2011-01-31

Alfred Peza: Pse ika nga "Ora News"

Nga: Skender Minxhozi

EKSKLUZIVE/Alfred Peza, njëri ndër gazetarët më të njohur televizivë, nuk është më drejtues i televizionit “Ora News” që prej 15 dhjetorit.


Një njoftim që shkaktoi jo pak habi në qarqet mediatike dhe opinionin publik, bënte të ditur se zoti Peza largohej pa ndonjë motivacion të qartë nga detyra që mbante prej katër vjetësh, kohë gjatë të cilës “Ora News” u afishua si njëri ndër ekranet konkuruese në tregun e medias elektronike. Zoti Peza ka vendosur të flasë. Në këtë intervistë ekskluzive më revistën MAPO, ai shpjegon arsyet që sollën largimin e tij të papritur nga televizioni që drejtonte, pa harruar të hedhë dritë edhe mbi planet për të ardhmen


Zoti Peza, që nga 15 dhjetori 2010, ju nuk jeni më Drejtori i Përgjithshëm i RTV “Ora News”. Cilat kanë qenë arsyet e këtij largimi surprizë?


Kisha vendosur që të mos flisja kurrë për largimin tim nga një vend pune. Kështu kam vepruar edhe me 3-4 largimet e tjera, në karrierën 16 vjeçare në media. Këtë moment e kam konsideruar gjithmonë, një çështje personale mes meje dhe punëdhënësve. Ikja këtë radhë, përkoi me 4 vjetorin e fillimit të marrëdhënies sime zyrtare me “Ora News”. Ndërsa lajmi i fillimit atë ditë të lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Schengen, besoja se do më ndihmonte të “përvidhesha” edhe këtë radhë, pa rënë në sy të gjindjes. Unë punoj me durimin dhe përkushtimin e një kinezi që ka ndërtuar Murin e Madh, por vendimet i marr si operacionet cezariane. Çdo projekti i përkushtohem sikur do punoj aty 100 vjet. Dhe çdo natë, kur mbyll zyrën, e konsideroj si ditën e fundit. “I zgjuar është ai që kupton momentin se kur duhet të largohet”,- ka thënë Çurçilli. Nuk e di nëse jam i tillë, por di me siguri që edhe këtë radhë jam larguar, në sekondën e duhur. Ndaj, natën e 15 dhjetorit, tek ngrohesha pranë oxhakut në shtëpi, ndihesha i qetë. Sapo kisha lënë pas, projektin më të mirë të jetës time profesionale. Dhe kjo më bëntë të mendoja se kishte ardhur momenti që t’i gëzohesha si kurrë më parë, dy javëve të fundit të vitit, si një “Dhuratë Krishtlindjesh”. Qëndrova në shtëpinë time të dashur, pranë familjes që më mbështet aq shumë, e së cilës i jam borxhli për gjithçka kam arritur. Por, të arratisesh sot duke qëndruar në mes të Tiranës, nuk qenka e lehtë. Vetëm kur je larguar nga drejtimi i një media që ndodhej në kulmin e saj dhe kur sapo je vlerësuar me çmimin e drejtuesit të emisionit më të mirë të debatit politik në Shqipëri, e kupton forcën dhe magjinë e vërtetë të ekranit televiziv. Por, edhe përgjegjësinë publike. Në një qytet si Tirana, “ku të gjithë i njohin të gjithë”, lajmi i dorëheqjes sime në mënyrë të parevokueshme nga RTV “Ora News”, kishte marrë dhenë. Deri në 02.00 pas mesnatës, vërshuan qindra mesazhe e telefonata të miqve dhe dashamirësve. Të nesërmen, kundër vullnetit tim, disa gazeta e kishin botuar lajmin. Kjo e shtoi akoma edhe më shumë kuriozitetin. Ndaj u dyndën edhe më shumë mesazhe habie, kërshërie, solidariteti, zhbirilimi, të sinqerta, hipokrite, por gjithësesi shumë njerëzore. Të cilat nisnin nga Presidenti i Republikës, deri tek shikues