Piktori Muslim Mulliqi ekspozoi në Kosovë, në hapsirat e Jugosllavisë, në Romë, e Tiranë. Punoi profesor i pikturës në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës. Ishte zavendës-kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Galeria e Arteve të Kosovës mban ekspozitë të pëvjetëshme me emrin e tij.
Muslim Mulliqi (1934 - 13 janar 1998) është piktor impresionist dhe ekspresionit i Kosovës. U lind në një familje artistësh në Gjakovë. Ndoqi Akademinë e Artit Figurativ në Beograd dhe pastaj studimet postdiplomike po aty. Vdiq më 13.01.1998.
Mulliqi ekspozoi në Kosovë, në hapsirat e Jugosllavisë, në Romë, e Tiranë. Punoi profesor i pikturës në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës. Ishte zavendës-kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Galeria e Arteve të Kosovës mban ekspozitë të pëvjetëshme me emrin e tij.
Për gati dy dekada, 33 veprat e piktorit Muslim Mulliqi vetëm dy herë janë vënë në murin e Galerisë së Arteve në Tiranë. Gjatë gjithë kohës tjetër, ato kanë qëndruar në bodrumin e saj. Moskthimi i tyre në fondin e familjes nuk ka ndonjë arsye të qartë. Fillimisht kishte mbetur si pasojë e gjendjes së luftës në Kosovë e më vonë i mungesës së komunikimit institucional midis Kosovës e Shqipërisë.
Visar Mulliqi, i biri i piktorit të njohur kosovar thotë se ka vite që kot provon të kthejë në vendlindje veprat e piktorit me nam. Shpresa e fundit për ta bërë këtë i ka mbetur te kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Ministria e Kulturës thotë se është e gatshme të ofrojë ndihmë, por tash 18 vjet nuk e ka listën e 33 veprave. Galeria Kombëtare e Arteve thotë se asnjëherë nuk ka marrë kërkesë zyrtare nga institucionet kosovare. Për kreun e Galerisë së Arteve të Kosovës kjo zvarritje e kthimit të veprave është absurde dhe pasojë e mungesës së komunikimit midis institucioneve kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë.
Familja Mulliqi kërkon ndihmën e kryeministrit Berisha
Sipas Visar Mulliqit, djalit të piktorit me nam, problemi nuk është si kthehen veprat, por për mënyrën se si të zhvillohet ky proces.
“Ne dëshirojmë që veprat të kthehen në mënyrë institucionale”, ka thënë Mulliqi, sipas të cilit ai ka shkuar shpeshherë për të bërë një gjë të tillë vetë ai.
“Kam shkuar te Galeria në Shqipëri dhe më kanë thënë se duhet të bëj kërkesë përmes Ministrisë së Kulturës në Kosovë dhe më pas t’i drejtohemi ambasadës në Tiranë. Ka qenë e lodhshme dhe e pakuptueshme, por e kemi bërë”, ka thënë Mulliqi. Sipas tij, ish- ministri i atëhershëm në MKRS-së, Valton Beqiri, i kishte dërguar letër Galerisë ku jepej garancia për veprat e Mulliqit. Këtë e ka pohuar edhe vetë Beqiri, i cili tashmë nuk ka ndonjë informacion se çfarë është duke ndodhur.
“I kemi dërguar një letër Galerisë në Tiranë dhe i kemi dhënë garancitë tona për veprat dhe kthimin e tyre. Ne kemi ofruar edhe heqjen e shpenzimeve për dogana edhe për bartje, por nuk e di çfarë ka ndodhur tutje”, ka thënë Beqiri.
Kësisoj, Visar Mulliqi thotë t’i ketë mbetur vetëm një shpresë që ky kthim të ndodhë në mënyrë institucionale.
“Unë veç me Sali Berishën duhet të flas për të kryer punë. Përndryshe nuk jam duke parë ndonjë rrugëdalje”, ka thënë Mulliqi. Ai shpreson se më së largu në tre muajt e fundit të këtij viti, veprat e babait të tij do të kthehen në Prishtinë.
“Duhet gjithsesi të kthehen deri në fund të këtij viti. Po shpresoj që në verë t’i kthejmë meqenëse atëherë planifikohet edhe restaurimi i ateliesë së babait që do të shndërrohet në galeri - muze”, ka thënë Mulliqi.
Për drejtorin Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, kthimi i veprave nuk është ndonjë problem i madh. Por, sipas tij, duhen plotësuar disa kushte.
