Nga Prof.as.dr. Ilira N. Sulo (Çaushi)
Një udhëtim nëpër botë në vitin e Nënë Terëzës. Nga Ballkani dhe Shqipëria e deri në SHBA, statujat e shenjtores shqiptare i kujtojnë njerëzimit se në këtë botë të egër, ka nevojë për më shumë dashuri, mirësi dhe shpirt
Murgesha e vogël me zemër të madhe - Nobeliste e Paqes dhe Simbol i Dashurisë për të varfërit, të sëmurët dhe të braktisurit, vetëm pesë vjet pas vdekjes fizike do të shpallej me nderimet më të larta të hierarkisë katolike në Selinë e Shenjtë, nga vetë Ati i Shenjtë - Gjon Pali i Dytë, shenjtëreshë, duke shënuar edhe nje rekord të ri në beatifikimin e të lumturuarve - shenjtërimin e të merituarve. Shpallja e Nënë Terezes SHENJTORE nga Vatikani, do ta superdimensiononte figurën e saj si simbol i humanizmit, dashurisë, ngritjes shpirtërore dhe sakrificës: gjithçka në shërbim të njeriut, gjithçka për njeriun, gjithçka për të varfërit, të sëmurët, për t’u dhënë atyre forcë, besim e guxim për të jetuar dhe për ta mundur të keqen.
Në arsyetimin e këtij vendimi historik për beatifikimin e Bijës Shqiptare - Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza e Dashurisë, përmenden rreth 122 mirënjohje ndërkombëtare, përveç Çmimit Nobël për Paqe, më 1979, si dhe disa mrekulli, të cilat vështirë se mund të shpjegohen edhe shkencërisht.
Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhi) ishte bërë nëna e tërë botës.
Fillimi i udhëtimit
Ky ëhstë një udhëtim nëpër botë, gjithkund ku figura e shenjtores shqiptare është përjetësuar në vepra artistike, kryesisht në skulpturë. Dëshira për ta përjetësuar këtë grua në monument nuk është gjë tjetër veçse nevoja për ta shumëfishuar atë, për ta patur atë kudo dhe kurdo. Të kishin kudo sintezën e të kundertave, imazhin e saj në monument, forcën e saj të brishtë të shprehur në materialin e fortë.
Imazhi i saj gjendet në pika të ndryshme të globit. Duke e nisur udhëtimin në Indi, në vendin ku ajo jetoi, vihet re se në Kalkuta, jo larg varrit të saj të thjeshtë ku murgeshat kujdesen çdo ditë që asaj të mos i mungojnë lulet, në hyrje të misionit çdo udhëtar do të ndeshet me figurën e brishtë në bronx. Skulptori e ka dhënë në përmasa pothuajse reale, në një moment njerëzor thuajse ajo do të flasë me kalimtarët, qofshin këto dhe të rastit. Me dorën e djathtë paksa të përkulur, me pëllëmbën e dorës drejtuar nga poshtë ajo duket sikur kërkon te largoje të keqen duke marrë në mbrojtje të gjithë kalimtarët.
Ndryshe paraqitet kjo figurë në monumentin tjetër që ndodhet po në Indi ku kjo Nënë e madhe thuajse bekon gjithë vendin dhe vendasit. Një bekim që bëhet nëpërmjet rrëfimit. Autori ka kapur një moment ku Nënë Tereza me sytë e drejtuar nga kalimtarët duket sikur flet drejtpërsëdrejti me kalimtarët të cilëve sikur u kujton se duhet të kenë kujdes: e mira dhe e keqja ecin pranë e pranë në jetë. Eshtë kjo jetë, e cila të gjithëve u është dhënë si një mundësi nga e cila duhet përfituar për të zbuluar misteret që ajo fsheh brenda saj.
