2011-01-30

Mistiçizmi dhe zakonet kanunore

Novela "Allamanët"

Nga Agim BAJRAMI





Shkrimtarët dhe kërkuesit e gurëve të çmuar, shpesh herë më lindin një dëshirë të brendëshme për t`i quajtur si vëllezërit siamezë. Etja dhe pasioni i tyre për të situr, nga bollëku i nëntokës dhe historisë, gurë dhe fakte të çmuara, të mbuluara nga pluhuri i pabesë i viteve, s`janë gjë tjetër veçse përpjekje të bukura njerëzore, për t`i ngritur atyre një statujë dashurie dhe adhurimi.

Më ka ndodhur shpesh herë, që të pij ndonjë kafe, e të kem bërë ndonjë copë herë biseda me një djalë të ri e të qeshur, të quajtur Eduard, banor i qytetit të Durrësit, por me origjinë nga fshati Kurdari i rrethit të Matit, nën shoqërinë e shkrimtarit kolonjar që gjithashtu banon e punon në Durrës, Shpendi Topollaj. Shpesh herë në këto biseda që çeleshin spontanisht nëpër tryeza, vija re se Shpendi si me takt e lezet orientonte temën e bisedave me të, nga historia tragjike e fisit të tij, duke mbajtur herë pas here dhe shënime. Të them të drejtën, unë nuk i kam dhënë shumë rëndësi këtyre bisedave. Një hob i përhershëm shkrimtarësh për të rëmuar diçka nga tjetri e asgjë tjetër, mendoja. Po kur mora këto ditë ndër duar, novelën e re të këtij autori "Allamanët", e ndjeva se ato shënime të mbajtura me ngut e disi të çuditëshme për ata që qarkonin tavolinën, nuk ishin çështje hobi.

Novela "Allamanët" e Shpendi Topollajt, përveç vlerave artistike që e bëjnë plotësisht të denjë për t`u analizur gjatë e gjerë nga kritikët tanë, është në vetvete edhe një homazh i gjallë, për tërë ata përfaqësues të denjë të maleve e djalërisë patriotike shqiptare, që "e dhanë jetën si me le", për krenarinë e dinjitetin e këtij vendi.

Duke hulumtuar në disa drejtime për historinë dhe trimëritë e djemve të këtij fisi, autori ka arritur të na japë artistikisht copëza të errëta dhe plot dramacitet nga saga e mbushur me vuajtje dhe qëndresë e Allamanëve. Duke folur për kalvarin e brengave të tyre, mendoj se autori është ndeshur që në krye me dy vështirësi jo të vogla; së pari, rrezikun e krijimit të një personazhi të mirëfilltë historik, brenda kufijve të tij krahinor dhe së dyti krijimin e një heroi kult, të çveshur nga atmosfera dhe liria e mirëfilltë artistike që e karakterizon tërë krijimtarinë artistike të këtij shkrimtari. Dhe ia ka dalë mbanë. Duke shfrytëzuar karakterin e tij të zhdërvjelltë dhe intensiv të rrëfimit, ku shkrimtari dhe lexuesi shkrihen e bëhen njësh, heroi i Shpendit, Isuf Allamani, me të tjerët, na paraqiten sa të fuqishëm artistikisht, aq dhe të vërtetë e të besueshëm për ata që i kanë njohur.

Ajo lloj metamorfoze që përdor shkrimtari për të arritur synimet e tij artistike, është aq e pranueshme dhe shpirtërore, sa vetëm i ka ndihmuar heronjtë e tij për t`u shpërfaqur sa më të shpenguar e më shumëplanësh para vetes e kohës së tyre reale.

