Xavier Raufer, drejtor i Repartit për analizimin e krimeve të reja, si dhe për krimet moderne pranë Universitetit “Pantheon Assas” në Paris, në një intervistë të cilën e përcjellë portali “lajmet.comeze”, ka komentuar raportin e Dick Martyt për trafikim organesh në Kosovë, ku është shprehur i sigurt se Dick Marty nuk ka zbuluar ndonjë gjë të re.
Ai ka thënë se shtetet për të cilat thuhet se kanë qenë në dijeni për trafikim organesh në Kosovë nuk kanë pse frikohen, pasi që, sipas tij, mbi ta është një frikë më e madhe sesa raporti për trafikim organesh.
“Me siguri se nuk do të frikohen mbi trafikimin e organeve. Më shumë do të frikoheshin për falsifikimin e dokumenteve gjatë viteve 1996-2000, ku për shkak të këtyre dokumenteve kanë humbur jetën shumë njerëz në tërë territorin e ish-Jugosllavisë. Tani të gjitha shtetet kanë parë që ato dokumente ishin të falsifikuara dhe frikohen se ndokush mund të hapë gojën për të folur apo për të treguar dokumentet e falsifikuara”, ka thënë Raufer, duke tentuar ta minimizojë efektin e raportit të Martyt, që mund të ketë tek shtetet për të cilat flitet se kanë pasur dijeni për trafikim organesh në Kosovë edhe më herët.
Duke komentuar implikimet e liderëve kosovarë me krimin e organizuar, Raufer ka thënë se kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka mundësi të jetë “koka e krimeve”.
“Është e pamundur që Thaçi të jetë ‘koka e krimeve’. Thaçi është ende i ri për të qenë koka e krimeve. Thaçi është tërhequr nga një sistem edhe pse ishte i ri, por që tani ai nuk mund të dalë nga ky sistem për disa arsye të ndryshme që unë nuk dua t’i flas”, është shprehur Raufer, transmeton Zëri.
Sa i përket Xhavit Halitit, Raufer ka thënë se ai është një person i cili ka rrënjë më të thella se vetëm në Kosovë.
“Xhavit Haliti ka dalë në skenë në vitin 2000. Unë e di nga kanale të sigurta se Xhavit Haliti ka marrë pjesë në Rambuje së bashku me kryesinë e UÇK-së, por që nuk ishte në anën e UÇK-së, por në anën e francezëve, d.m.th. si mikpritës i angazhuar nga Qeveria franceze. Eksplozivi i vendosur në shtëpinë e tij në Zvicër nuk ishte bërë kot, gjë që shpjegon se Haliti i ka rrënjët më thellë se sa vetëm në Kosovë. Ekziston mundësia që Xhavit Haliti të arrestohet, mirëpo ky arrestim do pakësonte vetëm një klan të cilin ai kryeson, por një gjë e tillë nuk do të ndikonte në mafinë shqiptare”, ka thënë Xavier Raufer.
Raufer ka shtuar se askush nuk e ka pritur që Kosova, pas shpalljes së pavarësisë, të merrte këtë rrugë të zhvillimit, duke theksuar faktin e pasurimit të disa personave, të cilët më parë nuk kishin fare shtëpi, ndërsa tani, siç thotë ai, kanë ndërtuar rrokaqiej.
“Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, askush nuk mendonte se Kosova do të zhvillohej në një drejtim të tillë. Tani personat të cilët nuk kishin fare shtëpi, kanë ndërtuar rrokaqiej, aq sa që në to kanë montuar edhe pishina e ‘xhakuzi’. Tani ka më pak raste skandaloze të tilla, raste të cilat kanë një rrënjë mafioze”, ka thënë Raufer.
Sipas tij, mafia është duke kafshuar mollën nga brenda, sikur një krimb. “Për të evituar këtë, EULEX-it dhe Evropës iu duhet të hulumtojnë më qartë dhe më thellë. Vazhdimi i metodës së tanishme të sistemit të EULEX-it do të skajonte sadopak aktivitetin mafioz, por këto aktivitete duhet luftuar më thellë. Popullata në Kosovë gjendet nën shtypjen e këtyre organizatave mafioze, organizata të cilat ju kanë sjellë me dhunë heshtjen”, ka thënë Raufer.
http://fr.wikipedia.org/wiki/Xavier_Raufer
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...