Dëshmi tjetër e vetëdijes mbifetare etnike të Skënderbeut

Gjergj Kastrioti, jo vetëm i të krishterëve, edhe i myslimanëve

Gazmend SHPUZA


Skënderbeu, në kushtet e hapjes së Shqipërisë, i përditësuar si emblemë, si garanci e përfshirjes sonë në Evropë, përfaqëson një dukuri historike madhore të përmasave jo vetëm kombëtare, por dhe në shkallë evropiane dhe më gjerë. Ai ndihmon fuqishëm për krijimin e hapësirave të mëdha të komunikimit të bartësve të tij me botën moderne. Politizimi dhe ideologjizimi i kësaj figure madhore në të kaluarën dhe, jo më pak, sot nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë dhe në të ardhmen ta zhveshë atë nga tiparet e tij, sa reale po aq dhe universale.
Epoka e Skënderbeut përfaqëson një nga elementët kyç që përbën boshtin e vetidentifikimit kolektiv të shqiptarëve, që i kanë bërë ata të ndjehen një komb i vetëm. Fakti që kujtimi i Skënderbeut si hero kombëtar u ruajt prej më se pesë shekujsh në kujtesën kolektive të shqiptarëve, në shumicë mbizotëruese myslimanë, është tepër domethënës. Si të tillë, ata, përfshi dhe të krishterët, e zhveshën nga aureola fetare me të cilën u përpoqën dhe përpiqen ta paraqesin klerikët si ata të krishterë dhe ata myslimanë. Prandaj jeta dhe vepra e Skënderbeut ruan një rëndësi të madhe aktuale
Nëse në mendjet e shqiptarëve nuk do të kishte zënë vend përfytyrimi si hero kombëtar, i vënë në diskutim nga shumë anë, miti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut do të ishte krejtësisht jashtë funksionit të vet të pretenduar dhe teorikisht. Ai nuk do të kishte mbijetuar po të mos qëndronte mbi ndarjet fetare të bartësve të këtij miti pa dallim besimi.
Vlerësimin e Skënderbeut si hero kombëtar dhe jo si hero fetar në mënyrë lapidare dhe bindëse e ka dhënë një prift si Patër Gjergj Fishta. Me rastin e 450-vjetorit ai shkruante: “Kangët e poetëve e legjendat e rapsoditë e populllit e shfaqin Skënderbeun vetëm si një fatos feje; por para synit të historiakut e të vrojtarit të paanshëm Skëndebeu asht fatosi i lirisë dhe i pavarësisë së kombeve, tue qenë që dëshira e lirisë qe ajo që ma së pari e shtyni atë burrë të përmendun me rrokë armët për Shqipninë. Skënderbeu me atë trimni e rreptësi, me të cilën luftoi kundër turqve, që ishin myslimanë, luftoi edhe kundër venedikasve që ishin të krishtenë. Prandaj të gjithë shqiptarët e vërtetë, pa ndërlikim partie a besimi, do ta nderojnë Skënderbeun si një fatos të kombit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punën e tij. Skënderbeu asht ideali i lirisë e i pavarësisë së Shqipërisë.”
Karakterizimi fishtian u kundërvihet përpjekjeve që bëhen dhe sot e kësaj dite për ta minimizuar dhe reduktuar rëndësinë, madhështinë e figurës legjendare të Skënderbeut në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar. Trajtimi tërësisht në rrafsh fetar dhe, për rrjedhim, mohimi i karakterit kombëtar dhe humanist i luftrave të Skënderbeut nuk ka të bëjë vetëm me debatin shkencor. Nuk mund të përligjen përpjekjet që bëhen për ta parcelizuar fetarisht Skënderbeun me pretendimin se gjithë kjo do të lehtësonte integrimin e Shqipërisë në Europë. Të gjitha këto mendime që qarkullojnë sot tek ne, poshtë e përpjetë edhe në rrethe akademike, nuk bëjnë gjë tjetër veçse të dëshmojnë katërcipërisht, se platforma e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe qëndrimi jo vetëm atdhetar, por dhe shkencor i saj ndaj epokës së Skënderbeut mbeten aktuale dhe sot e kësaj dite. I rritur midis feve, u bë për rilindasit simbol i karkaterit mbifetar e afetar që duhej të kishte kultura shqiptare. “Patriotizmi fetar” që po shfaqet sot, nuk është gjë tjetër, veçse rikthim te një mendësi parakombëtare, e papërshtatshme e, madje e dëmshme për njësimin kombëtar të shqiptarëve. Ai kontraston haptazi me vlerësimet objektive të një pater Gjergj Fishte.
