2011-02-02

Nga Koço Danaj : Rivalitet i egër serbo-grek

Tashmë ngjarjet e 21 janarit dihen nga të gjithë. Me qindra politikanë, analistë, gazetarë kanë folur këto 10 ditë. Një pjesë pro qeverisë, një pjesë pro opozitës. Janë hedhur në tregun e opinionit publik të gjitha: puç i opozitës, puç i qeverisë, faji i njërës apo i tjetrës. Situatë e tensionuar pa ndonjë dritë për qetësimin e saj.
Por cila është e vërteta e asaj që kulmoi më 21 janar në Tiranë? A është e lidhur kjo e vërtetë vetëm me Tiranën, apo ka të bëjë në tërësi me kombin shqiptar? A kishte dukuri që e paralajmëruan këtë të vërtetë në mbarë hapësirën e kombit shqiptar, në Maqedoni apo në Kosovë? Kemi të bëjmë thjesht me një luftë të egër për pushtet, apo për një skenar të hartuar gjetkë dhe të realizuar në Prishtinë, Tetovë dhe në Tiranë? Nuk mund ta japim dot këtë të vërtetë pa bërë një analizë të ftohtë, të paanshme.
Le të përpiqemi ta bëjmë atë.

Lufta e dosjeve ndërshqiptare në Maqedoni
21 Janari 2011 fillon në Tetovë. Një ditë të bukur, një ish-punonjës i shërbimit sekret jugosllav UDB dorëzon në Komisionin e Lustrimit disa dosje sekrete që akuzonin për lidhje me shërbimin sekret jugosllav të disa politikanëve shqiptarë që janë aktualisht në pushtet. Më vonë, një tjetër, rastësisht gjen në oborr dosje të tjera dhe i bën publike. Ngjarja ndodh në territorin shqiptar. Nuk gjendet asnjë dosje në territorin maqedonas. Acarohet situata ndërmjet shqiptarëve. Synohet vëllavrasja midis tyre. Por politikanët shqiptarë rezistojnë dhe nuk lejojnë militantët e tyre të kapërcejnë pragun e luftës politike. Situata qëndron vetëm në deklarata politike. Populli nuk ftohet të protestojë në mbrojtje të politikanëve të tij, as kundër tyre. Lufta e Dosjeve në territoret shqiptare në Maqedoni, duket se po shkon drejt shuarjes. Por një gjë mbeti, për të mos harruar. Burimi i dosjeve të gjetura rastësisht në oborre shtëpish! Ishte Beogradi, ishte ish-UDB.
Lufta e zgjedhjeve në Kosovë
Zhvillohen zgjedhjet në Kosovë më 12 dhjetor. Për herë të parë marrin pjesë forca politike që kanë në program bashkimin me Shqipërinë, Lëvizja vetëvendosja dhe Lëvizja për bashkim. Një ditë para zgjedhjeve, gazeta prestigjioze Financial Times, shprehet se Vetëvendosja do fitojë 22 për qind. Rezultatet e para i japin vetëm 13 për qind. Natën e numërimit të votave Prishtina ndodhet në prag të përplasjes midis shqiptarëve. Falë ndërhyrjes së policisë, shmanget përplasja midis militantëve të PDK dhe LDK përballë hotel Grand në orën 24.00. Përplasja nuk ndodh, por fillon kontestimi i zgjedhjeve. Në kontestim prin Vetëvendosja. Një ditë më pas, përsëri një gazetë prestigjioze, The Economist, shkruan se në Kosovë mbretëron një qetësi para stuhisë. Megjithatë, stuhia nuk ndodh, partitë politike fillojnë kontestimet, të cilat pranohen në shumicën e tyre. Pakënaqësia kanalizohet në rrugë institucionale. Bashkësia ndërkombëtare ndryshon qëndrim dhe mbështet kontestimet. Në datën 15 dhjetor shqiptarët e Shqipërisë fillojnë të lëvizin pa viza. Ndërsa në datën 16 dhjetor nxirret nga sirtari dhe mbush faqet e shtypit dhe ekranet e televizorëve një raport i quajtur tashmë Raporti i Dick Marty-t. Satanizohen shqiptarët, bashkohet UÇK me akuzat e drejtuesve të saj. Hutohet Tirana, Prishtina