PANTEONI I RRALLUAR
AKADEMIK RPOF.DR. REXHEP QOSJA
Në letërsinë tonë akoma nuk kemi pasur ndonjë shkrimtar që ka sjellë farë befasie të posaçme me seriozitetin e nisjeve krijuese dhe dukuri të tilla, sigurisht, nuk mund të priten edhe për një kohë, pak a shumë, të gjatë. Për shkak të kushteve në të cilat janë rritur, shkrimtarët tanë piqen ngadalë, prandaj edhe shkrimet e tyre të para, shpesh, nëse jo gjithmonë, janë trajtuar si përpjekje krijuese. As Adem Zejnullahu nuk bën përjashtim prej kësaj dukurie të përgjithshme, megjithëse vjershat e përmbledhjes së tij të parë, Kur zgjohen ernat, janë diçka më tepër se sa përpjekje. Hapi i parë i këtij poeti të ri është, pak a shumë, serioz dhe këtë më së miri e dëshmon kujdesi i tij ndaj punës që ka bërë, disiplina që ka treguar gjatë gëdhendjes së vjershave. Ai ka pritur ta botojë përmbledhjen e parë në moshën kur, këtu ndër ne, mund të jeshë krijues serioz, por edhe kritik i krijimtarisë së vet. Ato gabimet që mund të vërehen tek fillestarët tanë në librin e tij janë të rralla dhe, në qoftë se ekzistojnë, atëherë janë shumë më të vogla se tek disa moshatarë të tij.
Përkushtimin krijues të Adem Zejnullahut e dëshmon edhe interesimi i tij pjesërisht i gjerë që ka treguar për motive dhe probleme të ndryshme jetësore. Ai nuk është ndalur vetëm në shprehjen e ndjenjave dhe përjetimeve thjesht intime, subjektive, por e ka çelur zemrën edhe ndaj problemeve të ndryshme jetësore që janë shfaqur dhe shfaqen në realitetin tonë. Edhe pse nuk e ka shumë të gjerë rrethin e motiveve të frymëzimit, kryesore është se Adem Zejnullahu e sheh edhe botën e jashtme e jo vetëm botën e zemrës së vet. Për këtë shkak lirika e tij realizohet kur në planin subjektiv, e kur në planin objektiv dhe i shpreh të dy format e disponimit: harenë e gëzimin rinor, por edhe dhembjen e lehtë që në këtë mes është njëfarë peshe intelektuale e vargjeve të tij. Për poezinë e Adem Zejnullahut mund të thuhet ashtu siç thotë ai pak naivisht për zemrën njerëzore në vjershën e disponimit romantik me titull Zemra:
Herë buzëqesh si lulja e majit
Herë rënkon në jone të vajit.
Ngazëllimin rinor dhe optimizmin jetësor ai e ka motivuar nëpër pjesën më të madhe të vjershave të kësaj përmbledhje me ndryshimet e shquara pozitive që janë bërë në jetën e popullit të tij. Duke qenë vargje të një rilindje jetësore është e kuptueshme pse nëpër këtë pjesë vjershash më së shpeshti përsëriten fjalët rreze, lule, diell, rini, e të tjera. Me drita të çelura e ka këngëtuar Adem Zejnullahu edhe vendlindjen e vet, e cila në kujtesë i lajmërohet si një kopsht i bukur prej të cilit ka marrë me vete mbresa të paharruara përnga pesha e tyre. Një ngjyrë tjetër të disponimit kanë poezitë në të cilat ai zhvillon njëfarë dialogu intim me të kaluarën. Në raste të këtilla ai kthehet më i mrrolur, më serioz dhe vargjet e tij e shprehin përvojën e një poeti i cili të duket se e ka shijuar jetën në shumë aspekte të saj. Kur e ven historinë para gjyqit të vet poetik, ai, si edhe shumica e poetëve tanë të tjerë, mund të thotë me ndjenjën e dhembjes se:
Kjo tokë kishte erë lule gjaku
Dhe rrugë të thella humnere;
(Kjo tokë)
Më i kthjellët nuk kthehet Adem Zejnullahu as në rastet kur provon të shpupurishën nëpër ndjenjat intime. Kurdo gjendet i vetmuar ai e ndjen veten të pikëlluar, por kurrë jo aq sa ta quajë veten të dëshpëruar. Një disiplinë të këtillë të ndjenjës e ka treguar ai në vjershën Zogu i vetmuem, në të cilën shihet se edhe vetmia e drejton orientimin e tij nga bota e jashtme dhe kujtimet:
Duert i shtrij diku kah lindjet
Me i zanë n´kalim
Kalor´sit që i shkelin grindjet.