Duke kaluar oqeanin Nënë Tereza mban vendin e vet në Gospodor Monument Park në Leëis, Uashington. Ajo qëndron aty përkrah monumentit të Jezu Krishtit, memorialit të viktimave të holokaustit dhe udhëheqësve të tjerë. Njësoj si statujat e tjera ajo është krah udhehëqësve, si një udhëheqëse shpirtërore që kërkon t’u tregojë rrugën e miresisë dhe qetesisë tokesorëve, paqen viktimave që u persekutuan nga një çmenduri njerezore, t’u tregojë udhëhëqesve tokësorë se duhet luftuar për të arritur qëllimet që një popull ka në rrugën e tij. Ajo është aty për të treguar dhe kujtuar. Monumenti i bronxtë e paraqet Nënë Terezën me një fëmijë ngjitur me trupin e saj, që të krijon përshtypjen se ky femijë vetëm aty ka gjetur mbrojtjen, sigurinë dhe shijen e dashurisë.
Punimi duket se është frymëzuar nga një foto e hershme e Nënë Terezes, të cilën e gjejmë të përdorur dhe në monumente të tjera.
Monumenti i radhës i Nënë Terezes është ngritur dhe në Çikago, në, të njejtën qendër ku ndodhen Mahatma Ghandi, Nelson Mandela etj,. Një monument mjaft shprehës dhe i arrirë artistikisht. Në të ajo duket sikur flet, lutet, mbron, dhe bekon. Kësaj radhe është dora e majtë e saj që e shtrirë me pëllëmbën poshtë duket sikur kërkon të bëhet pengëse që e keqja të zbresë poshtë në tokë. Përsëri në krahë i qëndron shtërnguar fort një fëmijë që si me kthetra është mbërthyer tek veladoni i saj. Nëna me sy të drejtuara nga qielli lutet për shpëtim nga dhimbja, kërkon sfidën për tu përballur me jetën plot dhimbje, me luftën e cila duhet luftuar, me ëndrrën e cila duhet jetuar, me të bukurën që duhet adhuruar. Sytë e drejtuar nga qielli dhe dora e drejtuar nga toka duken sikur duan të bashkojë në një, qielloren dhe tokësoren.
Në kishën e Shën Vincentit në Neë Jork, Nënë Tereza i jepet besimtarëve ashtu si ajo është fotografuar gjatë jetës së saj nga reporterët e kohës, në një moment gëzimi me një fëmijë të vogël në krahë.
Ajo është e lumtur, gëzohet jetës, ardhmërisë tek e cila ajo gjithmonë pati besuar.
E ngjashme në ide me punimin e Mikelanxhelos me figurën e shenjtores Maria që mban në krahët e saj birin e vetëm në grahmat e fundit të jetës është dhe punimi i nje skulptori brazilian Cicero D’Davila.
Nënë Tereza njësoj si nëna tjetër Mari, mban në krahë një fëmijë të fjetur: Ndergjegjen njerëzore? Të ardhmen? Sido që të jetë, autori atë e ka paraqitur përballë të sotmes që qëndron në këmbët e Nënës. Ai me sytë e drejtuar nga ajo kërkon mbështetje, e cila artistikisht është paraqitur me dorën e mbeshtetur mbi njeriun e sfilitur e të plakur me sytë që dhimshëm kërkojnë ndihmë dhe pak shpresë.
Interesante nga ana fetare është vendosja e fëmijës në krahun e majtë dhe e të moshuarit në të djathtë. Por edhe në këtë rast e djathta është vendosur si mburojë sikur do t’i japë fund vuajtjeve të kësaj toke.
Një situatë mjaft e goditur shpirtërore transmetohet në një shtatore që gjendet në kontinentin e vjetër, në Itali, pikërisht në vendin ku kjo grua e vogël u shënjtërua. Këtu në një kishë të Napolit Nënë Tereza paraqitet mjaft njerëzore njësoj si në fotot e saj. Në duar mban një fëmijë të cilin e sheh me adhurim dhe kurreshtje thuajse ka në dorë birin e vetëm të Zotit, jetën dhe shpresën e vetme për të gjithë njerëzimin.
Në rrethinat e Romës, tek shtëpia e misionareve të saj ndodhet dhe busti i Nënë Terezes. E veçanta e këtij busti është se ai është një dhuratë bërë nga toka ku Nënë Tereza jetoi dhe punoi, nga India. Ajo këtu është vendosur në një pozicion mjaft strategjik duke parë drejtë horizontit; mbase ideja ka qenë gjithmonë për horizontin e të ardhmes.
