2011-02-14

Jup Kazazi,ikona që mbajti gjallë antikomunizmin shkodran





Nga:Skender SHKUPI


Rreth 10 vjet më parë, rasti e solli të pija kafe me një biznesmen shqiptar, nga më të njohurit e asaj periudhe dhe po aq, ose ndofta më shumë në ditët e sotme. Me të drejtë zotëria në fjalë u shpreh: “Nuk e kuptoj përse politikanët shqiptarë injorojnë shtresën tonë të kapitalistëve të rinj në menaxhimin e problemeve kardinale të vendit.
Ore, ata duhet ta mësojnë një herë e mirë se jemi ne të pasurit, ata të cilëve u dhimbset më shumë ky vend, sepse po na erdhi armiku në vatër jemi ne që humbasim më shumë.

‏ Të tjerët, ata që kanë shumë pak ose nuk kanë asgjë, ikin dhe as që e kthejnë kokën prapa. Prandaj na takon neve të kemi më shumë akses në politikën e këtij vendi”.
Është e tepërt të them se mu dukën me vend fjalët e tij, ndonëse pa dashje mu kujtua se bashkëbiseduesi im, në kohët e diktaturës, pat qenë në role drejtuese të një regjimi, që kishte si lajtmotiv sentencën “historinë e bën opinga”. Për gati gjysmë shekulli të pasurit e të shkolluarit e Shqipërisë u shpallën si e keqja më e madhe e këtij vendi, si rrjedhojë ne gëzuam atë “lumturi” të papërshkrueshme, që një shkodran hokatar e pat sintetizuar me dialogun ndërmjet dy bashkëqytetarë ve të tij:


“Si thua ti, a ka Zot?”


“Ka mor mik, si nuk paska!”


“Po unë nuk e shoh kund.”


“Kjo nuk do me thanë gja, a ka pasë Shkodra mirëqenie në kohën e Partisë së Punës?


Sigurisht që ka pasë, veçse ajo nuk dukej. Po për të pasë ka pasë ama”.


Djali i Hamz Kazazit


Nga mesi i shekullit XIX, Pietro Marubi, një italian i pasionuar pas artit të ri të fotografimit të sapozbuluar nga Lui Dagerrë në Francë, erdhi në Shkodër dhe u vendos përfundimisht në atë qytet që aso kohe ende ishte ndërmjet më të mëdhenjve të gadishullit të Ballkanit. Ai fiksoi më 1858, pra 150 vjet më parë, të parën fotografi historike në Shqipëri. Ishte portreti, në këmbë, i një burri hijerëndë e madhështor, me kostumin karakteristik kombëtar të Shkodrës, që mbante në dorën e majtë një bastun të ngjashëm me një “skeptër”.


Ai ishte Hamz Kazazi, një nga drejtuesit myslimanë të qytetit, i njohur për pasurinë, fisnikërinë dhe oborrësinë e tij, aq të spikatur te qytetarët e vjetër shkodranë. Hamz Kazazi kishte qenë drejtues i kryengritjes së madhe antiosmane të Shqipërisë së Veriut të vitit 1835. I brumosur me një dashuri të pakufishme për vendin e tij ai u la trashëgimtarëve, më shumë se çdo pasuri tjetër, ndjenjën e ngrohtë të atdhedashurisë dhe të gatishmërisë për të mos kursyer as jetën për Atdheun dhe Kombin e tyre.
Nga një vatër e tillë do të lindnin edhe burra të tjerë fisnikë e trima, që do të ecnin në vazhdën e traditës së familjes së tyre. I tillë ishte edhe Jup Kazazi, intelektual cilësor, nacionalist i vendosur dhe luftëtar i shquar për liri e demokraci.