Përkundër krijuesve filllestarë që fillojnë të vjershërojnë me shprehje të fryra dhe ndjenja të çjerra, Adem Zejnullahu është prej sojit të poetëve që në pjesën më të madhe të rasteve janë në gjendje t´i frenojnë ndjenjat rinore dhe mos të dalin kurrë në skaje. Atë gabimin, të cilin esteti anglez Raskin e ka quajtur gabim që e shkakton ndjenja, në vjershat e tij fare rrallë mund ta diktojmë. Adem Zejnullahut asnjëherë nuk i ka ndodhur, ashtu siç u ndodh fillestarëve, zakonisht, që prej shprehjes së madhështrishme të zbresë tek shprehja naive. Edhe pse në vjershën Kangëve të pakëndueme thotë:
Vërshoni o ndjenja si vërshon në vjeshtë lumi,
Nëpër fushat e krahnorit tim t´brengosun,
Se dje o pardje kur thneglat u zgjuen nga gjumi
Keni lind si prej livadhit të sosunl
prapë ndjenjat e tij nuk vërshojnë përtej brigjeve të një shprehje të matur dhe të motivuar. Vetëm në tingëllimat që ja ka kushtuar shëmbëlltyrës së Skënderbeut, Adem Zejnullahu i ka lejuar vetes një grimë luks që shprehjen spontane dhe emocionalisht të arësyetuar ta zëvendësojë me shprehje pak a shumë retorike dhe ndjenjë të papërmbajtur. Kur një poet nuk është në gjendje të krijojë ndjenjën dhe përfytyrimin brenda vargjesh, atëherë ai flet për to dhe doemos bëhet deklamativ në shprehje dhe patetik në emocione. Kryesisht konciz dhe kursimtar në shprehje, Adem Zejnullahu i krijon e sugjeron ndjenjën dhe përfytyrimin me anën e strukturës metaforike të vargjeve të veta. Edhe pse jo në të gjitha rastet, ai ka gjetur, shpesh, masën e duhur në pikëpamje të shprehjes sugjestive, të fshehtë, por ka ditur të evitojë edhe atë thatësinë figurative të krijuesve fillestarë. Skajet në të cilat gjendet jo rrallë një numër i moshatarëve të tij: ose hermetizmi i plotë — për shkak se nuk kanë mendime të forta as ndjenja të qarta, ose shprehja retorike dhe patetike — për shkak se nuk mund ta ngrisin përjetimin gjer në shkallën e një vizioni të caktuar, në vjershat e tij, për fat, nuk mund të pikasen. Adem Zejnullahu nuk vuan, ose vuan rrallë prej „tepricës" së fjalëve, prandaj vargu i tij është njëmend varg poetik. Shembëllë e një shprehjeje të tillë të dendur dhe kuptimplote, ndonëse poetikisht modeste, është vjersha e vogël Ekstazë dashunie:
Në krahnor flaka jote zjarr,
Në sy portreti yt vegim,
Në vesh fjala jote kumbonë,
Në rrugë hija jote më ndal!