“Ato vepra nuk janë të galerisë sonë. E di që ka ardhur i biri për të kërkuar kthimin e tyre, mirëpo duhet përmbushur disa kushte”, ka thënë Shima. Sipas tij, veprat janë të ruajtura mirë, mirëpo për të dalë nga Galeria të cilën ai e drejton duhet plotësimi i dokumentacionit.
“Problemi është teknik. Ato vepra që të dalin nga Shqipëria duhet të kenë një dokumentacion shoqërues që ato vepra i takojnë filanit, që janë pjesë e koleksionit familjar. Këto duhet të bëhen nga autoritetet në Kosovë”, ka thënë Shima.
“Të gjitha këto probleme duhet t’i zgjidhë familja, sepse ato nuk janë veprat tona që më detyrojnë mua të merrem me dokumentacionin. Ne thjesht kemi shprehur gatishmërinë që ato të jenë të sigurta dhe kaq”, ka shtuar ai.
Shima mohon të ketë marrë ndonjë dokumentacion nga ana e familjes ose nga institucionet në Kosovë, ani pse i biri i piktorit Mulliqi thotë t’i ketë të gjitha të kompletuara.
“Nuk i kam ato dokumente. Por ai mund të vijë t’i marrë që nesër po të dojë. Nëse kjo punë është aq shume për ngut. Kanë pasur mjaft kohë për ta bërë këtë”, ka thënë Shima.
As drejtori i Departamentit të Kulturës, Sami Piraj, nuk e sheh si një problem të madh kthimin e veprave të Mulliqit në Prishtinë, ani pse një gjë e tillë nuk është bërë tash gati dy dekada.
“Është çështje teknike dhe nuk e besoj se do të ketë probleme financiare”, ka thënë Piraj.
Sipas tij MKRS është e gatshme që t’i ofrojë ndihmë logjistike dhe financiare për t’i kthyer veprat.
“Mirëpo familja duhet të bëjë një listë të tyren së bashku me një kërkesë tek MKRS-ja për t’i ditur se cilat janë ato vepra dhe ne do ta nisim këtë procedurë përmes Galerisë së Arteve në Prishtinë”, ka thënë Piraj. Ai thotë se para së gjithash duhet të krijohet ambienti se ku do të ruhen ato.
“Galeria - muze e Mulliqit në verë do të përfundojë dhe deri atëherë ne nuk e shohim të arsyeshme që veprat të dëmtohen kur të kthehen”, ka shtuar ai.
Drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, thotë të mos e kuptojë se përse veprat nuk janë kthyer tek familja Mulliqi.
“Çështjen e veprave të Mulliqit të mbetura në Galerinë Kombëtare të Tiranës, e kam diskutuar edhe me disa njerëz që punojnë në këtë galeri. E di që i biri Visari ka folur me autoritetet në Tiranë dhe përgjigjja ka qenë pak konfuze”, ka thënë Spahija.
Sipas tij, udhëzimet që i biri i Mulliqit t‘i drejtohet ambasadorit të Kosovës në Tiranë e pastaj ai t’u drejtohet autoriteteve të Tiranës zyrtare është një zvarritje pa arsye.
“Galeria e Tiranës ka mundur t’i drejtohet Ministrisë së Kulturës në Tiranë dhe ajo me një procedurë të përshpejtuar t’i kthente veprat”, ka theksuar Spahija, sipas të cilit Galeria të cilin ai e drejton është e gatshme t’i mbajë veprat në fondin e saj derisa të hapet galeria - muze e Muslim Mulliqit.
“Mendoj se Tirana ka mundur t’i kthejë veprat qysh para 12 vjetëve, por kjo tregon për mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore në Shqipëri dhe Kosovë”, ka thënë Spahija.
Tridhjetë e tri veprat e piktorit Muslim Mulliqit ishin dërguar në Tiranë, në vitin 1993, në kohën e Qeverisë Bukoshi, në kuadër të manifestimit "Java e kulturës Kosovës". Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë qe hapur ekspozita personale e Muslim Mulliqit. Ai në shenjë respekti, kishte dhuruar një vepër për Galerinë Kombëtare të Arteve dhe një për Sali Berishën.
Në bazë të një vërtetimi të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, të lëshuar më 2 tetor 2008, me numër protokolli 481, konfirmohet se në Galerinë Kombëtare të Artit në Tiranë vazhdojnë të ruhen 33 vepra të piktorit kosovar Muslim Mulliqi.
Përgatiti:Flori Bruqi