ADEM ZEJNULLAHU:
ERËRA TË MBARSURA ME MJEGULL
Biblioteka POEZI
R e d a k t o r :Rrustem Berisha
R e c e n s u e s : Çerkin Ismaili ,Hysen Matoshi
B a l l i n a : Idriz Berisha
Créer, c’ est tuer la mort
(Të krijosh do të thotë ta mposhtësh vdekjen)
Romen Rolan,Shkrimtar i njohur francez
TRAJTA ESTETIKE TË LIGJËRIMIT POETIK
Modest në jetë, modest edhe në krijimtarinë letrare, Adem Zejnullahu është njëri ndër poetët tanë të shquar, i cili jetën e vet prej artisti e bën në heshtje, jashtë zhurmës klanore të nomenklaturës dhe kuazikulturës sonë letrare. Poezia e Adem Zejnullahut me çiltërsinë, mesazhin dhe mjetet prozodike, që e shquajnë si vlerë të qëndrueshme artistike, i ka thyer të gjitha barrierat dhe po radhitet në rrjedhat tona të mirëfillta letrare. Kur vështrohet si tërësi, krijimtaria poetike e Adem Zejnullahut, që nga libri i parë me poezi “ Kur zgjohen ernat” (l969) e deri te libri i fundit “Erëra të mbarsura me mjegull” lehtë mund të vërehen tendencat e stadit të ngritjes ideo-artistike të shprehjes që gjithnjë e më shumë shfaqet erudicioni i idesë dhe mendimit të pasur intelektual.
Tematika dhe përmbajtja e poezisë së Zejnullahut është nxjerrë e motivuar dhe akoma nxirret e motivohet nga zymtësia e realitetit tonë të hidhur historik dhe shoqëror e ravizuar në sfondin e komunikimit e të ligjërimit estetik si vlerë moderne e poezisë së sotme që zhvillohet në rrjedhat globalizmit letrar. Heronjtë lirikë të poezisë së Zejnullahut kryesisht janë portretet e njerëzve të pa perspektive jetësore, njerëz me shpresa të thyera, të zhgënjyer nga realiteti shoqëror në të cilin gjëllijnë, duke u ndier të mundur në betejën e ashpër me jetën. Janë kjo kategori njerëzish që kanë kryer me devotshmëri misionin e vet ndaj atdheut, por që:
Ylli i fatit humbi udhë
Nëpër Kashtën e Kumërtit
Lakuriqët e natës bëjnë sehir
E vetëm kujtimet e copëtuara
Na shpien te Molla e Kuqe
(Molla e kuqe)
Ndërsa kanë mbetur të gjëllijnë realitetin e hidhur në iluzione ëndërrimtarësh. Po ky personazh i lirikës së Zejnullahut duke mos u pajtuar me këtë realitet jo vetëm shqetësohet, por nga brendësia e unit të vet nxjerr revoltën, ndërsa kjo revoltë uni kur shpërthen në sipërfaqe shfaqet në trajtë rebelimi poetik:
Këmishën që ma preu
Terziu i huaj -
Kurrë s’më ra tamam
(Erërat thërrasin emrin tim)
Ngase heroi i poezisë së Zejnullahut, pavarësisht katrahurave jetësore në të cilat është destinuar ta jetojë jetën e mënxyrtë, ka prirjen ta ruajë dinjitetin e vet prej njeriu:
Unë e kjo rrugë e dimë
Si lindet e vdiset
B u k u r
(Kjo rrugë)
Edhe pse mbi supet e tij rëndojnë padrejtësitë shekullore që Evropa i ka bërë e i bën akoma në kurriz të njeriut plagët e të cilit “…kullojnë gjak”. Duke u ndier i pafuqishëm që çështjet kombëtare t’i zgjidhë vetë me drejtësinë e forcës, ashtu si janë zgjidhur dhe zgjidhen akoma sot në botë, poeti sikur ndihet i mundur nga padrejtësitë, ndaj thirrjet e tij drejtuar Evropës së shurdhër tingëllojnë si një lloj lutje panegjerike, por njëkohësisht edhe si shprehje demarshi e revolte ndaj të padrejtës:
Evropë, moj Evropë
Që një shekull plagët kullojnë gjak
Ku e humbe çekanin e drejtësisë, ore?!
(Evropa)
Adem Zejnullahu, edhe herë të tjera, është çmuar si poet i cili aspiratat, shpresat, ëndrrat e dëshirat prej krijuesi i lidh ngushtë me vendlindjen vatrën atërore dhe virtualitetin tradicional të shqiptarit, ndaj morfemat flakë, gur, vatër, rrasht, gjirmë, erë, mjegull, thartësi, sofër, bukë, kripë, mik, armik etj., të cilat janë mjete artistike që përdoren shpesh në poezinë e Ademit, tingëllojnë fuqishëm duke i dhënë fjalës konotacione të figuracionit intertekstual që shënjojnë qëndresën historike dhe lidhjen shpirtërore e fizike të shqiptarit tradicional me atdheun.
Ec e ktheja shpinën tokës
Fike flakën e vatrës
Shuaja gjirmën
E pyete veten kush je?!
Ec e përbuz sofrën
Me bukë e krip për mikun
E në log të betejës
Ktheja shpinën armikut
(Monolog guri)
Poeti ndien një lloj çlirimi shpirtëror, një lloj katarze, lehtësimi, sa i përket kryerjes individuale të misionit ndaj atdheut kur klith “…gjak e bukë t’i fala Atdhe!”, ndërsa për demonët që ia luajnë hilet pas shpine në mënyra të ndryshme Atdheut të cfilitur, poeti lëshon eksklamacione, namatisje të ndryshme e mallkime, gjithnjë duke u ankuar se nga Atdheu po trashëgon “Pak liri të brishtë dhe skamjen”, në të njëjtën kohë kur në kurriz të Atdheut bëhen “Hajdutëri me hile skileje”. Poeti me fuqinë e fjalës së vet poetike i del barrikadë kësaj kategorie “hajdutësh”që:
Me fener e pa fener
Dreqit në thes
Të pahajrit ia lidhën grykën
(Atdheu)
Adem Zejnullahu, pa dyshim, në vizionin e tij të krijimit të kultit për ardhmërinë as nuk ka projektuar as nuk ka paraparë e as nuk ka ëndërruar rrjedha të këtilla të degjenerimit moral të njeriut të përditshmërisë sonë. Nuk ka mundur as ta marrë me mend sakatosjen kaq monstrume të njeriut që:
Hajdutë syçartur
Të tërën e vodhën
Ç’ patëm e s’ patëm
(Hajdutëri)
Poeti ndihet i lodhur, i zhgënjyer, i mundur në betejë me kohët e liga kur “…dashuria vdiq” në “xhunglën” e realitetit tonë nga “sëpata barbare” bien për tokë lisat, këndohen këngë dinake e dëgjohen bulërima uraganesh duke u shfaqur kohë trajtash të përçudshme të kohëve që sa vinë e duken më anakronike, më absurde dhe më të paqarta:
Gjumashët u zgjuan vonë
Trimat ranë në beteja
Vetëm ëndrra mbeti e virgjër
(Tredhje gjelash)
Pa dyshim se liriko-epika “Balada e Toplikut”, në përmbledhjen poetike “Erëra të mbarsura me mjegull” është perla më brilante dhe alter egoja e krijimtarisë poetike të këtij autori, është “…pikënisje e dhembjeve”, siç e quan vetë poeti, ose “…tapia e vuajtjeve“ të poetit dhe të kolektivitetit të tij. Është poezia më e motivuar emocionalisht dhe më e përjetuar intimisht dhe artistikisht në gjithë veprën poetike të Adem Zejnullahut. Çdo fjalë, çdo varg, çdo strofë e kësaj epiko-lirike paraqet një botë të tërë ndjesish individuale dhe kolektive të shprehura metaforikisht si dhembje, si vrer, si namatisje, si mallkim. Aty shihen qartë duke pikuar herë valë e herë akullt, djersa, gjaku, e mundi i tjetërsuar i njeriut që i rrëmbehet trolli atnor, toka e bukës, që nëntekstualisht nënkuptohet se i rrëmbehet gjithçka humane që identifikohet me jetën dhe identitetin njerëzor. Aty shihet se si historia njerkë e pashpirt di në mënyrë aq cinike dhe aq perfide t’ia rrëmbejë njeriut të drejtën për jetë dhe pastaj përjetshëm të tallet me ndjenjën e tij njerëzore. Ndaj, Topliku (burim i ngrohtë uji në vendlindjen e poetit) është pasqyruar dhe strukturuar si një galeri skulpturash pasionante që shfaqet si:
Tapia ime e mundimeve
E shlyer në letër
Skulpturë në zemër
Baladë e kohëve të largëta…
(Balada e Tolikunt)
Thënë tërësisht, përmbledhja poetike “Erëra të mbarsura me mjegull” kap pikat kulmore të poezisë së sotme që shkruhet në gjuhën shqipe. Stili i mprehtë, gjuha e zgjedhur, prozodia e pasur, qartësia poetike, figuracioni tekstual dhe kuptimësia e nëntekstit, dekompozimi metaforik e elemente të tjera që e shquajnë lirikën moderne të përbotshme i gjejmë të sintetizuara artistikisht edhe në këtë përmbledhje poetike të Adem Zejnullahut.