dhe Tetova, reagimi në fazën e parë është emocional, nuk depërtohet në thelbin e ngjarjes. Në Kosovë fillon nga disa segmente politike akuza e ndërsjellë. Një organizatë me emrin Veteranët e UÇK-së akuzon Lëvizjen vetëvendosja dhe liderin e saj Albin Kurti se janë prosllavë. (Prosllavë se kërkojnë bashkim me Shqipërinë!!). Më vonë shfaqet Tadiç, që lan duart si Ponc Pilati, duke deklaruar se jam i gatshëm të takohem me Thaçin, pavarësisht akuzave. Por Kosova, në thelb, është protektorat amerikan dhe nuk lejohet që situata të acarohet më tej, prandaj bëhen zgjedhje nga Drenica në Mitrovicë. Megjithatë, diçka u arrit, u zbeh jehona e futjes së Vetëvendosjes në Parlament, që në fakt ishte kryengjarja në mbarë hapësirën e kombit shqiptar, pasi për herë të parë në një Parlament shqiptar hyn si forcë e tretë politike një Lëvizje që kërkon hapur bashkimin e trojeve shqiptare.
21 janari në Tiranë
Është një ngjarje që ngjan me librin e Markesit, Kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar. Kur filloi? Filloi me një video të shfaqur në një TV kombëtar. Dy ish-miq të ngushtë që nga viti 2000, përgjohen, zëvendësi përgjon kryetarin. Afera: Korrupsion. Nëntoka politike tregon të kundërtën, ajo bëhet e qartë disa ditë më vonë.
Parantezë
Ish-zëvendësi i LSI-së, Prifti, kishte bërë një kurs 9-mujor me bursën e fondacionit grek Kokalis. Në konventën e krijimit të LSI-së, ai nuk u zgjodh në drejtim, por më vonë iu imponua Ilir Metës dhe mori postin e nënkryetarit. Nga ana tjetër, pas vitit 2002, fillon joshja e Beogradit ndaj Metës. Ai e pranon këtë joshje, duke bërë disa vizita, të cilat i thelloi pas vitit 2009. Pritet në Beograd me nderime të mëdha, pavarësisht postit, duke përfshirë kryeministrin Cvetkoviç dhe presidentin Tadiç. Bën dy deklarata, njëra e tronditi opinionin shqiptar, kur pranoi kërkesën e palës serbe mbi minoritetin serb në Shqipëri. E dyta ishte kur deklaroi ndihmën që do t`i jepte Shqipëria Serbisë për t`i siguruar daljen në Adriatik. Për ata që e njohin Konferencën e Londrës së vitit 1913, e dinë se dalja në Adriatik ka qenë një ndër kërkesat kryesore të qeverisë serbe të asaj kohe. Pol Kambon, ish-ambasador i Francës në Konferencën e Londrës 1913, shprehet për këtë çështje se: Për portin dhe hekurudhën serbe, ne do të propozonim një port neutral në territorin shqiptar, me një hekurudhë nën kontrollin shqiptar… (Pol Kambon, Korrespodenca, vëllimi i tretë, botimi Graset 1946, faqe 32). Me gjithë copëtimin e trojeve shqiptare, ky propozim u hodh poshtë. Pas vitit 1945, Tito krijoi me ndihmën e territoreve shqiptare edhe Republikën Socialiste Jugosllave të Maqedonisë, me synim të siguronte edhe një dalje tjetër në det, nëpërmjet Selanikut. Por dështoi, pasi Greqia në Konferencën e Jaltës mbeti nën influencën anglo-amerikane 90 për qind dhe vetëm 10 për qind nën influencën ruse. Pas prishjes edhe me Shqipërinë në vitin 1948, mbeti edhe pa dalje nëpërmjet Adriatikut. Pas rifitimit të pavarësisë nga Mali i Zi, është tërësisht e izoluar nga daljet në det. Për këtë deklaratë të Metës, heshti edhe qeveria, heshti edhe opozita. Ndërkaq, disa ditë më pas shfaqet Videoja, e cila ishte regjistruar gati një vit më parë nga zëvendësi i tij. Siç duket, nuk kishte heshtur Athina.
