2011-02-16

PIRO MISHA, KALORËSI I LIBRAVE

Nga: Gladiola Bendaj

Është padyshim një nga emrat më të njohur të peizazhit publicistik shqiptar dhe njëri ndër profilet elegante të jetës intelektuale në Tiranë. Piro Misha, botuesi dhe përkthyesi me përvojë, është shumë i kujdesshëm dhe i rezervuar, kur bëhet fjalë për jetën e tij personale e profesionale

Edhe pse koha, gjithmonë e më e kursyer, mbetet një prej gjërave më të çmuara dhe vihet totalisht në funksion të pasionit të tij më të madh, librit, mirëkuptimi la pas çdo lloj paragjykimi të mundshëm dhe ne u gjendëm brenda ditës në zyrën e punë së studiuesit dhe publicistit të njohur Piro Misha. Kësaj radhe jo për t’i shkëputur një opinion, por për të bërë një portretizim të njeriut që gjithë jetën e tij ua ka kushtuar librave.
Ai është padyshim një nga emrat më të njohur në fushën e botimeve dhe zë një vend të rëndësishëm në kontributin e dhënë për sjelljen drejt lexuesit shqiptar të letërsisë dhe literaturës bashkëkohore, autorëve dhe titujve më në zë në mbarë botën. Organizator, moderator dhe lektor i dhjetëra aktiviteteve të zhvilluara në Tiranë dhe në rajon, anëtar i një sërë bordesh, autor i qindra shkrimeve publicistike botuar në revista dhe gazeta nga më të rëndësishmet në Shqipëri dhe në Evropë. Piro Misha vazhdon të drejtojë prej dhjetë vitesh Institutin e Dialogut dhe Komunikimit. Rrëfen se ka ende shumë ëndrra në sirtar, një botë pa kufi idesh dhe ambiciesh intelektuale. Nuk ka frikë nga mplakja, ka vetëm etje për më shumë kohë.
Në fakt, pasi fiksuam takimin, u duk se gjithçka tjetër do të ishte shumë e thjeshtë, për sa kohë bashkëbisedimi të vinte përballë toneve të qeta dhe bagazhit të gjerë intelektual të njeriut që jo vetëm nuk iu shmanget pyetjeve, por pa diskutim di të japi gjithmonë përgjigjet e duhura. Ky është një binom i pandashëm i filozofisë së tij të punës shumëvjeçare i cili e ka vënë shpesh para sukseseve, por edhe debateve të vazhdueshme. Nëse e pyet rreth marrëdhënies së tij të ngushtë me librin dhe vendin që ky i fundit zë në jetën, profesionalizmin e tij dhe realitetin shqiptar sot, më pas të mbetet thjesht ta lëshosh veten në kënaqësinë e gjatë të dëgjimit. Me një kujtesë dhe elokuencë për t’u admiruar ligjërimi i tij rrjedh natyrshëm, tonet janë hiperaktive po aq sa të qeta dhe të sigurta. Por, nëse tenton të ndryshosh timonin e bisedës drejt të përditshmes së tij dhe raporteve të tjera ndërpersonale, familjes, kujtimeve, detajeve, emocioneve, pasioneve të tjera përtej mikut libër, atëherë ai mbyll hermetikisht portat e bisedës. Me një refuzim të nënkuptuar butë, gjithmonë me një qëndrim gati aristokratik, të shpjegon se këto janë detaje që rrezikonin ta bënin patetik portretizimin e tij, duke të lënë padashur të ndihesh në “faj”. Ndaj rrëfimi kap sërish zanafillën, jo atë që kishim pritur të dëgjonim në fakt, diçka për fëmijërinë, brumosjen e atyre kohërave, marrëdhëniet me prindërit, mbresat, kujtimet e një fëmijërie të largët, jetën studentore, zgjedhjet përballë të cilave jeta do ta vinte, pikat e forta, pikat e dobëta, pasionet e fshehura, përjetimet e ndryshimeve të mëdha, figurat dhe modelet e preferuara, ato që e bëjnë një ditë të zakonshme të jetë e jashtëzakonshme. Në këtë pikë Misha është i ngurtë. Me gjithë respektin për gazetarët, ai i përket padyshim Urdhrit të Parë të mendjeve diskrete, që meditimit emotiv i lënë fare pak vend, prandaj të zhbiroje në botën e tij të padukshme ishte e pamundur. Ai jeton me librat, por nuk ka vetëm një autor të preferuar, për të kjo listë është e pafundme. Në zyrën e tij mbizotëron një qetësi olimpike, por pak përpara vizitës tonë ajo grishej nga tingujt e një simfonie klasike. Sepse muzika është një aleate e mirë e orëve të gjata të punës. Është aty ku ai kalon pjesën më të madhe të ditës së tij, e për të tjerat mbetet shumë pak kohë. Nuk do të bënte dot pa atë bibliotekën e stërmadhe që gjendet aty në Institutin e Dialogut dhe Komunikimit, që pasurohet çdo herë me botime të freskëta mendimtarësh bashkëkohorë që i servirin informacion të bollshëm, e cila përveçse i shërben për funksionin e tij si drejtor i atij instituti, shfrytëzohet edhe për të gjithë atë punë kolosale për botimin e literaturës së specializuar, që e ngushton aq shumë atë hendekun që e ndan Shqipërinë më botën. Ja pra arsyet e mjaftueshme se pse Pirro Misha parapëlqen të ngujohet brenda mureve të zyrës së tij, që ndodhet në katin e katërt të një pallati shumëkatësh në Rrugën e Elbasanit.