Gusht 2010 Çerkin Ismaili
VLERËSIME TË PUBLIKUARA PËR KRIJIMTARINË LETRARE TË ADEM ZEJNULLAHUT
“…Hapi i parë i këtij poeti të ri është, pak a shumë, serioz dhe këtë më së miri e dëshmon kujdesi i tij ndaj punës që ka bërë, disiplina që ka treguar gjatë gdhendjes së vjershave. Ai ka pritur ta botojë përmbledhjen e parë në moshën kur, këtu ndër ne, mund të jesh krijues serioz, por edhe kritik i krijimtarisë së vet. Ato gabimet që mund të vërehen tek fillestarët tanë në librin e tij janë të rralla dhe, në qoftë se ekzistojnë, atëherë janë shumë më të vogla se tek disa moshatarë të tij.
Përkushtimin krijues të Adem Zejnullahut e dëshmon edhe interesimi i tij pjesërisht i gjerë që ka treguar për motive dhe probleme të ndryshme jetësore. Ai nuk është ndalur vetëm në shprehjen e ndjenjave dhe përjetimeve thjesht intime, subjektive, por e ka çelur zemrën edhe ndaj problemeve të ndryshme jetësore që janë shfaqur dhe shfaqen në realitetin tonë. Edhe pse nuk e ka shumë të gjerë rrethin e motiveve të frymëzimit, kryesore është se Adem Zejnullahu e sheh edhe botën e jashtme e jo vetëm botën e zemrës së vet. Për këtë shkak lirika e tij realizohet kur në planin subjektiv, e kur në planin objektiv dhe i shpreh të dy format e disponimit: harenë e gëzimin rinor, por edhe dhembjen e lehtë që në këtë mes është njëfarë peshe intelektuale e vargjeve të tij. Për poezinë e Adem Zejnullahut mund të thuhet ashtu siç thotë ai pak naivisht për zemrën njerëzore në vjershën e disponimit romantik me titull Zemra:
Herë buzëqesh si lulja e majit
Herë rënkon në jone të vajit.
Ngazëllimin rinor dhe optimizmin jetësor ai e ka motivuar nëpër pjesën më të madhe të vjershave të kësaj përmbledhje me ndryshimet e shquara pozitive që janë bërë në jetën e popullit të tij. Duke qenë vargje të një rilindje jetësore është e kuptueshme pse nëpër këtë pjesë vjershash më së shpeshti përsëriten fjalët rreze, lule, diell, rini, e të tjera. Me drita të çelura e ka këngëtuar Adem Zejnullahu edhe vendlindjen e vet, e cila në kujtesë i lajmërohet si një kopsht i bukur prej të cilit ka marrë me vete mbresa të paharruara përnga pesha e tyre. Një ngjyrë tjetër të disponimit kanë poezitë në të cilat ai zhvillon njëfarë dialogu intim me të kaluarën. Në raste të këtilla ai kthehet më i mrrolur, më serioz dhe vargjet e tij e shprehin përvojën e një poeti i cili të duket se e ka shijuar jetën në shumë aspekte të saj. Kur e ven historinë para gjyqit të vet poetik, ai, si edhe shumica e poetëve tanë të tjerë, mund të thotë me ndjenjën e dhembjes se:
Kjo tokë kishte erë lule gjaku
Dhe rrugë të thella humnere;
(Kjo tokë)
“…Përkundër krijuesve fillestarë që fillojnë të vjershërojnë me shprehje të fryra dhe ndjenja të çjerra, Adem Zejnullahu është prej sojit të poetëve që në pjesën më të madhe të rasteve janë në gjendje t´i frenojnë ndjenjat rinore dhe mos të dalin kurrë në skaje. Atë gabimin, të cilin esteti anglez Raskin e ka quajtur gabim që e shkakton ndjenja, në vjershat e tij fare rrallë mund ta diktojmë. Adem Zejnullahut asnjëherë nuk i ka ndodhur, ashtu siç u ndodh fillestarëve, zakonisht, që prej shprehjes së madhërishme të zbresë te shprehja naive. Edhe pse në vjershën Kangëve të pakëndueme thotë:
Vërshoni o ndjenja si vërshon në vjeshtë lumi,
Nëpër fushat e krahnorit tim t´brengosun,
Se dje o pardje kur thneglat u zgjuen nga gjumi
Keni lind si prej livadhit të sosun!
prapë ndjenjat e tij nuk vërshojnë përtej brigjeve të një shprehje të matur dhe të motivuar. Vetëm në tingëllimat që ja ka kushtuar shëmbëlltyrës së Skënderbeut, Adem Zejnullahu i ka lejuar vetes një grimë luks që shprehjen spontane dhe emocionalisht të arsyetuar ta zëvendësojë me shprehje pak a shumë retorike dhe ndjenjë të papërmbajtur. Kur një poet nuk është në gjendje të krijojë ndjenjën dhe përfytyrimin brenda vargjesh, atëherë ai flet për to dhe doemos bëhet deklamativ në shprehje dhe patetik në emocione. Kryesisht konciz dhe kursimtar në shprehje, Adem Zejnullahu i krijon e sugjeron ndjenjën dhe përfytyrimin me anën e strukturës metaforike të vargjeve të veta…”
“...Në përmbledhjen e tij të parë nuk mund të vërehen ato rendjet e njohura pas metaforave dhe simboleve, po as ngecja në nivelin e shprehjes tradicionale të vargut në poezinë tonë. Adem Zejnullahu nuk ngurron që ta krijojë vargun me metafora dhe figura të njohura poetike, të cilat në poezinë e tij tingëllojnë si të reja. Në vargjet e tij dalin të lezeçme „jonet e vajit", „kupa me vner", ashtu siç janë të lezeçme në tërësi formulimet e këtilla: „Po shkoj me valixhen e kujtimeve ndër duer", „zogjt fluturojnë deri në qerpikun tand", e të tjera....”
“Pavarësisht prej zbaticave që mund të vërehen në përmbledhjen e tij të parë, ( Kur zgjohen ernat, n.v. i H.M.) Adem Zejnullahu ka edhe vjersha që e dëshmojnë prirjen e tij. Poezitë e tij më të bukura janë Po shkoj, Zemra dhe sidomos cikli me titullin Intima (që shqip do të duhej të quhej Vjersha intime, meqë Intima është sllavizëm), prej të cilit mund të shihet se kësaj radhe suksesin më të madh e ka pasur në fushën e lirikës thjesht intime. Është e qartë se Adem Zejnullahu e ka filluar veprimtarinë e tij krijuese poetike me ndjenja dhe mendime të qarta, që me kohë do të bëhen akoma më të forta dhe me shprehje të përkujdesur, që me kohë do të bëhet artistikisht edhe më funksionale. Kësaj radhe, kërshëria e tij krijuese ishte në pajtim me mundësinë e shprehjes.”
1969
Akademik Rexhep Qosja, krijues dhe studiues i letërsisë
“...Adem Zejnullahu tanimë nuk është ndër ata poetët që e vënë poezinë në shërbim të emrit (gjë që kjo ndodh shpesh) dhe që duan kështu për t’u dalluar nga të tjerët, ose qëllimi i të cilëve është vetëm e vetëm afirmimi. Zejnullahu na duket se e ka kuptuar që puna e vërtetë e letrarit është t’i shërbejë poezisë duke pasur zemër e trimëri të jetë përherë i gatshëm që të sakrifikohet për të….”
Teki Dervishi, poet, dramaturg
“...Me dy cilësi dallohet krijimtaria poetike e këtij të riu: me rrëfime të sinqerta dhe të kuptueshme dhe me shtjellime motivesh të shëndosha e përparimtare...”
Jakup Ceraja, poet
“....Jo rrallё ngjan qё njё metaforё tё zёrё vend nё titullin e njё pёrmbledhje poetike, por mё rrallё ngjan qё e njёjta ta shprehё filozofinё qё i pёrshkon pothuaj tёrё ciklet e saj. E tillё ёshtё vepra poetike e Adem Zejnullahut, “Mote hiri”, e cila pёrbёn njё reflektim intersant dhe pёr shumёçka tё veçantё ndaj tё ndodhurave ku frymon autori. Ky reflektim shprehet fillimisht nё raport me atё qё ёshtё mё afёrt, mё subjektive pёr autorin, pёrkatёsisht me ciklin “Lumi rrjedh nё mua”, ku qartazi dalin nё pah aspekte jetёsore tё persiatura nё mendjen e autorit. I konceptuar si njё cikёl nё tё cilin mbizotёron bota e brendshme e autorit, lirizmi i kulluar i tij, ai ёshtё njёkohёsisht edhe mё sensibil nё kёtё pikёpamje…”
...”Lёkurёharta ёshtё kompozita mё origjinale e autorit dhe mё interesante e pёrmbledhjes, e cila vё njё paralele tё pashkёputshme midis tkurrjes sё hartёs sё etnisё nё njёrёn anё dhe pёrjetimit tё subjektit nё anёn tjetёr. Pra, dhembjet pёr humbjen e Mollёs sё Kuqe, nuk konceptohen vetё si dhembje kolektive, si ngjan shpesh tek autorёt tanё, por nё rend tё parё si dhembje qё ndёrlidhen drejtpёrsёdrejti me subjektin. Lёkura e personalizon kёtё tematikё, duke e bёrё mё lirike atё, por njёkohёsisht edhe origjinale, kundruar nga aspekti i zhvillimit tё gjithmbarshёm tё poezisё shqipe…”
“…Po qe se dy ciklet e para janё mё lirike, mё subjektive, nё ato pasuese vёrehet njё ndjesi pak a shumё mё e pёrgjithёsuar, e cila ka bёrё qё poezia tё jetё mё e depersonalizuar.