të shumtë e të panjohur më parë prej meje, brenda e jashtë Shqipërisë. Përgjigja ime për të gjithë ata që duan të dinë nga unë, pse-në e vendimit tim, është: Pakti 40 mujor që funksiononte më së miri mes meje dhe pronarit të Televizionit, “u gris” në mënyrë të papritur. E në atë çast, m’u ofrua një “marrëveshje e re”, me kushte të panegociuara dhe të panegociueshme. Në këto rrethana, kur kisha vetëm dy alternativa, i urova suksese atij dhe televizionit që kishim ngritur me aq shumë mund e sakrifica të përbashkëta dhe zgjodha të largohesha. Pa pendim dhe pa kthim pas. As nga ana ime, e as nga ana e pronarit të televizionit. Televizioni që ju drejtonit, ka fituar peshë në tregun e medias elektronike. A është e saktë të supozohet se edhe suksesi sjell në disa raste, të njëjtin rezultat me dështimin? Nëse po kërkoni një kazus, për dikë që bëhet viktimë e suksesit të tij në këtë vend, ky është rasti. Jeta është një ngjitje. Sa më lart të arrish, aq më shumë erëra të rrahin. Ose siç thotë Nënë Tereza, “sa më lart të ngjitesh, aq më shumë miq të rremë dhe armiq të egër fiton. Megjithatë ngjitu”. Dhe unë jam një “alpinist” që nuk i jam trembur kurrë lartësive që kam patur përpara. I jam ngjitur me durim dhe i kam pushtuar me pasion. Për të zbritur sërisht dhe për t’ju ngjitur pas kësaj, një tjetër maje, edhe më të lartë. Ndaj, e adhuroj si shumë të tjerë poemën “Në mundsh…” të Kiplingut. Sidomos vargjet: “Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh/ Si në kumar, në një të vetmen lojë/ Të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh/ Dhe humbjen kurrë të mos e zësh me gojë…” Megjithatë, nuk dua të bëj romantikun e vonuar dhe as idealistin jashtëmode për këto kohë aspak idealiste. Por e vërteta, edhe ajo që është strukur në vendin më të fshehtë, shpejt ose vonë e gjen rrugën për të dalë në dritë. Aq më tepër në një vend, që nuk ka ditur t’i ruajë kurrë sekretet tij. Pas tri javësh, e kam shumë të qartë tashmë, gjithçka ka ndodhur. Pavarësisht skenarit, aktorëve dhe regjisorit, të gjithë e kemi parë disa herë fundin e këtij filmi në këto 20 vjet. I njoh më mirë miqtë, por sidomos ata që për shkak të konkurencës në media, “më goditën poshtë brezit”. Ndaj, siç thotë Roosevelt, pas kësaj që ndodhi, “u kërkoj të më gjykoni, sipas armiqve që kam bërë”. Por, më duhet të jem shumë i qartë në këtë pikë. Pronari i RTV “Ora News”, z. Ylli Ndroqi, për mua personalisht, ka qenë dhe mbetet botuesi më i mirë me të cilin kam bashkëpunuar deri tani. Deri në momentin që pakti ynë funksionoi, ai investoi pa u kursyer, si askush tjetër më parë, ambicien time profesionale për të ndërtuar një media elektronike nga zero. Si këmbim, përtej modestisë, unë “i dhurova” atij dhe opinionit publik, brenda pak më shumë se 3 vjetësh, ekranin më të madh informativ dhe një nga 2-3 televizionet më të ndjekurat në Shqipëri. Për këtë, i jam mirënjohës përjetë. Përkundër të gjitha thashethemeve e parashikimeve dashakeqe, ai ia arriti që të realizonim me sukses, projektin më të bukur të jetës së tij. Kujtimet e miqësisë sonë të ngushtë e familjare, mbeten gjithashtu të pacënuara, pavarësisht vendimit tim për t’u larguar pa kthim.

