2011-02-04

Prof.dr.Fatmir Sejdiu: Beogradit t’i përcaktohen vijat e kuqe



Nga Flori Bruqi



Fatmir Sejdiu

Faktori ndërkombëtar ta përcaktojë shumë qartë se cilat janë vijat e kuqe për Serbinë, ka thënë Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosovës, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sejdiu ka thënë se Kosova duhet të ketë vetëm një qëndrim - se mund të bisedohet për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me nevojën apo me ndjenjën e relaksimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, dhe që është edhe në interes të qytetarëve të të dyja vendeve sovrane - por gjithmonë në bazë të barabartë dhe asnjëherë jashtë këtij pozicioni.

“Dhe, e dyta, Kosova mund të bisedojë gjithmonë për aq sa është e nevojshme në zbatimin e propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, por jo jashtë”, ka thënë ai.

Kosova, sipas tij, duhet të angazhohet për integrimin aktiv të qytetarëve edhe të tri komunave të veriut, por asnjëherë të ketë ndonjë ndjenjë që të rinegocohet pozicioni i këtyre tri komunave apo pozicioni i veriut të Kosovës.

“Ne jemi mësuar thjesht në ciklin e rëndë të bisedimeve që kemi pasur me Serbinë para periudhës së pavarësimit të vendit, që të ketë stërzgjatje dhe të ketë një qasje destruktive dhe joracionale nga ana e tyre. Të shohim se çfarë do të sjellë koha. Unë mendoj se është e nevojshme që edhe pjesa e faktorit ndërkombëtar të përcaktojë shumë qartë se cilat janë vijat e kuqe, të cilat nuk mund të kapërcehen”, porosit ish-presidenti i Kosovës.

Sa i përket qëndrimit të LDK-së, që ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Sejdiu, ish-kryetar i kësaj partie, tash kryetar nderi i saj, ka thënë: “Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shprehur këtë qëndrim dhe unë e respektoj - unë nuk kam ndonjë qasje tjetër nga ajo që marrin organet e partisë”.

Prof.dr.sci.Fatmir Sejdiu ( 23 tetor 1951 në Pakashticë, Podujevë) është profesor, politikan dhe kryetari i dytë dhe i tashëm i Republikës së Kosovës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Podujevë. Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës më 1974, ku ka kryer edhe studimet pasuniversitare. Po në këtë Universitet ka mbrojtur disertacionin e doktoratës.
Për studime të thelluara, Prof. Sejdiu ka qëndruar në Francë (Universiteti Paris 2) dhe në ShBA (Arizona State University), ndërsa ka pasur qëndrime më të shkurtra studimore edhe në universitete të tjera. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume shkencore vendore dhe ndërkombëtare. Ka publikuar shumë punime shkencore nga fusha juridike - historike dhe juridike kushtetuese. Është autor librash të veçantë nga këto fusha.
Dr. Fatmir Sejdiu punoi si profesor në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës.
Ai ishte pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) më 23 dhjetor 1989. Në Kuvendin e Parë Zgjedhor në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe më 1992 anëtar i Kryesisë së LDK-së, ndërsa më 1994 Sekretar i Përgjithshëm i LDK së, detyrë të cilën e kryen edhe sot.
Ka qenë anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, mbajtur më 1991. Ka qenë ndër njerëzit kryesorë për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Republikës së Kosovës, që janë mbajtur më 1992 dhe 1998.
Fatmir Sejdiu është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 1992 dhe më 1998. Po kështu, më 1998 është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese.
Më 2001, në zgjedhjet e para demokratike të pasluftës, është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit. Deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit është zgjedhur sërish më 2004. Z. Sejdiu ka qenë gjithashtu anëtar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike.
Më 10 Shkurt, 2006, pas rethit të tretë të votimeve në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetari i dytë i Kosovës. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, Dr. Fatmir Sejdiu rizgjidhet më 9 janar 2008 për një mandat të dytë pesëvjeçar .

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë se me vëmendje ka përcjellë zhvillimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila konstatoi se presidenti në detyrë, Fatmir Sejdiu, kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Për rrjedhojë, Sejdiu u detyrua të japë dorëheqje nga ky post. “Çuditërisht, edhe si shkelës i Kushtetutës po përfiton me shfrytëzimin e privilegjeve të Presidentit”, shprehet KMDLNJ, nëpërmes një komunikate shtypi.

