2011-02-01
Udhëtim mbresëlënës
Nga Haki Zllami
Udhëtim në rrugën e Kombit nga Tropoja drejt Kosovës
Bajram Curri-Mëngjesi i datës 10 qershor 2010. Një udhëtim me shumë mbresa nga qyteti Bajram Curri në Tiranë. Udhëtojmë me autobusin me targë BC që drejtohet nga shoferi Rifat Hajdini, njëri nga shoferët më zë të atyre që e bëjnë këtë linje. Rifati, si më i kujdesshmi, vendosi që këtë linjë ta bënte nga rruga nëpër Kosovë - Kukës - Tiranë. Autobusi i tij, modern, i rehatshëm e me të gjitha kushtet: me kondicioner, me televizor e shërbim të përsosur, me licencë nga dy qeveritë, Kosovë – Shqipëri; është biseduar edhe për orarin e lëvizjeve dhe kalimin pa pengesa në të dyja doganat.
Të dyzetë tropojanët ishim fort të gëzuar që na takoi një udhëtim i tillë. Me padurim prisnim orën për t’u nisur. Dorëzuam kartat e identitetit. Shoferi dha sinjalin e nisjes. Qytetit të vendlindjes i thamë: “Mirupafshim!” Papritmas, sikur dëgjuam tingujt e këngës së këngëtares Fatime Sokoli: “Të fala vëllezërve në Kosovë!” Dhe ashtu duke ecur me ngadalë, vështronim monumentin e Bac Bajramit, në sheshin kryesor të qytetit ashtu siç është, madhështor i derdhur në bronz me një lartësi 5,15 m, si udhëheqës i vegjëlisë, i cili rri mirë mbështetur në këmbët e tij të ngulitura në tokë; me njërën dorë shtrëngon fort pushkën e me pëllëmbën e dorës tjetër drejtuar poshtë bën një gjest të pushtetshëm dhe me fytyrën e tij shpreh vendosmërinë e trimërinë për idealet e popullit e të atdheut…
Nisemi drejt fshatit Bujan, i njohur për ngjarjet madhore në historinë tonë. Tek ura, para se të marrim kthesën për të vazhduar drejt Kosovës, dëgjoj të flitet për shtëpinë-muze të Heroit të Popullit, Mic Sokoli, dhe pak më tutje shtëpinë e Sali Manit, ku u zhvillua Konferenca Themeluese e Këshillit NC për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit nga data 31 dhjetor 1943 gjer më 2 janar 1944.
Bisedojmë me njëri-tjetrin. Me ne udhëton dhe një junikas, i cili mbase edhe na ngacmon si shpesh me pyetjet e tij. Edhe ka të drejtë, se do që të njohë ngjarjet e vendit të tij, ashtu siç bëjnë edhe Valbona, Sokoli, Xhevalini, Musa Lamnica, Vitalina, Shpendi e shumë e shumë të tjerë, të gjithë nga Tropoja, nga: Dragobia, Gashi, Krasniqja, Nikaj-Mërturi e Bytyçi; nxënës e studentë e të profesioneve nga më të ndryshme. Secili kërkon të mësojë e të dijë, ndërsa vazhdojmë gjatë rrugën mespërmes fshatit Cerrnicë…
Përsëri nëpër Cerrnicë, ndërsa i gëzohem rrugës së ndërtuar kaq bukur dhe që të çon në Gjakovë brenda tridhjetë minutave, mendja diku larg më shkon dhe pyes vetën: Ku janë lisat shekullorë që e mbanin të gjallë këtë trevë? Po zogjtë përse nuk cicërojnë? Atyre u mungojnë foletë… dhe në lidhje me këtë mbaj mend një thënie të mençur se aty ku zhduken zogjtë, duhet bërë alarmi më i rreptë. Vërtet, gjithë kjo zonë nga kalon kjo rrugë që të çon drejt Rrugës së Kombit, qenka me ngjarje e bëma të veçanta, këtu në çdo hap ruhet një ngjarje, historia do të flasë… Vazhdojmë rrugëtimin… Vorret e Shalës, Okolli i Gashit, Mejdan, Aste e Tropojës së Vjetër… Dhe mbasi lëmë pas majat e larta të Malësisë së Mirë: Shkëlzenin, Majën e Hekurave, Jezercën… pllajat e Zapollës, Radeshes… livadhet e Padeshit, ngjitemi në Qafën e Morinës. Afrohemi tashmë përpara dy doganave.
