Nga Armand Plaka
Çfarë shkruante 20 vjet më parë shtypi perëndimor për ngjarjet në Shqipëri? Cila ishte kurba e zhvillimeve politike në vendin e fundit të mbetur në dukje akoma i paprekur nga vala e ndryshimeve demokratike në Lindjen ish-komuniste? Cilët ishin hapat që po ndërmerrte udhëheqja e atrofizuar shqiptare për t’u afruar me Perëndimin dhe pse ky i fundit i vlerësonte ato si të pamjaftueshme për të qenë të besueshme?
Në vijim të ciklit, “Shqipëria moniste në mediat perëndimore 1945-1990”, në pjesën e dytë të dosierit tonë mbi ngjarjet në vitin ´90-të, do vijojmë me artikujt që trajtojnë periudhën maj-korrik 1990, ku si pikë kulmore sigurisht se vlerësohet eksodi i shqiptarëve në ambasadat e huaja perëndimore. Revista amerikane “Time” i bashkëngjitet këtë radhë me artikujt e vet, kolegëve të “New York Times” dhe gjermanoperëndimorëve të “Die Zeit” dhe “Der Spiegel”, duke ndarë pikëpamje të njejta e duke shprehur shpresë e dyshim, por edhe ankth e frikë, mbi ecurinë e Shqipërisë drejt reformave demokratike.
Do të gjejmë edhe deklaratën e ish-ministrit të jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Gensher mbi trazirat e kohës në Tiranë, ashtu sikurse do të shohim edhe hapat e çalë që po ndërmerrte regjimi i kohës për të dhënë një imazh sa më të pranueshëm për Perëndimin, i cili gjithsesi, prej këtyre të fundmit vlerësohet vetëm si “pakëz kozmetikë” mbi fytyrën e rrudhosur e të pashpresë tashmë të realitetit që ofronin ditët e fundit të soc-realizmit shqiptar. Këto dhe shumëçka tjetër, gjenden të plota e të rreshtuara në mënyrë kronologjike, në materialin që po vijoj të botoj (për herë të parë në shqip) edhe sot në faqet e gazetës “Standard”.
Mijëra “pushtues” ambasadash u lejuan të largoheshin, por shteti i fundit i Evropës mbeti një fuçi baruti
“Der Spiegel”, korrik 1990: Shqipëria, pakëz kozmetikë
Një ekstrakt spektakolar nga një vend i padëshiruar: Një armatë e tërë anijesh, së bashku me dy anijet italiane "Appia" dhe "Espresso Grecia", dy tragete greke dhe një anije franceze, u nisën nga Perëndimi për të iniciuar një aksion të “Arkës së Noes”, ndërmjet portit të Durrësit dhe atij të Brindizit, për të marrë rreth 5000 shqiptarë, të futur në ambasada pas dy javësh pushtimi - dramatike.
Deri në orët e fundit akoma nuk dihej, nëse nga takimi i kryetarit të shtetit dhe të partisë, Ramiz Alia, 64 vjeç, me ndërmjetësin e OKB-së, Steffan di Misurado, do të ndërmerrej një "zgjidhje e përbashkët simultane", kundër forcave staliniste në regjimin shqiptar. "Ky veprim ishte një aventurë e rrezikshme", - do të shprehej një diplomat nga Tirana.
Më shumë se 3000 refugjatë ishin strehuar në Ambasadën Gjermane, gjatë dy javëve të fundit. Ushqimet dhe lëngjet për të pirë mungonin, kushtet sanitare kishin arritur në minimumin e mundshëm. Ndërtesa e sapondërtuar e Ambasadës ka vetëm tetë tualete.
51 shqiptarë, të cilët ishin futur në ambasadën çeke, u dërguan natën e së martës me makinën e Presidentit çek, Vaclav Havel, drejt Pragës.
Diplomatët e Bonit presupozojnë se trajtimi favorizues i Pragës, ka të bëjë me numrin e paktë të emigrantëve. Nga njerëz brenda në Tiranë iu vu theksi më shumë efektit të sinjalit të dëshiruar të Alisë përkundrejt luftëtarit për të drejtat e njeriut, dramaturgut të njohur Havel dhe bisedave ekonomike ndërmjet Republikës Çeke dhe Shqipërisë.
Mësymja ndaj ambasadave i kujtoi mbarë botës se pas revolucioneve të Bllokut Lindor, tashmë të copëtuar, jeton ende nën thundrën staliniste, një popull thuajse i harruar.
