Qytetarë të shumtë nga anë të ndryshme të Republikës së Kosovës por edhe të trojeve të tjera shqiptare, kanë ardhur në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë për të festuar trevjetorin e pavarësisë.
Një koncert për fëmijë, i organizuar nga komuna e Prishtinës, ishte pikëtakim, jo vetëm për fëmijët. Flamuj shtetërorë e kombëtarë ishin më të kërkuarit, ndërsa stenda me ushqime e pije janë ngritur përgjatë tërë sheshit Nënë Tereza. Qytetarët, ndërkaq, presin ditë më të mira në përvjetorët tjerë të shtetit të ri.
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, falënderoi popullin e Kosovës, miqtë ndërkombëtarë dhe të gjithë ata që kontribuuan që Kosova të jetë një shtet i lirë e i pavarur.
Këto komente ai i bëri pas homazheve te varri i presidentit Rugova.
“Jemi këtu për të nderuar dhe për të shprehur respektin për kontributin e presidentit Rugova në vazhdimësi, një kontribut i rëndësishëm dhe i madh për pavarësinë e Kosovës. Sot, kur shënojmë përvjetorin e pavarësisë, kujtojmë të kaluarën tonë krenare, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, të gjithë luftëtarët e lirisë, meritën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës për pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, në adresimin e tij për opinionin, tha se shpallja e pavarësisë përmbushi aspiratat e brezave të tërë që sakrifikuan veten për lirinë e Kosovës. Ndërsa sot, Krasniqi bëri homazhe te kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz. Ai tha se Prekazi është shtrati pavarësisë së Kosovës.
“Është bërë sakrifica më e madhe në historinë, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe në historinë e përbotshme për të qenë vend i lirë dhe lirisht mund të themi se këtu është shtrati i pavarësisë së Kosovës që e gëzojmë sot, i cili është formalizuar më 17 Shkurt 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi Krasniqi.
Një përgëzim qytetarëve të Kosovës për Ditën e Pavarësisë iu adresua edhe nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith. Përveçse uroi Kosovën në këtë përvjetor, i ftoi edhe vendet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë.
Në trevjetorin e pavarësisë mesazhe urimi qytetarëve iu drejtuan edhe subjektet politike.
Kryetari i Prishtinës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se Dita e Pavarësisë është një ditë, e cila na bën të kujtojmë se si jetuam në të kaluarën dhe se si po jetojmë sot.
Ai përkujtoi të rënët për liri dhe pavarësi, kurse veçoi figurat më të reja të historisë së Kosovës, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, dhe sakrificën e familjes Jashari.
“Shpresoj që edhe përvjetorët e tjerë do të na shërbejnë për të treguar rezultate edhe më të fuqishme në realizimin e projekteve dhe në realizimin e rolit tonë”, tha Mustafa.
Përmes një komunikate me shkrim, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se “puna e palodhur e gjeneratave të tëra dhe sakrifica e vazhdueshme për liri, u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Por, AAK-ja vlerësoi, po ashtu, se të arriturat e deritashme në udhëheqjen e shtetit, zhvillimi i brendshëm, mosfunksionimi i shtetit në gjithë territorin dhe njohjet e pakta ndërkombëtare, lënë shumë për të dëshiruar dhe janë tregues se vendit i duhet një qeverisje më e përkushtuar.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i shoqëruar edhe nga prof. Muhamet Mustafa, dr. Ferid Agani dhe nënkryetarët e AKR-së prof. Ibrahim Gashi e Ibrahim Makolli, për nder të përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës, bënë homazhe të varri i komandantit legjendar Adem Jashari, te varri i presidentit historik dr.Ibrahim Rugova dhe te varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.
Me këtë rast Pacolli dhe delegacioni që e shoqëroi, vizituan familjen Rugova, familjen Jashari dhe familjen Haradinaj.
Mesazhi i tyre ishte se kontributi i këtyre familjeve dhe i popullit të Kosovës në luftën për çlirim përkujtohet me pijetet të lartë çdo 17 shkurt.