Në përmbledhjen e tij të parë nuk mund të vërehen ato rëndjet e njohura pas metaforave dhe simboleve, po as ngecja në nivelin e shprehjes tradicionale të vargut në poezinë tonë. Adem Zejnullahu nuk ngurron që ta krijojë vargun me metafora dhe figura të njohura poetike, të cilat në poezinë e tij tingëilojnë si të reja. Në vargjet e tij dalin të lezeçme „jonet e vajit", „kupa me vner", ashtu siç janë të lezeçme në tërësi formulimet e këtilla: „Po shkoj me valixhen e kujtimeve ndër duer", „zogjt fluturojnë deri në qerpikun tand", e të tjera.
Megjithë këto kualitete të poezisë dhe këto virtyte të poetit Adem Zejnullahut, në vjershat e tij mund të vërehen edhe të meta që provojnë se ai akoma është duke kërkuar shprehjen e vet karakteristike. Ashtu siç është i ngushtë rrethi i ideve dhe mendimeve të tij, po ashtu, akoma është e varfër edhe fuqia asociative e vargjeve të përmbledhjes Kur zgjohen ernat. Të bëjnë përshtypje të kërkimeve të një krijuesi akoma të papërvojë disa shprehje përgjithësuese, sikundër është rasti kur i drejtohet Migjenit me fjalët „Për lule të njerëzimit në shkamb u shndërrove", apo edhe të ndikimeve akoma të papërvetësuara mirë, sikundër është rasti kur thotë: „Me sytë e padjallëzuem të mendjes e kokës", „Se do t´çmendem n´këtë natë, unë zog n´vetmime", „Por si me qetësue gjakun që n´tretje po m´ven", e të tjera të ngjashme. Përpos sinkopimit të fjalëve — si manier që ka zënë të përtëritet me të madhe në poezinë tonë kohëve të fundit — në vargjet e Adem Zejnullahut mund të pikasen edhe ca shenja të tjera të epidemisë që i ka kapur shumicën e poetëve tonë më të rinj. Ato fantazmat e quajtura Orfeu, Bukuria, Koha, Khajami duket se ju kanë shtihuar edhe vargut të tij. Këtu do të hynte edhe baratimi me fjalët, për poezinë plotësisht abstrakte, siç janë historia, njerëzimi, e të tjera. Madhështisë së Skënderbeut ai ja ka paguar borxhin artistik edhe me një rekuizit të njohur prej poezisë sonë neoklasiçite: me Febin e famshëm, „pseudonim" i zotit Apolon.
Megjithëse vargjet e rimuara shquhen me një muzikalitet të lezeçëm, kurse vargjet e lira me ngjyra të gjalla, në përmbledhjen e Adem Zejnullahut mund të gjenden vjersha që në pikëpamje të ritmit qëndrojnë në skajin më prozaik të prozës pa ritëm të kujdesshëm:
Sytë e tyne — dikur shndërrue
Në gurra lotësh t´kristaltë
Për diellin e andrruem
— Që ua ktheu shpinën e zjarrtë
Dhe tani ma s´e shohin
As lulen ma të bukur
Të kopshtit t´palulëzuem
Që biu në sythin e dhimbjeve
Me ngjyrën e gjakut
(Balada e zogjve)
Pavarësisht prej zbaticave që mund të vërehen në përmbledhjen e tij të parë, Adem Zejnullahu ka edhe vjersha që e dëshmojnë prirjen e tij. Poezitë e tij më të bukura janë Po shkoj, Zemra dhe sidomos cikli me titullin Intima (që shqip do të duhej të quhej Vjersha intime, meqë Intima është sllavizëm), prej të cilit mund të shihet se kësaj radhe suksesin më të madh e ka pasur në fushën e lirikës thjesht intime. është e qartë se Adem Zejnullahu e ka filluar veprimtarinë e tij krijuese poetike me ndjenja dhe mendime të qarta, që me kohë do të bëhen akoma më të forta dhe me shprehje të përkujdesur, që me kohë do të bëhet artistikisht edhe më funksionale. Kësaj radhe, kërshëria e tij krijuese ishte në pajtim me mudësinë e shprehjes.
1969
Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...