2011-02-01
Nga Feti Zeneli : Filozofia dhe përralla e “patates”
Shkrimtari dhe publicisti irlandez i shekullit të 17-18, Xhonatan Suift, i krahasonte me pataten, e cila “gjithçka e ka nën tokë”, të gjithë ata njerëz që, “s’mund të krenohen për gjë tjetër veçse për paraardhësit e tyre”. Ndonëse Suift këtu e ka fjalën për ato raste kur nuk ka rënë “dardha nën dardhë” apo kur nga “trëndafili ka dalë ferra”, mua më intrigoi kjo thënie e mençur, që pataten, të cilën deri në fund të viteve ‘80 e kemi pasur “edhe bukë, edhe gjellë”, ta inicioj si një teori të re filozofike për të interpretuar të gjithë rastet e imitimit të sjelljes politike të paraardhësve nga pasardhësit, në kundërshtim me frymën e kohës dhe kontekstin historik. Në Shqipëri është një grupim aspak i vogël njerëzish, i përfshirë në Partinë Socialiste, të cilët jo vetëm krenohen me bëmat e paraardhësve të tyre, por i ruajnë dhe manifestojnë ato “si sytë e ballit” apo “si flaka e idealeve komuniste e partizane”, siç ua la amanet Enveri, 4-5 muaj para se të vdiste. Dy demonstratat puçiste të janarit 2011, të zhvilluara nga Partia Socialiste në harkun e “të shtatave” mortore janë shembulli më kuptimplotë që tregojnë se socialistët e Ramës janë jo vetëm bijtë biologjikë, por edhe bijtë politikë të ish-bllokmenëve komunistë. Këtë na e tregon më mirë se çdo gjë tjetër “filozofia e patates”. Ndaj, kush nuk do ta njohë dhe nuk ka dëshirë ta mësojë këtë lloj teorie filozofike, specifike për kushtet politike të vendit tonë, e ka të vështirë të bëjë një analizë të vërtetë të ngjarjeve në fjalë.
Nga pikëpamja biologjike, patatja është bimë barishtore njëvjeçare, me gjethe me push nga poshtë e me lule të bardheme, e cila mbillet zakonisht në toka të shkrifëta dhe bën zhardhokë, që përmbajnë shumë niseshte e përdoren gjerësisht si ushqim. Duke pasur parasysh këtë përkufizim biologjik, cila mund të jetë “filozofia e patates”?!... Asgjë tjetër përveçse teoria filozofike që mund të shpjegojë të vërtetën e veprimeve politike të Partisë Socialiste të Shqipërisë nën drejtimin e Edvin Ramës, duke përdorur ciklin biologjik të një “fruti” të përbaltur, mënyrën e shumimit të tij nën tokë dhe “lulet” që s’kanë lidhje më krijimin e frutit, të mëshiruara tek një bimë e vetme, siç është patatja. Me “gjethe e lule” mbi tokë dhe “fruta” nën tokë mund të përkufizohet teorikisht edhe veprimtaria më e fundit politike e Partisë Socialiste, në datat 21 dhe 28 janar të këtij viti, për përmbysjen me dhunë të qeverisë “Berisha”. Në të dyja këto ditë, pavarësisht se në pamje të parë duket që dyshojnë me njëra-tjetrën, veprimet janë kryer pikë për pikë sipas “filozofisë së patates”, ku herën e parë janë përdorur “frutat” si mjet për arritjen e qëllimit, kurse më pas janë përdorur “lulet” e së njëjtës bimë. Dikujt, që do të më kundërshtojë se “lulet” nuk ishin të bimëve prodhuese, por të atyre zbukuruese, do t’i kujtoja thënien e shkrimtarit anglez të shekullit 19-20, Devid Herberet Laurens: “Asnjëherë mos beso përrallëtarin. Beso përrallën”. Dhe, zakonisht, përrallat më të shumta janë me personazhe nga bota e bimëve dhe kafshëve, ku hyn edhe patatja.