Krahina e Matit e njohur historikisht si një nga vendlindjet hipotetike të Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu i Parë, më tepër se një peizazh fizik, ku vendosen ngjarjet e personazhet, i ka shërbyer autorit për të bërë edhe një lidhje të besueshme llogjike mes qumështit të trevës dhe fëmijëve të saj, mes rrezatimeve të traditës dhe ndikimit të fuqishëm të saj tek individët dhe gjithë njerëzit që banonin atje. Edhe pse Allamanët, me origjinë gjermane, sikundër pohon autori, ishin rezidentë në Mat, arritën të njësohen me të duke u bërë pjesë organike e saj. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Funksioni i qumështit dhe i shpirtit ndërthuren ndonjëherë me njeri tjetrin, sa krijojnë marrëdhënie të çuditëshme. Qëllon shpesh në jetë që në mungesë të nënës, qumështi i dados, t`i shërbejë rritjes së një fëmije po aq mirë sa ai i pari. Dhe kjo ndodhi dhe me Allamanët e natyralizuar të Kurdarisë matjane.

Për autorin Topollaj aspekti shpirtëror dhe ai fizik nuk duhen vënë në balanca të barazvlefshme në një vepër, por i duhet mëshuar më shumë të parit.

Shpendi Topollaj, duke dashur ta zhveshë plagën tipike të vrasjes mes vedi të shqiptarëve, nga mistiçizmi dhe zakonet kanunore, krijon me një thjeshtësi të habitëshme, pabesinë dhe joshjen pasurore që kishte hyrë mes tyre në shekuj. Dhe këtë ai na e jep me aq natyrshmëri e vërtetësi, sikur të jetë duke rrëfyer një ngjarje të zakonëshme. Banorët e këtyre zonave, kur nuk kishin më luftra për të bërë me turqit ose armiqtë e tjerë, s`e kishin për gjë të që të vriteshin me njeri tjetrin, shpesh edhe për një fjalë goje. Ç`qetësi markeziane, për të bindur lexuesin për vërtetësinë e një krimi që ka ndodhur a pritet të ndodhë. Ç`plasticitet mendimi e konseguencë logjike, për të pohuar ato të vërteta që nuk mund të fshihen kollaj. Kjo lloj thjeshtësie e thellësi meditimi e refleksioni nga reminishencat barbare të trashëguara nga mesjeta apo kohët pagane, i ka bërë heronjtë dhe antiheronjtë e këtij libri sa të dashur për veprimet dhe mentalitetet e tyre, aq dhe të urryer për veset, pjesë e një binomi të pazgjidhshëm autentik shqiptar, që nuk mund të ndahen nga njeri tjetri, qoftë dhe me shuarjen fizike të këtyre të fundit. Prishja e këtyre ekuilibrave, në të kundërtën, vepron mes të dy palëve në trajtën e një eksplozioni. Por a do të ishte i njejtë edhe për Allamanët e ardhur pikërisht si mjeshtra të përpunimit të barutit që nga Gjermania e largët, ky eksplozion? Patjetër! Sepse diktaturat, të parët që do të vendosnin në shnjestrën e tyre të vdekjes, janë kundërshtarët e tyre, qofshin këta edhe vetëm të mendimit, pa bërë asnjë dallim. Intelektualët dhe nacionalistët, janë si shami të kuqe që i egërsojnë gjer në trullosje demat e ndërsyer të korridës, thotë një varg i një kënge të vjetër spanjolle. Po sa e thellë do të ishte gjurma e plagëve të bririt komunist në trupin e Allamanëve të Kurdarisë? E thellë deri në kockë, do të ishte pohimi i trishtuar i historisë. Krahina e bukur e Matit me male blu, e lugina ngjyrë kafeje, me vezullime aty këtu të përrenjve e të kulmeve të shtëpive, siç e ka përshkruar shumë dekada më parë emisari anglez, Reginald Hibbert, nën pushtimin e egër komunist të Enver Hoxhës, do të kthehej në një paradhomë ferri edhe për bijtë e saj më të mirë, siç ishin Allamanët.

Zbërthimi i veprimit të mosarsyes mbi arsyen e të ashtuquajturit revolucion proletar, mbi bazat e superstrukturën e ngritur me stërmundime të një shteti të ri e të brishtë, të asaj kohe, dhe mbi konstitucionin shpirtëror të njerëzve, i kanë kushtuar autorit, faqe e faqe të tëra. Revolucionet arrijnë të shpërbëjnë racat e njerëzve të lëkundur e të dobët, është pohimi i drejtpërdrejtë i veprës. Por Allamanët ishin të gatuar nga tjetër brumë.

