Kryeministri i uron 18-vjetorin e vajzës që u godit nga demonstruesit. "Ata që përpiqen të djegin të ardhmen, janë të pashpresë"
Kryeministri Sali Berisha premton se të gjithë dhunuesit e 21 janarit do të marrin ndëshkimin e duhur. Pohimi i tij u bë në 18-vjetorin e ditëlindjes së Bekime Rexhës, vajzës që u godit nga demonstruesit në datën 21 janar. Kreu i qeverisë së bashku me bashkëshorten Liri Berisha me rastin e 18-vjetorit i dhuruan Bekime Rexhës një tufë me lule dhe një kompjuter. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se për atë që i ndodhi Bekimes, ka marrë me qindra mesazhe nga maturantë e gjimnazistë nga Gjirokastra, nga Mallakastra, nga Vlora, nga Hasi, nga Kukësi, nga mbarë Shqipëria, të cilët kanë shprehur një ndjenjë revolte të thellë shpirtërore për atë akt të shëmtuar.
Premtimi i Kryeministrit
Kryeministri Sali Berisha kishte rezervuar një dhuratë dhe vizitë surprizë në shtëpinë e Bekime Rexhës, imazhi i së cilës u shfaq nga shumë kamera televizive tek qëllohej brutalisht nga një grup demonstruesish në 21 janar në mes të rrugës. "Erdha këtu të ndaj me ju gëzimin e datëlindjes së Bekimes dhe për t'i uruar asaj në emër të familjen time shumë gëzime, mbarësi, shëndetet, suksese dhe jetë të gjatë. Erdha, gjithashtu, jo vetëm në emër të familjes sime, por para së gjithash në emër të të gjithë shkollarëve shqiptarë, të të gjithë bashkëmoshatarëve të Bekimes, të cilët aktin barbar, dhunën ndaj bashkëshollares dhe bashkëmoshatares së tyre e kanë përjetuar si një dhunë ndaj tyre", - u shpreh Kryeministri Berisha gjatë vizitës në familjen Rexha. Berisha u shpreh se për atë që i ndodhi Bekimes, ka marrë me qindra mesazhe nga maturantë e gjimnazistë të cilët e kanë dënuar atë akt të shëmtuar. Sali Berisha: "Ne të urojmë ty të bëhesh 120 vjeç, e lumtur, me atë jetë që meriton. Ndërsa ata që qëllojnë dhe godasin mbi fëmijët tanë të bekuar do të marrin ndëshkimin e merituar ligjor. Ne shohim drejt të ardhmes, drejt ndërtimit të vlerave dhe ajo që mund të bëjmë ne është të ndërtojmë ëndrrën tuaj, të ndërtojmë atë Shqipëri që ju keni në mendje, në zemër, në shpirt dhe që e meritoni plotësisht", - u shpreh kreu i qeverisë, duke iu drejtuar Bekimes me rastin e përvjetorit të saj. Familja kryeministrore kishte përgatitur edhe një dhuratë për gjimnazisten me rastin e ditëlindjes. Ndërsa u shpreh se shkolla dhe shkollimi i fëmijëve janë përparësia më absolute e kësaj qeverie, Kryeministri Berisha theksoi se ata që përpiqen të djegin me zjarr të ardhmen e tyre, janë të pashpresë. "Ne shohim drejt të ardhmes, drejt ndërtimit të vlerave dhe ajo që mund të bëjmë ne është të ndërtojmë ëndrrën tuaj, të ndërtojmë atë Shqipëri që ju keni në mendje, në zemër, në shpirt dhe që e meritoni plotësisht", - u shpreh Kryeministri. Nga ana e tij, babai i Bekimes u shpreh se ndihet krenar për vajzën e tij, e cila ka shprehur hapur bindjen e saj atë ditë, "pasi - theksoi ai, - jetojmë në një shtet demokratik që po shkon drejt Evropës dhe jo drejt komunizmit e kooperativave bujqësore".
