Vite të tëra kampeve të Diktaturës. Për t’u ringritur sërish. Tashmë, nga zeroja. Dy të përndjekur, të panjohur për median, rrëfejnë kalvarin e tyre dhe si e përdorën lirinë pas viteve ’90. Shumë të zhgënjyer me ato që rrodhën në kurriz të tyre, ata, rrëfejnë jetët e tyre paralele, por në drejtime të ndryshme
Kur autobusi, që mbante të burgosurit e fundit të Kampit të Sarandës, ndaloi tek “21 Dhjetori”, akrepat e orës shënonin 11.00. Gjatë rrugës, të burgosurit, kishin bërë të gjitha gjërat që do bënin mbarimin. Kishin shkëmbyer adresat e fundit; kishin premtuar; dhe ishin shakatuar. Ndanë çdo stacioni, kur dikush zbriste, humbte një histori. Dhe, kujtimi i kampit bëhej më i pajetë mes tyre. Një jetë prej tyre transformohej drejt një dimensioni tjetër: lirisë, që e kishin paguar me burgun e gjatë...
Koha e parë
Lirak Bejko, sot 42 vjeç, më i riu i kampit në atë kohë, ishte nga të fundit që zbriti. Tirana iu duk e stërmadhe dhe pak si shumë “e stisur”. Gjithsesi e bukur. Tmerr e bukur. Nuk kishte njerëz dhe në të ftohtin e 10 janarit 1991, ajo dremiste këndshëm dhe pa zhurmë. Liraku e përshkoi shpejt rrugën drejt Laprakës, ku banonin prindërit e tij. Me hapin e shpejtë fillimisht mbërriti tre burra. Ata flisnin për vizat, që sapo i kishin marrë në Zvicër. U çudit. U kalamend pak nga pak me këtë. Ishte dënuar për tentativë arratisje, ndërsa njerëzit para tij, 6 vjet më vonë, do të iknin normalisht. Me vizë, me valixhe, duke u ndarë në aeroport me të dashurit e tyre. Si njerëz. Buzëqeshi me vete. I parakaloi...Ai kur ishte arratisur, i kishte thënë vetëm të atit. Në shtëpi nuk e kishin njohur. Ishin shtangur. Askush nuk i kishte lajmëruar. Liraku kthehej me një shëndet të rrënuar. “Mos hani me mua. I lani enët, që ha unë! Kam qenë i sëmurë”, ishin fjalët e para. Qëndroi vetëm pak kohë në shtëpi. Në Laprakë, hapi një nga baret e para dhe filloi ndërtimin e biznesit të tij, derisa...
Koha e dytë
Në javët e para të njëjtit vit kur Liraku kthehej në shtëpi, 1991, Liço Zeqo Çalaj, sot 68 vjeç vendosi të ikte në Greqi. Ishte dënuar për tentativë arratisje dhe kishte kaluar 10 vjet në burgjet dhe kampet e ndryshme në Shqipëri. Elbasan, Fushë-Krujë, Spaç, Burrel. Në fund kishte përfunduar në Ballsh. Vitet e fundit të komunizmit e kishin kapur në liri, por si mos më keq. Kohët e para në punë të rënda në Metalurgjik. Që andej e kishin hequr si të burgosur dhe pastaj punonte në Tensionin e Lartë. E vetmja kohë e mirë kishte qenë, kur kishte gjetur një mësuese për t’u martuar. Ishin lidhur. Bashkë me dy fëmijët e saj nga martesa e parë, kishte filluar jetën e re. Familjes i ishin shtuar edhe dy vajzat e tij. Të gjithë vite më vonë do të largoheshin që të punonin në një Fabrikë tekstili në Greqi. Gjithçka shkoi mirë deri më shtator 1994, kur burri do të kthehej sërish në Shqipëri. Sërish pa familje. Vetëm. I ndarë. Të vuajturit nuk i ecën, u ngushëllua.
Të përndjekurit
Dy të lartpërmendurit janë disa nga numërorët që sot mbushin lista të stërgjata të strukturave të përndjekurve shqiptarë. Liraku u detyrua që pak ditë më vonë nga ardhja në Shqipëri të shkonte në Greqi. I ati i dha pak gjëra që i kishin mbetur, që ai të fitonte shëndetin. Në skedat, që i referohen dokumenteve të përndjekurve, Liraku është shtruar tre herë me diagnozën TBC...Nga strapacimi i një hetuesie, model barbarie, ai kalon në mbijetesën me kufijtë e jetës. Liços i është dashur që të mbijetojë në xhunglën shqiptare, para dhe pas socializmit. Sot, ka fituar pensionin 12.000 lekë me të cilin ka qerthulluar të gjithë jetën e tij. Letrat me Vlerë i mbetën tek VEFA, ashtu si nusja një ditë, që bashkë me dy vajzat i mbetën në Greqi duke e braktisur. Liraku, pas Greqisë iku në Gjermani, ku kaloi pjesën më të madhe të viteve ’90 dhe ‘00. Tash i duhet që të merret me pronat e fisit të tij, që ka pasur emër dhe që shpreson të kthejë fuqinë e të parëve të tij. “Kjo është e gjitha ajo që dua të bëj në këtë kohë”, thotë me duart që i dridhen pak dhe veshur pas një tymnaje cigare që nuk e lë figurën e tij të shfaqet. “Gjaku dhe fuqia e tyre më ka mbajtur”, shton krenar.
