Nga Isa Vatovci
Regjisorët kosovarë, por edhe kasta tjetër e njerëzve të filmit dhe të teatrit, kanë shumë pak mundësi të zhvillojnë bashkëpunimin me kolegët e tyre të rajonit. Me përjashtime të rralla nuk mund të flitet për bashkëpunime në mes të regjisorëve tanë dhe të atyre rajonalë. Njëjtë është edhe sa u përket projekteve të përbashkëta. Përjashtuar këtu institucionet ndërshqiptare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Këtë e pohojnë edhe regjisorët tanë dhe njerëzit e filmit. Ka shumë arsye për këtë mosbashkëpunim. Por ka edhe mendime se nuk është shumë i domosdoshëm një bashkëpunim i tillë. Në një prononcim për “Kosova Sot”, regjisori Jeton Ahmetaj është shprehur se nuk duhet domosdo të bashkëpunohet me regjisorë të rajonit apo më gjerë që të kemi një vepër personale kinematografike apo teatrore, fundja, ka pohuar ai, regjisori nuk ndihmon regjisorin në gjetjen e fondeve. Sipas tij, deri më tani nuk është parë që ndonjë nga artistët tanë të angazhohet në ndonjë projekt rajonal, ose dikush të ketë derdhur mjete në ndonjë projekt kosovar. Ndërsa ka ndodhur e kundërta. “Bindja ime është se ne institucionalisht duhet të lëvizim, sepse autoriteti institucional është kyç sa i përket ndërtimit të raporteve bilaterale në këtë drejtim”, ka thënë ai, duke e parë me rezerva angazhimin e regjisorëve të huaj në Kosovës, nëse kjo nuk u mundësohet edhe regjisorëve tanë. “Mendimi im është t’i thuhet ndal këtyre angazhimeve deri në momentin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të barabartë, kuptohet të dyanshëm”, ka thënë regjisori Jeton Ahmetaj. Ndërsa regjisori Sunaj Raça mungesën e bashkëpunimit të kineastëve tanë me ata të rajonit e sheh si mangësi të vetë kosovarëve. Ai ka thënë se mungesa e bashkëpunimit me kineastët e rajonit më shumë është mangësi e kineastëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, ende nuk kanë gjetur rrugën se si të krijojnë mundësi bashkëpunimi. “Përveç mangësisë se buxhetit, ne kemi deficit kadrovik, sidomos atë të producentëve të filmit”, ka pohuar Raça, duke shtuar se edhe mangësi vërehen edhe te bërja e skenarëve, të cilët do të joshnin bashkëpunimet rajonale të kineastëve tanë. Aktori dhe skenaristi Selatin Ademi, sa i përket këtij problemi, ka thënë se kjo është shkak i një moskalimi në ndonjë tribunë me kolegët rajonalë, duke bërë fajtore edhe MKRS-në, e cila, sipas tij, nuk ka krijuar marrëdhënie me ministritë homologe që do t’u mundësonte artistëve takime mes veti.“Në Kosovë kanë ardhur disa regjisorë të rajonit për të realizuar projekte, ndërsa regjisorët tanë nuk e kanë derën mbyllur në vendet e rajonit”, ka thënë Ademi. Kurse aktori Ilir Muharremi tha se bashkëpunimet mes regjisorëve tanë dhe atyre të rajonit do të ishin shumë të dobishme për vetë njerëzit tanë të filmit dhe të teatrit.“Filmi dhe teatri kërkojnë punë kolektive, secili në mënyrë profesionale ta kryejë shërbimin e vet, jo të shpërndahet kot në sferat e tjera”, ka thënë aktori Ilir Muharremi.