Dhe mund tё pohohet fakti se ky depersonalizim nuk ka tё bёjё vetёm me aspektet tematike, qё dalin nё pah pёrmes pёrfshirjes sё temave tё pёrbashkёsisё shqiptare, por mё bindёs depersonalizimin e bёn mёnyra e tё reaguarit tё poetit ndaj situatave, e cila pёrkufizohet me njё ndjeshmёri kolektive. Kёshtu janё tё shumta poezitё nё tё cilat autori identifikohet me kolektivin dhe, si rrjedhojё, pёrdor shumёsin e vetёs sё parё, p.sh. nё vargjet:
“Moti ёndёrruam pranverёn…”, “Me shekuj kemi kaluar nёpёr kёtё rrugё…” “Tash nё çdo kohё kalojmё nёpёr kёtё rrugё…”, Me shekuj e kemi gjuajtur me gurё djallin e huaj…”, “Mbi kurriz e kemi mbartur tё rёndё njё gur…”, “Pimё bashkё nektarin e buzёve tё njoma…”etj.
“…Adem Zejnullahu, sikundёr u tha, nuk ёshtё poet qё mbёshtetet nё improvizimin dhe nё shpalosjen imanente tё botёs sё ndjenjave. Pёrkundrazi, ai ёshtё sa njё latues formash poetike po aq edhe njё kёrkimtar kёmbёngulёs i aspekteve kuptimore tё poezisё, realizimin e tё cilave e bazon nё kulturёn e tij tё gjerё njohёse dhe atё sidomos nga fushat e mitologjisё dhe tё folklorit. Kёshtu, figura tё mitologjisё shqiptare, asaj greke dhe pёrgjithёsisht evropiane, gjejmё nё poezinё e pёrmbledhjes “Mote hiri”. Kёto figura e personazhe tё mitologjisё (ai pёrdor pakrahasimisht mё pak figura historike kundruall tyre) tё zhvendosura nё kontekstin e rrethanave tё kohёs, dalin me attribute tё njё figurshmёrie autoriale, duke e çrёndomёsuar nganjёhere uniformitetin e domethёnies sё tyre. Me njё fjalё, po qe se figuracioni poetik i pёrmbledhjes “Mote hiri” gjen mbёshtetje nё kulturёn e erudicionin e trashёgimisё dhe nё kёtё pikёpamje ai s’pёrbёn diçka tё veçantё e tё paparё pёr kulturёn letrare, pёrthyerja e tij dhe konteksti i japin edhe dimensionin e origjinalitetit…”
“Marrё nё pёrgjithёsi pёrmbledhja “Mote hiri” e Adem Zejnullahut shpalos para lexuesit njё botё tё pasur nё njё shprehje poetike qё gjithsesi e ka veçantinё e saj.”
Prof. dr. Hysen Matoshi, studiues i letërsisë
“...Adem Zejnullahu, tashmë është ringjallur sërishmi nga hiri, sikundër aludon edhe me titullin e librit të tij të ri dhe si feniksi mitologjik është sërish në mesin tonë. Libri “Mote hiri” ndahet në njësitë ciklike “Lumi rrjedh në mua”, “Lëkurëharta ime”, “Kohë dhëmbërënë”, “Zog i praruar”, “Mote hiri”, “Ura e verdhë”, dhe ‘Zëri i lirisë”.
Sa u përket veçorive poetike, libri që kemi në shqyrtim, dallon me thjeshtësinë e shprehjeve poetike, madje edhe me motive intime etj. Në to pozicioni i caktuar i subjektit afirmohet kundruall realitetit, kurse subjekti lirik në të shumtën e rasteve është emërues i ndodhive dhe përjetimeve nga jeta dhe shpeshherë artikulon gjendjen midis personales dhe kolektives. Në këtë kontekst edhe shprehja poetike është karakteristike sepse bëhet me gjuhë të kursyer figurative, kurse leksiku I zgjedhur dhe figurshmëria adekuate i japin funksion të theksuar....”
“…Merre si ta marrësh, kuptimet e poezisë së Adem Zejnullahut lidhen edhe me tërësinë e rrethanave të kohës e hapësirës së caktuar duke shprehur në to ndjenja kohezive, dhe rrjedhimisht me këtë, duke krijuar atmosferë për nxitje të mendimit tek lexuesit, ngase poezitë e tilla me ligjërimin bisedor dhe motivet artikulojnë episode nga probleme të shumta jetësore të mjedisit që po ashtu në mënyrë të arsyeshme e përshkon edhe zëri i protestës...”
Mexhid Mehmeti, letrar
“...Përmbledhjen poetike “Zogu i stuhisë” Ademi e fillon me poezinë “Lisi dardan”, që ka një simbolikë dyzshe në vetë titull: një, simbolizon rrënjën dardane të kësaj pjese të atdheut dhe dy, simbolizon qëndresën e paepur nëpër shekuj të kësaj pjese të etnisë sonë, se: “Rrufetë i ranë mbi shpinë,/ Ai rron mbi Dardaninë...” – thotë poeti në fund të poezisë...”
“....Vargjet e përmbledhja me poezi “Zog i stuhive” kanë një gjuhë të pastër, një stil të lehtë e të kapshëm për çdo lexues i cilësdo moshë qoftë ai, pa ngarkesa të tepërta metaforike, që do ta rëndonin përvetësimin e brendisë së tyre dhe do ta zbehnin ndikimin e tyre përballë lexuesve të vegjël fëmijë. Vjershat, po thuaja të gjitha, janë me rimë ABAB, që fëmijët i kanë shumë në qejf dhe i lexojnë e i mësojnë edhe përmendësh me shije.”
Ejup Ceraja, letrar
“... Gama tematike e librit me poezi “I vetëm me ëndrrën” është mjaft e gjerë dhe përthekon interesime e përsiatje nga më të ndryshmet të autorit. Poezitë e tij janë refleksione mbi jetën përgjithësisht, pastaj mbi të ndodhurat që e preokupojnë jetën e njeriut të sotëm, mbi evokimet, mbi dashurinë që shpaloset herë si evokim dhe herë shpërfaqje e pavdekshme e saj..., por kjo përmbledhje, mbase më shumë dhe në mënyrë bindëse, e përmban edhe brengën, revoltën, pakënaqësinë që buron nga shpërfillja e lirisë, nga shpërfillja e vrazhdë e së drejtës”.
Megjithëse domethënia detonative e ëndrrës, në mos e pamundur, gjithsesi del e dyshimtë në cilëndo trajtë të ligjërimit, aspekti i saj konotativ në poezi jo një herë lidhet me kuptimin e fjalëve shpresë, dëshirë e gjakim për të arritur diçka. Të gjitha këto sinonime ndërlidhen me gjendjen shpirtërore të përdoruesit të kësaj fjale, pra me kontekstin në të cilin funksionalizohen ato. Konteksti i përdorimit të fjalës ëndërr në këtë përmbledhje poetike, jo vetëm se është i rëndësishëm, por do të thosha edhe i pashmangshëm për çfarëdo qasjeje interpretuese që i bëhet asaj. Sintagma “buka e ëndrrave”, një gjetje interesante e autorit Zejnullahu, është shpërfaqje e gjakimit, shpresës dhe dëshirës së tij për ta përballuar një kohë që merret dhe lihet peng, një kohë me plot të panjohura nga njëra anë, me shpresën në anën tjetër:
Në mbrëmje flemë me të premtuarën
Nënkresë kemi uratën e mallkimin e ditës
Gjatë e tjerrim perin e së panjohurës
Dhe vetëm shpresën e mbajmë për vete
(Koha peng)
“...Ndërkaq, fjala ëndërr nuk është vetëm njëra ndër fjalët çelës të kësaj përmbledhjeje, por lirisht mund të thuhet se ajo është më shumë se kaq. Në të vërtetë, kjo përmbledhje është një ligjërim i ëndrrës, është një rrëfim i individit që reflekton sa fatin e tij jetësor po aq dhe atë të kolektivit...”
“...Poezia e Adem Zejnullahut vijon të mbetet e llojllojshme në aspektin e formave dhe në këtë pikëpamje ai nuk ndjek një model të caktuar, madje është shumë e qartë se formën, vijon edhe në këtë libër poetik, ta vërë në funksion të shprehjes së botës dhe botëkuptimeve të tij.
Me një fjalë, themi se përmbledhja “I vetëm me ëndrrën” e Adem Zejnullahut është dëshmi e një bote të pasur ideore dhe emocionale, e cila ekskluzivisht në ligjërimin poetik ka mundur ta gjejë mundësinë e saj shprehëse. Përmbledhja e tij e katërtë është një argument i pamohueshëm se Adem Zejnullahu e ka krijuar shprehjen e tij poetike; por në një funksion të këtillë veçohen, gjithashtu, edhe ndjeshmëria e veçantë dhe kultura e tij letrare.”
Prof. dr. Hysen Matoshi, studiues i letërsisë
“....Begatia tematike, shumëllojshmëria e motiveve dhe individualiteti i veçantë poetik janë vetëm disa nga karakteristikat dhe vlerat ideoestetike që studiuesin e nxisin ta kundrojë veprën dhe autorin nga këndvështrime të ndryshme. Në rrafshin përmbajtjesor, ndryshe nga poezia që shkruhet sot te ne dhe në botë, poezia e Adem Zejnullahut është fare e kuptueshme,e eksploruar poetikisht, e përjetuar artistikisht, me patos të pasur metaforik, që rrjedh lirshëm me ligjërimin e fuqishëm, që josh lexuesin jo vetëm ta lexojë një herë, por e përvetëson skajshmërisht...”