“Komisioni i ngritur nga Kryeministria për verifikimin e dokumentacionit, gjeti të parregullta 4000 dosje të përndjekurve. Kush mban përgjegjësi për këtë?
Kush ua ka dhënë statusin atyre që nuk u takon? Si është e mundur që për 17 vjet të trajtohet dhe të shpërblehet ky kontingjent që nuk i takon, që nuk e meritonte?
Si është e mundur, që kjo shoqatë mbron hajdutët e spiunët dhe njëkohësisht pretendon respektin e gjithë shoqërisë shqiptare?”. Me emrat konkretë të Kurt Kolës dhe të tjerëve publicisti i njohur Maks Velos akuzoi, pak ditë më parë në “Shqip”- shoqatën e të përndjekurve dhe politikën e saj. Njësoj humbasin dhe e gjejnë sot gati të pamundur dhe dy personazhet tona. Përgjigja u mbetet në eter. Liraku, nuk pranoi dikur që të vishej në polici me arsyen se njerëzit po vuanin dhe në poste ishin ende të pashkarkuar njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Liço do të ishte në Elbasan në mitingjet e para të PD-së dhe një anëtar i fortë i saj derisa të përballej me marifetet e atyre, që do të merrnin në dorë institucionalisht fatin e tyre. Do të largohej...në paq.
Lirak, mes jetës dhe vdekjes (Pas)
Destini po e dërgonte në një vend plot lule dhe të riut, i dukej se më në fund kishte ardhur paqja. Edhe pse, ajri, që thithte në eter- po i rrallohej pak e nga pak. Ishte në agoni. “Ishte e mirë ajo gjendje,-kujton sot për MAPO-n, Liraku. Ajo që vinte më pas, kur ktheheshe në jetë ishte tmerr. Të dhembte gjithçka që mundej. Por nuk harroj kur pranë vetes gjeta një burrë të vogël pa flokë që lutej. Lutej pa fund. ‘O prift! E ke kot. Unë nuk besoj’, i thotë instinktivisht. ‘Pse lutesh o prift! Nuk ka Zot’. “Nuk ka rëndësi nëse e beson apo jo. Zoti është i madh dhe është për të gjithë”, iu kthye famullitari i vjetër (At Zef Pllumi-e kujton). Djali do të shtrohej dhe tre herë të tjera me TBC. Në skedat, që tash provojnë dokumentacionin e tij, shënohet e qartë diagnoza me Tuberkuloz. Do të shtrëngohej shpesh, që të merrte në apel jetën e tij. E gjitha i kishte nisur si një rezistencë. Ndaj bashkëpunimit dhe ndaj përpjekjes që të implikonte të atin si armik. Pastaj, e kujtonte më mirë. Erdhi momenti i arrestimit, teksa flinte. Trokitën ditët pa fund në qeli dhe kërcënimet e çdo ore: Do firmosësh! Ajo që duhej të firmoste implikonte direkt të atin, por me këtë rast dhe fillimin e goditjes së një “grupi të ri armiqësor”. Liraku ishte rritur në një familje me shumë tradita. Gjyshi, një nga njerëzit kryesorë të rezistencës anti-fashiste në jug të vendit dhe i ati , një oficer karriere, ia kishin futur në kokë që ndershmëria është rruga më e vështirë por edhe më e bukura. Familja e tij, me gjithë ndihmën që i dhanë pushtetit në luftë- do përfundonin gati për dënim. Me nxjerrjen në lirim të atit më 1973, familjen me gjashtë anëtarë- dikur të pasur dhe të qetë, tashti i duhej të sakrifikonte. Lirakun, më të voglin, e kërcënonin shpesh për ta gjetur si hallkë të dobët në familje, me të cilin do e fundosnin të atin. Shkrimi i një parulle për Enver Hoxhën, apo sabotimi që i bëri në Valias një turni- do ishin armët e provokimit të Sigurimit ndaj tij. Do rezistonte derisa një ditë do të vendoste arratisjen. Plani nuk i funksionon dhe ai gjendet pas hekurave. Shokët e tregojnë. Në hetuesi i vjen dhe Agron Tafa, shefi i lartë i Sigurimit, ndërsa rrihet sistematikisht... Një vit më vonë në gjyq do jetë një kufomë e gjallë. Sërish pastaj hetuesi. Pas një viti tjetër do të jetë në kamp, por i paepur për të hedhur poshtë njerëzit e tij. Nga ajo kohë, ka të pastër elektroshotin, që e ka dëmtuar nga një vesh, ndërsa djali duket më se i rrënuar.