Arsimimi në Beograd e Torino


Lindi në Shkodër, më 1909. Që në moshën më të re shquhet për veprimtarinë e tij atdhetare ndërmjet studentëve të gjimnazit të Shkodrës. Ai gjendet më 1926 në krye të demonstratës popullore kundër të ashtuquajturë s Banka Kombëtare e Shqipërisë, që në të vërtetë kontrollohej në masën 75 % nga kapitali italian. Studentët arritën të ulin me forcë flamurin italian nga shtiza e vendosur përballë Bankës. Në vijim Jup Kazazin e shohim student në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Beogradit. Atje del hapur kundër politikës shkombëtarizuese të shovinistëve serbë në Kosovë dhe vijës së theksuar antishqiptare të Mbretërisë jugosllave ndaj Shqipërisë. Reagimi serb është i menjëhershëm. Ai dëbohet nga Jugosllavia për të vijuar Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Torinos, qytet që së bashku me Milanon fqinje, përbënin pararojën ekonomike, shkencore e teknologjike të Italisë moderne.


Në përfundimet me nota të larta të Jup Kazazit në Torino ndikoi shumë edhe simpatia që ai kishte për pedagogun e tij të shquar të atij universiteti, ekonomistin Einaudi, i cili ishte ithtar i ekonomisë liberale të Perëndimit demokrat dhe antifashist i bindur. I takon kësaj periudhe një përkthim nga serbishtja nga Jup Kazazi të librit të Tuçeviçit, një social-demokrati serb, me titull “Serbët dhe shqiptarët”. Në atë vëllim Tuçeviçi kritikonte ashpër politikën e Beogradit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për fat të keq, përkthimi mbeti vetëm dorëshkrim e nuk u botua në Shqipëri për një arsye naive: autori i përkiste një partie të majtë serbe dhe pavarësisht nga gjykimet e tij objektive për shqiptarët, nuk mund të merrej në konsideratë!! ??…
Jup Kazazi kthehet në Shqipëri si një ekonomist i përgatitur profesionalisht dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja: serbokroatisht, italisht, frëngjisht e anglisht. Atë e zgjedhin kryetar të klubit “Djelmënia” në Shkodër.


Tashmë kemi të bëjmë me një personalitet të ri në moshë, por me një potencial të fuqishëm profesionalo- politik, që nuk mund të mos çmohej e vlerësohej në shkallë kombëtare. Përkatësia familjare e traditës së vjetër atdhetare shkodrane dhe niveli i lartë i formimit të tij intelektual, e radhitën natyrshëm Jup Kazazin në krahun e nacionalizmit shqiptar të kohës, pra në organizatën e Ballit Kombëtar, duke përqafuar platformën e “Dekalogut” të famshëm. Këtu është me vend të merremi me një detaj të rëndësishëm të veprimtarisë politike të Ballit Kombëtar në përgjithësi dhe të jetës së Jup Kazazit në veçanti.


Drejtuesit e organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar ishin patriotë të shquar dhe me një reputacion të panjollë e ndikim të madh në shtresat më të ndryshme të popullit në Shqipëri. Atdhedashuria e tyre nuk vihej aspak në dyshim. Fashistët kishin organizuar në atë kohë një administratë shqiptare, që ishte në shërbim të tyre. Për demagogji ata e paraqisnin Shqipërinë si një vend që vullnetarisht kishte hyrë në suazën e Perandorisë së re të Romës por që, në këtë kornizë, ishte e lirë dhe tepër e lumtur nga sundimi fashist. Në të tilla kushte, duke shfrytëzuar ato hapësira të ngushta që lejonte demagogjia italiane në Shqipëri, patriotët menduan se disa elementë atdhetarë të përgatitur, mund të vendoseshin në dikasteret e kontrolluara nga pushtuesit, për të lehtësuar apo sabotuar deri në njëfarë shkalle, sadopak të mundshme, barrën e rëndë të shtypjes dhe përpjekjet për italianizimin e Shqipërisë, që përbënte një projekt konstant afatgjatë e tepër të rrezikshëm për të ardhmen e shqiptarëve.


Kështu, me sugjerimin e Mit’hat Frashërit, Jup Kazazi zë vend në qeveri më 1942. Balta e hedhur nga historiografia komuniste ndaj atyre që vunë në rrezik emrin dhe reputacionin e tyre për një interes shumë më të lartë është sa dashakeqe, aq edhe e paargumentuar historikisht.
Dhe ja përse.