“...Poezia e Adem Zejnullahut shfaq një botë unikate shqetësimesh poetike, një filozofi që perceptohet vetëm e vetëm nga bota ndenjore e egos poetike të autorit, e cila shfaqet herë si ëndërr e herë si realitet ose del si një lloj mesatarje e peshuar mirë midis ëndrrës dhe realitetit, gjë nuk është vështirë të pikaset ç’është ëndërrimtare e ç’është pjellë e realitetit. Notat romantike të mbrujtura me realitetin jetësor, delikatesa e vargut lirik shprehur përmes aliteracioneve, asonancash e antitezash, rima dhe ritmi ka harmonikën e vargut, intima sublime si përmbajtje, këndvështrimet meditative të jetës me të gjitha absurdet e totalitetet e veta dhe tjetësimi makabër i njeriut si qenie sociale i dënuar, pa të drejtë, të gjëllijë në morbusin e kurdisur shoqëror duken sheshazi si observime filozofike në planin parësor të trajtimeve poetike të autorit. Poeti nuk i mbyll sytë as nuk qëndron indiferent para kohës zezonë. Rebelohet, indinjohet, preket intimisht kur heton se realiteti jetësor zhdavarit ëndrrat e tij, vizionin e formësuar artistikisht që në finale shfaqet dhe mbyllet si kult ndaj ardhmërisë. Revolta e tij bëhet më e zhurmshme, më këmbëngulëse, më stoike dhe vjen si jehonë proteste ndaj nëpërkëmbjes së idealeve të larta, shpresave, aspiratave dhe mbi të gjitha ndaj sakrificave individuale dhe kolektive për të ardhmen...”
“...Ëndrrat e bukura të poetit dalin si zhgjëndrra të shëmtuara, në trajtë vargonjsh të fortë që ngufasin realitetin zhgjëndërr, që në finale, mbase, dalin të hidhur, anakronikë, të shëmtuar. Lexuesi e ndien intimisht shqetësimin e poetit, e përjeton shpirtërisht, e ndien në lëkurën e vet fizikisht, shndërrohet në metamorfozë të dhembjeve të tij, në absurd që ashiqare i hyn poetit në botën e trishtë të dhembjeve dhe merr, aq sa i takon, hisen e vet në sernishtën e dhembjeve të mëdha, pa mundur të mbetet indiferent ndaj lektisjeve e përpëlitjeve të poetit që trishtohet kur sheh Gurin e Sizifit të shpënë me gjak e djersë maje kreshtës tek hamendet të rrokulliset teposhtë në greminë. Simbolika e dhembjes që shëron dhembjet merr konotacione refleksive, vjen si katarzë dhe në fund sublimohet si trajtë filozofike e mbijetesës e nuancuar dhe impulsuar si rezon spiritual, si sens fisnik i qëndresës individuale dhe kolektive në momente dhe kohë të pacaktuara. Aty përjetësohet artistikisht ngadhënjimi i së mirës, i filantropisë, i së bukurës mbi të keqen, dhunën, hipokrizinë dhe mbi të shëmtuarën.
Poeti vigjilon, përcjell ngjarjet në universin e tij shoqëror, vëren se njeriu ynë mbin e rritet si Bimë hibride, shtrin rrënjët nëpër Plagët e arës sonë rritet me Erën e duhmtë të shurrës ecën me lakun e mallkimit lidhur në qafë nëpër udhë të pasigurta të mjegullës me jetën e zymtë përpara që vjen si fatomorganë, si lëngatë, si Epidemi e çoroditu, që luhet në skenën me Shfaqje tragjikomike në zezonën kur Bima e durimit s’ka gjethe, kur Fatin e qitën në bahe, ndërsa Të tjerët tredhnin miza në fluturim:
Standarde korrupsione
Vjedhje vitesh
Ajër tokë ujë
Erë e duhmtë e shurrës
Epidemi e çoroditur
Dhembje pritje
Pako ethesh Ahtisari
Plagës në arën tonë
Bimë hibride
Si do ta korrim
(E di hutini)
Të gjitha këto ndeshtrasha të morbiditetit shoqëror poeti jo vetëm që i vëren, por i ndien barrë që i rëndojnë ëndrrat, që i hapin plagë në shpirt, që i thyejnë kurrizin, që e plandosin për tokë kur i shfaqet dilema, kur i zë frymën pyetja hamletiane Si do t’i korrim?, mbase poeti e di mirë se njeriu i kohës së tij është i dënuari, që medoemos, duhet t’i korrë frytet e bimës së keqe. Po ky njeri i shqetësimeve, njeri i zhgjëndrrave ogurzeza bluan trurin e vet, zhbiron tëmthat duke druajtur mos harta e dhembjes do të kërkojë sërish lojën makabër të sakrificës për ...gurin e mezhdës, gjithnjë duke jetuar me ethet e ankthta të dridhjeve të tokës dhe Cunamit në det. Poetit të ndryrë në botën e parashikimit enigmatik, ndoshta, pse jo, edhe supersticioz, fatomorgana i çukat kokën të meditojë më thellë, të tjerrë hollë e më hollë perin e thurjes së fatit, të vë gisht në tëmth dhe të zgjidhë nyjën e enigmës që kësaj radhe hesapin ta ketë më të qartë:
A do të ketë dridhje toke
E Cunam në det
Këtë e di
Hutini në zgur t’vet.
(E di hutini)
“...Era dhe ëndrra janë dy elemente prozodike të nuancuara në shumëkuptimësi metaforike që derdhen me mjeshtëri vërtetë artistike në poezinë e Adem Zejnullahut. Era metaforike në poezinë e Zejnullahut nyjëzohet herë si fiksion e herë si realitet që hyn herë tinëz e herë ashiqare në botën ëndërrimtare të poetit, e zgjon nga ëndrrat, i portrollis vegimet e tij, i lind shpresa, kur vjen e ngrohtë nga jugu dhe në mënyrë asociative ... zgjon harrimin, por kur del nga ëndrra hakërrohet, revoltohet brendapërbrenda unit të poetit kur me furi vjen nga veriu, kur ngrin shpresat e tij, kur i rrënon kullën në të cilin rrit kultin ndaj të ardhmes...”
“...Era e veriut që poetit i zgjon... shtresat e fjetura kuptimësohet si ogur i zi, që bie shtrëngata në të cilat Hienat e Karpateve shfaqen në trajta fatomorganash që ...rrëfejnë si rrëzohet qarri, si godasin rrufetë dhe si njeriu më nuk është njeri, por monstrum. Era e veriut zgjon lakuriqët e natës, mallkimet e nënave që ua treti të bijtë, gjarprit të shtëpisë i zhvesh lëkurën, ndërsa në kurth i ngatërron me të papritura e mashtrime edhe lindjen edhe vdekjen edhe jetën, duke zbehur kujtesën e njeriut, duke nxitur senilitetin e njeriut me trauma të metamorfizuar në qenie eterike si peng i motit të lig, si peng i harresës kur Lumi nuk kthen në rrjedhën e vet. Era si metaforë i shërben kudo poetit, herë pa u ndier e herë me fërshëllimë, herë duke u cijatur e herë si furtunë, që kërcënon individin kolektivin, që rrënon... kasollen e boshatisur që është ngritur me mundime. Era tinëzare poetit i hyn në varg, i hyn në strofa, i hyn në rima herë si lirikë magjepse e herë si epikë e përgjakur. Ajo herë ngroh e herë ngrin akull dhembjet e poetit. I zhdavarit ëndrrat e i zgjon dhembjet. Kur vjen e blertë, kur ngroh gjymtyrët, kur ngjall shpresat vjen si mike e poetit, si diç me trajta hyjnore, shndërrohet në mit bukurie dhe hyn në legjendë si faqe historie, si realitet i zymtë, si njëmendësi e hidhur jetësore dhe artistike.
Në pikëpamje sintaksore era, ëndrra e dhembja janë strukturuar në njësi sintagmatike. Kështu, krahas togfjalëshave erë e ngrohtë, erërat e jugut, era e gjolit , erërat e blerta e tj. janë vënë në korrespodim fare harmonik gjuhësor dhe estetik togfjalëshat ëndrra e bukës, ëndrrat e blerta, ëndrra të zgjatura etj., me të cilat poeti përpiqet ta dekompozojë mendimin metaforik, duke i dhënë rrëfimit lirik qartësi përmbajtjesore fare të kapshme meditative për lexuesin. Togfjalëshat e cituar nyjëzohen me togfjalëshat metaforikë dhembje e ngacmuar, dhembje pritjeje, dhembje lumi, dhembje e bukur etj. që kryqëzohen artistikisht me morfemat erë, ëndërr dhembje. Kështu, era si metaforë hyn në ëndrrat e poetit, aty flenë të trembura dhembjet metaforike, ndërsa pas zgjimit era e ëndrra si fluide që janë treten, ndonëse gjurmët e tyre mbeten, ndërsa si realitet mbeten dhembjet në botën esëll të poetit, që ia zënë frymën, që ia errësojnë të ardhmen dhe, qoftë larg e liga , të zgjojnë dhembje të reja...”
“... Prozodia e pasur, stili i mprehtë, vargu i qëndrueshëm, rima e ritmi harmonik, shumë-llojshmëria e strofave dhe gjuha e zgjedhur, përmbledhjen poetike “I vetëm me ëndrrën” të poetit Adem Zejnullahu e veçojnë si kulm të poezisë së tij dhe që lirisht gjen vend nderimi në panteonin e lirikës së sotme shqipe.”
Çerkin Ismajli, krijues letrar
“…Adem Zejnullahu, me poezitë e vëllimit “I vetëm me ëndrrën”, na ka falur vargje të suksesshme dhe të rëndësishme në shumë aspekte. Vargjet, u mor vesh, janë ngritur dhe janë konceptuar mbi antiteza, metafora, mbi ironi dhe simbole. Pjesa më e mirë e tyre shprehin, sfidojnë dhe shpalosin problemet e kohës dhe mbi këtë rrafsh autori bën përgjithësime për shumë dukuri e probleme që tani e ndrydhin dhe e shqetësojnë shpirtin e shqiptarit. Vargjet e Ademit sikur i ndiejmë emocionalisht, sikur e përjetojmë gjithë dramën që luhet e pështjellohet rreth Mitrovicës dhe për Mitrovicën...”
