Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zgjodhi një mënyrë të veçantë për të përkujtuar 20-vjetorin e rrëzimit të simboleve të diktaturës komuniste duke zhvilluar një takim me studentë të një Universiteti në Tiranë.
E shoqëruar nga deputetja, Rajmonda Bulku, njëkohësisht pjesëmarrëse e lëvizjes së dhjetorit të vitit 1990, Kryetarja e Kuvendit bisedoi dhe iu përgjigj interesimit të studentëve mbi jetën e vështirë, ankthin, frikën dhe tmerrin që kanë përjetuar shqiptarët nën sundimin e regjimit komunist si dhe hapat e zhvillimit dhe progresit që ka shënuar Shqipëria në këto 20 vite etj.
“Demokracia është një vlerë e jashtëzakonshme, duhet përkujdesje për të dhe kjo duhet të bëhet nga të gjithë. Duhet të besojmë në këtë sistem, duhet të besojmë në këto vlera, kushdo që të përpiqet që ta kërcënojë demokracinë nuk duhet të lejohet kurrë, asnjëherë.
Ne jemi vendi që kemi paguar më shumë se kushdo tjetër mungesën e lirive dhe të të drejtave. Ne, nuk mund të lejojmë kurrë, për asnjë arsye, për ambicie individuale, personale të pushtetit që të kërcënojnë me dhunë, ne besojmë tek zgjedhjet, tek vota e lirë” tha Kryetarja e Kuvendit.
Topalli vlerësoi se sot, 20 vite pas rrëzimit të diktaturës më të egër komuniste në Evropë, Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt zhvillimit. Gjatë bisedës, studentët dënuan dhunën e 21 janarit, ndërsa Kryetarja e Kuvendit theksoi se 21 janari ishte një skenar i turpshëm dhe i paralajmëruar për marrjen e pushtetit me dhunë, me çdo çmim dhe me çdo mjet.