Që nga vdekja e diktatorit komunisto-nacionalist, Enver Hoxha, në vitin 1985, me më shumë se 40 vjet shtypje e represion, të izoluar nga e gjithë bota, të kontrolluar nga shërbimi i fshehtë “Sigurimi” – që posedon më shumë se 50 000 bashkëpunëtorë dhe informatorë, krahasuar me numrin e popullsisë prej 3.3 milionë, është më i madhi në botë - shqiptarët nuk morën guximin deri me rënien e “perdes së hekurt” të ngriheshin kundër terrorit të partisë në pushtet.
Kjo ndryshoi fillimisht me fundin e revolucionit të përgjakshëm në Rumani, vitin e kaluar. Nga televizionet jugosllave, italiane dhe ato greke, shqiptarët u bënë dëshmitarë të kryengritjeve popullore në Timishoara dhe Bukuresht si dhe fundit të përgjakshëm të familjes të diktatorit Çaushesku.
Në fund të dhjetorit u zhvilluan demonstratat e para në qytetin verior të Shkodrës, të cilat u pasuan në të gjithë vendin me demonstrata të ngjashme nën emrin "Revolucioni i heshtur": Dhjetëmijë njerëz ecën në heshtje përmes qytetit, pa formuluar qëllime e kërkesa.
Në heshtje demonstruan edhe studentët në Tiranë në fillim të vitit, ndaj zëri u ngrit për herë të parë, në qytetin e vogël të Kavajës, gjatë një ndeshje futbolli, ku skuadra vendase ndeshej me atë të Partizanit. Në stadiumin e tejmbushur, u dëgjuan papritur fjalët "Demokraci, demokraci!" dhe "Poshtë familja e Enver Hoxhës!" Librat e “udhëheqësit të madh”, Enver Hoxha, u dogjën në publik. Gjatë përleshjes me policinë e fshehtë, pati katër të vdekur.
Që prej asaj kohe, iku si frika ashtu edhe durimi i shqiptarëve. Parrullat nisën të shkruheshin fshehtas natën në muret e shtëpive. Në të gjitha vendet haseshin tekste si: "Poshtë Çaushesku shqiptar", "Kurrë më Stalini", si dhe "Rroftë Evropa dhe Gorbaçovi".
Për partinë dhe kryetarin e shtetit, Alia, ky ishte një sinjal që ai të mos kishte më kohë për të kontrolluar programin e vet, në rast se ai do të shpëtojë pushtetin e partisë.
Ramiz Alia nuk ka lindur për të qenë reformator. Nxënësi shembullor i Hoxhës dhe shefi i ideologjisë së Partisë, i cili sipas të dhënave zyrtarë, vjen nga Shkodra, në të vërtetë duket se është rritur në Podgoricën jugosllave, dhe ndryshe nga paraardhësit e vet, e ka kuptuar që popullin nuk mund ta mbash të mbyllur në kafaz – thirrja e lirisë del drejt nga eteri.
Pragmatiku Alia paralajmëroi qysh në muajin prill një program reformash, të cilin e bëri publik në plenumin e Komitetit Qendror të PPSH-së, ku i shpallet e një luftë e drejtpërdrejtë kokave të ngurta të partisë, të trashëguara nga koha e Enver Hoxhës. Në fjalimin e tij, ai i cilësonte ata si "elementë reaksionarë brenda aparatit shtetëror, të cilët nuk kuptojnë kuptimin e këtij zhvillimi".
Vetëm tani u sulmuan një pjesë e këtyre “reaksionarëve”. Në një plenum krize të Komitetit Qendror, fundjavën e kaluar, Alia përjashtoi 3 nga 13 anëtarë të Byrosë Politike dhe pushoi 6 nga 15 ministrat e tij.
Më të rëndësishmit ishin ministri i Mbrojtjes Popullore, Prokop Murra, 68 vjeç dhe ministri i Brendshëm famëkeq, njëkohësisht edhe shefi i policisë sekrete, Simon Stefani, 61 vjeç.
Të dy ishin gjatë regjimit të Hoxhës në krye të partisë. Ata i përkisnin të ashtuquajturit “klani i naftës”, një rrjet, i cili gjatë kohës që punonin në Kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në "Qytetin Stalin", bënë karrierë në parti e që njihen veçanërisht si dogmatikë.
Edhe vejusha e Hoxhës, Nexhmia, 69 vjeç, luan një rol shumë të rëndësishëm në grupin e “kokave të nxehta”; më pak me punën e saj si kryetare e organizatës së masave "Fronti demokratik", sesa si një figurë përfaqësuese e të djeshmëve të përjetshëm. Për të rrëzuar "vejushën e kuqe", Alia nuk kishte shumë forcë.
Edhe vendosja e njerëzve të rinj në postet më të rëndësishme, nuk ka domethënien e një kompromisi që zgjat shumë: Ministri i ri i brendshëm, Hekuran Isai, 57 vjeç, i cili e kishte pasur edhe më parë postin e Ministrit të Brendshëm deri në 1989, renditet në shoqërinë reaksionare të klanit të naftës.