“Nuk ka asnjë ditë të jetës time në të cilën unë të mos kem lexuar. Për fat të keq natën kryesisht, sepse dita është për punë, dita është më shumë burokratike. Leximi dhe shkrimi janë pjesë e rëndësishme e jetës sime. Me kalimin e moshës gjërat reduktohen, ti bën zgjedhjet e prioriteteve të tua, tek unë këto kanë mbetur ndër gjërat më të rëndësishme”, tregon Piro Misha, ndërsa nuk e shkit vështrimin prej dritares së gjerë përballë skrivanisë së tij të ngarkuar me libra. Ai lexon kryesisht në gjuhë të huaj, sepse gjithmonë në mes është ai skepticizmi që ka të bëjë me përkthimin e mirë ose jo. “Unë kam një drojë të hapur të marrë në duar një libër të cilit nuk i njoh përkthyesin, sepse ekziston gjithmonë rreziku që ai të jetë i palexueshëm”, thotë ai.
Qysh pas përfundimit të studimeve, në vitin 1975, e deri në rënien e komunizmit, për plot 16 vjet rresht, ai ka punuar në shtëpinë e vetme botuese të asaj kohe “Naim Frashëri”. Karriera e Piro Mishës nisi fillimisht si përkthyes i letërsisë së huaj. Në atë kohë, ai kujton se ishte i vetmi mes kolegëve të tij që në atë kohë hynte si përkthyes në një redaksi ku të gjithë ishin me biografi të keqe. “Aty ishin të gjithë intelektualë mjaft të rëndësishëm, të cilët, për arsye të biografisë nuk lejoheshin të shkruanin, por bënin përkthyesin”. Në ndryshim nga ata Piro Misha vinte nga një familje me një biografi të mirë dhe u bë përkthyes më dëshirën e tij. “Krahas vështirësive të kohës dhe regjimit, mund të them se ajo periudhë, prej shtatë vjetësh si përkthyes, ka qenë një shkollë e jashtëzakonshme sepse më kë bërë të njihem me njerëz të cilët kishin një profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Pa dashur të harroj shumë prej tyre nuk mund të le pa përmendur mjeshtra si Petro Zheji, Sokol Caci, Vedat Kokona, Bujar Doko, Isuf Vrioni. Më vonë unë kalova si redaktor i letërsisë së huaj dhe vetëm vitin e fundit para rënies së sistemit unë u bëra shef i redaksisë”. Gjatë kësaj kohe, prej duarve të tij kanë dalë rreth 20 vepra të rëndësishme të letërsisë botërore, tituj që jo vetëm mbartnin vlera të padiskutueshme për lexuesin e etur shqiptar, por i hapnin atij dhe një dritare sado të vogël drejt asaj bote që rreptësisht e kishte të ndaluar ta njihte. “Në fillim padyshim ishin vepra të diktuara të cilat m’i jepnin, nuk ishin zgjedhja ime. Kryesisht nga anglishtja por edhe nga frëngjishtja dhe italishtja. Më të rëndësishmet ndër to kanë qenë veprat e Heminguejit, disa antologji të prozës bashkëkohore dhe antologji të tjera të poezisë franceze e asaj greke”, kujton Misha. Gjithashtu, dy nga veprat e përkthyera në atë kohë, me të cilat ai nuk heziton të mburret edhe sot lidhur me kontributin që i kanë dhënë lexuesit shqiptar, janë “Tregime dhe novela të shekullit XX”, të cilat në atë kohë bënë mjaft bujë, dhe “Farenheit 451”.