Nëse ngjarjet politike të datave 21 dhe 28 janar 2011 do t’i tregonim si një “përrallë të patates”, do të thoshim, pak a shumë, kështu: “Zhardhokët e patates ishin mbledhur disa herë kohët e fundit, pasi kishin gati 20 vjet që ishin mërzitur nga funksioni “njëpërdorimsh” i tyre, vetëm për bukë, ndërkohë që para kësaj periudhe përdoreshin edhe si gjellë. Dhe gjithë inatin e kishin me qeverinë. Madje, në vitet e para të demokracisë ishin trembur fare, se mos nuk ua hidhte sytë njeri as për bukë, por shpejt e morën veten. Janar ka qenë dhe atëherë, madje 21 janar 1997, kur revolta e tyre arriti tek përdorimi i dhunës ndaj ish-zv.kryeministrit të kohës. Po kështu, në krye të vendit ishte e njëjta qeveri që është sot, në kuptimin e përmbajtjes politike të mazhorancës. Zhardhokët, ishin e nga s’ishin fshatrave të Shqipërisë, të ngjyer kokë e këmbë me baltë e dhé nga qëndrimi nën tokë, mbushën rrugët nacionale dhe sheshet e qyteteve për të protestuar kundër qeverisë. “Poshtë Sali Berisha!”, thoshin dhe atëherë. Por ndryshe nga 14 vjet më parë, në këtë 21 janar, të gjithë zhardhokët e baltosur u mblodhën në Tiranë. Ca në këmbë dhe ca me autobusë e makina të bashkisë u rreshtuan para Kryeministrisë. Të parët që mbërritën aty, ishin 200-300 zhardhokë, nga ata që të bëjnë “të vësh duart në kokë”, dhe pa marrë ende frymë, iu vërsulën policisë me bomba “Molotov”, zjarr, hunj, drurë, gurë, flamurë e veturë. Kishin dhe pistoleta, thika me helm, granata apo armë të tjera të ngrohta e të ftohta, për të neutralizuar apo asgjësua, pas policisë, të gjithë zinxhirin e mbrojtjes së kryeministrisë, në mënyrë që zyrtarët e saj, duke filluar nga kryeministri e të gjithë me radhë, t’i zëvendësonin dhunshëm me njerëzit e tyre, të cilët i kishin mbledhur arë më arë për t’i nxjerrë në dritë e mbledhur në Tiranë zhardhokët “kokëpalarë”. Por nuk ia arritën dot, ndonëse nga tul-ushqim të komunitetit socialist u shndërruan në gur-armë të komunitetit primitiv. Kur kthyen majat nga thembrat, rrugës disa kërcenj të tharë patatesh nga erërat e janarit iu mblodhën rreth e rrotull një kërcelli të gjatë që mbante pak njomësi dhe i thanë, që pas 7 ditësh t’i mbledhim prapë zhardhokët për të demonstruar në Tiranë; këtë herë së bashku me “lulet” e patates. Dhe ashtu u bë. Por njerëzit, të mëdhenj e të vegjël, të cilët e dinë se në dimër nuk ka lule patateje dhe që cikli biologjik i kësaj bime nuk është një javë, por një vit, boshatisën rrugët e qytetit, shkollat, kopshtet, çerdhet, njësitë tregtare dhe u mblodhën “një grusht” në shtëpitë e tyre, në pritje të largimit të zhardhokëve nga bulevardi në arën me baltë...”
Por kjo është një përrallë që s’mund t’ua tregosh as fëmijëve dhe as fqinjëve. Madje, ajo është një ëndërr e keqe, si ajo që kishte parë dikush për Dionisin e Sirakuzës sikur e kishte mbytur atë, të cilit kur i ra në vesh, urdhëroi t’ia sillnin përpara e i tha: “Në qoftë se nuk do të kishe menduar ditën të më vrisje, as natën nuk do ta kishe ëndërruar këtë gjë”. Megjithatë, kjo ngjarje është dhe një eksperiencë nga e cila duhen nxjerrë mësime; në radhë të parë, nga ata që i referohen “filozofisë së patates”, sepse “…patatja siç e ha, ashtu dhe të han”. Besoj se ju kujtohet kjo batutë e mjeshtrit të humorit Fadil Hasa gjatë interpretimit të një skeçi së bashku me artisten e mirënjohur, Aishe Stari. Kreu i Partisë Socialiste, që e bazoi organizimin e ngjarjeve të 21 dhe 28 janarit tek “filozofia e patates”, me pasojat që ato prodhuan për imazhin e vendit, dëmin ekonomik, prishjen e rendit dhe qetësisë publike, përforcimin e opinionit të ndërkombëtarëve se Edvin Rama nuk është vetëm një “çilimi” por dhe një “i çmendur” i politikës shqiptare, më duket se “e hëngri patatja” ose e thënë në një variant tjetër të përdorimit figurative të kësaj shprehjeje: ai “ma hëngri pataten” e karrierës politike. Tani për të u bë i vështirë edhe posti i një kryetari bashkie, jo më i një kryeministri. Faktikisht, ai s’ka ç’humbet më shumë, parë në aspektin e vënies së interesit personal mbi atë të të gjithë shoqërisë. Po kështu, parë në këtë këndvështrim, as përfaqësuesit e tjerë të Opozitës së Bashkuar, Ngjela, Zogaj, Gjinushi, Milo, Ndoka etj., nuk kanë ç’të humbasin më shumë, pasi janë të gjithë “në pension politik”; jashtë Parlamentit. Aleanca e tyre është si “aleanca e të paaftëve”, për të cilën fliste z. Ylli Popa në shkrimin e tij, “Në kërkim të kohës së humbur”, botuar në fund të viteve ‘80 në gazetën “Zëri i popullit”. Ndaj, janë të gjithë duke i fryrë zjarrit. Por, spanjollët thonë: “Kur zjarri dhe uji janë në luftë, është zjarri ai që humb”. Gjithashtu, një mësim jo i vogël vjen edhe nga qëndrimi i socialistëve të ndershëm që po rreshtohen në krah të “ujit”, siç ishte ai i socialistëve shkodranë që iu bashkëngjitën, këto ditë, LSI-së. Pas ngjarjeve të 21 dhe 28 janarit, nuk bëhet më fjalë për distancimin me grupe, por në mënyrë masive, nga Edvin Rama dhe politika e tij perverse. Nëse perifrazojmë një përgjigje të Makiavelit ndaj dikujt që e shau se “i mësoi princat si të bëhen tiranë të popujve”, do të thoshim se ai “njëkohësisht mësoi edhe popujt se si të ruhen nga tiranët”…
Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...