Një student , i cili e cilëson veten si opozitar të fshehtë të regjimit, e quan këtë riorganizim, një "fitore të xhaketave të vjetra". Alia, sipas studentit, nuk është as më pak e as më shumë se Honeker-i dhe Krenz-i të bashkuar në një person të vetëm, dhe nuk përbëjnë ende një ndryshim të vërtetë në thelb.
Gjithsesi, Alia përpiqet ta zbusë popullin e ta marrë me të mira: Ai do të fusë shpërblimet sipas rendimentit në punë, të ardhurat minimale do të rriten me 20%. Ndërmarrjet duhet të marrin hap pas hapi më shumë fuqi, zejtarët e vegjël mund të punonin privatisht, madje edhe bashkëpunimi i ndaluar rreptësisht me Perëndimin, tanimë do të lejohej.
Shumë pak dhe shumë vonë. Në kombinatin metalurgjik të Elbasanit, janë futur në grevë në shenjë solidarizimi 10 000 punëtorë, në mbështetje të emigrantëve të ambasadave, ndërsa në qytetet e Shkodrës dhe të Kavajës, ka pasur përsëri trazira.
Akoma edhe më e rrezikshme: Gazeta e Beogradit “Vecernje novosti”, njofton që rreth e rrotull Tiranës rrinë të fshehur me mijëra shqiptarë që të zënë vendin e emigrantëve të futur në ambasada pas largimit të tyre. Shtetet fqinje, Greqia dhe Jugosllavia, kanë rritur numrin e trupave në kufi në rast të një eksodi të përgjithshëm. Grekët mund të merrnin në mbrojtje pakicën e tyre - 300 mijë minoritarë që jetonin në jug të Shqipërisë.
"Shqipëria është fuçi baruti“ thotë njëri nga studentët opozitarë mbi gjendjen në atdheun e vet, dhe "pakëz kozmetikë, nuk do ta shmangte dot shpërthimin".
Marrë nga “Der Spiegel”, 16.7.1990
“Die Zeit”, 1990: Të zhgënjyer nga sjelljet e Alisë
A mos ishin nxituar vëzhguesit gjatë javëve të shkuara kur thoshin se në “vendin e skipëtarëve” po përgatitet një hapje e vendit drejt botës? A mos po shkon shumë ngadalë procesi demokratizues për shqiptarët në bastionin e fundit ortodoks komunist në Evropën Lindore? Ashpërsia me të cilën forcat e sigurisë reaguan ndaj njerëzve që kërkuan azil në ambasadat e huaja, hedh dyshime të forta mbi dëshirën e shefit të shtetit, Ramiz Alia, për të bërë përpara me reforma. Në trazirat në Tiranë, thuhet se janë plagosur shumë njerëz , madje flitet se ka pasur edhe katër të vdekur.
Nëse këto informacione do të vërtetoheshin, do të ishin një barrë e rëndë në përpjekjet e bëra nga Ramiz Alia deri më tani. Të shtënat mbi refugjatët, nuk i përgjigjen frymës dhe akteve të OSBE-së, u shpreh ministri i Jashtëm, Gensher. Pas një vetizolimi prej disa dekadash, Shqipëria tashmë ka bërë të ditur se ka interes të anëtarësohet në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë. Trazirat në Tiranë lidhen me mosbesimin në rritje të popullsisë, mbi shtypjen e vazhdueshme si dhe me ligjin e ri që hyri para pak javësh, mbi lëshimin e pasaportave të udhëtimit për të gjithë shtetasit shqiptarë e që në fakt u është siguruar vetëm një numri personash të përzgjedhur. Me shumë gjasa, njerëzit kanë marrë më shumë guxim qysh nga largimi i gjashtë vëllezërve Popa, në fund të muajit prill. Për më shumë se pesë vjet, kjo familje kishte qëndruar e ngujuar brenda Ambasadës Italiane, para se Tirana, pas negociatash të shumta, të tërhiqej nga qëndrimi i saj, duke hequr kësisoj edhe pengesën më të madhe për përmirësimin e marrëdhënieve me Italinë. Deri në atë kohë, Ramiz Alia – nga frika se mos kjo gjë imitohej edhe nga të tjerë – kishte kërkuar vazhdimisht dorëzimin e azilkërkuesve.
