Nga: Lorenc RABETA
Që nga fillimi i viteve ‘90 dëgjojmë të debatohet rregullisht mbi domosdoshmërinë e shkëputjes së plotë nga e shkuara komuniste e vendit tonë. E vërteta është se hapat në këtë drejtim janë hedhur aq keq, sa sot, kur i ashtuquajturi ligji i dosjeve është kthyer në debat dite, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar, kemi një klasë politike të përbërë nga kampe që akuzojnë njëri-tjetrin për lidhje të drejtpërdrejta me të shkuarën komuniste, për mungesë vullneti për t‘i gjetur vërtet zgjidhje këtij problemi dhe, siç dëgjojmë gjatë gjithë kohës, për shfrytëzimin e ligjit për të përfituar politikisht.
Në fakt është një klishe e përsëritur nga të gjitha ato shtete që dikur i përkisnin bllokut komunist, që gjatë këtyre viteve janë përpjekur të shkëputen nga e shkuara famëkeqe komuniste. Në të gjitha vendet lindore, në një pikë të caktuar u arrit në dilemën nëse ligjet përkatëse të lustrimeve kishin qëllim në vetvete shkëputjen nga e shkuara komuniste, apo përdoreshin nga politika për të goditur kampet kundërshtare, ose shtresa të ndryshme të shoqërive përkatëse në bazë të interesave të diktuara nga momenti.
Pikërisht ajo që po shohim të ndodhë sot me ligjin e dosjeve në Shqipëri. Është vetëm politika ajo që ka marrë përsipër dhe po dikton rrugën e mjetet ku duhet mbështetur procesi i lustrimit për purifikimin e shoqërisë shqiptare. Këtë e vëmë re jo vetëm se debati mbi dosjet është mirëfilli dhe tërësisht politik, por se edhe opinioni shqiptar tashmë po e konsideron dhe po e debaton vetëm si të tillë. Në mediat e shkruara, ashtu si në ato televizivet, problemi nuk trajtohet më as si plagë e shoqërisë nga e cila duhet shpëtuar me çdo kusht, as si nevojë organike e shoqërisë, as si një makth që na mundon edhe sot çdo ditë, por thjesht si një debat mbi të cilin politika shqiptare, për interesa të caktuara, nuk po arrin të gjejë gjuhën e përbashkët.
Flitet për ligjin e dosjeve dhe për shkëputjen nga e shkuara komuniste si diçka që ekziston vetëm në letra, si një prej atyre detyrimeve të vendosura nga faktori ndërkombëtar që duhen përmbushur me çdo kush nga politika shqiptare, por që jo gjithnjë përbëjnë çështje jetike për realitetin shqiptar – si të qe një prej atyre ligjeve të diktuara nga institucionet ndërkombëtare që më së shumti janë luks i shoqërive të avancuara perëndimore.
Dhe ç‘është më e keqja, po e perceptojmë edhe ne si të tillë, si diçka që ekziston veç në letër, që nuk na përket, ose, në rastin më të mirë, si diçka shumë e largët që nuk na ka ngjarë vetë ne, por të tjerëve, njerëzve me të cilët nuk kemi pasur kontakt të drejtpërdrejtë.
Edhe individë të prekur drejtpërdrejt prej komunizmit, në gazeta e ekrane televizionesh e trajtojnë si diçka të largët e që më së shumti duhet marrë në konsideratë nga pikëpamja e filozofisë së regjimeve. Para pak muajsh, një ish i burgosur politik, që sot është një prej zërave më të spikatur të opinionit publik shqiptar, fliste gjatë një emisioni televiziv për kohën kur qe bërë pre e mekanizmit shtypës të Enver Hoxhës, si për diçka të largët e të harruar e që tashmë u përket vetëm faqeve të historisë e analizave politike.
E thënë më thjesht, shkëputja nga e shkuara komuniste nuk po kërkohet nga opinioni shqiptar, madje as nga ato shtresa të prekura më shumë nga të tjerat prej regjimit diktatorial, por vetëm nga politika, prej së cilës do të qe e kotë të pritej të mos e instrumentalizonte. Mungojnë thuajse tërësisht thirrjet me zë të lartë kundër kobeve të diktaturës, për të mos folur pastaj për mungesën e asaj doze të domosdoshme paranoje ndaj gjithçkaje që ka të bëjë me komunizmin, që e kanë shfaqur vetëm kombet e mëdha sa herë ndjenin të afërt rrezikun e kuq.