“…Ademi gati gjithkund në qendër të vëmendjes dhe të pasqyrimit e ka njeriun. Këtë fakt më së miri e përligj vargu përmbyllës i poezisë “Njeriu i urtë” “Po dhembjet e Njeriut kam për t’i kënduar”. Adem Zejnullahu ka arritur të hartojë poezi me frymë sociale, në të cilat artikulon dhe evidenton kushtet materiale që vazhdimisht rëndojnë mbi jetën e njerëzve. Për më tepër, subjektet e poezive transmetojnë jetën e zymtë dhe trazimet shpirtërore dhe në shenjë të revoltës në vargje përdor ironi e metafora, që në kuptimin figurative zbulojnë një udhëheqje të kalbëzuar që është buzë mashtrimeve dhe humnerës...”
“…Vëllimi “I vetëm me ëndrrën” i Adem Zejnullahut ka vlera të shumta ideo-poetike dhe ideoestetike. Poezitë janë hartuar me përkushtim, me njohje të fakteve të jetës e të historisë. Në saje të frymëzimit spontan dhe kulturës letrare, vargjet e vëllimit na pëlqejnë, na mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë, kjo i ka arsyet e veta:
E para, poezitë janë shkruar me një strukturë të pasur poetike.
E dyta, poezitë janë gjithashtu të pasura me figura të shumta stilistike, si: metafora, aluzione, krahasime, ironi, aliteracione, apostrofa, personifikime, simbole etj.
I tërë vëllimi të ngacmon dhe të bën për vete me problemet që i trajton...”
“…Adem Zejnullahu, duke qenë edhe studiues dhe njohës i krijimtarisë artistike popullore, me mjeshtëri dhe njohje të bollshme ka ditur që brenda vargjeve të ngjizë komponentë të rëndësishëm të krijimeve gojore, si legjendat, baladat, përrallat, fjalët e urta, frazeologjitë etj. Nëpërmjet vëllimit autori i është afruar shumë pasqyrimit të jetës, halleve, brengave, ëndrrave, shqetësimeve dhe deziluzioneve të njerëzve. Në shumicën e poezive krijon tablo poetike, në të cilat frymojnë jeta, bota shpirtërore dhe fantazia e njerëzve, jo rrallë në ndonjë sosh autori paraqet vetveten. Poezitë janë ndërtuar në një vijë të drejtë me një subjekt të veçantë, pa digresione të shumta. Vargjet përshkohen me frymë të thellë lirike dhe fantazi të pasur. Fantazia në vargje ka gjetur mbështetje sa në përvojën krijuese aq edhe të motivet e jetuara. Në të gjithë vëllimin ëndrrat, përfytyrimet e brendshme, cunamet shpirtërore bëjnë një kalim nga ëndrra në zhgjëndërr, nga ëndrra në realitet dhe nga realiteti në zhgjëndërr. Vargjet ruajnë në vete ngrohtësinë dhe dashurinë që autori ushqen për njerëzit dhe fatin e tyre në përgjithësi...”
Prof. dr. Faik Shkodra, studiues i letërsisë
“…Adem Zejnullahu lexuesit tonë i prezantohet me vëllimin poetik më të ri, me një titull sinjifikant “I vetëm me ëndrrën”. Në fakt, sipas Roman Jakobsonit, në poezi çdo fjalë është sinjifikante dhe secili sinjifikim i fjalës përmban në vete kapacitetin e një bashkësie të burimeve linguistike dhe sintaksore. Adem Zejnullahu, në vëllimin e tij poetik, i përmbush të gjitha kërkesat që kërkon arti i vargut poetik.”
“…Poeti thellohet në problemet historike që ka përjetuar populli ynë dhe habitet se pas tërë atyre luftimeve e flijimeve përsëri ende nuk e ka arritur lirinë e ëndërruar shekuj më parë.”
“…Adem Zejnullahu, mjeshtërisht, i thur vargjet njeriut tonë të zakonshëm, i cili gjatë ditës merr dhe dëgjon premtime se e nesërmja do të bëhet më mirë, e gjatë natës njeriu ynë fillon të merret me tjerrjen e mendimeve për të panjohurën. Po cila është e panjohura e njeriut tonë? Në fakt, premtimet e ditës janë vetëm iluzione dhe manipulime që na vijnë nga drejtimet të ndryshme e të pa baza, por burimi i tyre është enigmatik. Ne nuk e dimë nga na vijnë apo edhe nëse e dimë, dëshirojmë të mos ua zbulojmë origjinën, sepse më lehtë është që njeriu të jeton vetëm me shpresa. Shpresën, ngulë këmbë poeti, e mbajmë për vete, siç e kemi mbajtur mijëra vjet...”
“…Poeti e ngre zërin kundër atyre që lavdërohen në bazë të rrethanave, si për shembull të tillë kur janë me ndonjë shoqëri të krahut të luftës, mburren se i kanë ndihmuar luftës, e kur ndodhen ne shoqëri me ndonjë të ndonjë krahu tjetër, përsëri janë këta të parët që e minimizojnë dhe e zhvlerësojnë luftën. Adem Zejnullahu, po ashtu e ngre zërin edhe kundër disa poetëve të cilët e kishin lehtë të ngiheshin e të shkruanin kur jetën e kishin nënë dhe poeti i këshillon krijuesit që të mos fshihen pas të zezës dhe ta gjejnë gjuhën e vërtetë poetike, për t’u bërë poet i vërtetë.”
“ I vetëm me ëndrrën” është një vëllim poetik ku pikturohen shpirti i vuajtur për atdhe dhe për dashuri.”
Reshat Sahitaj, krijues letrar
(I zgjodhi dhe i përgatiti: Prof. dr. Hysen Matoshi)
MOLLA E KUQE
Nëpër tym-e-mjegull të shekujve të brishtë
Me kokë në dorë
U nisëm kah vetvetja
Ta gjejmë kohën e vrarë në harresë
Qenësi e balsamosur
Ylli i fatit humbi udhë
Nëpër Kashtën e Kumtrit
Lakuriqët e natës bëjnë sehir
E vetëm kujtimet e copëtuara
Na shpien te Molla e Kuqe
ERËRAT MË THËRRASIN NË EMËR
Këmishën që ma preu
Terziu i huaj -
Kurrë s’më ra tamam
E vesha
Që të mbrohem nga demonët
Ma përvëloi djersa
E ma treti malli
E zhvesha
Në gardh e shitoi syri i keq
Ndoshta
Ma vodhën lakuriqët e natës
Kur erërat
Më thërrisnin në emër
KJO RRUGË
Nëpër motet e hirta
E palindura dergjej
Mes dhembjes e dashurisë
Plagë e hapur
Gurin e rrëzoi guri
Mirë i di
Zigzaget e kësaj rruge
Nisen kah dhembja
Në lektisje mbarojnë
Fshehtësitë ia njeh mali
Dashurinë lumi
Unë e kjo rrugë e dimë
Si lindet e vdiset
B u k u r
(31.3. 1999)
EVROPË
Shtrigë e kohëve të mugëta
Nëpër leqe
Nëntë dredhë m’i nxore
Nga shpina e regjur
Në shekuj çalamanë
Në qafë më ke lidhur lak
E nuk t’kam
As hile as hak!
Xhelati me sëpatë
Pret koka në cung
Zihet e zgërdhihet
E ti me pahir
Bën sehir!
Evropë, moj Evropë
Që një shekull plagët kullojnë gjak
Ku e humbe çekanin e drejtësisë, ore?!
( Shkurt, 1999 )
MARSI ‘999
Nga motet rebele
Ia behu
24 Marsi ’999
I kapitur prej furtunash
Me barrë në qafë
Të lindjeve e vdekjeve
Dilte nga dheu
Ta trondiste globin
Me shungullimë avionësh
Hedhje bombash
Gjëmim topash
Djegie
Ndjekje
Vrasje
Eu, Marsi i mallkuar
Eu, mars i bekuar
Ti dhimbsuri
Ti përjetësi!
( 24. 3. 1999 )
HAJDUTËRI
Të gjithë drynat i thyen
E s’patën ç’të vjedhin
Veç dredhat e lëkurës
Varur në qafë
Hajdutë syçartur
Të tërën e vodhën
Ç’ patëm e s’patëm
Lakuriqit ia varën në qafë
Lojë mallkimi
Gjithmonë mbeten të uritur
BIMA E PENDIMIT
Dikur stërgjyshërit bënin be
Në qiell e në tokë
Se nuk luan guri i vatrës
Amanet nipërve
Shpinën ta bëjnë beden
Kush s’e di ku vret rrufeja
As macja e zezë udhën kur e pret
Kohët i ndërrojnë
Vdekjet me lindjet
* * *
Bereqetin e vrau breshëri
Mundi shkoi huq-
Veç për tre muaj na la bukën
I ziu “otkupi” i kuq
Mbrëmjeve vonë
Vajtonte e qeshte lahuta
Gjergji e Osoja qëndronin në hark
E shqyenin terrin e moteve
Dhe krismat i bënin me qark
Një kohë
Filluan do erëra t’egra
E shkulën gurin
Medet-
Sa fort po rritet
Në kopshtin e shikimeve
Bima e pendimit!
MONOLOG GURI
Më thanë
Eja se po ikim
Larg e më larg
Larg syrit të keq
Ku dielli nxeh pak
E buzëqeshje ka shumë
Këndej -
Po bie murtaja...