Të marrim një personalitet tjetër që është sulmuar po aq egër sa edhe Jup Kazazi për të ashtuquajturin “bashkëpunim me fashizmin”, ministrin e Arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqin. Ai ka qenë nismëtari i hapjes së qindra shkollave shqipe në Kosovën, që sapo i kishte shpëtuar zgjedhës serbe. Ajo periudhë e shkurtër trevjeçare, prill 1941-nëntor 1944, ka qenë koha kur fara e bekuar e shqiptarizmës moderne u mboll në ato treva për të dhënë frytet e saj më 1981, më 1990 dhe më 1999 me çlirimin përfundimtar e historik të Kosovës nga pushtimi 87-vjeçar serb. A mund ta bënte atë punë Ernest Koliqi po të mos ishte ministër i Arsimit i Shqipërisë së pushtuar? Çdo lexues i paindoktrinuar e ka të qartë përgjigjen.

Me frymën e një atdhetari


Ishin Hasan Dosti dhe Jup Kazazi, që më 1942 i dërguan peticion qeverisë fashiste të Romës për autonominë e Shqipërisë, për të drejtën e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar dhe lirimin e të burgosurve politikë. Përgjigjja negative e qeverisë italiane dhe dënimi me pushkatim i të rinjve komunistë Hamit Mëzezi dhe Nikolla Tupe u dhanë rastin e bukur Hasan Dostit dhe Jup Kazazit që, në mënyrë demonstrative, të japin dorëheqjen. Një ecuri e tillë e ngjarjeve politike kishte një efekt shumë më të madh në popull, sesa tërheqja mënjanë e këtyre personaliteteve dhe kufizimi vetëm në ngjitjen e ca trakteve rrugëve të qyteteve tona apo të ndonjë atentati ndaj hierarkëve fashistë të dorës së tretë. Jemi ende në vitin 1942, kur luftime të çetave partizane apo nacionaliste ishin sporadike dhe të paorganizuara.
Jup Kazazi e priti me entuziazëm rezolutën e Mbledhjes së Mukjes për bashkimin e shqiptarëve në luftën antifashiste.


Si veprimtar tejet i rrezikshëm dhe kërcënues për pushtuesit italianë ai kërkohej me ngulm prej tyre. Ishte koha kur Jup Kazazi qëndronte në ilegalitet, pasi përndiqej nga fashistët. Ishte koha kur Ministria e Brendshme e Tiranës, me anën e një telegrami të datës 4 gusht 1943, e akuzonte atë për “përgatitje për kryengritje qysh para shumë kohe”.
Një faqe e lavdishme e jetës së Jup Kazazit ka qenë “lufta e Reçit”. Në fund të gushtit të vitit 1943 në Reç të Shkodrës u zhvillua një nga betejat më të mëdha kundër fashistëve, ku rolin kryesor e luajtën forcat e Ballit Kombëtar, të udhëhequra nga Jup Kazazi, që u mbështetën fort nga trupat e rregullta të ushtrisë shqiptare të dislokuara në Ulqin e që dezertuan për t’u bashkuar me nacionalistët, të komanduara nga Fuat Dibra. Pasi pat nisur beteja, forcave nacionaliste u erdhi në ndihmë edhe batalioni partizan “Perlat Rexhepi”. Beteja përfundoi me disfatën e trupave fashiste dhe fitoren e shqiptarëve që, ndonëse të urdhëruar të luftonin kryesisht njëri-tjetrin nga Miladin Popoviçi, papritmas u gjendën të bashkuar në Reç.
Historiografia komuniste u përpoq të përvetësonte edhe luftën e Reçit, duke e paraqitur si betejë të nisur, organizuar e të fituar vetëm nga partizanët e Enver Hoxhës, Dushan Mugoshës e Miladin Popoviçit.


