Për të shënuar 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, e cila mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, më 18 dhjetor u mbajt një ceremoni përkujtimore nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, me mbështetjen e misioneve të përhershme të Selisë së Shenjtë, Maqedonisë dhe Indisë.
Në emër të Drejtorit të përgjithshëm të Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, z. Sergei Ordzhonikadze, Presidenti i Komitetit per Aktivitete Kulturore dhe Drejtor i Bibliotekes se OKB-se ne Gjeneve Pierre Le Loarer mirëpriti personalitetet e shumta të pranishme dhe lexoi një tekst të prekshëm për Nënë Terezën, të cilën e quajti “ambasadore e dinjitetit njerëzor”.
Ambasadorët e Shqipërisë, i Selisë së Shenjtë, i Maqedonisë dhe i Indisë mbajtën një fjalim për rrugën dhe misionin humanitar të Nënë Terezës, e cila "tërë jetën e saj është munduar të mbrojë mirëqenien shpirtërore, mendore dhe fizike të njerëzve me vuajtje të rënda dhe të varfër". "E veshur me veladonin blu të pambukut, Nënë Tereza bëri që kufijtë fizikë dhe politikë të harrohen", tha ambasadori i Indisë.
"Në shenjë respekti, dashurie dhe përkushtimi për vajzën tonë, e cila më pas u bë Nëna e botës, Republika e Maqedonisë bëri të përjetshëm kujtimin e punës dhe jetës së saj, duke ndërtuar në qendër të Shkupit Muzeun e Shtëpisë Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Tereza", shpjegoi ambasadori i Maqedonisë, Aziz Pollozhani. Ambasadori paraqiti po ashtu një koleksion prej 79 poezish të shkruara në gjuhën shqipe nga dora e Nënë Terezës dhe të botuara së fundi edhe në gjuhën maqedonase dhe atë angleze. Z. Pollazhani raportoi se një kopje do t’ i dhurohet bibliotekës së Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Shkrimtari dhe ish-ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, lexoi disa pasazhe nga shkrimet e Nënë Terezës, ku ajo shpreh dhimbjen për ata që i quan "të gjakut të saj". Më 1929, në moshën 18-vjeçare, në prag të nisjes për në Indi ajo përshkruan shtëpinë e saj si një "shtëpi e ndriçuar nga zemra e familjes dhe e miqve të saj". Besnik Mustafaj vuri në dukje se “për Nënë Terezën shqiptarët përbëjnë një dhimbje që e ndoqi gjatë tërë jetës së saj”. 60 vjet më vonë ajo deklaroi se dëshironte të kthehej në Shqipëri "për t’i shërbyer më të varfrit e gjakut tim" ...
Ceremonia përfundoi me shfaqjen e shumë fotografive që tregonin Nënë Terezën që nga fëmijëria e deri në ditët e saj të fundit.