Ec e ktheja shpinën tokës
Fike flakën e vatrës
Shuaja gjirmën
E pyete veten kush je?!
Ec e përbuz sofrën
Me bukë e krip për mikun
E në log të betejës
Ktheja shpinën armikut
Gjarpri syzgjuar trandet
Në themele
Lëkundet çatia e shtëpisë
Në prag mbin
Ferra e shëmtisë
U nisen një ditë me shi
Me lot gur
Një gjysmë lamtumire pendimi
Ata shihnin ëndrra këndej
Unë shikoja syzgjuar andej
Ylli i kthimit
Kush e di ku humbi
E qeni i shtëpisë i harroi
Pas zezonës
Në mullirin e mendjes
E magjen e dhembjes
Shumë kohë blova e gatova
Po dhe jo
U bëra shkëmb qëndrese
Promethe vuajtjesh
Dashuri nositiane
Për këtë dhé
Mbi te
Dhe nën te
LËNGATË
Koha e humbi vrapin
Takimet as ndarjet
S’ bëhen n’orët e caktuara
Nesër
Pak diell
Shumë shi
Me bubullimë
Ylberi humb ngjyrat
Koha u infektua nga virusi I P*
N’akrepat e saj babëzia
Pak dashuri e shumë smirë
Pasnesër
Mund të sëmuren djajtë
Nga tërbimi i njerëzimit
* Interesi Personal
VDEKJE E MBRAPSHTË
Si lakuriq nate erdhe nga larg
Që ta vrasësh agun e kuqërremtë
Po të vrau bardhësia
Se s’ishe në kohën tënde
O Ali Pashë Maxhari
Gjëmën e mori Krena
Mallkimin Bjeshkët e Nemuna
Eu, çfarë vdekje e mbrapshtë
KTHESA TINËZARE
Sa keq na mashtroi falli
Me zjarrin hyjnor hymë në lumë,
Brigjeve na dogji malli
Pa ëndërr, pa prehje as në gjumë
Atëbotë kush i drejtoi gisht
Të martës s’e dimë,
Vonë kuptuam se dardha ka bisht
E kthesa kapërdin…
E VONË
Prej lindjes në perëndim
Barti gurin e Sizifit
Në kurriz
Mbërrini maje pirgu
Rrokullisje e pashpirt
Në përroin e mallkuar
Vetëm era e shkabat e panë
Krahët iu thyen
Mushkëritë iu veremuan
Bebëzat në flakë zjarri
Shpirti shkëndija stralli
Nëpër ngrica akulli
Kurrë s’e bekoi djalli as shenjti
Vdiq
Doemos të përjetësohet
Në grafi të legjendës biblike
Dhe në lapidar:
- Eh, burrë ç’ka qenë!
ASHTI IM DEL NGA DHEU
Nga shtresat e thella të dheut
Sërish po del
Ashti im i stërlashtë
Epitaf i brejtur
Në lapidar
Emrat erërat i shpalojnë
Që na i vodhën kohërat
Pellazg Ilir Dardan
Këtu në Ballkan
Shikojeni
Po vjen Zeusi
Majë Korabit
Me këngën e çuditshme t’Orfeut
Në dasmën e zanave
Do verë Dukagjini
E do ta sodisë nga lartësia
Jonin e Adriatikun
Shqiponjën në fluturim
Drinin e Shkumbinin
E gjakut tim
ZGALEMI
Në mes brigjeve të mallit
Koha është varur në fener
Ëndërron të paarritshmen
Kur digjet në dashuri
Në mes brigjeve të largëta
Në Trekëndësh Bermudesh
Zgalemi ngrihet në qiell
Urë ylberi ngre në furtunë
LUFTA
Në kohë të mjegullt
Lukuni
U nisem ta luftojmë
Zezonën
Me ne nesër
Vdekja
A liria
DHEMBJA E KALTËR
BIMË E KEQE
Në arën e ëndrrave të blerta
Kur binte shi i kuq
E mbollëm farën e bardhë
Po e tëra u huq
U çmendem kur e pamë me sy
Mbiu egjër i zi
Ç’do të korrë drapri
Në stinë shterpësi.
E HUMBURA
Më thanë se kam lindur
Në ditën e martë
Kur shtrigat bëhen nuse
U rrita n’orët e së ligës
Kur lulet vesonin dhembje
E para kohe ia behu vjeshta
N’ qafë m’peshon e pabëra
Zihem me tokën e qiellin
Derisa të gjendet e humbura
THARTËSI
Diqysh hutueshëm
Kur më dhemb koka
E shtrëngoj barkun
Etje e verdhë
Diqysh përçudshëm
Kur më dhemb barku
Pi barna koke
Shije e thartë
DIKTATI
Në emër të paqes
Me Planin M. A.*
Diktuesit
Kurthuan ecjen tonë
Çfarë lirie
As hunj gardhi
As gurë mezhde
Atdheu?
_______
*Marti Ahtisaari , Plani për Kosovën
ERËRA HILEQARE
Fshehtas syrit të kaltër
E turbulluan lumin
Hodhën pak t’tharëm Kabili
Deti u bë kos
Demonët hëngrën pa lugë
Çakejtë i lëpinë dhëmbët
Fryn erërat hileqare
Të gjallët i bekoi guri
Të vdekurit feniks u ngjallën
Erida, bijë shtatzënë...
Medet për ne
Kush lind nesër?
TREDHJE GJELASH
Përgjumshëm kënduan në mungëtirë
Këngën e hershme të agut
E kohë tredhjesh ishte
Fryu erë urrejtje
Kur dashuria vdiq
Në Karpate uluroi hijena
Murmurimë Uraganësh
Atëbotë rrëzoheshin lisat
Mesjetë barbare
Cung kokë e sëpatë
Gjumashët u zgjuan vonë
Trimat ranë në beteja
Vetëm ëndrra mbeti e virgjër
Dhe i trodhën
Herakët e të vonshmit
Të urtësohen rebelët
Tash jemi mësuar mirë
Kohën ta masim me këngën e pulave
E heshtjen e gjelave
Mesjetë barbare
Cung kokë e sopatë
BUKËN NË FERRË
Atij që pa frymë arriti
Ta thotë fjalën e gurit
Pa besën e burrit
Bukën varja në ferrë
Nis e kërko yllin në mjegull
Atij që pas shtatë kodrave
Helmoi Euridikën
Thau ëndrrat e bleruara
E kreh mjekrën e thime
Varja bukën në ferrë
MONSTRUMI
Në bisht të minit
U tërhoq zvarrë e zvarrë
Thellë e më thellë
Hyri në birucë urithi
Monstrum i gjallë
VETË U NDATË NGA NE
Gjatë udhëtuam rrugëve të errëta
Duke kërkuar blerimin
Kur rrezoi dielli
Nisem
Në lojën narcisoide
Harruam
Kafshimin e gjarprit
Vetë u ndatë nga ne
ATDHEUT
Në motet e mia të shkrumta
Djersë bukë e gjak
T’i fala Atdhe
Në këto kohë të përçudshme
Liria dhe skamja
Më mbetën trashëgim
Me fener e pa fener
Dreqit në thes
Të pahajrit ia lidhën grykën
Veç fryma mbeti peng
Si të kanë katandisur
Atdheu im shpresëjetë
CUBËRI
Pas vdekjeve e lindjeve
Shtruam sofrën
Shumë përvajshëm pakëz qeshur
Ç’mynxyrë
Ia behën cubat e fushës
Na e grabitën kafshatën
Na rrokullisen sofrën
Humbi ëndrra virgjër
Na lanë me gishta në gojë
ANAKRONIKE
Dhembja plandos
Kur revolucioni ha fëmijët e vet
Tragjedia vreros
Kur fëmijët hanë revolucionin
PIKË KOTËSIE
Thonë
Votoni emrat e ulëset
Se të vdekurit zgjohen
I marrin metalikët
E ju tingëllimën
Epidemi masive e kokave
Lëngatë tragjike shpirtrash
Thonë:
- Votoni të denjë janë
Abdesin e kanë prishur me kohë
Lojën e hiles e kanë mësuar
Pa i marrë këmbët
Por ky nuk është fati im
Ecin erërat me barrë mjegulle
ATENTAT FIKS
Mos ta kisha frikë Zotin
Shumë punë të mira
Do t’i kisha bërë
Kaosin në ballë
Do ta kisha vrarë
DHEMBJA E KALTËR
Fshehtas ikën gjashtëdhjetë e pesë
Të festuara e të pafestuara
Me dhembje e me dashuri
E pak dritë të molisur
Terr mjegull stuhi
Ikën gjashtëdhjetë e pesë të verdha
Me gjuajtje shigjetash
Goditje të fshehta
Në ecjen vertikale
Hajnisht
Ikën gjashtëdhjetë e pesë
Pa letërnjoftim
E veshja e blertë
Tani ka tjetër fytyrë
E më kall dhembja e kaltër
Pse kaq shumë të marte
Me kaq tkurrje e dhembje
Mbi kokë mjegulla pshurret
E humbura nuk kthehet
E pathëna nuk thuhet
E pabëra nuk bëhet
E heshtura nuk flet
Vriten ëndrrat e virgjëra
E druri i shpresës plaket
Mortit s’i tregohet si vdiset
Sa dua dhembjen e verdhë
Ta kthej në të kaltër...
(17 gusht 2010 )
BALADA E TOPLIKUT
BALADA E TOPLIKUT
Sa më larg ikën koha e qenësisë
Aq më shpesh kthen
Kujtimi vrer i moteve
Në pikënisjen e dhembjeve
Toplik * je i ngrohtë
Sa i ftohtë
Buron
Tapia ime e vuajtjeve
E shlyer në letër...