Mirëpo ka dy të dhëna tepër domethënëse, që hedhin poshtë të gjitha pretendimet e komunistëve.
E para, forcat shqiptare të angazhuara në luftën e Reçit kanë qenë 890 vetë. Ndërkohë batalioni “Perlat Rexhepi” kishte 143 partizanë. Trupat italiane ishin mbi 2400 veta. Cila llogari mund ta nxjerrë fitues një njësit partizan ndaj një kundërshtari 16 herë më të madh? Përralla të tilla e kanë bërë një intelektual të Tiranës, me një “biografi të shkëlqyer komuniste” (I ati pat qenë funksionar shumë i lartë i shtetit komunist, por për arsye etike nuk po ia zëmë emrin në gojë) që pyetjes për LANÇ të popullit shqiptar iu përgjigj: “Lufta jonë NÇ ka qenë një vepër e lavdishme e kinostudios ‘Shqipëria e re’”.
E dyta, në telegramin që prefekti i Shkodrës i bënte MPB në Tiranë, jepej kronika e ngjarjes dhe armiku përkufizohej me përçmim si “Bandat e Jup Kazazit”. Nuk kishte asnjë arsye që të mbroheshin komunistët e batalionit partizan, i cili as që përmendet në telegramin e prefektit fashist. Mirëpo historianët e djeshëm kishin një model: ata duhej me doemos që faktet t’ia përshtatnin modelit të gatshëm e jo të ndërtonin modele në varësi të fakteve. Kjo është një histori bajate tashmë, ndonëse rezistenca për ta mbajtur ende gjallë atë model të dështuar studimor ngjan të jetë ende e pranishme në terrenin e studimeve shqiptare.


Megjithë dështimin e Mukjes, Jup Kazazi nuk hoqi dorë nga përpjekjet për bashkëpunim me forcat partizane. Por zhgënjimi i tij qe i madh, kur në një debat me Vasil Shanton, militanti komunist hodhi poshtë me zemërim çdo variant të Shqipërisë Etnike për të cilën këmbëngulte me forcë Balli Kombëtar. Ndërkohë gjatë gjithë vitit 1944, Jup Kazazi mbajti lidhje e bashkëpunoi me anëtarët e Misionit Ushtarak Britanik, Majorin Nill dhe kapitenin Haberdin. Ata e patën vlerësuar lart në shkrimet e tyre luftëtarin patriot shkodran, që diti të diferencojë në aleancën e madhe antifashiste, qysh në vitet e L2B, krahun demokratik anglo-amerikan ndaj atij ruso-bolshevik.


Fundi i vitit 1944 po shënonte edhe fundin e pushtimit nazifashist të Shqipërisë. Po afrohej fitorja e madhe, që mund t’i jepte asaj edhe shansin e një lirie e demokracie të mirëfilltë. Mirëpo re të zeza kishin dalë mbi horizont dhe po mblidheshin me shpejtësi mbi qiellin shqiptar. Një pushtim i ri po përgatitej me përkushtim nga komunistët, të cilët këndonin me afsh atë këngën revoltuese për çdo shqiptar të ndershëm – “Bijtë e Stalinit jemi ne!”. Bijtë e Stalinit e të Titos ishin në mësymje, duke përfituar nga koniunktura dhe rrethanat ndërkombëtare të asaj kohe, ndërkohë që nacionalistët shqiptarë qenë në tërheqje. Në prag të vendosjes së diktaturës së kuqe shumë eksponentë të Ballit Kombëtar e të Legalitetit u larguan nga Shqipëria. Por Jup Kazazi dhe katër vëllezërit e tij qëndruan, për të vijuar luftën e pabarabartë me uzurpuesit e pushtetit politik në vend, duke e kthyer Shqipërinë praktikisht në një koloni sllave.


