2011-02-03

‘O PRITE AZEM GALICEN, O HEJ!’

Është shfaqur të martën në Kinemanë ABC premiera e filmit “Azem Galica” i regjisorit Halil Budakova me skenar të Zymber Kelmendit. Filmi bazohet në librin po me të njëjtin titull të krijuesit dhe publicistit, profesor Bedri Tahiri. Për rreth dy orë regjisori Budakova, i cili e interpreton edhe rolin e kryeheroit Galica, ka bërë të gjallë një nga heronjtë më popullorë të Kosovës, Azem Bejtë Galicën, i cili për 12 vjet luftoi pareshtur kundër pushtuesit serbë për çlirimin e Kosovës.

description

Më shfaqjen e premierës së filmit “Azem Galica”, kinematografia kosovare ka hyrë në një periudhë të re, pasi deri më sot askush nuk është kujtuar t’i përjetësojë nëpërmjet shiritit filmik heronjtë e Kosovës, të cilët nuk janë të paktë. Për Azemin dhe Shotën janë shkruar shumë libra dhe thënë shumë tregime, por filmi i shfaqur të martën përgjithmonë do t’i përjetësojë këta dy heronj-bashkëshortë që luftuan për Shqipërinë etnike. Për ta bërë filmin e tij, Budakova ka arritur të mbledhë kastën më të mirë të aktorëve kosovarë, duke angazhuar edhe aktorë nga Shqipëria. Pikërisht pas disa dekadave, Budakova e ka kthyer në rolin e Isa Boletinit, aktorin e njohur nga Shqipëria, Reshat Arbana. Filmi “Azem Galica” i kushtohet heroit kombëtar Azem Galica dhe luftës së tij dymbëdhjetëvjeçare për lirinë e Kosovës, ndërsa nuk ka lënë pa kujtuar edhe heronjtë, me të cilët Galica kishe bashkëpunuar gjatë luftës së tij, si Hasan Prishtina, Bajram Curri e shumë luftëtarë të tjerë drenicas, të cilat për më shumë se një dekadë i qëndruan besnikë prijësit të tyre, duke ndjekur amanetin e tij edhe pas vdekjes së tij. Në një konferencë për media, të mbajtur të martën, në orët e pasdites, me ç’rast është shfaqur edhe filmi, regjisori Budakova është shprehur ta ketë arritur qëllimin e tij, edhe përkundër vështirësive me të cilat është dashur të përballet në realizimin e një filmi të përmasave të tilla. Ai i ka falënderuar të gjithë sponsorët dhe bashkëpunëtorët që bënë të mundur realizimin e filmit. “Qëllimi im është pasqyruar i tëri në film për ta përjetësuar figurën e kryelegjendarit Azem Bejtë Galica”, ka thënë Budakova. Ai ka pohuar të ketë mbetur i kënaqur edhe sa i përket realizimit të skenave me efekte speciale. “Jam i kënaqur me realizimin e skenave të ndryshme, të cilat nuk janë edhe aq të lehta për t’u realizuar, duke pasur parasysh edhe kushtet në të cilat operojmë”, ka pohuar regjisori i filmit, Halil Budakova. Ndërsa Bedri Tahiri, autori i librit për Azem Galicën, mbi të cilën është ndërtuar edhe skenari i filmit, është shprehur të ketë mbetur i kënaqur me skenarin e filmit, edhe pse për ta treguar historinë e Azem Galicës nuk mjaftojë dy orë. Filmi do të shfaqet premierë edhe në Tiranë, në kinemanë “Imperila”, më 10 shkurt. Regjia Halil Budakova; skenari Zymber Kelmendi; rolet Halil Budakova, Reshat Arbana, Merita Budakova, Çun Lajçi, Enver Petrovci etj.

Isa VATOVCI

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...