Po në Itali në Castela Neta në vitin 2003 u inagurua skulptura e Nënë Terezes. Ajo paraqitet e ulur mbi një shkëmb, por ky shkëmb ka të vecantën se është i ardhur nga Shqipëria. Dhe përreth ajo ka pjesë shkëmbinjsh nga Shqipëria. Ajo qëndron e rrethuar dhe e ulur mbi një pjesë të trojeve të saja. Dora e djathtë e saj është e vendosur mbi zemër thuajse ajo vendos në zemrën e saj bekimin për mirësi për vendin nga ka ardhur shkëmbi ku ajo qëndron ulur. Dora e djathtë është mbi gjunjë e ulur paqësisht.
Ballkani
Monumentet e Nënë Terezës ngritur nëpër botë mund të jenë dhe jane të shumtë, por asnjë pjesë e rruzullit nuk ka aq shumë monumente të saja sa ka në Ballkanin Pèrëndimor, aq sa të krijohet përshtypja se vendet konkurojnë mes tyre për përkatësinë e saj dhe në bronx. Konkurohet po kështu edhe se kush e ndërtoi të parin monument. Ato gjenden në Tuz, në Ulqin, ishullin e Bracit, Kroaci, në Zagreb, në Shkup, në Prishtinë, në Gjakovë dhe gjetkë.
Shqipëria
Nënë Tereza ngrihet në bronx edhe në vendin e saj, në Shqipëri. Për çdo udhëtar që vjen dhe ikën nga Shqipëria, takimi i pritjes dhe i përcjelljes lidhet me këtë nënë. Ajo përcjell çdo udhëtar duke i kujtuar se ai i përket kësaj toke, të tjereve i jep një pjesë të mallit për vendin që ato lënë. Ajo qëndron aty si një nevojë që çdo njeri ka për të pasur me vete kudo që të shkojnë diçka nga fuqia shpirtërore e Nënë Terezës.
Shtatorja e Nënë Terezës në Arreoportin e Tiranës është nga të paktat shtatore ku ajo është dhënë e stilizuar, me idenë e lidhjes së qiellit dhe të tokës. Kjo sigurisht ka qenë dhe është shumë e vështirë për t’u bërë dhe pranuar nga të gjithë, pasi paraqitja e një metafore në bronx apo mermer e një figure të tillë është një sipërmarrje e vështirë përsakohë që vetë Nënë Tereza ishte një metaforë në jetë dhe vitet ja rritën përmasën kësaj metafore.
Nënë Tereza qëndron ashtu e paqtë dhe e heshtur edhe në krah të Universitetit të Tiranës. Mbase jo në vendin që i takonte asaj. Por me përultësinë që ajo kishte në jetë na shfaqet dhe në këtë shtatore, edhe në këtë vend ku jo çdokush mund ta shohë. Por ajo me duart e hapura qëndron aty për të gjithë universitarët e Shqipërisë.
Autori është munduar ta paraqesë atë me përmasa sa me reale me veshjen e saj karakteristike, e cila duket sikur vjen nga lashtësia ilire.
Në Shkodër, Nënë Tereza qëndron me duar të kryqëzuara në një prej shesheve kryesore të këtij qyteti. Simbolikisht kryqi si në çdo shtatore, njësoj si dhe në jetën e saj qëndron mjatas, si për të dëshmuar mbi vuajtjen e Atij që u kryqëzua për njerëzimin. Ajo mban duart e mbërthyera në gjoks, duke na kujtuar simbolikisht se mirësia gjykohet dhe vuajtja mund të cojë në mirësi. Në Shkodër kjo shtatore qëndron në të njëjtin shesh ku ndodhet kisha dhe xhamia, Nënë Tereza thuajse merr në mbrojtje të gjithë.
Udhëtimit përkohësisht i erdhi fundi. Të tjera shtatore qëndrojnë të heshtura nëpër botë, të tjera do të ngrihen për nder të saj. Njësoj si ëngjëjt dhe shenjtorët që nuk pronësohen, por adhurohen dhe shndërrohen në mite, edhe Nënë Tereza do të vazhdojë të lakmohet njësoj si territoret e shenjta.