Skulpturë në zemër
Baladë kohësh të largta
Meskoha ime e verdhë
Fshehtas përbirohet
Nëpër hallkën e shekujve të blozuar
____________
*Topliku – vend burimi i ujit të ngrohtë në vendlindjen time ku babagjyshi, kishte kullën nga e cila zotëria turk, Haxhi Hysni Badivuku i Vushtrrisë e largoi me dhunë dhe e zuri vetë. Pas vitit 1912, përsëri me dhunë në këtë kullë e në Toplik vendoset familja serbe Dançetoviq, e cila edhe sot jeton aty.
Atje ku
Harresa tinzare derdh lotin e bekimit
E ndrydh heshtjen
E heshtja rebelohet
Pse një dhe një s’ bëjnë dy
Pa pritur dita ngatërrohet në hapin e vet
E nata ngeh kokë gjarpri
Kur fryjnë erëra Karpatesh
Shprushen shtresat e fjetura të prushit
E duqet e kujtimeve rrinë varur
Në gozhdën e ngulur n’lëkurën time
* * *
Shikoj Shelgun e Kuq
Si e ka ndarë rrufeja në dysh
E zogu i gjakut tim mbeti pa fole
Poshtë rritet bari i mallëngjimit
Me rrënjë në ujë
Digjet nga malli i moteve të ndryshkura
Në qiellin ngjyrëplumbtë
Fluturon zogu i kuq
Këndon këngën e moçme
Në tri kohë njeriu...
Në vegim më ftillet para sysh
Gjysh Hyseni Haxhi Hysniu
Këmbëkryq buzë Toplikut
Kur flisnin për punë t’dynjasë e t’ahiretit
Si humbës e fitues
Në vitet e tymta të Ballkanit
Dhe nga larg
Në veshë ogur m’ jehojnë
Fjalët e zotërisë:
- Ju në Zabel të Kërollëve
E unë me arixhinjtë e Karpateve këtu!
Themeli i kullës u dridh
E gjarpri i vatrës
Humbi udhën
Në rreze më nuk doli
Rënkoi stërgjyshi im i urtë
Shumë gjatë ankoi
Nuk qeshi në gëzime
As në mort nuk foli!
Kafja e vluar
U derdh në tangar
E fjala mbeti n’ashtin e shpuar
U dogj me zjarr
* * *
Topliku ecën kah deti i pafund
Humb ngjyrën e vet
Në Trekëndëshin e Bermundeve
Kurthohen ditët me netët
Lojë e mallkuar shtrigash
Unë e Topliku përballë
Flasim gjuhën e dhembjeve
Në kohët e përçudshme
Me breshër vrastar!
Plaga s’është mbyllur
Verdhësi motesh të mynxyrta
Valë –valë valëzon një zë
Shushurimë dashurie
E çikave lazdrane
Dhe nuseve syqershi
Që lajnë këmishët
E dhëndurëve të vonuar
Të shtatë dasmave
Në fshatin pa gjumë
Në cilën degë të kaçës
Te Pusi i Shkinave *
Fati i vashës fytyrëhënë
Është lidhur nyje
E krushqit ia gurëzuan
Të martën
Kur Orëmira ishte në gjumë
Fshatarët e mi yllkërkues
Shikojnë përtej kodrës
Kur ndarjet e takimet
I këndojnë në baladë
* * *
N’oxhakun e kullës sime
Nëntor i vitit 1912
Arixhinjtë e mallkuar
Lejlekun ma vranë në fole
E zogut sqepverdhë
Kokën ia prenë në cung
_________________
*Pusi i Shkinave gjendet në perëndim të Toplikut, uji i të cilit besohej se shëronte sëmundje. Po ashtu sipas besimit të fshatarëve në këtë vend lidhen dhe zgjidhen edhe magjitë e ndryshme.
N’oborrin tim
Kohë të liga ishin
Net të gjata ankthi
Erë shkrumbi e morti
Na zinin frymën...
Fëmijët në hapësirën e panjohur
Kërkonin skaje për lojë
Nguronin në truallin e ri
Shihnin ëndrra n’të vjetrin
***
Topliku bunis nëpër damarët e mi
Dhe ikën pikëllueshëm
Mbi lymin e moteve të mykura
Horizonti i ngrysur zbardhëllon
Akrepat e orës së kurdisur
Më saktë do të matin
Nisjen e shekullit
Dita e mashtron terrin
Me një lindje të re
Ëndrra zhgjëndërr
Topliku i dergjjeve të gjatë
Pikë më pikë
Do t’i kthehet amësisë
Im bir
Kurrë mos pështyj
Në bunarin ku piu i pari
As trohat e sofrës
Pas shpine
Mos i gjuaj në Toplik!
( Qershor 1999 )
VARGJE ME ANKTH
Në udhëkryq u takuam
Ballë për ballë
Ti gojë kuçedër
Unë zog dragoi
Sa larg e sa afër ishim
Kur dhembja-
Me dhembjet luftonte
Njeriu i bardhë
A njeriu i zi
Zgërdhihen
E përtej ligatinës
Tinëz syrit
Blerimit i del tymi gri
( Nish 1972 )
IKËN LARG
Të gjitha gjërat që më deshën dhe i doja
Ikën larg
Në rrugëtimin që shpie kah harrimi
Si të kthehem në hapin e fillimit
Të eci kah shtegu i panjohur
Te burimi me ujë shërues
Ndoshta vjen zogu krahёgjatё
Ta këndojë qëndresën e ashtit tim
VITIT 2009
I ndërruam vendet
Pa u hamendur
Na u ndërruan motet
Pimë gotën e lëmëvitit
Dhe s’di
A u mplakem
A u rinuam
Koha dikë mashtroi
Mjekra ime u zbardhë
E jotja u zhduk pas fytyrës
( 31.12.2009 )
E PAPËRFUNDUAR
Kjo është e njëjta rrugë
Si dikur
Po nuk ma njeh
Hapin tim
Qe sa kohë
Dhe hija ime i mungon
Si engjëll i përgjumshëm
Bari kotet
Në vesën e harrimit
Topliku nanuris
Rrit shelgun e bardhë
Te Kopshti i Babës Aziz
Vetëm eci
Me trokllimën e hapave tjerë
Po, po
Këndej janë gjurmët e hapit tim
Dhe fryma ime përzier me erën
Këndej edhe gurët më njohin
Me aromën time vjen pranvera
Këndej edhe zogjtë këndojnë
Emrin tim n’ograjë
E shpirti digjet në ditёt verig
Në Podin e Kërshit
Për Kinin Danin e Tahirin
Në fërshëllimat e motit të lig
( Shtator 2010 )
IMAZH I KRYEQYTETIT TIM
Qytetarët e kryeqendrës sime
I duan ëndrrat syçelë
Kur fryjnë erërat e larme
Në rrugën Nëna Terezë
Harmonisti i verbër bën muzikë
E kalimtarët në secilin hap
Humbin nga një hise të qenësisë
Nëpër ëndrrat e mjegullta
Kështu harmonisti Durim
Dhembshëm i bie harmonikës
E jetën përtej lumit e do
Pranë tij varur në kanjela
Ciaten në ninullën e harrimit
Fotot e varura të pikëllimit
Dashuri e vrarë
Nga murtaja e ze
Kështu për çdo ditë në mermer
Imazh gri kryeqyteti
Harmonisti me shkopin e bardhë
Zogu krahthyer i fle në qepallë
Shëron e hap plagë
Merr dhuratë jete
Tingëllimën e centëve
Rrokullisur në mermerin e përhitur
Parakalojnë erëra t’vrazhdta varfërie
VUSHTRRISË
Dikur një plak i urtë më tha:
“Ky qytet ka tre kanop samari
Dhe dëgjo -
Me treqind s’un e përtheko’ ”.
Me atë litar nyje-nyje
Unë kurrë s’e mata
Kalanë as Urën e Gurit
Që as tatari s’i bie në fije
Kur maten vezët në kandar
Ndërmjet komshive
Dhe s’e di
Për mua e për te
A ke -
Fatësi a fatkeqësi?!...
Vushtrria i palos moshat - monument
SHQETËSIME NATE
Udhëtuam në jetë së bashku
Më nxite kokëdhembjen
Do të m’i vrasësh ëndrrat virgjër
(10.11.2010)
TE BURIMI I LARGËT
Fluturuam me re të bardha
Të etur motesh
Në kërkim të hirësisë
Përtej shtatë kodrave
E shtatë deteve
Te burimi i largët
Ku njerëzit gjithmonë
Thërrasin vetëm një emër
E shuajnë etjen
Kur arrijmë të lumtur
Atje ku s' arrin gjithkush
Ç' madhështi o Zot
Prapë na merr lartësia
Atje ku s'ka mort
E breznive u flet rrashta...
(12.11..2010)
ÇASTE NË MREKULLI
Në gjithësinë e pafundme
Në shalimin e erërave
Fluturoj mbi kodra e fusha
E dete të dallgëzuara
Në shuplaka më mban
E nuk të shoh
Hirësinë ta ndjej
Në lodrimet e mia
Nëpër shtatë palë tokë
N’qafë të kaut të zi
Po bëhem bredharak
Skëterrës i ka dalë tymi
S’po më djeg zjarri
S’ po më ngrin akulli
As fundi
Nuk po më përpin
Dhe fluturimthi
Nëpër shtatë palë qiej
Engjëjt kaltërosh
Pëshpëritin emrin tim
Po rilindem
Me aromë trëndafili
Në mrekullitë e Arshialasë...
