2011-01-24
Delegacioni i Shqipërisë bëhet gati për të përmbysur raportin e Dick Martyt
Dick Marty më shumë i “prekur” nga kolegët zviceranë
Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, në gjithë reagimet që kanë ardhur për raportin e tij, ku akuzon ish-UÇK-në për tregti me organe njerëzore, më së shumti është “prekur” nga kritikat e kolegëve të tij zviceran të cilët e kishin sugjeruar se do të ishte më mirë të “merrej me interesat e Zvicrës”. Në intervistat e dhëna për gazetat zvicerane Sontag Zeitung, Marty ka thënë se nuk sjell dëshmi për akuzat, ngase “nuk është gjykatës”, por vetëm raportues, ndërsa raporti i tij, siç ka thënë, përmban detaje të sakta. “Raporti është kredibil dhe ka goditur në nerv”, ka thënë Marty. Reaksioni i ashpër nga Kosova për raportin e tij ka lënë gjurmë në Martyn. “Nuk është kënaqësi të jesh i akuzuar për rrenacak dhe nazist”, ka thënë Marty.
Baraybar: Marty ndërtoi tablonë e plotë
Ish forenziku i UNMIK-ut, Jose Pablo Baraybar, i cili hulumtoi “Shtëpinë e verdhë”, konsideron se raporti i Martyt ofron fakte të mjaftueshme për hapjen e hetimeve penale.
Baraybar i ka thënë “Veçernje Novosti” të Beogradit se të dhënat nga raporti i Dick Martyt përputhen me disa të dhëna të tij, të cilat i kishte gjetur derisa ishte në Kosovë.
“Në raportin e Dick Martyt ka mjaft fakte për hapjen e hetimeve penale, por tash ky është një raport preliminar”, ka thënë Baraybar.
“Ai do t’i prezantohet opinionit, por kompetentët duhet të jenë të motivuar për të hapur procedurë penale”, është shprehur Jose Pablo Baraybar.
Ai ka theksuar se të dhënat nga raporti i Martyt përputhen me disa të dhëna të tij, të cilat ky i ka gjetur derisa ishte në Kosovë.
“Më vjen posaçërisht mirë për një arsye, të cilën vazhdimisht e kam porositur, por askush nuk më ka dëgjuar – se në Kukës të Shqipërisë ka ekzistuar kampi. Për këtë kam folur haptas derisa kam qenë në Kosovë. Kjo është e vërteta, të cilën askush s’ma ka mbështetur”, ka thënë ai.
“E kam parë atë kamp, por njerëzit në Kosovë këtë e kanë mohuar. Një çështje tjetër janë varrezat në të cilat janë varrosur persona të paidentifikuar, që i përmend Dick Marty, dhe që ne i kemi gjetur në lokalitetin Bicaj në rrethin e Kukësit. Dhe kjo është po ashtu interesante”, ka thënë Baraybar.
“Thënë në përgjithësi, raporti i Martyt përmban shumë gjëra, të cilat ne i kemi dëgjuar dhe parë. Kjo nuk është diçka aq e re, por ajo që ka shkruar ai aty është shumë më e shprehur dhe më e ndërlidhur. Dikush, më në fund, i ka ndërlidhur faktet dhe ka ndërtuar gjithë tablonë. Kjo është shumë e rëndësishme”, përfundon ish-forenziku i UNMIK-ut në Kosovë, Jose Pablo Baraybar.
Shqipëria do të prezantohet me një qëndrim të përbashkët kundër projekt rezolutës së Dick Martyt për të ashtuquajturën “Çështja e trafikut të organeve të serbëve në vitin 1999”, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Anëtarët e delegacioni shqiptar në Asamblenë e KE pritet të takohen sot për të dakorduar qëndrimet mbi raportin. Projektrezoluta që bazohet mbi raportin e deputetit zviceran Dick Marty, u miratua në unanimitet nga Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut në Asamblenë Parlamentare të KiE-së më 16 dhjetor. Përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë Komision, deputeti Shpëtim Idrizi mungoi në mbledhje, për shkak se sipas tij, ai nuk ishte vënë në dijeni nga sekretari e këtij Komisioni.
