2011-02-16

...GRINDAVECË POLITIKANËT SHQIPTARË

Kanë qenë gjithmonë grindavecë. Noli, Gurakuqi, Këlcyra, Frashëri, Zogu, Rustemi, përpos legjendës së burrave të mirë, ishin politikanë që grindeshin njësoj si pasardhësit e tyre dhe mendonin sesi t’ia hidhnin paq njëri-tjetrit. Qoftë edhe duke i marrë jetën...

Burgu i Burrelit. Tre të burgosur japin e marrin me njëri-tjetrin. Janë të veshur keq, shumë keq. Askush nuk u afrohet, ndërsa janë duke ‘larë hesape’ mes veti. Sejfi Vllamasi, ish-mik i Zogut; Kristaq Qirko dhe Koço Tasi; bisedojnë se pse u larguan nga Partia Popullore. Në kohën që flasin, nuk ka më as vlerë. Vetëm se, në Burrel flitet për të shkuarën ende. Të burgosurit politikë të diktaturës komuniste e respektojnë njëri-tjetrin nga ofiqet e dikurshme. Ish-parlamentarët, Qirko dhe Tasi, ia thonë troç se e bënë ngaqë e urrenin Zogun. Në fakt, në kohën kur ata janë larguar, Zogu kishte fare pak fuqi. Por, vetë Vllamasi, që flet dhe bën burrin e mirë, njësoj, pak vite më parë është në dijeni të atentatit, që do i bëjnë mikut të tij, Ahmet Zogut, në Vjenë. Çfarë miqsh?! Ishin të gjithë politikanë, njësoj si të sotmit.
Por, skakiera politike shqiptare e paraluftës është e mbushur me ngjarje të tilla. Ali Këlcyra, pas një propozimi elegant që bën në fillim të hapjes së sesioneve të parlamentit më vitin 1921, ku thotë se:”Të mos përdoret emri bej në parlament” merr qesëndisjen dhe talljen e kolegëve se ai i kritikonte bejlerët për arsye se këta në personin e Aliut s’konstatonin cilësitë e një udhëheqësi dhe as cilësitë e një burri shteti.
Ndërsa, vetë Fan Noli largimin nga Partia Popullore, e ka të motivuar ‘de facto’ se nuk shkon dot aspak me Sotir Pecin. Dy personazhe të mëdhenj të kulturës shqiptare, nuk të falin. Me një urrejtje që e kanë nisur që në SHBA më 1907, të dy, ata nuk mund të duronin njëri-tjetrin në një parti. “Ndikimi i asaj armiqësie e ndaloi Nolin dhe shokët e tij të zbresë në Durrës më 1920, dhe gjithashtu Nolin- të zgjidhej kryeministër mbas grushtit të shtetit”, do të shkruajë Vllamasi. Në fakt, lufta parlamentare në atë kohë, ka qenë shumë më e ashpër sesa në ditët tona, por edhe me shumë viktima. Opozita e asaj kohe, përfiton shumë nga Xhafer Ypi, që bën gabime pas gabimesh. Por, Partia Popullore ka edhe shumë probleme të tjera të mbartura. Bejlerët dhe parellinjtë nuk e durojnë aspak shoku-shokun. Një personazh interesant i kësaj kohe, Eshref Frashëri, bën intriga pas intrigash. Bashkëkohësit e tregojnë si njeri të vogël, ambicioz dhe egoist, hakmarrës dhe intrigant të kalibrit të madh, pa skrupuj dhe i pabesë. Të gjitha epitetet ia vënë shokët e tij që i citon Vllamasi. Konica shkon edhe më tej tek Dielli, kur shprehet për të: “Njeriu i turpit, i errësirës dhe natës”. Për Luigj Gurakuqin përflitet se për të marrë hakun e Kongresit të Lushnjes dhe për të mos forcuar pozitën e Partisë Popullore ka qenë kundër shoqërisë britanike, që kërkonte koncesion dhe, këtë e bënte interesin e madh që Italia ka patur për vajgurin tonë. Riza Dani e referon këtë, i cituar sërish në kujtimet e tre të burgosurve.
Në luftën elektorale të viteve ’20, vendi ndodhej i ndarë si vijon: Zogu me partinë e re, ku kishte mbledhur përveç, një pakice të vogël të elementit konstruktiv, të gjithë bejlerët e mëdhenj dhe të vegjël, minoritarët e jugut, veglat e Jugosllavisë, të gjithë elementin dallkauk e me moral të dyshimtë të vendit, një pjesë të ish Partisë Popullore. Anëtarët e ish krahut Kombëtar dhe të Partisë Popullore. Një ndarje tjetër, që përcillet me luftën në parlament është ajo e Luigj Gurakuqit, Mustafa Krujës, Lef Nosit, Ahmet Daklit dhe Hysen Mushqetës, që formojnë një grup që është kundër toskëve...Kruja në një moment ekzaltimi thotë se: gegët duhet të sundojmë mbi toskët, shkruan në kujtimet e