“Nga informacionet që kemi është e qartë se ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas largimit nga detyra, si pasojë e shkeljes së rëndë të Kushtetutës ka shfrytëzuar të gjitha privilegjet e parapara sipas Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës Nr. 03/L-094. Këtyre ditëve ish-Presidentit i është dhënë në shfrytëzim edhe një zyrë në ndërtesën ku gjendet Presidenca e Republikës së Kosovës”.

Nga aspekti ligjor, KMDLNj konstaton se edhe këtu ka pasur shkelje të rëndë të Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

Sejdiu rikthehet në Presidencë

Fatmir Sejdiu është kthyer në Presidencë. Jo si president, por si njeri që e ka ushtruar këtë post për rreth pesë vjet.

Gazeta Koha Ditore shkruan se për çdo ditë pune, Sejdiu tash kalon nga selia ku ka pritur e përcjellë personalitete të larta botërore e vendëse dhe ngjitet në katin e sipërm të objektit të Kuvendit të Kosovës. Aty, tash e ka një zyrë ku mund të punojë në qetësi. Ka qenë sekretari i Presidencës, ai që është përkujdesur për krijimin e asaj hapësire. Zyra edhe i ka takuar. Ka qenë president shteti, në dy mandate, ndonëse asnjërin s’e ka çuar deri në fund.

Shefi i protokollit të Presidencës, Bilall Sherifi, tregon se ka më shumë se një javë që presidenti Sejdiu është bërë me atë zyrë.

Por nuk ka shumë informata sesi qëndron puna rreth angazhimit të stafit mbështetës të Sejdiut.

“I takon sekretarit të Presidencës që ta zbatojë Ligjin për presidentin”, thotë ai.

Sherifi rikujton se ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, qysh në fillim të mandatit, i ka rekomanduar kreut të administratës së Presidencës, që të veprojë me rastin e Sejdiut, ashtu siç parashihet me ligjin për të parin e shtetit.

“Krasniqi nuk është lëshuar në kurrfarë interpretimesh të ligjit, por i ka thënë sekretarit që të konsultohet me Zyrën ligjore dhe t’ia plotësojë kushtet që i takojnë Sejdiut”, shprehet Bilalli.

Sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Fahri Breznica, kohë më parë ka njoftuar se Sejdiu, pos veturës dhe sigurimit nga policia është duke e gëzuar edhe 70% të pagës që merr presidenti.

E paga e kreut të shtetit është 3 100 euro, apo 25% më e lartë se ajo e kryetarit të Kuvendit.

Aq sa merr Sejdiu nga shteti, merr edhe familja e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Mes Sejdiut dhe trashëgimtarëve të Rugovës, megjithatë ekziston një dallim. E veja e Rugovës përfiton një pagë ekstra nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, as ajo në fakt nuk merr aq sa i janë premtuar nga partia të cilën ia ka udhëhequr bashkëshorti për 16 vjet rresht. Drejtuesit e LDK-së kishin vendosur që t’ia ndanin 2 500 euro në muaj, por, ka më shumë se një vit që ajo i merr vetëm 500 euro.

Në bazë të ligjit, presidenti pas përfundimit të mandatit ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatëmujore të transicionit në jetën private.

“Fondet mund të përdoren për zyrë, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën transitore”, thuhet në ligj. Me ligj, pos tjerash, parashihet që presidenti dhe familja e tij, pas përfundimit të mandatit, kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe në shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës. Por, Kosova, për fat të keq nuk ka as spital ushtarak e as sigurime shëndetësore të rregulluara me ligj. Fatmir Sejdiu njihet si presidenti i dytë i Kosovës. Ai është larguar nga Presidenca, duke e dhënë dorëheqjen në mes të mandatit të dytë, për shkak të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese se ka bërë shkelje kushtetuese përmes mbajtjes së posteve të dyfishta politike.

Dorëheqja e tij është përcjellë me krizë institucionale, pasi ka ndikuar në prishjen e koalicionit qeverisës PDK - LDK. Rrjedhimisht, pas vetëshkarkimit të Qeverisë dhe shpërbërjes së Kuvendit, vendi është shtyrë të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 12 dhjetor. Personalisht, Sejdiu nuk e pa të udhës të merrte pjesë në këto zgjedhje. Nga nëntori i vitit të kaluar ai është “Kryetar nderi” i LDK-së.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...