Sesioni i Asamblesë Parlamentare për vitin 2011 do të çelet më 24 janar. Projektrezoluta do të diskutohet dhe do të hidhet për votim nga ora 16:00 dhe për rrëzimin e saj deputetëve shqiptarë do t’iu duhet të propozojnë një amendament, miratimi i të cilit mund të arrihet vetëm falë mbështetjes nëpërmjet lobimit të kolegëve të tyre nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës. Edhe kryeministri Berisha në mbledhjen e Qeverisë së datës 22 dhjetor 2010 paralajmëroi se delegacioni shqiptar në KiE do të nisë punën me një kërkesë të vetme dhe unike që Dick Marty t’u dorëzojë provat, nëse ka të tilla, autoriteteve të EULEX-it, përndryshe ai ka bërë një abuzim shumë të rëndë me besimin e këtij institucioni, anëtar i të cilit është Shqipëria.
Marty zgjodhi shqiptarët shkulës të veshkave e hebrenjtë marrës
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në takimin me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha të enjten se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës janë marrëdhënie me rëndësi shumë të veçantë për qytetarët e dy vendeve, ndërkaq njoftoi se delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të kërkojë hetim lidhur me pohimet për trafikim organesh.
Kryeministri i Shqipërisë tha se në takimin me Krasniqin ka biseduar për raportin e senatorit Dick Marty dhe theksoi se "përgjigja më e mirë ndaj këtij raporti racist dhe shpifës është kërkesa për hetim të plotë për të gjitha problemet që shtrohen në raport nga EULEX-i dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
“...Është racist Dick Marty, shkulës të veshkave ka zgjedhur shqiptarët, marrës të veshkave ka marrë hebrenjtë”, tha Berisha.
Ai më tej theksoi se kërkesa e tyre për hetim do të jetë e prerë “ Ne jemi të vendosur të dënojmë çdo lloj krimi, lufte apo njerëzimi cilido qoftë ai, ligji ndërkombëtar të veprojë me forcën më të madhe. Lufta çlirimtare e Kosovës përbën shfaqjen më të ndritur të historisë kombëtare të shqiptarëve, përbën një nga luftërat të cilat e bënë Ballkanin, i dhanë fund kolonisë së fundit në Evropë... Delegacioni do të kërkojë nga Dick Marty që të gjitha të dhënat që ka t’ia dorëzojë EULEX-t ose Gjykatës ndërkombëtare... Ky është një detyrim madhor, ligjor dhe moral i Këshillit të Evropës. Ne do të votojmë rezolutën, natyrisht edhe ne kemi përçmimin tonë për racizmin e Dick Marty në raport”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu foli për çështjet tjera për Kosovën. Ai tha se Kosova do të institucionalizojë institucionet e reja dhe natyrisht është në prag të zhvillimeve të tjera të rëndësishme si fillimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, një dialog që sipas tij është i domosdoshëm për paqen, stabilitetin, të ardhmen e rajonit.
Ndërkaq, presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi se në Shqipëri ndjehet tamam si në Kosovë dhe theksoi se kishte biseduar me kryeministrin Berisha si në planin e politikave të brendshme, zhvillimit ekonomik dhe në planin e diplomacisë së jashtme.
“U ndalëm në raportin e Dick Marty, i cili akuzon jo vetëm UÇK, por gjithë qytetarët në Kosovë por edhe në Shqipëri”, tha Krasniqi, duke nënvizuar se kjo akuzë e ngritur, e ripërsëritur obligon të dy vendet “t’i koordinojnë punët për ta kundërshtuar këtë raport që është vlerësuar edhe si një pamflet politik”.
Ai ka thënë se kanë gatishmërinë që institucionet profesionale ndërkombëtare ta bëjnë një hetim të gjithanshëm profesional për të gjitha akuzat që i bëhen popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri dhe çlirim.