tij Vllamasi. Ekzaltimi nuk e lë dhe vite më vonë, kur me uniformën fashiste është kryeministër i vendit. I premton Musolinit gjithçka. Mendjemadh do dështojë si shokët e tij. Shefqet bej Verlaci do ia plasi hapur italianëve se nuk pranon një qeveri, ku kryeministër do të jetë djali i një shërbëtori. Pas problemeve të mëdha, politikanët shqiptarë përgatisin formimin e një Bashkimi të Shenjtë, ndërsa politikanët nuk munden. Në komisionin prej tre vetash janë Bajram Curri, Qazim Koculi dhe Avni Rustemi. Parlamenti i jep kompetencë këtij komisioni për formimin e një qeverie, e cila do jetë e pranueshme nga dy palët. Por, nuk ia dalin. Fan Noli me dy deputetët e Korçës, Kristo Qirkën dhe Loni Kriston që të tre anëtarë të Vatrës, që nuk e njohin fare vendin, personat, rrymat i cilësojnë zhvillimet e vendit si një shovinizëm dhe sektarizëm...Më vonë, Fan Noli, do të shprehet:”Ne kemi vendosur të bëjmë një luftë denigrimi kundër qeverisë, për ta diskretituar atë përpara opinionit...”. Qëllimi është të eliminohet Zogu, që nga ditë në ditë grumbullon fuqi. Faik Konica lufton me Diellin dhe me “Shqiptarin e Amerikës”, që botohet në Korçë, nën drejtimin e Loni Kristos. Po ashtu, bën edhe “Ora e Maleve” që drejtohet nga kleri katolik në Shkodër. Kjo luftë e organizuar në parlament drejtohet nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau dhe nga Ali Këlcyra. Ky i fundit kthjellohet kur shikon se ku po e çon vendin papërgjegjshmëria e tyre:”Është për t’i rënë kambanës së alarmit mbi situatën tragjike të vendit...”. Askujt nuk i hyn në punë. Zogu nuk do t’ia dijë. E ka treguar veten që herët. Më 1920 në një konflikt që ngjau mbi ndërhyrjen e Aqif Pashës, si anëtar i Këshillit të Lartë në kompetencën e Ministrisë së Brendshme, Zogu sikur ka paralajmruar:” Aqif Pasha është 68 vjeç ndërsa unë 25 vjeç dhe dua të krijoj personalitetin tim, prandaj me gjëra të tilla nuk dua të komprometoj avenirin tim dhe bëj çmos për të evituar konfliktet e kota”. Dhe, vërtetë nuk bën kot konflikt?! I shpëton vrasësit, që ka përgatitur Avni Rustemi. Ia kthen reston pak më vonë. Duke i marrë jetën dhe për të respektuar dajën e tij, Esat Pashën, që Avniu e ka vrarë bash para Interkontinentalit në Paris. Askush nuk fal, por ndryshe nga koha jonë, në atë kohë, burrat kishin më shumë namuz. Edhe pse njësoj si sot, në këtë kohë edhe tallen me njëri-tjetrin. Stavro Vinjau e tall Zogun, kur i kujton se do të ishte mirë që ai të mbaronte një shkollë në Paris për të plotësuar formimin. Vetë, Vinjau, si Ministër i Drejtësisë, bashkë me barrën e shkollës do të zhgënjejë tepër me Fan Nolin. Lufta elektorale bëhet e fortë. Përfaqësuesit e bejlerëve kanë para në dorë, ndërsa përdorin dhe frikësime. Formimi i një kabineti është gjithmonë e më i vështirë. Në një rast kur i propozohet Mit’hat Frashërit, ai largohet dhe përgjigjet me shumë elegancë: “Nuk mund të turpëroj derën time”, u thotë ai negociatorëve. Në fakt nuk kishte sepse. Vetëm se do të organizojë vite më vonë Ballin Kombëtar dhe një ditë, kur lufta ka mbaruar, do të gjendet i vdekur në dhomën e hotelit të tij. Shumë vite më parë nuk është falur edhe Luigj Gurakuqi. Eshtë vrarë në Itali, por me fare pak lireta në xhep, të mjaftueshme thjesht për një çaj, që e kanë shpëtuar nga damka e spiunit të Italisë. Vllamasi do rronte më shumë. Do provonte burgun e Enver Hoxhës dhe pastaj internimin. Do punonte deri në muzgun e jetës së tij për të siguruar frymën. Konica do të zbutej me eprorin e tij, madje derisa sa të bënte dhe negociata që të drejtonte një qeveri në mërgim nën Zogun e shqiptarëve. Kurse Fan Noli armiku i mbretit do të kurohej me paratë e tij. Këto dhe të tjera...burrat mundoheshin të zgjidhnin në burgun e Burrelit atë natë...

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...