Veprimet e dhunshme, Halimi: Prokuroria nuk ka hapur çështje penale
Kryetari i Komisionit Parlamentar Hetimor për ngjarjet e 21 janarit, deputeti Eduard Halimi, deklaroi dje se objekti i hetimit penal të prokurorisë është krejt tjetër nga objekti i komisionit. "Prokuroria nuk ka pranuar të hapë çështjen penale për veprime masive të dhunshme. Nuk ka pranuar të hapë çështjen penale për marrjen e pushtetit me dhunë", - deklaroi ai. "Ndërkohë, - tha ai, - Komisioni Hetimor në ushtrim të instrumenteve Kushtetutës të hetimit parlamentar, po heton veprimet e institucioneve gjatë veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e rendit kushtetues, marrjen e pushtetit me dhunë dhe ekzistencën e puçit të shtetit. "Nuk ka mbivendosje për këto hetime. Komisioni Hetimor është fuqiplotë në gjithë procesin e marrjes të çdo lloj dokumenti hetimor", - vuri në dukje më tej Halimi. Ligjvënësit demokrat sqaroi më tej kërkesat e Komisionit Hetimor lidhur me tabulatet telefonike të drejtuesve të lartë të shtetit. Pas reagimit të kreut të opozitës, Edi Rama, i cili i ka konsideruar si të paligjshme këto kërkesa, Halimi tha se Komisioni Hetimor ka kërkuar vetëm tabulatet telefonike dhe jo përmbajtjen e bisedave të kryera në këtë ditë nga krerët e institucioneve të larta të shtetit, Presidentit, Kryeministrit, kryeprokurores, shefit të SHISH-it apo dhe shefit të opozitës dhe disa deputetëve të saj. "Komisioni Hetimor Parlamentar ka kërkuar thjesht tabulatet, jo përmbajtjen e bisedave të kryera. Komisioni ka kërkuar vetëm skedarët, për të bërë transparencën e zhvillimeve të atyre ditëve", - deklaroi kreu i Komisionit Hetimor. Deputeti Halimi siguroi se do të zbardhet gjithë e vërteta për 21 janarin. "Ata që kanë frikë nga transparenca për bashkëbiseduesit që kanë pasur, duhet të dinë se ngjarja e 21 janarit do të përshkohet nga rrezja e të vërtetës në çdo qelizë të saj", - përfundoi ai.
Komisioni Hetimor: Në polici mungojnë urdhrat për hetime
Anëtarët e Komisionit Hetimor për demonstratën e 21 janarit kanë zbritur përsëri në terren për të mbledhur fakte. Për rreth 60 minuta deputetët Genti Strazimiri, Dashnor Sula dhe Fatos Hoxha ishin në godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Strazimiri sqaroi se vizita e tyre në Policinë e Shtetit ishte në përmbushje të planit të veprimit të Komisionit Hetimor për një mision faktmbledhës. "Vërejtëm që Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet, ka të gjithë aftësinë, ashtu siç e pati përpara protestës së 21 janarit, gjatë saj dhe, natyrisht, pas saj për të kryer të gjitha veprimet procedurale për mbrojtjen e rendit publik dhe të rendit kushtetues", - deklaroi Strazimiri. "Por, - shtoi ai, - deri tani prokuroria nuk i ka dhënë asnjë urdhër kësaj strukture të hetojë 21 janarin". Strazimiri shprehet se janë disa veprat penale mbi të cilat policia nuk mund të procedojë, pa urdhrin e organit të akuzës. "Është fakti që ende sot në këto momente që po flasim Policia e Shtetit nuk ka marrë urdhër për të kryer veprime hetimore për asnjë prej veprave penale si: thirrje publike për dhunë kundër rendit kushtetues, pushtim të ndërtesave me qëllim rrëzimin e rendit kushtetues, thirrje dhe organizim për të detyruar organet shtetërore të kryejnë ose të mos kryejnë një akt të caktuar apo krijimin e turmave të armatosura dhe të gjitha këto natyrisht edhe në mbështetje të neni 21 të Kodit Penal që parashikon edhe bashkëpunimin për to. Së fundmi, nuk kanë marrë ende asnjë urdhër për të kryer veprimet hetimore në lidhje me veprën penale të poshtërimit të simboleve të republikës, respektivisht të flamurit kombëtar", - deklaroi dje ligjvënësi demokrat.
Një ditë më parë, deputetet e Komisionit Hetimor iu drejtuan Gardës së Republikës, e cila, sipas tyre, zbatoi me përpikmëri ligjin.