“Kosova dhe Shqipëria, jemi në të drejtën tonë, në bindjen tonë se lufta jonë ka qenë e drejtë me dinjitet dhe ka pasur mbështetjen e SHBA-së, BE-së dhe NATO-s”, theksoi Krasniqi, duke nënvizuar se kjo shihet si një akuzë që i drejtohet të gjitha vendeve që e ndihmuar lirinë e popullit të Kosovës.
Jakup Krasniqi është pritur sot në Tiranë edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, kurse në thelb të bisedës së tyre ishte raporti i Martyt.
Sipas Topallit, raportuesi i KiE-së ka keqpërdorur besimin e Këshillit të Evropës, pasi nuk ka fakte dhe prova në raportin ku akuzon UÇK-në dhe udhëheqësit e saj për trafikim organesh.
Topalli dhe Krasniqi u shprehën për hetimin e plotë të fakteve nga ana e EULEX-it, ndërsa theksuan domosdoshmërinë që t'i kërkojnë Dick Martyt t'i çojë provat pranë misionit të EULEX.
Senatori zviceran, Dick Marty, nuk e ka parë ende të arsyeshme që të vërë kontakt me EULEX-in edhe një muaj pas publikimit të raportit të tij, ku ka akuzuar se “Grupi i Drenicës”, i prirë nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë trafikim me organe dhe është përgjegjës për trafikimin e drogës dhe armëve pas luftës, gjatë luftës dhe pas saj në Kosovë.
“E kemi marrë kërkesën tuaj”, ka qenë përgjigjja e vetme që zyra e senatorit zviceran ka mundur t`i japë EULEX-it.
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosova javë më parë i ka shkruar një letër zyrtare ish-prokurorit zviceran, ku i ka kërkuar që t`i vërë në dispozicion të misionit të gjitha faktet dhe informatat në të cilat e ka bazuar hetimin e tij. EULEX-i ende po pret përgjigje nga Marty, i cili as nuk ka konfirmuar nëse do të mund të dërgojë ndonjë fakt.
Zyrtarët e EULEX-it nuk kanë arritur që të marrin shpjegim më të detajuar nga senatori zviceran, por presin që pas shqyrtimi të raportit të Martyt në sesionin e radhës të Këshillit të Evropës më 25 janar, të dinë më shumë rreth fatit të kërkesës së tyre.
Nga përgjigjja e Martyt varet edhe nëse do të bëhet ndonjë hetim nga EULEX-i apo jo.
Zëdhënësja e misionit, Karin Limdal, ka thënë se është shumë herët që të dihet nëse EULEX-it do të bëjë hetime.
“EULEX-i i ka dërguar letër zotit Marty me anë të së cilës e kemi inkurajuar që t`u ofrojë autoriteteve prokuroriale të EULEX-it informatat apo faktet që mund të zbardhin dyshimet që ai i ka hedhur në raportin e tij. Ne ende po presim një përgjigje nga ai. Do të ishte papjekuri të bëjmë deklarata paraprake nëse EULEX-i do të nisë hetime apo jo”, ka thënë Limdal.
Sipas saj, EULEX-i i “shqyrton seriozisht të gjitha pretendimet për krime të luftës”.
“Sidoqoftë, prokuroria i bazon hetimet e veta në fakte, dhe nëse dikush ka fakte konkrete që ndihmojnë në zbardhjen e dyshimeve që janë vënë në raport, ata duhet që faktet t`ua japin autoriteteve përkatëse”, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it.
Ajo ka njoftuar se të hënën me qëllim të aktivitetit rreth raportit të Martyt, një delegacion nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i përbërë nga prokurorë kosovarë dhe ata të EULEX-it, ka zhvilluar një takim me kryeprokurorin e Shqipërisë.
