Ngjarjet e rënda që kanë ndodhur këto dy javët e fundit mund të përmblidhen në tre faktorë kryesorë:
a. Bllokimi i mekanizmave institucionalë të politikës dhe përkthimi i saj me lëvizje masash në rrugë;
b. Dhunë përgjatë demonstratës të thirrur nga opozita dhe konfrontimet me forcat e rendit duke sjellë humbje jetësh njerëzore, plagosje, dëmtime materiale etj.;
c. Konfrontime verbale dhe institucionale mes drejtuesve të sektorëve të ndryshëm të shtetit.
Për rrjedhojë, në opinionin publik ka një dëshpërim. Ai dallohet edhe në bisedat mes njerëzve, edhe në mjedise familjare, por edhe në shumë raste në shkrime në shtyp apo intervista në televizione. Padyshim që ka vend për trishtim, kur sheh që mekanizmi politik i shoqërisë shqiptare ka pësuar një ndrydhje të fortë, institucionet e shtetit i bëhen barrikada njeri tjetrit dhe përgjegjësit e tyre demonstrojnë tensione psikologjike para qytetarëve që i shohin ata në ekranet televizive dhe, megjithatë, tregojnë një qetësi dhe maturi të përkorë. Mirëpo, pas trishtimit, ka vend të bëhen analiza, dhe kur ato mbyllen me nota të rënda pesimiste, padrejtësisht, atëherë gjendja rëndohet edhe më tepër.
Ka njerëz që me sinqeritet janë të dëshpëruar si të gjithë ne ndërkohë që dëshirojmë një Shqipëri të fortë, me demokraci që zhvillohet, me stabilitet social dhe politik për të përballuar një botë që ka hyrë në një fazë shumë delikate dhe të rrezikshme. Nga kjo fazë do të dalin të fortë dhe të rinuar kombet e mençur që dinë të vendosen përballë fatit të tyre historik me vendosmëri, kurse kombet që do të hanë veten së brendshmi, do të shkojnë në bisht të radhës të qytetërimeve të dobëta.
Mërzia shprehet ndonjëherë edhe nga njerëz që kanë për detyrë të tregojnë qetësi dhe të kërkojnë rrugë për të dalë nga situata ku jemi futur. Nuk është puna thjesht te pesimizmi sepse nëse rruga do të ishte pa krye, pesimizmi përbën realizmin më të mirë. Por, problemi qëndron më duket se ka një pesimizëm që vjen edhe nga hutimi, nga paralele të paqëndrueshme në arsyetim dhe nga mosdallimi i qartë i dukurive politike, historike dhe shoqërore të sotme, ose edhe nga ndonjë mangësi në metodologjinë e përqasjes së dukurive sociale.
Përsëri janë artikuluar zëra se ne shqiptarët po tregojmë se nuk dimë të bëjmë shtet, se po i prishim “muret” e kështjellë përsëri si njëzet, dhjetë vjet apo njëqind vjet më parë. Mblidhen raste të ngjashme në historinë tonë, zhvishen gabimisht nga dallimet mes tyre, dhe kështu gjithçka shihet e thjeshtëzuar në dramat e dhunës që barazohen me njëra-tjetrën. Nuk shihen këto analiza të lidhura ngushtë me koniunkturat e veçanta të çdo etape.
E gjithë barra bie sipas një përqasje antropologjike mbi atë grup shoqëror që quhet “shqiptarët”. Unë do të mendoja ndryshe. Do të mendoja se edhe në krizën e vitet 1997, edhe tani, ndonëse atëherë rendi publik u shkatërrua dhe tani institucionet kanë një destabilizim të rëndë nga i cili uroj ta marrin veten sa më shpejt dhe fuqishëm, shoqëria shqiptare nuk u shpërbë. Edhe atëherë sikurse edhe tani lidhjet shoqërore mes shqiptarëve u treguan shumë të forta dhe nuk u shkërmoqën as nën furinë e inatit, as të armëve dhe as të gjuhës së hidhur të politikës apo bllokimeve institucionale. Mua më duke se shqiptarët, përkundrazi, edhe kur shteti i tyre ka rënë, edhe kur ka rrezikuar të bjerë duke u lëkundur papërgjegjshmërisht, kombi pra, ka ditur të afirmojë qetësinë e vet, stabilitetin e vet. Shteti mishërohet te institucionet, por ideja e shtetit që përbën në fakt kuintesencën e tij, nuk është thjesht dhe vetëm te materia e mureve, nuk është vetëm te personat që e përfaqësojnë shtetin, por, përmbi ta, mbi gjithçka, sikurse e ka argumentuar fort filozofia hegeliane, shteti është pikësëpari vetë ideja e shtetit që qëndron në përfytyrimet kolektive të të gjithë kombit. Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë përfshirë në çarje të rënda dhune transversale dhe kapilare sikurse ka ndodhur me shoqëri të tjera ballkanike jo rrallë. Jam i bindur se nëse nuk provokohet shumë kombi nga partitë politike, sepse edhe ai ka një pikë përtej së cilës e humb toruan, shoqëria do ta kalojë në mënyrë dinjitoze këtë destabilizim të madh, këtë traumë të madhe që ka pësuar në këto dy javët e fundit, shkaqet e së cilës duan muaj dhe vite për t’u analizuar.