Atëherë, për cilin e keni fjalën në media, që ju goditi “poshtë brezit”?
Ajo që të lë shije të hidhur në gjithë këtë histori, lidhet me atë pjesë të shoqërisë shqiptare që na rrethon. E cila tani në dekadën e dytë të shekullit të XXI, nuk ka ndryshuar asfare, nga ajo e dy dekadave të fundit të shekullit XIX. Historia e punës së jashtëzakonshëm të stafit më të mirë në Shqipëri, i cili ndërtoi “Ora News”, ngjan si dy pika uji me historinë e 130 viteve më parë të Syrja beut, babait të Eqerem bej Vlorës. Në vitin 1888, ai solli nga Italia, 22 familje arbëreshe për ndërtimin në tokat e tij, të një ferme model, me mjetet e agroteknikës më moderne të kohës. Të ardhurit s’qëndruan gjatë. Autoritetet turke në Janinë e Stamboll, sipas kujtimeve të Eqerem bej Vlorës “të alarmuara nga kallëzimtarë dhe shpifës anonimë prej radhëve të “inteligjencës”, nga mendjemëdhenj dashakeqë dhe ziliqarë, u përpoqën që, me marifete nga më të hollat, t’ua nxinin jetën dhe t’ua vështirësonin punën, qoftë Syrja beut, qoftë bujqëve nga Italia”. Të cilët u detyruan të largohen pas 3 vjetësh. Por, beu s’dorëzohej kollaj. Më 1891, lidhet me një aristokrat hungarez e i jep me qira 7 000 ha tokë. Në Frakull mbërritën makina moderne bujqësore, bagëti dhe familje nga Hungaria. Dy vjet më vonë, çifligu mori pamjen e një ekonomie europiane. Përsëri dolën në skenë ziliqarët, intrigantët dhe shpifësit që, si gjithnjë, gjuajnë me gurë, pemën që ka kokrra. Sipas Eqerem bej Vlorës “një herë këta gurë të hedhur, sollën pasoja serioze. Shpifësit lajmëruan në Stamboll se Syrja beu, i armatosur nga Monarkia Austro-Hungareze, po përgatitet të shpallë pavarësinë e Shqipërisë dhe veten, Mbret. Armët dhe topat janë fshehur në Skelë, thoshte kallëzimi dhe doganierët bëjnë pjesë në komplot”. Stambolli u alarmua dhe urdhëroi menjëherë gjeneral Ahmet Hifzi pashën në Janinë, që të ngrinte me urgjencë një komision hetimor. U bë kontrolli në Skelë. Dhe ç’farë u gjet atje ku thuhej se ishin fshehur armët e “komplotit të madh”? Kazma, lopata, zorrë uji, shirëse dore e vegla të tjera bujqësore. “Turpi i kallëzimtarëve,- kujton Eqerem bej Vlora,- i veliut të Janinës që i pati mbështetur, si dhe autoriteteve qeveritare që lejuan të tërhiqen për hunde nga intrigantët e përjetshëm, ishte i plotë. Por, askush nuk donte ta pranonte se kishte gabuar. Askush nuk u dënua apo qortua. Njëkohësisht, askush nuk donte që ta ndalonte më, rrotën që ishte vënë në lëvizje. Ndërkaq Kontit hungarez iu mërzit jeta dhe më 1894 u kthye në Budapest. Dhe pas kësaj, krejt projekti u la kështu pas dore”. Kaq.

Largimi juaj, ngre edhe njëherë çështjen e raporteve, media- pronësipushtet politik. Si e shihni këtë raport, edhe në këndvështrimin e këtyre orëve? Sa më shumë i largohemi 1990, aq më shumë media dhe aktorë të rinj futen në treg. Dhe në vend të vendosjes së rregullave gjithnjë e më të qarta e të barabarta për të gjithë në këtë fushë, aq më shumë duket se po sundojnë ligjet e xhunglës. Shqipëria është një vend gjithnjë e më i hapur, por një shoqëri e mbyllur. Për fat të keq, në media, nuk punohet me rregullat e ekonomisë së tregut, që kanë në themel meritokracinë dhe kërkesëofertën. Për ta kuptuar më mirë ndryshimin mes kapitalizmit shqiptar në këtë fushë dhe atij perendimor, po marr një shembull nga futbolli. Kur “Real Madrid” kuptoi se i duhej një futbollist me tiparet e Cristiano Ronaldos, në kohën kur ai luante te “Manchester United”, i afroi, një thes me para. Në këmbim, llogariste të merte më shumë se aq. Dhe ashtu ndodhi. Ndërsa “Real Madrid” me pronar shqiptar, do vepronte ndryshe. Do i fuste Ronaldos një mbrojtës për ti thyer këmbët, që mundësisht të mos luante më futboll. Përsa i përket televizioneve, nevojat janë pambarimisht të shumta, por ato më emergjentet dhe më kryesoret do ti përmblidhja në: 1.- Vendosjen sa më të shpejtë të matësave të audiencave. Kjo do ti jepte fund monopoleve të “emëruara” edhe me ndihmën indirekte të politikës. 2.- Ribërja nga e para dhe shndërrimit në mënyrë urgjente të RTSH, nga pronë e qeverive të radhës, në pronë publike. 3. Zbatimi në mënyrë të barabartë për të gjithë, të ligjit për mediat audiovizuale. Pa këto, e të tjera, asnjëherë s’do të ketë balanca dhe rregull në “Mbretërinë e kaosit”.