EULEX-i ka bërë edhe më herët një hetim rreth dyshimeve për trafikim të organeve, gjegjësisht veshkave nga ushtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas lufte në Kosovë, në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhe” në Shqipëri. Hetimet nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë provë të besueshme për një zhvillim të tillë. Megjithatë në raportin e tij para Këshillit të Evropës, ka rikthyer këtë tregim, tash duke e ndryshuar lokacionin ku kanë ndodhur heqjet e organeve. Sipas raportit të Martyrt, heqja e organeve nuk ka ndodhur në “shtëpinë e verdhë”, po në një kamp afër Fushë - Krujës në Shqipëri.
Prokurori zviceran ka thënë se në raportin e tij nuk ka zbuluar diç të re, por ka bërë një përmbledhje të të dhënave që ka mundur të sigurojë nga libri i Del Pontes, nga disa dëshmitarë dhe raportet e shërbimit inteligjent gjerman BND, atij italian Sismi, shërbimit britanik MI6 dhe atij grek EYP.
Ish- prokurori zviceran shkruan në raport se të dhënat e këtyre shërbimeve japin “të paktën një bazë solide për të dëshmuar përfshirjen e ‘Grupit të Drenicës’ dhe të sponsorëve të këtij grupi në shpëlarje parash, kontrabandë me drogë dhe duhan, trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, dhe monopolizimin e sektorëve më të mëdhenj ekonomikë, duke përfshirë tregtinë me derivate dhe ndërtime”, shkruan Marty.
EULEX-i nuk ka mohuar mundësinë që të nisë hetimet edhe për akuzat e trafikimit më armë, narkotik e duhan, që Marty i shkruan në raportin e tij.
“Në përgjithësi, EULEX-i do të nisë një hetim vetëm nëse ka fakte dhe informata të mjaftueshme për të veçuar se aktivitete serioze kriminale janë zhvilluar. Ne do të bëjmë hetime për të gjitha krimet që ka bazë të mjaftueshme dhe vlerësojmë se EULEX-i është autoriteti kompetent për të hetuar”, ka thënë Limdal.
Senatori zviceran ka hezituar që të përballet edhe më një institucion tjetër të BE-së, para se raporti i tij të shqyrtohet nga Këshilli i Evropës.
Ai ka refuzuar që të përballet me deputetët në Komitetin e Politikës së Jashtme në Parlamentin Evropian lidhur me raportin e tij.
“Koha Ditore” ka mësuar nga burimet në Parlamentin Evropian se Dick Marty ka refuzuar kërkesën që të vijë më 17 apo 18 janar në këtë institucion të BE-së, duke u arsyetuar se “ka agjendën tepër të ngjeshur”. Në vend të kësaj është paralajmëruar që ai të flasë para Komitetit të Parlamentit Evropian në një seancë tjetër në muajin shkurt.
Disa burime të BE-së kanë thënë se prapa arsyetimeve të Martyt që të mos e pranojë ftesën për debat me parlamentarët evropianë këtë javë qëndron ndoshta edhe përllogaritja e tij që së pari, më 25 janar të zhvillohet debati në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që aty eventualisht ai të marrë mbështetjen për raportin e tij kontradiktor, ku bën akuza për trafikim organesh, e pastaj, kur vjen në Parlamentin Evropian të jetë në pozitë më të fortë me një raport të miratuar në Këshillin e Evropës.
Parlamenti Evropian është institucion i BE-së dhe nuk ka lidhje me Këshillin e Evropës që është më shumë një organizëm i përgjithshëm panevropian, që kryesisht merret me të drejtat e njeriut.
Së fundi, hetime rreth raportit të Martyt, i ka kërkuar më ngulm EULEX-it, ambasadori amerikan në Kosovë Christopher Dell. ”Mendoj se hetimet duhet të udhëhiqen nga EULEX-i; mendoj se EULEX-i është organizata e duhur për ta bërë këtë, sepse fundi i fundit ata e kanë mandatin për të hetuar krimet e luftës, sepse për këtë po flasim këtu. Janë këtu, kanë hetues, kanë profesionistë, ata janë njerëzit e duhur për të bërë hetimin dhe kanë mandat për ta bërë këtë”, ka thënë Dell .
.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...