Krahas shumë të tjerëve, Piro Misha kujton se ai ishte një kontribut i cili nënkuptonte mobilizimin e shumë figurave të cilat përpiqeshin që nëpërmjet botimeve të letërsisë së huaj të emanciponin shoqërinë shqiptare dhe nuk mund të rrijë pa përmendur aleancat dhe bashkëpunimin e ngushtë më Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin e shumë të tjerë “Kush ka qenë në brezin tonë e di mirë se sa vlerë kishte botimi i veprave të letërsisë së huaj, edhe pse kjo brenda kufijve tanë ishte një sfidë e vërtetë”.
Natyrisht, ndryshimi i sistemeve nuk kishte si të mos linte gjurmët e veta në të përditshmen e Mishës, sikundër në jetët e të gjithë shqiptarëve në atë kohë. Pas më shumë se një dekade në shërbim të librit dhe pasurimit të tij, për të do të ishte shumë e vështirë të përshtatej me pozicionin e ri të punës që iu caktuar në qeverinë e parë demokratike të vitit 1991, si drejtor i marrëdhënieve me jashtë në Ministrinë e Kulturës. Shumë shpejt ai kuptoi se puna në administratën publike nuk bënte për të ndaj u largua.
Pas kësaj, në vitin 1993 e deri në vitin 2000 ai vendosi të punojë në fondacionin SOROS, gjithmonë pa u ndarë nga librat dhe ambicia e lindur për të kontribuuar në këtë fushë. “Aty merresha me shumë gjëra të cilat ishin më tepër burokratike e që të çonin detyrimisht drejt një rutine pune nisur nga pozicioni im si drejtor programi”. Por sot, duke i parë gjërat në retrospektivë, ai nuk mohon kënaqësinë kur kujton nismën e ndërmarrë aty lidhur me një program botimesh për t’i dhënë lexuesit shqiptar një sërë veprash të autorëve më të rëndësishëm perëndimorë në fushat ku nuk ekzistonte asgjë, si filozofi, sociologji e deri në antropologji kulturore, të gjitha të zgjedhura sipas parimeve të shoqërisë së hapur, të cilat nënkuptojnë se askush nuk ka monopolin e së vërtetës.
Pas një pune shtatë vjeçare në drejtimin e programeve të fondacionit SOROS, atij i jepet mundësia të shkëputet duke marrë me vete programin e botimeve të nisura aty për të krijuar kështu, plot dhjetë vjet më parë, Institutin e Dialogut dhe Komunikimit. Ky institut u krijua mbi bazën e dy kolonave kryesore. Së pari nxitja e debateve në krijimin e një ure me Europën dhe për këtë janë sjellë mjaft figura të rëndësishme dhe sjellja e botimeve më të mira në këtë nivel.
Gjatë kësaj periudhe, Piro Misha botoi në vitin 2009 librin “Arratisja nga burgjet e historisë”, një përmbledhje esesh, të cilat trajtojnë aspekte themelore të identitetit shqiptar dhe analizojnë problematikat e mprehta të tranzicionit post-komunist në Shqipëri. Për këtë kontribut ai u nderua nga Bashkia e Tiranës me titullin “personazhi i vitit”. Debatet që e ndoqën këtë libër dhe numri i shitjeve dëshmoi për një interes të dukshëm. Në të u trajtuan sfidat shoqërore dhe kulturore me të cilat po përballet shoqëria shqiptare, në përpjekje për ta rindërtuar historinë e Shqipërisë, ndryshe nga ajo që është shkruar normalisht, duke ngritur një sërë pyetjesh të cilat janë tepër të rëndësishme. Sepse “përtej retorikës të ashtuquajtur patriotike shqiptarët duhet të përballen dhe me përgjigjet”, shpjegon Misha.
Së shpejti ai do të sjellë për lexuesin e tij një tjetër libër. Bëhet fjalë për vazhdimin e një shkrimi të botuar para disa kohësh pikërisht në revistën MAPO, “Neootomanizmi dhe Shqipëria”, i cili ngjalli interes të madh në publik. “Do të jetë një libër i vogël, pikërisht me këtë temë, e cila është një nga temat më të debatuara dhe më aktuale në Ballkan dhe në Europë”, thotë autori.
E ndërsa “të ardhmes nuk i dihet”, pjesa tjetër e aktivitetit të Piro Mishës jashtë pune ka të bëjë me të shkruarin dhe marr­jen pjesë në debate që sjellin tematikën e integrimit, kryesisht atij kulturor dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare sot. “Tani kohën ma marrin prioritete të tjera, puna e përditshme në Institut, mbajtja e një zyre që kërkon punë burokratike rutinë dhe pastaj në atë pak kohë, le të themi të lirë, të shkruaj për vete”.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...