Është fjala tek ajo lloj paranoje e krijuar prej opinionit amerikan, që do ta detyronte politikën të niste atë që sot njihet si gjuetia e shtrigave, e ushqyer nga “tmerri i kuq” që pushtoi shoqërinë amerikane. “Më mirë të vdekur, se të kuq”, thërrisnin amerikanët me shfaqjen reale të rrezikut komunist, pasi kjo murtajë qe përhapur në Evropën Lindore, Kinë e Kore. Në vitin 1947, Presidenti Truman nxori në skenë Programin e Besnikërisë së Punonjësit Federal, i cili ua ndalonte personave të konsideruar të rrezikshëm të punësoheshin në qeverinë federale. Kushdo që kërkonte të punësohej në administratën civile, duhej t‘u nënshtrohej hetimeve.
Në vitin 1950, senatori republikan, MekKarthi, i famshëm për atë që sot njihet si “gjuetia e shtrigave”, tha se kishte një listë me 205 anëtarë të Partisë Komuniste amerikane, të cilët punonin në departamentin e shtetit. Nuk paraqiti kurrë ndonjë provë të pakundërshtueshme, por tundi para kamerave një listë emrash. 9500 punonjës të administratës civile u pushuan dhe 15 mijë të tjerë u detyruan të dorëhiqen, mes të cilëve 6 qind mësues. Aktorë, regjisorë e skenaristë të famshëm, me bindje komuniste (shpesh mjaftonte vetëm dyshimi se qenë të tillë), nuk kishin më shans të ushtronin profesionin. Nuk u kursye as Çarli Çaplin, ylli i kinemasë, që u detyrua të linte Amerikën, për t‘u lejuar ta vizitonte përsëri vetëm pas disa dekadash.
Në të njëjtën kohë, Xhorxh Oruelli në Angli shkruante veprat antikomuniste “Ferma e Kafshëve” e “1984″, dhe godiste papushim në artikujt e vet nëmën staliniste. Njëherësh përpilonte edhe lista me ata elementë të elitës intelektuale britanike, të cilët i konsideronte si bartës të ideve komuniste, që përbënin veçanërisht rrezik për shoqërinë britanike. Edhe ai nuk do linte jashtë listës së zezë as Çaplinin.
Por këtë paranojë këto shoqëri të mëdha e shfaqnin edhe kur druheshin se komunizmi po rrezikonte të gjente hapësirë tek aleatët e tyre me demokraci më të brishta. Është shumë interesant reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në çastin kur Partisë Komuniste italiane të Enriko Berlinguer iu ndez drita jeshile për t‘u bërë pjesë e qeverisë – në një çast të caktuar lideri i demokracisë kristiane, Aldo Moro, e kishte parë të pamundur qeverisjen pa përfshirjen e komunistëve në kabinetin e ministrave. Një dokument i zbuluar vitin e shkuar në arkivat sekrete britanike, tregonte se si Londra e Uashingtoni përpara rrezikut të përfshirjes së Partisë Komuniste italiane në qeveri, kishin marrë parasysh edhe ndërhyrjen e armatosur në Itali, për ta ndaluar praninë e komunistëve në qeverinë e këtij shteti me rëndësi kyçe për NATO-n.
Në këtë klimë të re, kur edhe përvjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës e kujtuam thjesht si datë, kur ne jemi squllur dhe e kemi harruar nëmën komuniste, kur shkëputja prej së shkuarës diktatoriale nuk vjen si nevojë organike e shoqërisë shqiptare, por vetëm në formën e kërkesës nga faktori ndërkombëtar, është e kotë të presim që këtë plagë të na e shërojë politika, e cila në vite ka dhënë prova se nuk ka aspak vullnetin për ta zgjidhur, por veç ta përdorë si instrument për interesat e veta. Me të pranuar këtë, nuk duhet të çuditemi fare sikur pas dy apo tre vjetësh rreshtimet e ndryshme politike të nisin përsëri të kapen pas çështjes së dosjeve të motivuara ekskluzivisht nga përfitime të ngushta të diktuara prej nevojave të momentit.