“Vetëm spiun mos u bëj- bir”, kujtonte fjalët e të atit. Ish-sportisti i “Partizanit” duron dhe mbijeton, por me shëndet gjithmonë e më të keq. Në kampin e Sarandës, djaloshi është 30 kilogram më pak. Vetëm 49 kilogram. Kështu do ikte koha e tij. Punë, spital, kamp...derisa më 9 janar të vitit 1991 do të dëgjonte emrin e tij të fundit në një listë që e lironte. Iku pa marrë me vete kujtimet e tij në demokraci. Një bllok dhe pak letra, ku kishte filluar të shkruante jetën e tij pafat, ishin humbur. Kishte mbetur pas një copë memorie e regjistruar. Jo shumë ditë më vonë, me pak kursimet e familjes ikën në Greqi. Sërish kalon kufirin, por tashmë pa problemin e dikurshëm. Iket. Nuk e ndalon kurrkush. Kurohet.
Jetë e çuar dëm
“Nuk doja të rrija në fshat. Nuk e kupton, -rrëfen burri. Shyqyr që më kuptove. Kjo ishte e gjitha”. Përpjekjet për t’i dhënë kuptim jetës dhe aktit të tij mbeten. Liço, një burrë simpatik, emocionohet kur tregon fotot e tij, ku një burrë i veshur me një kostum të errët, kokoroç, me mustaqe dhe me flokë të dredhura qëndron serbes. Që në krye të herës,ose pak më vonë nga ushtria, burri nuk mund të qëndronte më në fshatin e tij në Mallakastër në Klos. “Më doli për pedagogjiken e Shkodrës, por nuk shkova sepse në kokë kisha imazhin e mësuesve si ardhacakë, që vetëm bredhin me plaçka në krah”. E donte dhe e urrente këtë punë. Para ushtrisë ishte regjistruar në Teknikumin e Naftës në Kuçovë, shkollë të cilën do e mbaronte pas tre vjetësh. Nga një fshat që fantazia e tij e çon në shekuj origjinën sipër- fillon dhe legjenda e fisit të tij?! Nuk i shpëton sëmundjes kombëtare të thurjes së legjendave. Nga raca e tij katër njerëz i kishte vrarë Napoloni, kur bëri fushatën e tij të Egjiptit. Por, rrëfimi është i gjatë dhe duket se nuk mbaron lehtë. Vazhdon: Klosi është djegur dy herë, njëherë nga gegët shallvaregjerë (Njerëzit e Haxhi Qamilit); më 1943 nga italianët. E gjithë kamja e familjes bie dhe pak nga pak dhe po ashtu edhe mirëqenia. Pas luftës antifashiste, ku familja i dha xhaxhanë dhe babanë si pjesëmarrës (korrier i Mehmet Shehut), ata humbën gjithçka. Mbaron teknikumin e naftës në Kuçovë dhe tre vjet është ushtar në radiolokacion në Tiranë e Sukth. Pasi lirohet më 1960, burri do endet për punë në Fier dhe për fat fillon e punon në Ndërmarrjen e Bonifikimit. Punon shumë dhe kur duan ta bëjnë komunist, reagon instinktivisht, pa ditur se nga ai qëndrim do merrte tani e tutje jeta e tij: “Unë të bëhem spiun”, thotë. “Po, ti mos qen bir qeni”-ia kthen sekretari i Partisë duke i vulosur me këtë rast edhe jetën. Fillon tatëpjeta. Bën pasaportizimin në Krujë, por në Laç nuk i japin punë. E rekomandojnë tek dikush në Presidium. Në zyrën 10 e pret një funksionar, që në fund i thotë: “Ti se çfarë ke”...”Çfarë do të ha”-i thotë naivisht, zyrtarit që e sikteris. “Te shkalla e tretë, i kam thënë vetes: Të kam dhjerë... o Shqipëri...për këta njerëz”, kujton sot. Të njëjtën ditë, gjen bashkëvuajtësin e tij, një dibran rrasur dhe stërmunduar në një gropë gëlqere. Si në përrallë. Të pakënaqurit gjejnë veten dhe më prill 1965 janë dy burra, që pasi shesin ca rroba të vjetra me 10 paketa “Partizan” dhe 50 lek në xhep ikin për t’u arratisur. Shkojnë në Kastriot, Sllovë të Peshkopisë dhe më 12 prill ngjiten drejt në mal në Korab. Ngatërrohen se kishte mjegull dhe përfundojnë brenda territorit tonë. I shikon një plak dhe i raporton. Pesë muaj në hetuesi. Pastaj në Burgun e Tiranës dhe që andej në fabrikën e çimentos në Elbasan, Fabrikën e Fushë-Krujës, Spaç, Burrel dhe Ballsh. Pak kilometra nga shtëpia e gjen lirimi dhe në krah shënon si kujtim një tatuazh në frëngjisht: Jam arratisur më 12. IV. 1965 nga Peshkopia nga katundi Serjan. Kam dalë më gjyq më 22 qershor të vitit 1965, ditën e hënë. Kjo është dita më e errët e jetës sime. Qëndron pak në fshat dhe rifillon jetën sërish rrugëve. Punon në Metalurgji, pastaj deri më 1990 me linjat e tensionit të lartë. Ikën në Greqi në kërkim të panjohurës dhe fatit. Tashmë normalisht. E kalon kufirin pa problem...
