Nga: Arben KASTRATI
Unë vij nga vendi që më shkakton dhimbje. Adresa ime e tanishme është: “Rruga e brengave”, pa numër, dhe çdo postier e di adresën time. Dhe çdo inkasant. (Dhe fuqizuesit e mospagesave).Vij nga vendi që ka mungesë të qartësisë. Nga vendi ku në trend është cinizmi. Ku në trend ishte mohimi i vetes e çdo gjëje vendore. Nga vendi ku kërkohet që t’mos ketë të kaluar…nga vendi me…
Njeriu i vendit e kohës sime, lëngon më shumë nga realiteti se sa dhimbjet e shkaktuara nga sëmundjet. Ndonjëherë, nevojitet ajo që të vetmen kemi – kohën, që t’na i shërojë plagët e shkaktuara nga koha, nga vetë jeta…Jam rritur e edukuar në një familje të veçantë, me prindër, motër e vëlla të shkëlqyeshëm. Kam lindur në Shkup, që ishte kryeqytet i Republikës së Maqedonisë. Jam rritur në Prishtinë, që ishte kryeqytet i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.
I tërë vendi përbëhej nga 6 republika e 2 krahina, që ishin të barabarta (në letër) në kuadër të Federatës që quhej Jugosllavi. Babi, mami, motra, vëllau e unë, quheshim jugosllav, edhe pse ishim shqiptarë. Jam rritur brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, duke kërkuar në vazhdimësi identitetin tim. Ishin tri faza që karakterizonin të jetuarit në ish-Jugosllavi. E ato ishin:
- mungesa e identitetit (të qenit shqiptar në ish-Jugosllavi)
- identiteti i gabuar (të qenit shqiptar në ish-Jugosllavi)
- ndërtimi i identitetit (të qenit shqiptar paslufte në…)
Në ’70-’80-at jetoja në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Adresa ime ishte: Rr. “Sava Kovacevic”, Nr. 5/A, 38.000, Prishtinë, Kosovë. Më quanin jugosllav. Edhe pse isha shqiptar, askush s’më quante të tillë. Në gjysmën e parë të ’90-ave, jetoja në Republikën Jugosllave. Adresa ime ishte: Ulica “Carica Milica”, Br. 5, 38.000, Pristina, Kosovo i Metohija. Më quanin jugosllav. Edhe pse isha shqiptar, askush s’më quante të tillë.
Në fillim të mileniumit, jetoja në Unionin Serbi-Mal i Zi. Adresa ime ishte: Ulica “Car Lazar”, Br. 40, 38.000, Pristina, Srbija. Më quanin jugosllav, edhe pse Jugosllavia s’ekzistonte. Edhe pse isha shqiptar, askush s’më quante të tillë.
Në vitet 2000-2007, jetoja në tri adresa të ndryshme:
- St. “Resolution”, Nr. 1244, New York, Pristina, Kosovo, Serbia, UNMIK
- Ulica “Car Lazar”, Br. 40, 38.000, Pristina, Kosovo i Metohija, Srbija
- Rr. “Adem Gashi”, Nr. 42, 10.000, Prishtinë, Kosovë
Edhe pse isha shqiptar, askush s’më quante të tillë.
Ende vazhdoj të jetoj në të njëjtën shtëpi, pa adresë, në vendin që quhet – Kosovo. Të gjithë më quajnë kosovar, e përsëri, askush s’më quan shqiptar.
Përsëri, nga unë kërkohet të ndërroj identitetin, të jetoj në adresë të re…
S’besoj të ketë ndërruar më shumë adresa e të ketë jetuar njeri (popull) në më shumë shtete pa luajtur nga vendi…
* * *
Unë jam shqiptar. Gjuha ime është gjuha shqipe. Atdheu im quhet Shqipëri. Jetoj në pjesën veriore të Shqipërisë, që quhet Kosovë. Në jetën time, në vazhdimësi kam pasur mungesë të identitetit kombëtar. Përsëri kam mungesë identiteti. Vazhdimisht kam kërkuar të quhem shqiptar e jam quajtur ndryshe. Unë vazhdoj të jem shqiptar, dhe si i tillë kam vetëm një atdhe – Shqipërinë. Kërkoj ndjesë nga realiteti, por, nuk pranoj të më quajnë ndryshe, përpos shqiptar. Askush nuk mund të më detyrojë të ndërroj identitet, të quhem ndryshe, të ndihem ndryshe e as të flas ndryshe. As të pranoj atdhe ndryshe.