Mbi të gjitha nuk ka dukuri përsëritjeje sikurse duan disa ta instalojnë pa dashje apo nga nihilizmi vesin e dhunës në historinë e re shqiptare. Ngjarja historike nuk mund të reduktohet te dhuna që ajo prodhon, sado e dhimbshme që kjo e fundit të jetë dhe sado të padëshirueshme të jenë pasojat e saj.
Është e vërtetë se kalimi nga shoqëria totalitare drejt një horizonti demokratizues te ne, në vitin 1990, ka qenë i kushtueshëm me tronditje sociale, humbje të kontrollit të shtetit mbi rendin, përplasje të rënda në sheshe e mitingje, mitingje dhe antimitingje. Nuk ishte ta zëmë si tranzicioni çek apo hungarez etj. Por, kjo nuk ka të bëjë fare me natyrën e shqiptarëve apo me kuintesencën e historisë të Shqipërisë. Ka të bëjë thjesht me mënyrën sesi ishin ndërtuar marrëdhëniet njerëzore dhe shtetërore në kohën para vitit 1990. E gjitha sa ndodhi nuk kishte të bënte me ndonjë prirje abstrakte dhune, por ishte një mekanizëm kalimi nga një shoqëri totalitare drejt një model shoqërie të kërkuar sipas parametrave të respektimit të të drejtave të njeriut, të tregut të lirë dhe të demokratizimit të pushtetit.
Në një farë mënyre kjo etapë është kapërcyer dhe ngjarjet e tanishme nuk kanë të bëjnë fare me ndonjë përsëritshmëri, pra s’ka vend të thuhet sikur shqiptarët përsëri po përsërisin gabimet e kaluara. Etapa e tanishme është krejt tjetër, është një sfidë e re që nuk ka qenë më parë.
Historia qenka për ne, por jo vetëm për ne shqiptarët, një lloj gare vrapimi si ato të kapërcimit me pengesa. Duhen kapërcyer pengesat njëra pas tjetrës. Ndofta përpjekjet për kapërcimin e çdonjërës janë të ngjashme, kurse vetë pengesa nuk është aspak e njëjta si më parë.
Ngjarjet e dhunshme të vitit 1997, atëherë kur populli vërtet kishte dëshirë të mbushte spontanisht sheshet, kishte të bënte në radhë të parë me falimentimin e rëndë të piramidave, pra të atyre shoqërive false bankare që rrëmbyen paranë e shqiptarëve duke i lënë këta me gisht në gojë pasi kishin shitur shtëpi e katandi. Ishte kriza e një modeli ekonomik dhe financiar i adaptuar si keqkuptim, si gabim, si spekulim, si grabitje, si të duam ta quajmë. U dëshmua nëpërmjet ngjarjeve të rënda se me modelin ekonomik të vendit nuk luhet. Askush nuk mund të luajë. As shteti as kundërshteti sepse pastaj të gjithë përfshihen në një humnerë që nuk e ndal dot askush. Përballja e manifestuesve me forcat e rendit, pastaj dalja e situatë nga kontrolli i politikës dhe fragmentimi i vendit në zona të kontrolluara nga pushtete jolegjitime, dhuna, vrasjet, grabitjet, terrori që shpërtheu nga grupe të veçanta, etj., kryheshin brenda një krize sociale, ekonomike, politike, por që në mendjen e popullit lidhej me dramën e rënies së shtyllave ku gabimisht ishte vendosur modeli financiar dhe ekonomik i vendit.