Koha e tretë
Liço është “riatdhesuar” prej vitesh dhe tashmë është një nga pacientët e radhë në Qendrën e Rehabilitimit për Traumat dhe Torturat. Eshtë shëndoshur, por mustaqet i mban sërish të bukura. Ndërsa, jeta e vështirë dhe divorci, e ka bërë të mendojë për një zgjidhje. Jep vazhdimisht përcaktime filozofike edhe kur nuk e pyet. Lexon. Kërkon libra. “Ah! Ta dish sa libra kam pasur unë”, thotë. Lirakut i kanë marrë pjesën më të madhe të bibliotekës, përveç faktit, që një pjesë e ka ekzekutuar vetë familja nga rreziku i ndjekjeve të shumta. Kurse, tash, pas ardhjes nga Gjermani po merret me problemin e pronave të shtëpisë me të cilën shpreson që të rikthejë shkëlqimin e fisit të tij...Të paktën nga pasuria. Çelo, që e ka mbyllur këtë cikël e ka më të ngadaltë punën. Ai po merret me probleme ‘madhore’: “Problemet shqiptare janë thotë me nxitin: 1 (e thekson) nuk ka mendim intelektual; (2) Shqipëria është në duar të punistëve( jo komunistëve-thekson) dhe e (3) keqja më e madhe: ka shumë antivlera”. Thjesht: e ka marrë qetë, sepse jeta e ka mësuar që atij që nuk i ecën nuk do t’i ecë kurrë. Shikon Izaurën, me të cilën e ndajnë kujtimet e kohës së dikurshme dhe lajmet...Kurse Lirakut i duhet të mjedisohet në Shqipërinë mbushur me shumë siklete dokumentacioni. Por, ndryshe nga vite më parë, babai i dy vajzave, i është dobësuar edhe më tej dëgjimi dhe i duhet të luftojë fort në Shqipërinë konfuze. I bindur, se do t’i rikthehet shkëlqimit të familjes së tij.
...
“Është vërtet e çuditshme se si pa asnjë turp, shoqata mbron hajdutët, spiunët dhe funksionarët e PPSH-në., duke mos pranuar dhe duke qenë kundër kritereve të shpallura nga Këshilli i Ministrave për shpërblimet. Sikur gjithë shoqëria dhe organizmat shtetërorë të ishin kundër, e vetme ajo duhej të luftonte për hapjen e dosjeve. Kurse ndodhi e kundërta. Vetëm ky fakt tregon se është një shoqatë e dyshimtë, koha e vërtetoi këtë”, shkruante Maks Velo.
Sa i përket Institutit të Integrimit të tyre, askush nuk ka më shpresë. Por, Liraku nuk harron mes tyre Qani Sadikun. “Ai ka mbetur njëri tamam. Përsa i përket të tjerëve...”.
Pak i intereson kjo. Të paktën të jetojnë mirë vajzat dhe brezi tjetër i ri i familjes dhe punët të fillojnë me pronat. Ndërsa, Liço, duket se është paqtuar me kohën. I duhet vetëm një grua dhe i duket se historia e tij në tokë mund të ketë një happy-end. Sa për shtetin, të përndjekurit e grupit të tyre, e dinë se nuk do t’i shpaguajë kurrë. Kjo, thjesht, ende nuk u kanë kërkuar falje, tek e fundit.
A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?
Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...