Në qoftëse do të shohim përputhjet mes historikes dhe asaj që tenton të ndërtojë autori i këtij libri, është e natyrshme që të ketë edhe ndonjë shpërfillje, por e parë kjo me synimet e tij, për një formë sa më të mirë artistike, kjo gjë vetëm i ka bërë mirë veprës.

Mbas rrëfimit të imtë të vendosjes së këtij fisi në Kurdari, mes peripecive që nuk dilnin nga mentaliteti i kohës, Shpendi Topollaj i lejon vetes një çast frymëmarrjeje, ç`ka edhe vetë lexuesin sikur e shlodh dhe e përgatit për dramacitetin e asaj që do të pasojë më vonë. Dashuria e Isufit me Leonelën, këtë vajzë italiane të virytëshme dhe e dashuruar sinqerisht me Shqipërinë edhe pse në kushte veçanërisht të vështira, janë pasazhe lirike me një forcë e frymë të ndjerë poetike që nuk të shlyhej lehtë nga kujtesa. Por a do të mbetej deri në fund e tillë parajsa dashurore e këtij çifti? Pikërisht këtu, fillon e nxihet qielli i ëndrrave të tyre. Lufta djallëzore politike për të marrë pushtetin me ç`do kusht e ç`do mënyrë nga ana e komunistëve, bëhet papritmas varri i kësaj dashurie. Kjo kohë nuk i duronte idealistët e atdhetarët e vërtetë të këtij vendi. Ndaj ajo përgatiste papushim kurthe pabesie. Fundi i Allamanëve, i ngjan rënies së perdes së një skene idilike teatrore, fikjes së dritave dhe largimit të trishtuar të spektatorëve nga salla. Diagramën e krijimit dhe rritjes së personalitetit të tyre, heronjtë e kësaj novele duket se e kanë arritur vetëm në sajë të respektimit të vlerave të tyre individuale, pa i lejuar ato për t`u bërë kavie ekperimentale nga interferencat negative të momentit. Ata janë aq të aftë për të kuptuar se jo ç`do pushtet, sado jetëgjatë që të jetë, nëse nuk është i aftë të shkrihet me dimensionet humane të kombit të tij, nuk mund të bëjë kurrë epokë. Edhe pse shumë gjëra kalojnë si tangent në këtë vepër, ato të lënë pas vetes shijen e keqe dhe të helmët të tymrave që digjen nga skapamentua e një kamioni rrangallë.

Merita e veprës është se ajo ka ditur mirë të na e përçojë këtë kompleks shumë dimensional të botëve në lëvizje. Historia e Allamanëve, më shumë se një histori e shkruar, është një histori e ritreguar. Duke ruajtur në thelbin e saj bërthamën njerëzore dhe observuese, brenda një qerthulli plot kontradikta e veçanësira, proza e këtij autori, vihet me tërë fuqinë e mekanizmit të saj, në funksion të këtij qëllimi, pikërisht me bollëkun e përshkrimeve dhe detajeve artistike të marra nga jeta.

Duke i hedhur një sy krijmtarisë së mëparshme të këtij autori, si romani "Mashtruesi", vëllimit me tregimet "Një njeri i çuditshëm", vërejmë se proza e tij, nuk është prozë e përshkrimit të hijes apo jehonës së mbetur, por e faktit të drejtëpërdrejtë të ndodhur, duke shmangur kështu metaforat e sforcuara dhe të tërthorta. Ai kërkon ta tërheqë lexuesin jo me truke dhe arnime eseistike të vakëta, por me prirjen për të depërtuar në brendi të burimit narrativ, me aftësinë për të fokusuar deri në "mani", ndryshimet dhe lëvizjet sado të vogla të objektit që merret në analizë.

Kjo ka bërë që funksioni narrativ i autorit, të ketë atë lloj shtrirjeje dhe përhapjeje që zotëron sirena e një anije e ndodhur në vështirësi, në hapësirën e një deti të trazuar. Sa më shumë që t`ia vësh veshin këtij SOS - i, aq më i deshifrueshëm bëhet tensioni dhe kuadrot e tmerrit që na përçojnë ato.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...