasardhësit e ilirëve, grekëve dhe dakëve të vjetër, nën ehon e largët të miteve.
Ballkani zë pothuaj pjesën më të madhe të krijimtarisë së këtij autori: nga "Duke udhëtuar me Herodotin", "Aleksandri i Madh", "Fluturimi i Ikarit", etj, e gjer tek "Jokasta", Antigonea", Pluhuri i botës", me vallen maramendëse të dervishëve të Konja-s.
Përmes antikitetit qytetërues dhe mitologjisë ballkanike, ai e ka parë gjithnjë Ballkanin si djepin e Evropës, ku lindën sistemet e demokracisë dhe të humanizmit. Pas Shqipërisë e Maqedonisë ai do të shkojë në Greqi. Kohë më parë kishte shkuar në Qipro, ku kërkonte të ndihmonte që vendlindja e Afërditës të regjistrohej në listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s. "Kjo do të jetë e vetmja mënyrë që të mundim që ai vend të ruhet nga synimet e sipërmarrësve. Kjo do të jetë dhe beteja ime e fundit. Aq më tepër që është puna e një poeti që të mbrojë vendlindjen e Afërditës. Ne të gjithë jemi bij të Afërditës". Një sentencë shumë e bukur padyshim e asaj ç'ka duhet të jemi të gjithë…Afërdita afër dhe larg…
Luan Rama
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...