Opozita kalon në kundërsulm.
Por kundërsulmi është i një lloji tjetër. Nuk pati reagim se si mundet një ministër i qeverisë shqiptare t`i premtojë daljen në Adriatik Serbisë, që ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe më shumë me çështjen kombëtare. Ajo e përdori videon si një mjet në luftën për pushtet. Një gjeneral pa ushtri, pjesëtar i opozitës së bashkuar, kërkon aplikimin e skenarit tunizian për Shqipërinë. Askush nuk flet, askush nuk i kundërvihet. Hesht edhe Shërbimi Sekret. Disa ditë më pas, dy gjeneralë të tjerë pa ushtri, por pjesëtarë të opozitës së bashkuar, Milo dhe Dule, njëri pas tjetrit shfaqen në ekrane dhe i bëjnë thirrje popullit të marrë në dorë fatin e tij. Po cilit popull? Kryetari i PBDNJ-së ditën e demonstratës nuk solli asnjë autobus për të bërë demonstratë në Tiranë me përfaqësues të partisë së tij, pra nuk solli popull minoritar!! Pse? Këtë duhet ta sqarojë Dule. Fatkeqësisht, lideri i opozitës dhe kryetar i Partisë Socialiste, Rama, ndryshe nga 20 prilli 2010, këtë herë u mban ison.
Retrospektivë
Më 20 prill 2010, kur opozita bëri protestën më të madhe, të dy këta gjeneralë pa ushtri, kur folën i bënë thirrje popullit të marrë në dorë fatin e tij, duke e ndërsyer kundër policisë. Menjëherë pas tyre, flet Edi Rama dhe ndalon protestuesit të sulmojnë policinë duke u thënë: Ej, ju, nuk keni punë me policinë! Rama aso kohe përkrahet nga Spartak Ngjela, i cili bëri të njëjtën thirrje.
Kthim në realitet
Fillon demonstratë, që në fillim duket se është pa komandant. Populli është pa parti. Udhëheqja e partisë është diku tek Ura e Lanës apo te dy kullat. Por populli pa parti quhet turmë, quhet Zhakeri. Fillon përleshja me policinë. Ndërhyn policia me ujë dhe gaz lotsjellës. Shumica tërhiqet, ikën në shtëpi, mbetën vetëm një grup njerëzish që vazhdojnë përleshjen me policinë. Vriten tre veta. Ndërkaq Rama i bën thirrje atyre që kishin mbetur të tërhiqen, të mos përleshen. Përafërsisht në të njëjtën orë, Sali Berishës i thonë të përdorë ushtrinë. Pohimin e bëri vetë Berisha gjatë takimit me forcat e Gardës. Kush ia tha? Këtë duhet ta thotë Berisha, ose mund ta thotë edhe ministri i Mbrojtjes. Por një gjë dihet, Berisha refuzoi kategorikisht të përdorë ushtrinë. Megjithatë, një gjë kërkon të dihet, ai që ia sugjeroi përdorimin e ushtrisë e kishte nga vetja, apo ia kishin sugjeruar nga Athina. Le të presim hetimin. A do të merret ai me këtë çështje? E ndërkaq, në darkën e 21 janarit, shfaqen shumë ashpër dy pjesëtarë të qeverisë, Meta dhe Imami, por nuk shfaqet i tillë Olldashi dhe më vonë Bode. Ndërsa tre gjeneralët pa ushtri të opozitës, Milo, Gjinushi dhe Dule nuk flasin fare, zhduken nga ekranet, për gati një javë.
Le të vijmë tani tek e vërteta.