( 15.11.2010 )
FUND A FILLIM
As ky fund
S’qenka pafundësi
Në pusin pa fund
Një fillim i ri
Ndoshta i bukur
Ndoshta i dhembshëm
Zoti e di!...
KOHË TJETËR
ULLIRIT
Me mund të kultivuam
Në tokën e shpresës
Me bekimin e zemrës
Me durimin e shkëmbit
Që të kemi në tavolinë
Në festën e madhe
Rrugëtim i gjatë
Në qafë degën varur
Në kohë pa kohë
Duke kërkuar paqe
Nëpër shekujt e veremtë
E PATHËNË
Fryn erëra të ngrohta jugu
U harlisen dallgët
E heshtja doli nga guaska
Nga fundi i detit
Fjala mori udhë
Asnjë ëndërr s’u shpjegua
Deri në fund
Asnjë këngë s’u këndua
Deri në fund
Asnjë plagë s’u shërua
Deri në fund
Dhe as një det s’u shter
Deri në fund
Që të mbijë lulekripa
E gjuha ta bekojë të pathënën
FATKEQËSI
Në ditën e martë
Fluturoi sorra e larme
Të urtit ia piu mentë
Sa shpejt
Xhelatit iu ndryshkë shpata
Ec e merre vesh
Fjalët e krushkut
Në trajtë guri
E dasmën pa nuse
Të lakuriqëve të natës
Kënga e hutinit baladë
PËRHUMBJE
Nёpёr motet pa diell
Dallgët ma shaluan pagjumësinë
Qepallat m’i shkelën
Krushqit e padukshëm
Merimangё e kuqe
Ikte netëve mortore
Nё kandarin e durimit
Nëntëdhjetenëntë herë matej
E pabёra nё dy kohë
Kur bardhёsia e ditёs
Prangoste ëndrrat kryengritëse
E bregu priste takimin që s’bëhej kurrë
(Dhjetor 2010)
PUNË DREQI
Larg syve të përgjumtë
Përvidhet
Këmbëkryq te oxhaku
Nis fallin e mashtrimit
Njeriu a dreqi laran
E shporrim jashtë
Derë e dritare ia mbyllim
Prapë luan kunjin e sherrit
Kërcen dreqi topall
Gjithmonë i ri
S’e tremb
Urata e mëngjesit
As kënga e gjelave
Rrufetë s’e vrasin
As vdekjet s’e ngasin
O Zot
Ta mbyllim në shishe?!
(18. 4. 2010)
MENDJEMADHI
I dukej se fluturonte mbi re
Kalamendej nëpër tokë
Si pa kokë
Hajt bacë hajt
Tana e kanë rrafsh
Budallallëku me maje
KAMELEONI
Në krahët e mizës
Fluturoi lart e lart
Zbriti poshtë e poshtë
Ra
Në shurrë e mut
Me pamje kameleoni
DENONCIM
Me ty që s’mund t’më shohësh me sy
Sot as nesër
S’dua ta bashkoj as shurrën në kanal të zi
KOHË TJETËR
E arnuam kohën me pa kohë
Për t’i fshehur dhembjet
Të mos na nuhas era të leckosur
E arnuam dashurinë me ëndrrën
Të mos zgjohet pendimi
Për takimet e pabëra...
E arnuam kohën me ngjyrat
Që t’i ngjajmë lules e barit
Në këngën e zogut sqepverdhë
E arnuam kohën me idhuj
Ndoshta era e pazgjuar
E bie një tjetër kohë…
I PAFAT
I thanë
Të priftë e mos i prifsh
Po tërë jetën i priu
E kurrë s’i priu…
VDEKJA
E hedhim përtej shtatë deteve
Ta kapërdijë harrimi
Kujtojmë se humbet
Po sa shpejt e fshehta -
Këput fillin e ëndërrimit
LISIT
Shtatlartë qëndron në maje
Me rrënjë në shkëmb
S’e shkulin furtunat e moteve
S’e vrasin rrufetë idhnake
QËNËSIA JONË
Në trajtën e qenësisë rebele
Tragjika dhe madhërishmja
Maten në kandar të ndryshkur
Cila e polli shoqen
Veza a pula
S’e dimë...
Në alfabetin e plakur
E lexojmë emrin e panjohur
DIÇ NDRYSHE
Andej e këndej vërtitje
Diç përherë ngec;
Hajt ta kthejmë ndryshe
Ndoshta -
Më mirë ec!...
EPITAF
Fryma nga qielli
Tokën e rreh
Rrashta në dhé…
FLUTURIME TË PËRMALLSHME
FRESKI E HARESHME
Era e Jugut fërshëllen
Në majë të kepit të djegur
Në fundin e fundit
Kthen hapin
Atje ku zë fill mallëngjimi
Dashurohet e Bukura e Dheut
Flet shkëmbi e lumi nanurisë
Nis këngën Orfeu
Lazdrohet Euridika
Kafshimin gjarpëror harron
Ngjallen krushqit e gurëzuar
FLUTURIME TË PËRMALLSHME
I lau faqet e kuqe në krua
Harroi fytyrën
Dhe sytë e kaltër paluar
Fshehtas hënës e malit
Pas tri ditësh e tri netësh
Hyri në gojë plakash
U bë dhembje në legjendë
E mori fërshëllima e erës
ËNDËRR E PAFUND
Prapa shtatë kodrave
Ëndërruam burimin magjik
Atje ku mrizojnë zanat
Këndon Orfeu e luan Euridika
Atje ku nis rrita e vonuar
Deshëm ta shuajmë
Shkrumbin me etje
Symbyllas
Me hapa breshke marshuam
Hapërim maratonik
Kush më parë
Urtësisht e çmendurisht
Ta pijë kupën e zbrazur
AROMË DASHURIE
Të kërkova në krahët e erës
Në vetullën e hënës
Në ngjyrat e ylberit
Në petalet e luleve
Në vesën e barit
Të gjeta
Në këngën e harruar
Të zogut të verdhë
Të kërkova shtigjeve të jetës
Në labirintet e kujtimeve
Të gjeta
Në palët e harresës e të pendesës
Në meskohën e shpirtit të trazuar
Buzë Toplikut
Ku dridhet toka e bari
Të kërkova
Te Shelgu i Bardhë -
Ku floçka gërshethedhur
Lante këmishën e trimit
Të gjeta...
Në mes larëses dhe rrasës
Plagët e dashurisë
Duke m’i shtrydhur
Të kërkova e të kërkova
Zemërplasur
Vonë të gjeta metaforë në vargun tim
Euridikë e kafshuar
Tek shaloje erërat me aromë dashurie
LUNDRIM ËNDRRIMTAR
Furishëm këto valë rrahin bregun
E derdhin hidhërimin ndaj erës,
Ndoshta pse dashuruam kaltërinë
Si dikur sytë e vashës ulqinake.
Unë erërat grindavece s’i ftova
As lotët e qiellit që derdhen rrebesh,
Ti shkumëzimet i krijove në thellësi
E pulëbardhat m’i trembe në breg.
Dallgë mbi dallgë, o det i harbuar
Dashuria me mëri s’rrin ndry,
E sa herë lëkund veshin kau i zi
Druaj anijet e ëndrrave m’i fundosë ti.
(Korrik 2010)
UNAZA KURORË
Krejt si në lojë
As nëpër terr
As nëpër dritë
Pahiri i ndezëm zjarret
Lumi vërshoi valë-valë
Ylberin e zumë në breg
Përfytyrimi na djeg
Lulet në kopsht i pagëzuam
Me emra yjesh
Idhuj në gjerdanë
Për kremten e madhe
Hija ime vetëtimë
Në valën e Lumbardhit
Meri
Cili peshk e përpiu
Unazën kurorë
MALLËNGJIMI
Nga dashuria e dashurisë
Rritet bari i fjetur
Në ëndrrat e pranverës
Risohet me vesën e kujtimeve
Erërat ftojnë dashuritë e larguara
Në takimet e bëra
Zogu harrimin këndon dhembshëm
E kthjellet n’aromën e gjethimit
PËRFYTYRIM I GJALLË
Vijnë e ikin valët idhnake
Më sjellin shikimet e etura
Në kërkim të së padukshmes
Nga bregu në breg
Masim mallëngjimin
Largësitë e pakapshme
Dhembjet e dashuritë
Anijet e zbrazëta
Ikin pa qenësinë tonë
O Perëndi
Kjo mbrëmje e purpurt korriku
E ky det
Me thellësi e kaltëri
Të tëra moj Flora
Përngjajnë në ty
(Korrik 2010)
NDAJ MENDJE
S’ka dashuri më të madhe
Se dashuria për ty
Tash jeto a vdis pa mua
FURTUNË DESHËPRIMI
Fryn erëra të larme
Qielli i kujtimeve
U mbush me re të zeza
Shkreptimë
Bubullimë
Premtimet bien në greminë
Në lumin e shpresave
Pa kohë rigon shi
E në rogën e malit
Ylberi i ëndrrave varet përsëri
SY TË SHQETËSUAR
Erdhëm ku nuk vihet
Lartësi qielli
Thellësi deti
Etje e uri
Shikime bredharake
Një thërmi dashuri
ORFEU
E shëmtoi magjia e këngës
Aritmia jetë e mot
Po këngën për Euridikën
Ai s’e ndali dot
E PAGOJA
Pas ikjes
S’e mbolle barin e harresës
Të mos ndjek era e gjakimit
Labirinteve të kujtimeve
Në mua
Ndeze zjarrin e pashuar
E vetë hyre me ylberin në lum
Tash
E pagoja ka nisë të flas’
Në mes dy brigjeve të largëta
Me furi po më përplas