Me fitoren e komunizmit, Jupi dhe vëllezërit e tij kaluan në ilegalitet. Ata u përpoqën për organizimin e rezistencës antikomuniste në zonën e Shkodrës, në bashkëpunim me grupe luftëtarësh të Shqipërisë së Veriut e të Shqipërisë së Mesme dhe duke pasur edhe mbështetjen e prof. Abaz Ermenjit. U arrit të organizohen dy lëvizje të armatosura, dy kryengritje popullore, ajo e Malësisë së Madhe e vitit 1945 dhe Lëvizja e Postribës e shtatorit 1946. Ato qenë të parat kryengritje antikomuniste në të gjithë Evropën Lindore. Kryengritjet u shtypën me egërsi të paparë. U vranë e u masakruan, u ndoqën, u burgosën e u internuan, me gjyq e pa gjyq, qindra fshatarë, malësorë e qytetarë të Shkodrës. Ndërkohë, Jup Kazazi sulmohet në shtëpinë e tij për t’u arrestuar. Thirrjes për t’u dorëzuar ai iu përgjigj me një zë të fuqishëm: “Nuk dorëzohem i gjallë ndër komunistë!”, një britmë trimërie që u pasua nga krisma e një arme, intelektuali i shquar, ekonomisti cilësor dhe luftëtari i paepur për interesat kombëtare të vendit të tij, shqiptari i madh Jup Kazazi vrau veten.


Domosdoshmëria e rishkrimit të historisë
Vitin që vjen kemi 100-vjetorin e lindjes së Jup Kazazit. Është një rast i mirë për të kthyer vështrimin e për të parë edhe një herë me kujdes vendin që zë ai dhe të tjerë si ai në historinë e Shqipërisë. Pavarësisht se sistemi politik në Shqipëri ka ndryshuar në kuptimin që kemi të bëjmë me përmbysje të mirëfilltë ekonomike, politike e kulturore, përsëri, në fushën e historisë ende vijon njëfarë inercie jo fort befasuese e konceptimit të kuq të ngjarjeve, fakteve e personazheve. Nuk është shumë befasuese kjo që po ndodh për arsyen e thjeshtë se shumica e historianëve janë të brezit, që shkruan histori me porosi nga KQ i PPSH-së. Qëndrimi i sotëm i një pjese të këtyre studiuesve shpjegohet thjesht.
E para, ata kanë shkruar me vetëdije të plotë jo atë që ka ndodhur, por atë që u sugjeronte kupola e lartë e Partisë.


Mashtrimi u bë atëherë, por duke e përsëritur për 50 vjet me radhë, dalëngadalë edhe vetë ata nisën ta besojnë sajesën e tyre. U duket se e vërteta ka qenë pikërisht ajo që ata kanë shkruar.


E dyta, ata janë të ndërgjegjshëm që kanë mashtruar mirëpo një studiues i sotëm 70 apo 80-vjeçar e sheh si fatkeqësi të tmerrshme, që e gjithë puna e tij shumëvjeçare shkencore të bëhet pluhur dhe ai të kthehet në një anonim. Nuk është e lehtë, madje do të thosha është e pamundur, që një historian i modelit të vjetër ta pranojë një alternativë të tillë. Për të mbijetuar emri dhe vepra e tij ai do të luftojë egërsisht deri në fund, që në historinë e shkruar të Shqipërisë të mos ndryshojë asgjë.


Është një sfidë që demokracia jonë e brishtë duhet ta përballë. Është një sfidë që i takon ta fitojë brezi i ri i historianëve tanë, të ndershëm, profesionistë e pa paragjykime. Në fund të fundit është një betejë në fushën e dijes, një përballje ndërmjet demokracisë e diktaturës, një luftë konceptesh e vetëdijeje qytetare që kërkon përkushtim, këmbëngulje e atdhetarizëm të mirëfilltë.
Është një betejë që duhet fituar. Komunizmi është mundur kudo në Evropë. Është pjesërisht i mundur edhe në Shqipëri. Po mbahet ende disi në fushën e historisë. Nuk duhet ngurruar që të paktën në këtë fushë, ku janë të gjitha mundësitë e fitores së shkencës së mirëfilltë ndaj mashtrimit, të veprohet me përmbajtje profesionale e me vendosmëri.
Është një fitore e pritshme e dritës së demokracisë mbi errësirën e diktaturës.
Është një ripërtëritje, një rizgjim, një rikthim në identitet.


Thënë thjesht është një ndreqje gabimi.
Në fund të fundit, nga kjo, të gjithë shqiptarët do të dalin të fituar

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...