Gazeta “Die Zeit”, 6.7.1990
* * *
“Time”, maj 1990: Shqipëria dhe më pas s’ka më tjetër
Përtej kalendarit, revolucionet e 1989-s akoma nuk kanë përfunduar. Pasi vendet e Bllokut Lindor u tronditën nga ndryshimet politike gjatë vjeshtës së shkuar, një regjim komunist në Evropë ia doli t’i rezistonte tërmetit politik pa lagur. Tashmë, rreth gjashtë muaj më vonë, lidershipi i Shqipërisë së vogël po e humbet pozicionin e vet ultrastalinist. Javës që shkoi, Parlamenti në Tiranë votoi një seri reformash me karakter politik dhe legjislativ, të cilat mund të shënojnë fillimin e fundit të dekadave represion dhe izolim.
Vendi më i prapambetur dhe më i varfër i kontinentit, Shqipëria, është një pykë e mirëfilltë në rajonin e Ballkanit me shtrirje në Adriatikun Jugor - mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Një vend agrar ku punëtorët fitojnë mesatarisht 85 dollarë amerikanë në muaj, dhe vendi është sa i dobët ekonomikisht, aq edhe politikisht. Shqipëria madje, pati ndërprerë marrëdhëniet edhe me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe me Kinën në 1978, pasi këto superfuqi eksperimentuan më herët me reformat e tyre liberalizuese. Qëkurse ai u vendos të pasonte ish-udhëheqësin Enver Hoxha të vdekur tashmë në vitin 1985, Presidenti Ramiz Alia, 65-vjeçar, ka modifikuar në mënyrë graduale politikat më kryesore të ndjekura nga paraardhësi i vet në mënyrë strikte.
Ligjet e aprovuara gjatë sesionit dyditor të javëve që shkuan në Kuvendin Popullor me 250 anëtarë janë diçka e ndryshme prej tyre. Në dekretin e vet më simbolik, Kuvendi bëri me dije se për herë të parë që nga ardhja e komunistëve në pushtet në 1944, shqiptarët do të gëzonin të drejtën për të udhëtuar të lirë jashtë shtetit. Megjithëse shumë nga qytetarët e vendit janë të varfër për të lëvizur jashtë, kufizimet e deritanishme janë hequr plotësisht. Ligji i ri, pra parasheh se edhe emigrantët shqiptarë do të kenë të drejtën më në fund për të shkuar e t´u bëjnë vizita familjarëve të tyre në shtëpi, dhe mijëra syresh ndërkohë po bëjnë plane për ta ndërmarrë këtë hap. Përveç kësaj, Kuvendi vendosi që të shfuqizojë një ligj për ndalimin e ushtrimit të besimit fetar që kishte 24 vjet që ishte në fuqi, I cili në mënyrë të përmbledhur do të thotë përndryshe rihapje të xhamive myslimane dhe kishave katolike romane dhe atyre ortodokse greke, të cilat janë përdorur gjatë regjimit komunist kryesisht si muzeume dhe ambiente për klubet sportive.
Duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm legalë, qeveria rivendosi kësisoj Ministrinë e Drejtësisë, e cila kishte pushuar së ekzistuari në vitin 1966, dhe vendosi në krye të këtij dikasteri një këshilltar të ngushtë të z. Alia. Keqbërësve nën hetim u sigurohet e drejta për të pasur një avokat nga momenti i arrestimit, dhe numri i dënimeve kapitale u reduktua nga 34, në njëmbëdhjetë. Sipas Nicholas Pano, një specialisti të çështjeve shqiptare nga Universiteti i Illinoit Perëndimor (“Western Illinois University): "Shqipëria e ka marrë seriozisht ndarjen nga trashëgimia e saj staliniste".
Pas lajmeve për reforma në vend, fshihet dëshira e Presidentit Alia për të rivendosur marrëdhënie me shumicën e vendeve të botës me të cilat deri më tani vlerësoheshin si të fjetura. Zëvendëskryeministri, Manush Myftiu, tha në sesionin parlamentar të javës që shkoi për shembull se qeveria e Tiranës dëshiron t´i bashkëngjitet Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, e cila deri më tani numëron 35 anëtarë. Para se të ndërmerret ky hap, gjithsesi duhen të aplikohen disa kërkesa bazë të KSBE-së që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, ku përfshihen liria e lëvizjes dhe të drejta të tjera civile. Edhe OKB-ja po i hedh sërish sytë nga Shqipëria: Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Havier Perez de Kuelar bëri vizitën e tij të parë në Tiranë javën që shkoi. Në Uashington një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi me optimizëm se tashmë "dera është e hapur për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike" mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Megjithëse procesi sapo ka nisur, duket qartazi se trazirat e vitit të fundit me karakter politik, kërkonin pikërisht atë çka për dekada të tëra izolimi dështoi të bënte: të bindte Tiranën se është koha për të dalë nga akulli.
Revista amerikane “Time”, 21 maj 1990
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...