A duhet të ketë më shumë reagim në lidhje me kontratat e punës dhe respektimin e të drejtave të gazetarëve? Pse nuk rregullohet kjo marrëdhënie pas kaq vitesh media të lirë?
Media shqiptare ka fituar dhe ka humbur shumë gjëra në këto 20 vitet e fundit. Më të madhen, do të konsideroja humbjen e shpirtit të solidaritetit dhe të mbështetjes reciproke që kemi patur mes kolegësh. Solidaritet që na bashkonte të gjithëve, si asnjë grupim tjetër profesional. “Ethet e arit” e vranë solidaritetin tonë. Kjo është fitorja më e madhe e politikës ndaj gazetarëve në Shqipëri. Ne s’kemi përvojë sindikale, por edhe në vendet më të zhvilluara, ato po zhbëhen. Veprimtaria e shoqatave të gazetarëve, ështe zbehur në raport me 10 vitet e para të postkomunzmit. Ato duhen riorganizuar nga e para mundësisht. Por, nuk besoj se do e luajnë rolin e avokatit të të drejtave të gazetarëve në raport me pronarët apo pushtetarët, për aq kohë, sa në këtë treg, nuk do ketë rregulla të qarta loje. Nga ana tjetër, nuk besoj se këto rregulla do fillojnë të zbatohen, për aq kohë sa vetë komuniteti i gazetarëve, nuk do bëjë presionin e duhur pozitiv, mbi aktorët dhe faktorët që i kanë më së shumti në dorë ato. Ndaj, përqasja duhet të jetë e dyanshme.

Duket sikur ka ardhur epoka e gazetarëve të rreshtuar. Ekzagjerim, apo një realitet?
Ka një tendencë, për ta polarizuar dhe rreshtuar të gjithë shoqërinë shqiptare. Për ta ndarë atë si me thikë: Në të majtë, ose të djathtë. Rrugë të mesme, nuk ka. Kjo të kujton tregimet për Mehmet Shehun në fund të Luftës II Botërore, kur i rrethuar nga gjermanët siç thonë, mblodhi trupat e tij partizane, para përpjekjes për të çarë rrethimin, duke i kërkuar të deklarohen: “O me ne, o me armikun. Rrugë të mesme, nuk ka”. Jashtë përpjekjeve për ta bërë këtë rreshtim kudo, nuk mbeten as mediat dhe gazetarët. Përkundrazi, ne jemi nën dritat e prozhektorëve, më shumë se kushdo tjetër. E kam ndjerë mbi lëkurën time këtë lojë, ndërsa u përpoqa me mish e me shpirt, kundra rrymës shpeshherë, që të drejtoja një televizion si “Ora News” të hapur, të balancuar e gjithëpërfshirës. Kemi marrë përgëzimet e shikuesve, kolegëve, madje publikisht edhe nga gjithë liderët kryesorë politikë të vendit, pa përjashtim. Por, megjithatë, jo rrallëherë disa militantë “të majtë” më kanë konsideruar “të djathtë” dhe disa “të djathtë”, “të majtë”. Pa e ditur as ata vetë, se në këtë mënyrë po më bënin, komplimentin më të bukur si gazetar profesionist. Pasi përkundër koncepteve të tyre militante, për “të majtën” apo “të djathtën” në Shqipëri, unë jam një “ateist politik”.

Në sfond ndodhet një vit politik i vështirë. Procesi i hetimit të zgjedhjeve të shkuara po bllokon zgjedhjet e ardhshme. Klima në Kuvend është e acaruar, ndërkohë që pritet konsensus për ligjet me shumicë të kualifikuar. Si e shihni prognozën e muajve në vijim?
Zgjedhjet lokale të 8 majit 2011, mendoj se do të jenë prova më e madhe dhe më e vështirë për pjekurinë e klasës sonë politike, pas anëtarësimit të vendit në NATO. Kjo “provë zjarri”, kalon përmes rrugës së zgjidhjes së krizës politike, për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Nëse lexojmë vetëm atë që na shfaqet, sigurisht që prognoza e këtij viti është e zymtë. Madje e errët. Por, besoj se në javët në vazhdim, të dhënat tregojnë se palët, me hir ose me pahir, qoftë edhe nën presion e Brukselit e Uashingtonit, janë të dënuara të arrijnë një kompromis. Që do mundësojë si rëndom në këto 20 vjet, në prag të zgjedhjeve të reja, çlirimin e vendit nga pengesat politike. Kjo do çojë, në realizimin e një procesi elektoral, të pranueshëm për një vend anëtar të NATO dhe aspirant për të marrë këtë vit, pas liberalizimit të vizave, edhe statusin e vendit kandidat për në BE.

