2011-02-02

Shqipëria, marrëzia jonë e përbashkët

“Në emër të Zotit, çfarë bëni?!”

Në 21 janar isha atje, pranë tyre. Pashë edhe një herë shqiptarin, atë shqiptar

që kisha lexuar ndër vite, ndër shekuj. Ishte aty, po ai, i njëjti, pa më të voglin dallim dhe ndryshim. Ishte po ai i, së paku, kohës së Skënderbeut, i shpalljes së pavarësisë, i 1913-s; ishte po ai, që dëboi me armë Princ Vidin; ishte po ai, që bëri Revolucionin e Qershorit të 1924-s; ishte po ai, që gjuajti ndaj Ahmet Zogut; ishte po ai i luftës vëllavrasëse të ‘44-s; ishte po ai i krimeve të tmerrshme të komunizmit; ishte po ai që vrau Arben Brocin në ‘90-n; ishte po ai, që dogji Shqipërinë në ‘97-n; ishte po ai që pushtoi Kryeministrinë në ‘98-n.

Në një qiell të hapur dhe pa re, befas shkreptijnë rrufetë e marrëzisë sonë kolektive, të asaj marrëzie që kishim hamendësuar se e kishim flakur diku në skutat e errëta të subkoshiencës.

Por jo! Libidoja jonë kolektive shfaqet (këtë herë jo seksuale, siç mendonte Frojdi), duke nxjerrë prej nesh pjesën tonë më të errët, më të brendësuar, më të fshehtë, më të dhunshme, më meskine, më shtazarake, duke nxjerrë prej nesh marrëzinë tonë.

Isha aty për të përjetuar marrëzinë e një grupi ndaj një tjetri, isha aty për të parë përballjen e ca pabuksave me disa rrogëtarë të mjerë, që çdo fund muaji mendojnë për datën e hedhjes së rrogave, për të kuptuar armiqësinë tonë të përbashkët, divorcin me çdo lloj vlere, me çdo lloj ndjenje humane dhe flirtimin tonë përfundimtar me Djallin, me të keqen, perversen, arrogancën, hakmarrjen.

Isha aty për të kuptuar mangësitë tona, moskulturimin tonë, hendeqet e ëndërritjeve tona mes ideales dhe realitetit, atij realiteti që jemi të destinuar ta përjetojmë përditë, ta vuajmë, ta shkatërrojmë në përditësinë tonë dhe sërish ta rindërtojmë në hamendësimet tona.

Atë të premte isha atje, mes tyre, mes halleve dhe problemeve të tyre, isha mes paditurisë së tyre, injorancës së tyre, isha mes përdorimit të tyre në mënyrën më të keqe nga një grup tjetër (që ndiqte çdo lëvizje të tyre nga përtej perdja), isha mes arrogancës së tyre, isha mes mosndjesisë së tyre, isha mes lukunisë së tyre, isha mes verbërisë së tyre, asaj verbërie që me të drejtë Saramango përshkruan tek “Verbëria” e tij, edhe pse verbëria e asaj dite ishte e zezë, ashtu si, përgjithësisht, është verbëria, e jo e bardhë, përkundrejt asaj që Saramango na rrëfen.

Atë të premte isha në familjet e tyre, pranë nënave, bashkëshorteve, fëmijëve, motrave, vëllezërve të tyre. Shihja në vështrimet e tyre frikë dhe ankth, ndërsa zemrat e tyre kishin ndalur dhe ishin përqendruar atje, tek ata, në sheh.

Isha atje për të parë se si nuk duhet të jemi, për t’u thënë se si kemi qenë dhe për t’i ndalur, për t’i bindur, për t’i thirrur: “Në emër të Zotit, çfarë bëni?!”

Atë të premte i dhashë të drejtë marrëzisë së Don Kishotit për mënyrën e tij të ndryshimit të botës, i dhashë të drejtë utopizmit të Marksit, me tezat e tij idealiste për shtetin ideal, i dhashë të drejtë Odin Mondvalsenit, i cili nuk e kishte aq keq që pretendonte se ishte danez, ndërsa, me lot ndër sy, krijova një hendek të pakapërcyeshëm me vetjen shqiptare.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...