“Fetarizimi”, “krishterizimi”, “antiislamizimi” i luftës kundërosmane të popullit shqiptar në shek. XV nën udhëheqjen e Skënderbeut, përbën, pavarësisht nga përdorimi i fesë në të dy kampet ndërluftuese të kohës, një shtrembërim të së vërtetës historike. Për të vënë në pah këtë të vërtetë kemi dhe dëshmi të cilat në të kaluarën u amplifikuan për arsyet politike dhe ideologjike që dihen. Porse, gjithësesi, sot ato nuk mund të lihen më një anë.
Nga përvoja e gjatë e përpjekjeve për të siguruar ndihmat e domosdoshme nga shtetet italiane dhe sidomos nga Papati për luftën e përbashkët, heroi ynë kombëtar, duke qenë vetë i ritit ortodoks, që njihte për të parë feje Papën (sepse Patriku i Stambollit qe vënë në shërbim të sulltan Memetit të Dytë) dhe i rritur pranë oborrit të sulltanit, në një mjedis mysliman, (ai u kthye dhe në bektashi), kishte arritur, sipas dokumenteve të kohës, në disa përfundime që dëshmonin se ai nuk ishte një i krishterë dhe aq i devotshëm sa ta justifikonte titullin “atlet i Krishtit”.
Më 14 shkurt 1467, dokumenton studiuesi i përkushtuar i biografit të Skënderbeut, Marin Barlecit, historiani rumun Francisk Pall, çka kumtohet për herë të parë në shqip më 1967, Heroi i Krujës “i dëshpëruar” i deklaronte një kardinali, se “s’ka marrë nga Papa asnjë grosh”. Nga ana tjetër, Ambasadori i Milanos në Vatikan raportonte se Skënderbeu me përqeshje deklaronte se “tani e tutje ai donte të bënte luftë kundër kishës e jo kundër turkut”. Në përfundim të vizitës së tij te Papa, Skënderbeu do të deklaronte se “nuk besonte që mund të gjendej mizori më e madhe në botë sesa te këta priftërinj”. Pohime si ato, që u rreshtuan më sipër, sado që të merren me rezervë, dëshmojnë bindshëm që motivet fetare në luftën e Skënderbeut qenë në rrafsh të fundit. Edhe aq sa mund të vijnë në shprehje, ato qenë diktuar jo nga karakteri i luftës që ai udhëhoqi, por nga besmi që kishin armiqtë kryesor të vendit tonë dhe nga nevoja e sigurimit të aleatëve. Këta, pas rënies së Stambollit në duart e turqve nuk mund të kërkoheshin te krerët e Kishës Lindore e cila i qe nënshtruar sulltanëve.
Dëshmi tjetër e vetëdijes mbifetare etnike të Skënderbeut dhe të bashkëluftëtarëve të tij është dhe historicizmi të cilit i drejtohej ai, epirotizmi i tij. Skënderbeu, nga sa na dëshmon Papa Piu II në kujtimet e tij, dhe, siç dihet tashmë nga të gjithë, në një letër drejtuar princit të Tarantos, Jan Antonit, pranon me shumë krenari prejardhjen epirote të popullit të vet. Me këtë deklaratë ai, me sa dimë, është i pari që shpreh pa mëdyshje dhe përkatësinë e tij etnike, duke lënë më një anë etnonimin arbëresh. Asokohe ky emërtim kishte marrë karakter sektar sepse me të identifikoheshin vetëm arbëreshët katolikë. Skënderbeu dhe të tjerë më pas e patën të qartë se ky përcaktim si i tillë, tashmë përjashtonte prej tij jo vetëm arbëreshët ortodoksë por dhe arbëreshët që kishin nisur të islamizoheshin, prandaj duhej braktisur. Megjithëse fama që kishte fituar në ballë të luftës së popullit të vet për liri ishte shumë më e madhe se sa ajo që kishte fituar në radhët e ushtrisë së sulltanit, Gjergj Kastrioti e ruajti emrin e turqizuar Skënder. Ai ishte i vetëdijshëm për ndryshimet në pikëpamje fetare që kishin filluar dhe po thelloheshin në gjirin e popullit të tij. Prandaj, megjithë vlerësimin e lartë që i bënte Evropa e krishterë, duke e shpallur