Më 6 shkurt 2011 , një orkestër e madhe simfonike prej më se 80 muzikantësh dhe mbi 10 solistë nga të dyja vendet do të interpretojnë së bashku pjesë ndër më të njohurat e repertorit operistik evropian si dhe nga muzika kombëtare e dy vendeve - si shenjë festimi për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën
Nëse kemi lënë pas një muaj tragjik për shqiptarët, plot shqetësim nga tensioni politik i krijuar, nuk ka ndodhur kështu me Bosnjë-Hercegovinën. Si shqiptarët, edhe boshnjakët në dhjetor kanë festuar mundësinë evropiane të ekzistencës. Liberalizmi i vizave si duket nuk hyn vetëm në ato korniza politike ku shpesh kalon merita, por po shndërrohet në një vetafirmim, vetëdije të popujve. Për këtë arsye, ndoshta rreth 100 artistë të të dyja vendeve do të jenë në një mbrëmje gala për ta kremtuar “lirinë” e vizave. Është Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë dhe Filarmonia e Sarajevës do të përforcojnë në të dy kryeqytetet përkatëse, në Sarajevë dhe Tiranë. Një orkestër e madhe simfonike prej më se 80 muzikantësh dhe mbi 10 solistë nga të dyja vendet do të interpretojnë së bashku pjesë ndër më të njohurat e repertorit operistik evropian si dhe nga muzika kombëtare e dy vendeve.
Emrat më të njohur të skenës operistike shqiptare dhe të Bosnjë-Hercegovinës si Bernarda Fink Inzko, Adema Pljevljak Krehic, Aida Corbadzic, Denis Isakovic, Marjana Leka, Eva Golemi, Vikena Kamenica, Ylber Gjini, Armaldo Kllogjeri, Armando Likaj, do të jenë protagonistë në 18 titujt e programit. Koret përkatëse të Operës së Sarajevës dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të shoqërojnë disa nga pjesët dhe do të interpretojnë koralet nga opera “Nabucco”, “Oda e gëzimit” dhe opera boshnjake “Hasanaginica”. Programi do të çelet me “Uverturë për një ditë feste”.
Orkestra e madhe është strukturuar në mënyrë të tillë që të dyja vendet të kenë role të ekuilibruara solistike sipas përvojës më të mirë të tyre. Koncertet do të drejtohen nga emrat më përfaqësues të dy institucioneve, mjeshtrit Zhani Ciko dhe Miroslav Homen.
“Kujdesi i veçantë i personaliteteve më të larta të dy shteteve për koncertet respektivë është shenjë e vlerësimit për këtë ngjarje të jashtëzakonshme artistike”, thuhet në njoftimin zyrtar të Teatrit shqiptar të Operës.
Në të dy vendet do të asistojnë në koncert përveç elitës së publikut, përfaqësuesit e lartë shtetërorë dhe të trupit diplomatik si dhe delegacione të nivelit të lartë. Në koncertin e Sarajevës do të përfaqësojë shtetin shqiptar zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, dhe një delegacion shoqërues. Gjithashtu dhe në Tiranë priten të vijnë drejtuesit më të lartë të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës.
Koncerti gala në Tiranë i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe në kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, do të jetë në datën 6 shkurt 2011, ora 19:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në koncert do të jenë të pranishëm edhe ministrat përkatës të Kulturës së të dy vendeve, z. Ferdinand Xhaferaj dhe z. Ivica Šarić.