Asnjë lidhje me situatën e tanishme. Duket se në sistemin bankar, shqiptarët, nëse mund të flasim me këtë terminologji antropologjike, e papërdorshme në politologji dhe ekonomi, kanë vend mend. Të paktën kështu duket.
As ngjarjet e 1998 dhe dhuna që shpërtheu pas vrasjes të të ndjerit Azem Hajdari nuk kishin aspak të bënin me atë që ndodhi këto dy javët e fundit. Atëherë ndodhi një revoltë pas një ngjarje shumë të rëndë, kurse këto dy javë shkaku dhe origjina e ngjarjeve ishte krejt tjetër.
Kjo që po ndodh tani nuk besoj se ka pas përsëritshmëri në të kaluarën. Ndonëse humbje jetësh kanë prodhuar edhe më parë tensionet dhe konfliktet politike në historinë re dhe të vjetër shqiptare.
Këtë radhë kemi një vendosje në dyshim të legjitimitetit të zgjedhjeve të vitit 2008, edhe tani pas dy vjetëve e gjysmë. Bllokim të institucioneve që vendosin në marrëdhënie të caktuara normale shumicën parlamentare me opozitën, kalim i konfrontimeve politike nga institucionet në rrugë, si edhe një shpupurisje të marrëdhënieve midis institucioneve të shtetit. Kjo është një ngjarje e re që kërkon një analizë të re dhe nuk ka përse hyn në hullitë e përqasjeve që barazojnë të kaluarën me të sotmet, që mbështeten mbi substanca universale pakuptim dhe që pengojnë të shohësh se çfarë ka ndodhur sot, pa e barazuar këtë që ndodh sot me atë që ka ndodhur para dhjetë apo njëzet vjetësh.
Në vitin 1997 shteti u lëkund, pjesërisht edhe u rrëzua si veprim institucional, por nuk u fragmentua. Përse nuk u fragmentua, por qëndroi si një bllok që po rrëzohej tërësisht, duke na venë para rrezikut për të qenë ose me shtet ose pa shtet fare? Sepse e tillë që kushtetuta e asaj kohe dhe ashtu e kishte konceptuar ajo institucionin e shtetit: Të përqendruar te një njeri i vetëm. Ose binte ai dhe binte shteti, ose nuk binte ai dhe mbahej shteti. Kurse sot, kushtetuta luan në mënyrë të paqëndrueshme mes pushtetesh që nuk duket se kanë edhe një koherencë aq të dukshme midis tyre, përpos faktit se janë pushtete të ndara. Duket se askush nuk ka një “dorë të fortë” brenda kuadrit të sotëm institucional që të bashkërendojë gardën dhe policinë, policinë dhe prokurorinë, presidentin dhe qeverinë, presidentin dhe kuvendin. Kështu është ndërtuar kushtetuta që kemi sot. Nga njëra anë më mirë që është kështu sepse ka më shumë hapësira lirie dhe më pak mundësi uzurpimi të shtetit. Por, nga ana tjetër, më duket se është marrë shumë naivisht kuptimi i ndarjes së pushteteve dhe nuk është parë edhe aq fort se këto pushtete, duke qenë të ndarë, diku edhe duhet të ndërtojnë një kulm të përbashkët, përndryshe republika bie. Më kujtohet Tomas Hobsi i cili duke tërhequr vëmendjen te dialektika midis ndarjes dhe unitetit të pushteteve, theksonte se ndarja e pushteteve duhet të shoqërohet edhe me bashkëveprimin dhe unitetin e tyre, sepse përndryshe një republikë e ndarë më dysh a më tresh nuk mund ta ketë jetën e gjatë.
Ja përse ne nuk po përsërisim as gabimet që u bënë në 1990, kur ndonjë “trim i vonët” na kujton se duhet të ishte derdhur gjak që atëherë duke e drejtuar turmën drejt akteve të përgjakshme. Kërkon edhe më shumë gjak...
Nuk po përsërisim as gabimet e 1997 dhe 1998, sepse kishte rrethana krejt të tjera në atë kohë krahasuar me sot.
Ne po bëjmë gabime të reja.
Gabime patjetër, por të reja.