Shumëkush edhe këto ditë të nxehta politike, 14 shtatorin 1998 e ka konsideruar grusht shteti. Por shumëkushi nuk pranon të analizojë çfarë quhet grusht shteti. Aso kohe, nuk u prek, ministri e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, ATSH, Ministria e Jashtme etj. Aso kohe, ishte vrarë një udhëheqës popullor i opozitës se atëhershme. Aso kohe u synua të vritej edhe Fatos Nano. (Jo rastësisht në tavolinën e tij u gjet një plumb). Aso kohe kishte marrë hov lufta e UÇK-së në Kosovë. Aso kohe, Shërbimi Sekret serb synoi ta spostonte vëmendjen në Shqipëri. Por ShBA ndërhyri menjëherë. Dhe skenari dështoi. Edhe tani në formë më të zbutur flitet për grusht shteti apo puc nga të dyja palët. A është kjo e vërteta? Duket se jo.
Kemi të bëjmë përsëri me një skenar, por këtë herë rivalitet serbo-grek. Le ta përmbledhim të vërtetën tonë. Aktualisht kombi shqiptar është në rilindje tërësore. Aktualisht ai ka dy shtete e gjysmë shqiptare. Aktualisht ka një frymë mbarëkombëtare për bashkim kombëtar. Aktualisht forca e tretë politike në Kosovë, me prirje të dalë forcë e parë apo e dytë, kërkon bashkim me Shqipërinë. Aktualisht forcat probashkmit po gjallërohen në gjirin e partive politike shqiptare në Maqedoni; aktualisht në Shqipëri po merr hov domosdoshmëria e bashkimit. Sondazhi i fundit i Gallup-it tregoi se kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, në masën 69 për qind ishte probashkimit me Kosovën. Por fqinjët nuk janë dakord. Zëvendëskryeministri serb dhe ministër i Policisë e deklaroi këtë hapur në muajin shtator 2010, kur u shpreh se nuk mund të lejojmë krijimin e tre shteteve shqiptare në rajon. Sentencën: Bashkimi bën fuqinë, ata e njohin më mirë nga politikanët shqiptarë. Ata nuk e kanë harruar fjalimin e ish-presidentit amerikan Xhorxh W Bush në Tiranë, kur kërkoi që Tirana të marrë përgjegjësitë e saj para kombit shqiptar, kur kërkoi që në vend të boshtit Beograd-Athinë, të krijohet trekëndëshi Tiranë-Beograd-Athinë, si parakusht i stabilizimit të rajonit. Por strategjistët e Athinës dhe Beogradit e kanë të qartë se këtë nuk mund ta ndalojnë dot. Brenda 3 muajve janë mbi 600 analiza, komente, deklarata të publikuara në Beograd dhe Athinë, që kanë për temë bashkimin kombëtar të shqiptarëve. (Shërbimi Sekret Shqiptar ka një qendër analitike. Nuk jam në gjendje të them se sa janë bërë objekt analize dhe nxjerrje konkluzionesh ky mal me mbi 2 mijë faqe.)
Prandaj strategjistët serbo-grekë u kanë sugjeruar qendrave të tyre politike nevojën e rritjes së ndikimit në Tiranë, Prishtinë, Tetovë nëpërmjet mbështetjes së politikanëve shqiptarë që ndihen më shumë serbë apo grekë, pavarësisht se nënshtetësinë do ta kenë shqiptare. Në pamundësi të ndalojnë krijimin e trekëndëshit Tiranë-Beograd-Athinë, ata rivalizojnë të kenë ndikim mbi një nga Brinjët kryesore të këtij trekëndëshi. Prandaj në harkun e 6 muajve përpunuan në fillim Luftën e Dosjeve në Tetovë, satanizimin e Kosovës dhe së fundi 21 janarin në Tiranë.
Në vend të përfundimit
Çelësat e shtëpisë sonë të përbashkët që quhet Shqipëri Natyrale, nuk mund të lihen në duart e fqinjëve, kur e di se sa makutër janë ata. As në dorë të politikanëve që kanë të drejtë të ndihen serbë, grekë, italianë etj. Por që nuk kanë të drejtë të kenë çelësa në dorë. Demokracia nuk e zhduk makutërinë, thjesht e sofistikon atë.
*Autori është drejtues i Lista për Shqipëri Natyrale

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...