2011-02-14

“Pionierët e Edit”





Shkruan:Edmond ARIZAJ


Jam i vetëdijshëm se shumë qytetarë shqiptarë nuk do të bashkohen me zëvendësimin e emrit Enver me emrin e Edit Por titulli u ngjiz vetëm për thirrjen që na drejtohej dikur para shkollës tetëvjeçare: “Pionierë të Enverit, në luftë për çështjen e partisë dhe të popullit të jeni gati”, dhe ne në kor përgjigjeshim: “Gjithmonë gati”.
Pionierët e dikurshëm të Enverit, me shallin e kuq, janë zëvendësuar nga pionierët e sotëm të Edit me veshje firmato dhe me gatishmërinë maksimale për t’iu përgjigjur thirrjes së kryetar-partisë në çdo moment.

Prej javësh mediat janë mbushur me emrat e të rinjve të “G99” që ndërmarrin sulme me qitje të largët e të afërt në emër të Partisë Socialiste. Paksa kundër Berishës, paksa kundër partisë tjetër opozitare, LSI, dhe shumë më tepër kundër drejtuesit të saj Ilir Metës. Eshtë e trishtë të shohësh të rinjtë e lëvizjes “G99” të përdorur në këtë lloj forme nga kryetari i lëvizjes së tyre me inspirimin e kryetarit të PS-së. Janë të rinj të bashkuar në kauzën e përmirësimit të jetës në Shqipëri, të arsimuar mirë dhe të dëshiruar për të dhënë kontributin e tyre. Por që herët, shumë herët, po pësojnë deviacione. Për më tepër, nga ato që nuk mund të rregullohen me kalimin e kohës. I kanë hyrë një lufte politike, pa u pozicionuar fillimisht se çfarë përfaqësojnë, çfarë mbrojnë dhe çfarë kërkojnë të arrijnë. Në rrëmujën e takimeve të drejtuesit të tyre, kuptohet vetëm dëshira për bashkimin qytetar për të ndryshuar të përditshmen e vendit.


Dhe kur qytetarët bashkohen, (protesta e fundit) merren me flamujt, me qafëtrashët, me thirrjet dhe me të tjera cingla. Sa për informacion: flamujt në një protestë janë e njëjta gjë si flamurtari në betejë, janë pika orientuese për të gjithë protestuesit, ose ndryshe bashkimi qytetar do t’i ngjante një dite vere, apo Një Maji, me përjashtimin e vetëm që lumi i njerëzve nuk përfundoi nga liqeni. Ata qafëtrashët që përmendin anëtarët e “G99”, kanë humbur pjesë nga trupi i tyre nga qeverisja e parë e Berishës, dhe nga vitet e para të opozitës së tij, në atë kohë kur pjesëtarët e “G99” ishin në moshën e pionierëve të dikurshëm dhe kujdeseshin për flokët para pasqyrës. Nuk u kanë shpjeguar ende besoj, se protestat e PS-së së dikurshme ngjallnin shpresë dhe vrinin frikën e qytetarëve, pikërisht me flamuj dhe me thirrje, e njerëzit nuk largoheshin nga tubimi kokulur, por me shpresë, pikërisht se u jepnin dhe merrnin shpresë drejtuesve të PS-së.
Shumë gjatë shkoi debati dhe polemika për protestën e opozitës. Por askund nuk u pa ndonjë reagim i socialistëve, me përjashtim të kreut të saj dhe ndokujt tjetër. Dhe jo pse nuk ka penë. Në PS ka shumë pena, madje të forta e të ashpra. Por nuk ka kauzë. Shumica e tyre e kanë provuar mbi kurriz se çdo të thotë “Berishë”. E dinë se sa e zorshme është të largohet Berisha. E dinë se ai nuk tërhiqet edhe kur vendi digjet flakë.


Dhe e dinë se ai mund të qëndrojë me çdo lloj forme në pushtet, kur përballë ka një parti opozitare që thotë të presim zgjedhjet, e për më tepër një kryetar PS-je që deklaron në televizion sikur lutet: “I themi Berishës mos bëj më dëme”. Nuk besoj se tërë ata burra e gra në PS kanë vetëm hallin e përzgjedhjes së emrit në listat e ardhshme. Ca pak të këtillë, nuk bëjnë shumicën. Por ndoshta u vjen turp për përzgjedhjen që kanë bërë, duke kujtuar të kaluarën e tyre. E pikërisht për këtë kanë zgjedhur heshtjen. Heshtje që prishet nga aksionet e “pionierëve” të kthyer në “letrarët e rinj”. Nuk është shumë e zorshme të kuptosh se të gjithë emrat me apo pa siglën “G99” poshtë, janë panciri mbrojtës i veprimeve dhe mosveprimeve të Ramës dhe mbështetjes pa pyetje të drejtuesit të “G99”. Duket se asnjë prej të rinjve nuk vepron me mendjen e tij. Sepse të paktën një mund të shprehej se Berisha duhet larguar qoftë edhe një ditë para fundit të mandatit të tij, sepse edhe 24 orë do të ishin shpëtim për Shqipërinë.


Por këtë s’e thotë askush, duke u përputhur çuditërisht me politikën e dy të sipërpërmendurve. Por përkundër kësaj, madje përkundër edhe deklaratave të Ramës për “mikun Ilir” “letrarët e rinj” të “G99”, sulmojnë fuqishëm një parti politike dhe një kryetar partie. Por askund nuk do të gjendet qoftë edhe një pëshpërimë për PS-në dhe Ramën.
Në një shkrim të para pak ditëve e krahasoja “G99” me Bashkimet Profesionale. Pranoj gabimin, sepse tek-tuk nga Bashkimet Profesionale ka pasur edhe zëra që dilnin kundër porosive të partisë. Kjo nuk ndodhte me “pionierët”, pikërisht se ishin pionierë, të pakufi në gëzimin e tyre për të mbajtur pankarta ku bëhej thirrje për vigjilencë dhe unitet.
“Gjithmonë gati”, është thirrja që sot i shkon shumë më përshtat anëtarëve të “G99”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...