Aktualisht klasa politike nuk po arrin sipas mendimit tim të gjejë koherencën mes pushteteve politike të ndara. Kuptoi se në 1997 një republikë presidenciale e përqendruar ishte në kundërshtim me ndarjen e pushteteve, pra me modelin e shtetit të së drejtës. Kurse aktualisht, pasi kuptoi gabimin e parë, po përballet me limitet e modelit të ri politik të vendit. Kuadri i sotëm kushtetues ka nevojë për riformatim dhe reformim të thellë, çka kam insistuar që prej dhjetë vitesh. Institucionet shtetërore ndërsa realizojnë ndarjen e pushteteve, nuk arrijnë të bashkërendojnë institucionalisht për të krijuar unitetin e shtetit. Aq e dhimbshme është kjo sa në ditët e rënda kur qytetari e ka dashur shtetin të funksionojë si një mekanizëm që vepron në mënyrë unike për ta mbrojtur e ruajtur atë dhe jetën e tij, ka parë një spektakël televiziv me përplasjen e institucioneve shtetërore me njeri tjetrin.
Unë s’të njoh ty, ti nuk më njeh mua, ne të dy nuk njohim atë tjetrin.
Deri tani kemi pasur një unitet të pushteteve të shtetit të siguruar iluzivisht prej faktorëve përtej institucionalë. Shumë institucione të shtetit i kanë mbajtur të lidhura dhe në koherencë mes tyre partitë politike që kanë qenë historikisht në fuqi. E njejta parti mbizotëronte ta zëmë edhe pushtetin ligjvënës edhe ekzekutiv, edhe prokurorinë, etj. Ose, është krijuar një “çimento” tjetër për ta ngjizur shtetin sikurse janë marrëveshjet politike disavjeçare apo disamujore midis partive politike kundërshtare. Ndarje e tortës së pushtetit me mirëkuptim. Ndërkohë që kjo marrëveshje ka së paku dy vjet që nuk po funksion si duhet, edhe shteti po zhgërryhet në një ciflosje të unitetit të vet dhe në një ndarje të tij në disa “koka”.
Pushtetet e ndryshme, secili më vete, po kthehet në një shtet më vete. Duket sikur jetojmë në një territor që administrohet nga shtete të ndryshme. E gjitha kjo na shfaqet në televizor si një spektakël i përnatshëm. Mangët kishim edhe rivalitetin mes krahut të armatosur të pushtetit bashkiak, policive bashkiake, dhe krahut të armatosur të shtetit qendror, policisë së shtetit.
Jemi para një problemi të ri, atij t’i japim zgjidhje. Është një problem që nuk e kemi njohur përpara në historinë tonë politike. Nuk ka të bëjë as me Fan Nolin, as me Skënderbeun, as me Mbretëreshën Teutë. Është e thënë që të mësojmë nëpërmjet dramash. Zaten të gjithë popujt kështu kanë mësuar. Por, nuk është faji i shqiptarëve, por një ves në organizimin e shtetit dhe të pushteteve, qendrore, lokale, ekzekutive, gjyqësore, ligjvënëse etj. I gjithë kuadri juridik është bërë shpejt e shpejt, si nëpër këmbë, si në kohë lufte aty nga 1997 dhe 1998, prandaj ligjet lënë pllaja krejt bosh mes tyre, lenë vend për keqinterpretime, ku secili pushtet, në emër të pavarësisë së vet, në fakt po ndërtohet si shtet më vete. Jemi si një kala me shumë bedena, por pa ura kalimi mes tyre.
Nuk ka të bëjë me natyrën antropologjike të shqiptarëve sikurse janë mërzitur disa. Çfarë faji ka Qenan K. që nuk ka votuar ndonjëherë, ndofta si pesëdhjetë për qind e bashkëpatriotëve të tij, për krizën institucionale në marrëdhëniet e shprishura përkohësisht mes institucioneve kryesore të shtetit shqiptar? Është struktura brenda së cilës këta pushtete veprojnë që e bën politikën të mos gjejë zgjidhje. Është një mekanizëm shtetëror që funksionon veçse nën kontrollin e partive politike ose si rezultat i marrëveshjes së tyre. Po u çekuilibruan këto dy mekanizma pushtetet tona nuk e gjejnë dot se ku të kulmojnë.
Është një hall i ri që na ka zënë. Nuk ka lidhje me të shkuarën. Nuk po përsëriten gabimet e vjetra, po mësojmë nga një gabim i ri. Nuk është se nuk dimë të ndërtojmë shtet, por se po mësojmë të ndërtojmë shtet në mënyra të dhunshme.
Sa më shpejt që klasa politike ta zgjidhë këtë hallë që na ka zënë, aq më mirë do të jetë për ne, por... edhe për të.
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...