Kosovë, mespërmes Rrafshit të Dukagjinit
Gjithçka shkon për së mbari. Doganat i kaluam pa vonesë… Kosovë! Sa e dashur për të gjithë ne, kjo fjalë! Ndihemi krenarë se shkruajmë për Kosovën e çliruar. Mirë thonë se të shkruash është si të udhëtosh pa bezdinë e bagazheve. Dhe kur ke diçka të qartë për të thënë, fjalët vijnë vetë… ngjarjet flasin haptas. Historia nuk mbulohet, heronjtë janë kurdoherë të gjallë e të rinj… “Ata që nuk mbajnë mend të kaluarën, janë të gjykuar që ta përsëritin”, - shkruante dikur Franc Kafka. Në të mirë të kësaj ideje flasin edhe qindra varreza të dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës, të mbuluar me tufa lulesh që vështrojmë në të dyja anët fshatrave përreth magjistrales…
Kosova është në momente të përjetësisë, që po gjen çastin e shfaqjes së ardhmes së një ëndrre të vjetër. Për çudi, si për koincidencë, udhëtimi ynë sot në këtë ditën, kur më 10 qershor 1878 në atë vend të bukur, në Prizren, u mblodh një kuvend i madh historik, kaq i njohur për gjithsecilin, si ngjarje fatmadhe e kulmore; njëqind e tridhjetë e dy vjet më parë! Siç dihet, sa më shumë vite rrjedhin, kjo ngjarje përherë shndrit në përmasa më të gjëra. Tashmë, Kosova, shteti më i ri i botës, ka hyrë në historinë tonë kombëtare për luftërat e herëpashershme kundër pushtuesve të huaj të ndryshëm: romakë, sllavë, turq, italianë, gjermanë dhe përsëri serbo-sllavë.
Kosova në zemrën e Ballkanit, si një trevë nga më të pasurat në Evropë, e njohur veçanërisht për pasuritë minerare. Mbetet interesant një toponim tepër i veçantë, Bjeshkët e Argjendta…
Duke ecur gjatë rrugëve të Rrafshit të Dukagjinit, prezantohemi me ngjarjet e shumta të ngulitura në këtë tokë të larë me djersë e gjak… Autobusi ec me shpejtësinë e zakonshme. Përpara syve tanë dalin fshatra të mrekullueshme: Ponashec, Babaj i Bokës, Korenica… diku më lart, Deva dhe mbërrijmë tek Ura e Tabakëve e pastaj hyjmë në Gjakovë. Gjakova, qyteti ynë! Në qoftë se qyteti kërkon malësinë e saj, jemi ne dhe në qoftë se krenohemi për qytetin tonë, përsëri Gjakova është!
... Këtu, ndoshta mund të ndalemi shumë, por udhëtimi është udhëtim. Drejtohemi drejt Prizrenit, mbasi kalojmë Urën e Shenjtë, ku poshtë saj rrjedh Drini i Bardhë. Vështrojmë një ngushticë aq sa të ngjan sikur lumit iu ka zënë fyti me dorë. Përsëri rrugëve të Prizrenit…
Ndalemi për të pirë kafe në fshatin e njohur Krushje e Madhe, edhe një fshat i madh e shumë i bukur, i shtrirë në të dyja anët e Drinit. Këtu, patjetër duhet të theksojmë se është vendlindja e Bac Bajramit, lindi në karrocë, nën trysnin e forcave osmane dhe vdiq në Shpellë të Dragobisë.
Të dy këto karakteristik, që zor t’i gjesh në historinë e jetës së një heroi. Biseduam gjatë edhe për luftërat që kanë zhvilluar malësorët e Tropojës në këto vende historike. Gjej rastin të falënderoj mikun e kolegun tim nga Ferizaj, profesorin Banush Imerin, i cili me shumë përkushtim, në librin e tij “Dëshmi ekzistence dhe qëndrese” shkruan: “… Me 20 prill 1881, 3000 vetë nga Malësia e Gjakovës ia ndalën hovin ushtrisë osmane nën komandën e Mic Sokolit nga Krasniqja e Ali Ibrës nga Gashi…”, dhe ndalet në vargjet e një kënge të atyre viteve: “Në Fushë të Kosovës është lidhë jezeri / Aj medet, shumë a met njeri, / Mic Sokoli e Zmajl Hyseni…”
Për disa minuta arrijmë në qytetin që mbart historinë e lavdishme të LSHP-së dhe vlerat e mëdha të kulturës së lashtë dardane. Për të ilustruar këtë, sjell në mendje disa rreshta të shkrimtarit të vjetër të këtyre anëve, Pjetër Bogdani, i cili në vitin 1685 shkruante: “…Një lum i quajtur Bistricë, që rrjedh përmes Prizrenit, ushqehet me trofta e lloje të tjera peshqish… Ka njerëz të armatosur meqë këtu prodhoheshin pushkë të çdo lloji, demoskine shumë të përsosura…”
Me mirënjohje përshëndetemi edhe me këtë qytet. Sinjalistika e rrugës, e shkruar në gjuhën tonë, na orienton: Dragash… dhe në krahu majtas: Shqipëri - Kukës. Një rrugë e drejtë gjatë bregut të liqenit të Fierzës, në fshatin Zhuri. Dikur patëm mësuar në tekstet e gjeografisë se Drini i Zi e Drini i Bardhë takoheshin në qytetin e Kukësit, por tani këta lumenj i bashkon uji i liqenit këtu në Zhuri të Prizrenit. Respektuam rregullat e të dy doganave në Morinë dhe reciprokisht na respektuan punonjësit që ishin shumë të edukuar e të kujdesshëm.