si “atlet të Krishtit”, ai nuk mendoi dhe as nuk mori mundimin deri sa vdiq ta kristianizonte apo ta evropianizonte emrin që kishte marrë në mesin e turqve e të nënshkruante Aleksandër. Neoarbëreshët nën shembullin e Skënderbeut, me vetpërcaktimin epirot u ngritën mbi konceptet fetare të përcaktimeve etnike të Mesjetës dhe përqafuan koncepte moderne mbifetare. Kjo ishte shprehje e një vetëdije të lartë etnike, e një ndërgjegjeje të spikatur historike. Ishte vetë realiteti pasarbëresh, me larminë e tij fetare, i cili kërkonte në kushtet e mbizotërimit të politikave teokratike një zgjidhje pozitive në përputhje me të. Kishat ortodokse dhe perandoritë ballkanike, duke vënë shenjën e barazimit midis besimit dhe kombësisë i konsideronin paraardhësit tanë turq, grek, latinë dhe sllavë. Në këto rrethana, të cilat i vunë neoarbëreshët përballë rrezikut që të humbisnin njësinë e tyre etnike, iu drejtuan trashëgimisë historike që nga kohët e lashta. Ajo ofronte mundësi zgjidhjeje të larmishme dhe zgjidhjen më të përshtatshme e bëri Skënderbeu.
Roli i traditës skënderbeiane në përballimin e politikave kishtare dhe shtetërore teokratike ballkanike për kapërcimin e një krize plotësisht të mundshme të identitetit etnik kombëtar nga paraardhësit tanë shprehet qartë dhe bindshëm në të gjithë këtë proces.
Paraardhësit tanë, që nga Skënderbeu dhe humanistët më pas, duke u ngritur mbi kritere teokratike i kapërcyen me sukses të plotë rrjedhimet që sillte mungesa e një kishe nacionale. Shqiptarët u bashkuan për rreth Skënderbeut pa dallim besimi, e përsërisim, në se ishin të krishterë latinë, të krishterë bizantinë, pravosllavë dhe unitë apo edhe të sapokthyer në islamë. Konsekuent në qëndrimet e veta Gjergj Kastrioti qe i gatshëm që për hir të interesave të atdheut të luftonte dhe luftoi kundër vëllezërve të një feje. Prandaj, për të gjitha sa u tha më sipër dhe përkundrejt epitetit “atlet i Krishtit”, të dhënë nga autoritetet më të larta të kishës katolike, për motive të caktuara, Princi i Epirit, Kryezoti i Shqipërisë është përjetësuar, si Hero Kombëtar në një popullsi me shumicë mbizotëruese myslimane dhe ndryshe nuk mund të ndodhte.
Përballë këtij realiteti historik madhor para kryesive të bashkësive fetare të shqiptarëve në shtetin amë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Diasporë del detyra që të reflektojnë thellë dhe të bëhen interpretë autentikë të ndërgjegjes kombëtare të besimtarëve që udhëheqin në lutjet e tyre përpara Zotit.
Më së parit, qëndrimi i deritanishëm i krerëve të bashkësive islame, i cili pranon, pa diskutim Gjergj Kastriotin si Hero Kombëtar është i pamjaftueshëm. Ai duhet të pajtohet plotësisht me ndjenjat e besimtarëve myslimanë ndaj Heroit të vet Kombëtar, çka vlen të shprehet qartë dhe hapur. Edhe përpjekjet për “privatizimin” e Skënderbeut, fetarisht, nga përfaqësues të bashkësive të krishtera, katolike dhe ortodokse, kudo që ndodhen, duke iu kundërvënë hapur karakterizimit të Patër Gjergjit, e vënë në pikëpyetje figurën e tij si hero kombëtar, e cënojnë rendë imazhin e vërtetë të tij si të tillë.
I pakuptueshëm në këtë drejtim mbetet, për mendimin tonë, qëndrimi i heshtur i komunitetit bektashian ndaj Skënderbeut. Ai është shumë larg mësimeve të shenjtorit të bektashizmit shqiptar, Naim Frashërit. Qerbelaja e Naimit nuk mund të kuptohet pa Historinë e tij të Skënderbeut.