A ishte normale që kriza e zgjedhjeve të 28 qershorit të shtrihej në vitin e tretë kalendarik, 2011? Pse nuk kemi ende një komision hetimor për këto zgjedhje?
Sigurisht që nuk është normale, që një krizë apo ngërç politik, për shkak të
pretendimeve të opozitës për parregullsi në zgjedhjet e kaluara, të zgjatej kaq shumë, deri në mesin e mandatit qeverisës që prodhoi ai proces. Më shumë se opozitën, mosngritja e komisionit hetimor, dëmton vetë mazhorancën dhe vendin. Megjithatë, jam i prirur të besoj, se zgjidhja do gjendet. Ndoshta atëherë, kur rezultatet e hetimit që do dalin nga ky komision, “nuk do t’i hyjnë më në punë” as opozitës dhe nuk do ta dëmtojnë nga pikëpamja elektorale mazhorancën. Për fat të keq, kam frikë, se ato nuk do ndihmojnë as në rritjen cilësisht ndryshe, të standartit për zgjedhjet e radhës. Në mungesë të emrave konkretë, cila forcë politike e fiton sipas jush Bashkinë e Tiranës? Si shumë të tjerë, besoj se gara për kreun e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e 8 majit të këtij viti, do të vendosë përballë Edi Ramën e Lulzim Bashën. Rama do synojë një mandat të katërt, për ta lënë atë në çdo moment që do i kërkohet të udhëheqë socialistët në një betejë të re zgjedhore për Parlamentin e ardhshëm. Ndërsa Basha, është padyshim, figura më e mirë në të gjitha pikëpamjet që PD ka sot për t’ia vënë përballë, liderit të opozitës, në këtë garë. Ndaj, besoj se përballja do jetë më e nxehtë, më e fortë dhe më mediatike se kurrë. Për të dyja palët, duket të jetë një “luftë për jetë a vdekje”. Uroj vetëm që vota të mos preket. Sa për të tjerat, zgjedhësit e Tiranës, e kanë treguar këto 20 vjet, se kanë ditur të votojnë gjithmonë njeriun e duhur, në momentin e duhur.

Përballja Berisha- Rama po na kujton gradualisht dyshen klasike Berisha- Nano. Jeni dakord me analogjinë, apo ka shumë ndryshim mes tyre?
Sistemi elektoral, kultura politike dhe historia e dy partive që udhëheqin Berisha dhe Rama, e bëjnë pothuajse të pashmangshme me sa duket në Shqipëri, një përballje të llojit tjetër, ndryshe nga ajo që pamë edhe 15 vitet e para të pluralizmit, mes Berishës e Nanos. Ndaj, pavarësisht se Nano e Rama janë dy prerje të ndryshme politike, por me prejardhje pothuajse të njëjtë familjare, kulturore dhe intelektuale, përsëritja e historisë së tyre si Kryetarë të PS, përballë Berishës, nuk më habit. Pasi ky i fundit, me karizmën, energjitë e pashtershme, di t’i pozicionojë kundërshtarët politikë qartazi në qoshen e kundërt të ringut dhe prej aty, i fton që të vijojnë duelin politik.

Së fundi, në cilin ekran apo kokë gazete do ta shohim Alfred Pezën gjatë 2011?
Kam gjithë muajin janar në dispozicion të vetes, për ta menduar këtë. Por, një gjë është e sigurtë, pavarësisht se dashuria ime e parë profesionale ka qenë media e shkruar, besoj se e kam mbyllur kapitullin e drejtimit të gazetave apo revistave. E ardhmja e gazetarisë, gjithnjë e më shumë i takon televizioneve dhe në vendet shumë më të zhvilluara se ne, internetit. Ndaj, edhe e ardhmja ime e afërt, i takon ekranit. Mirupafshim, së shpejti.

MAPO