Kjo është Rruga e Kombit!
Nga dogana e Morinës ecim përmes autostradës së re, një vepër madhështore, një “Via Egnatia” si imagjinatë e Mesjetës, tashmë u bë realitet. Për këtë vepër të viteve të fundit është folur e prapë duhet folur, shkruajnë gazetat, flasin politikanët, por më mirë se ne që po udhëtojmë, nuk ia dinë vlerat, dobinë. Ne jemi ata që kumtojmë se kjo rrugë sheshoi bjeshkët, lidhi kombin!
Ja segmenti Morinë - Kukës, gjithçka shumë mirë. Nga dritaret e autobusit dallojmë mrekullinë: rrugë pa kthesa, pa disheza, pa malore, por vetëm xhade e drejtë me katër korsi. Hijeshi të rrallë i jep gjerdani i urave njëra pas tjetrës si karvane të pashkëputura, të ndërtuara jo vetëm ku ka lumenj e përrenj, por edhe për të sheshuar e drejtuar kodra e male, për të drejtuar e niveluar hapësira. Shprehemi me një eksklamacion: “I lumtë firmës Geci për punën me cilësi që ka bërë!” Nga Pobregu dallojmë qytetin e Kukësit që rri krenar sipër liqenit të Fierzës dhe “qytetit” të vjetër që fle i qetë, i mbuluar nga miliona metër/kub ujë. Kujtojmë vitin 1977, kur u largua banori i fundit i këtij “qyteti” tashmë si gërmadhë poshtë ujit. Sa mirë që Kukësi tani u bë me autostradë, aeroport e liqe të lundrueshme!
Kaluam urën që lidh brigjet e liqenit që mbase do të ndërtohet një tjetër. Ç’na gjeti? “Mos u mërzit, akoma nuk e kanë përfunduar”, - më sqaroi bashkëbiseduesi. Sado që edhe këtu punohet: lëviznin makina të tonazheve të rënda e punëtorë me bluza pune. Shyqyr, se edhe ky aks do të përfundojë shpejt!? Duke ecur rrugës së vjetër, na dukej sikur udhëtonim në ndonjë rrugë të kooperativave bujqësore. Shqipëria është një vend i vogël, po rrugët i paska të gjata…
Kalimash… një toponim-kompozitë interesante, por me elemente fjalëformuese nga gjuha shqipe.
Qëndrojmë përpara dy portave të tuneleve. I afrohemi atij të jugut, presim pak minuta në radhën e mbajtur me aq korrektësi. Autobusi ynë paraprin. Vazhdojmë të ecim në tunel. Minutat që memorizohen si me ankth, mbetën si mbresëlënëse. Brenda në tunel edhe më me dritë se përjashta në rrezet e diellit: me sinjalistikë moderne, me dhomë komandimi, mbi të gjitha ajër i bollshëm dhe një siguri e vërtetë dhe në fund mezi dalluam dritën e diellit në dalje. Ecëm gjashtë mijë metra, duke pasur “sipër” gjithë atë shkëmb të Qafës së Mollës, megjithatë gjithçka e garantuar.
Si në ekran na del vendi që quhet Thirrë, një vend i banuar me shtëpi e shkollë 9-vjeçare. Vështrojmë malet e Mirditës që dikur u patën thënë “Mirditë gazepi” dhe i kalojmë njëri pas tjetrit: Luginën e Fanit, Repsin, Rrëshenin, Rubikun. Këtu pushuam pak. Rastësisht takoj shokun tim, Martin Luskun, i cili më kujtoi se për ndërtimin e kësaj rruge punuan edhe disa djem nga Tropoja: Skënderi, Agroni, Fatmiri, inxh. Xhema etj., etj.
Nuk na ndahet rrugëtimi i rehatshëm gjersa takohemi me autostradën e Shkodrës... Mesazhi që duam të theksojmë, është se edhe nga Komani apo nga Qafa e Malit udhëtohet mirë, por kolegët e Rifat Hajdinit kanë çfarë të mësojnë nga puna dhe kultura e tij. Për të gjitha këto që shkrova e mund të flas, normalisht lind pyetja retorike: Përse kjo rrugë është kaq e përfolur!? Një gjë është më se e vërtetë, se ashtu siç është e vërtetë se hëna bën dritë, por nuk nxe, kjo është vepra më e madhërishme e viteve të demokracisë sonë.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...