Memoriali i ngritur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, pikërisht sepse qëndron mbi themelet e një kishe të kthyer në xhami dhe, nuk e teprojmë të themi, se qëndron edhe mbi themelet e një tempulli pagan pranë mureve të lashtë të Lisit të ilirëve, zotave të të cilëve u ka kënduar aq bukur Dom Ndre Mjeda, është dhe do të mbetet një faltore e shenjtë kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim besimi. Ai memorial mbetet faltore e fesë së shqiptarëve, shqiptarisë, të cilën e hyjnizoi dhe e hymnizoi Pashko Vasa në vitet e lavdishme të Lidhjes së Prizrenit. Ceremonitë fetare të kryera deri më tani te ky monument i atdhetarizmit të mbarë shqiptarëve kërkojnë ta privatizojnë tempullin e përbashkët të të gjithë shqiptarëve dhe të tëhuajsojnë prej tij shumicën e tyre. Veprime të këtij lloji për parcelizimin fetar të heroit kombëtar i shërbejnë përçarjes kombëtare të shqiptarëve.
Ceremonitë fetare, lutje, mesha, dua, mevlude dhe të tjera në nderim të heroit kombëtar të shqiptarëve, epirotit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, e kanë vendin e vet në të gjitha faltoret e shqiptarëve, në të gjitha tempujt fetar, në xhami, kisha e teqe, pa dallim, dhe pse jo dhe në të gjitha tempujt e kulturës.
Vendimi i ministrit të Kulturës të disa viteve më parë, zotit Teodor Laço për të ndaluar ceremoni të tilla separatiste në vendvarrimin e heroit të Krujës në Lezhë nuk kishte pse të anullohej. Ai mbetet një vendim plotësisht i drejtë, në radhë të pare, për të gjitha arsyet që u përpoqëm të parashtronim më sipër dhe jo sepse u bë nën trysninë e rivaliteteve midis krerëve të kishave për të kryer ceremonitë e tyre në të, për ta privatizuar këtë pronë të përbashkët të kombit shqiptar.
Krerët e bashkësive fetare shqiptare mund të vijnë të gjithë në këtë faltore të përbashkët përkrah njëri-tjetrit dhe të hyjnizojnë në gjuhën shqipe Atin e kombit shqiptar, shenjtin e shqiptarisë, jo vetëm të të krishterëve, por dhe të myslimanëve. Ata mund t’i drejtohen për këtë qëllim jo vetëm Naimit, jo vetëm pater Gjergjit, por të gjithë poetëve tanë rilindas dhe pasrilindas. Si thirrjet për ta konsideruar Skënderbeun thjesht si një “atlet të Krishtit”, si trajtesat “shkencore” të nivelit pasuniversitar për shkurorëzimin e vijës politike të “skënderbegasve” përballë vijës, të pretenduar, “nacionaliste” të “vasalistëve”, apo dhe kërkesat për destruktimin e mitit të tij, çojnë në një pikë. Ata, pa dashur e ndoshta më shumë me dashje, mëtojnë, në fund të fundit, ta privojnë popullin shqiptar nga heroi i vet kombëtar. Ne e kemi realisht një hero të tillë të përmasave evropiane, pa pasur nevojë ta mitologjizojmë atë, dhe nuk mund të lejohet t’i bihet mohit apo edhe të përbaltet me një mënyrë apo me një tjetër. Sulmet ndaj mitit të Skënderbeut për destruktimin e tij, me pretendimin për një të ashtuquajtur rishikim kritik të thelbit të tij nuk mund të shërbejnë tjetër veçse për mohimin e tij, për përçarjen e shqiptarëve. Skënderbeu mbetet mishërim i idealit patriotik, i idealit të unitetit kombëtar, i virtyteve të popullit të vet. Prandaj në vitin jubilar të lindjes së tij, siç na mëson dhe Fishta i madh, është në nderin e të gjithë “shqiptarëvet të vërtetë”, “pa ndërlikim partie a besimi” ta nderojnë Skënderbeun “si një fatos të kombit” si “ideali i lirisë e i pavarësisë së Shqipërisë.” Thirrja e Fishtës u drejtohet më së pari krerëve fetarë të të gjitha besimeve. Skënderbeu objektivisht, i shërben fuqimisht përfshirjes së popullit tonë në rrjedhat demokratizuese moderne evropiane, të cilave ai u përkiste tërësisht qysh në fillimet e tyre, që para afro 600 vjetëve, jo vetëm me luftën e tij por dhe me pikëpamjet moderne për kombin. Përvoja skënderbegiane na mëson që përfshirja, integrimi i shqiptarëve si komb në Europë nuk mund të arrihet mbi baza fetare.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)