2011-02-18

Etikë abstrakte apo moral që i duhet kohës?

Në se koha moderne ka sjellë shumë ndryshime, duket se dyshimi dhe nënvleftësimi për vlerën e etikës si shkencë apo si tërësi e parimeve të jetës morale, është një nga gjërat më të dukshme dhe të debatueshme, që është e lidhur me situatën sociale dhe esencën e ndryshimeve të thella morale që kanë ndodhur në shoqërinë tonë. Sfida e madhe e shoqërisë por dhe e individëve është që të kuptojnë se çfarë duhet bërë, çfarë duhet ndryshuar në etikën dhe deontologjinë e kohës si kusht për të përshtatur shoqërinë dhe njeriun tonë etikisht me kohën,

me kërkesat dhe imperativat e ndryshuara në shoqërinë shqiptare. Kjo ide duket që është e vështirë pse nuk është kaq e thjeshtë dhe ndryshimet e parimeve morale të jetës sociale dhe personale nuk përbëjnë procesin pasiv dhe linear të adoptimit me kërkesat e reja të jetës sociale dhe të etikës personale. Në të vërtetë ndihet e fortë në ditët tona nevoja e shoqërisë për të gjetur rrugën e duhur të adoptimit midis normave morale të trashëguara nga e kaluara dhe kërkesave morale të kohës modern. Ky është një proces i thellë i “angazhimit etik” të shoqërisë dhe të individit, për të realizuar atë kompatibilitet social dhe personal që i duhet kohës sonë, që i duhet personalisht njeriut, shoqërisë shqiptare, procesit të përshtatjes dialektike me kërkesat e qytetërimit bashkëkohor.Që të ndërtojmë një shoqëri etikisht të mirë do të thotë që së pari të vëmë në lëvizje shtetin, shoqërinë civile, median, familjen, shkollën, komunitetin, në mënyrë që të krijojmë atë situate, që kërkon së pari përmirësim të standardeve etike të sjelljes sociale, për të përcaktuar disa parime të reja etike të sjelljes së përbashkët dhe mbi të cilat pastaj të krijojmë racionalitetin social dhe bindjen individuale për atë sasi parimesh etike që janë të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u zbatuar në mënyrë konsensuale në shoqërinë tonë. Që ne kemi nevojë urgjente që të kemi në jetën tonë disa parime etike të përbashkëta, si kusht ekzistencial që të na ndihmojmë të kemi një sjelljeje të unifikuar me standarde qytetare. Për këtë detyrë dhe imperative social të jetës sonë me sa duket sot askush nuk ka dyshim. Shqetësimi në këtë aspekt tashmë është bërë i qartë, evident, imperativ. Por ajo që na shqetëson, është fakti se nuk po gjejmë rrugën se si mund të ndërtohen këto parime morale, konsensualisht të përbashkëta, si mund t’i bëjmë ato parime universale të sjelljes empirike, dhe mbi të gjitha kush mund të bëjë vlerësimin e tyre.Në të gjithë kohërat ka qenë dhe mbetet i patundur koncepti që shoqëria njerëzore ka nevojë të ketë disa parime të përbashkëta etike, që nuk janë të shenjta, të përjetshme, të pandryshueshme, por që janë sidoqoftë parime që ndihmojnë në procesin e ndërlikuar të vetëpërsosjes morale të shoqërisë dhe të individit.Në fund të fundit, tashmë duket qartë se ne kemi nevojë për disa parime morale të përbashkëta që duhet të zbatohen në familje, në shkollë, në komunitet dhe jetën publike, që na lejojnë që të ndihmojnë të rindërtojmë moralitetin e shoqërisë dhe procesin e puqjes së tyre me kërkesat e qenies njerëzore të kohës sonë. Natyrisht në situatën në të cilën gjendet shoqëria shqiptare, rregullimi i çështjeve të etikës sociale dhe të sjelljes individuale, nuk është proces i lehtë. Ca më pak proces nuk mund të jetë i imponuar nga larg, me natyrë burokratike apo karakter skolaresk. Përkundrazi tashmë jemi shoqërisht dhe individualisht në një situatë delikate në të cilën kemi problem etike dhe dilema morale të thella, shumica e të cilave nuk janë fare empirike por me natyrë të thellë konceptuale dhe etike. Kjo do të thotë se ende nuk jemi të qartë se çfarë duhet, që ta bëjmë shoqërinë dhe njeriun etikisht më të mirë, si duhet ta bëjmë dhe kush duhet ta bëjë këtë detyrë. Nuk është rastësi fakti që momentalisht jemi në këtë situatë të paqartësive dhe të amullisë morale.Natyrisht nuk kish si mund të mos ndodhte kjo situatë, pas atij procesi apokaliptik të përmbysjes së rrëmujshme të jetës dhe rrëzimit kaotik të parimeve të vjetra morale që sunduan në një epoke gjysmë shekullore, të zhvillimit të një jete morale të alambikuar dhe të aliazhaur vetëm me parimet e traditës, kulturës, ideologjisë sunduese. Tani shoqëria dhe njerëzit tanë janë në një situatë etike të vështirë. Ne jemi momentalisht në një situatë të vështirë, nga që nuk kemi besim se nga duhet ta fillojmë procesin e rregullimit apo të vetërregullimit moral të shoqërisë tonë moderne, procesin e rindërtimit të sjelljes së njeriut që është moralisht të hallakatur. Kjo do të thotë se tashmë jemi në një vakum etik ekzistencial, se ndodhemi përballë një situate skepticizmi etik, të paqartë për mundësitë që ka shoqëria dhe njerëzit tanë që të mund të bëhen më të mirë moralisht sot dhe në të ardhmen. Ndaj edhe diskutimi për problemet e etikës sociale dhe normave të sjelljes individuale duket si një angazhim social i vështirë, nganjëherë i pamundur që të realizohet.
Tani që janë shpërbërë përfundimisht “themelet” e etikës dhe moralit tonë të së kaluarës, duket se jemi në situatën që njerëzit janë të turbulluar nga që nuk dinë se nga duhet ta fillojnë diskutimin, nga duhet të nisen për të ndryshuar rendin e gjërave etike, mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve sociale dhe individuale të njerëzve tanë. Jemi në një situatë të “vakumit0 etik”, sepse duket sikur na mungojnë të tërë aksesorët me të cilët ndërtohet jeta etike, instrumentet me të cilat ndërtohen “parimet morale”, dhe pa të cilat nuk unifikohet “sistemi i vlerave” etike si bazë për rregullimin e situatës sociale. Nga ana tjetër, nuk jemi shumë të qartë se çfarë duhet të marrim si vlerë nga “prejardhja morale”. A ka aty gjëra që ja vlejnë të trashëgohen në epokën moderne, apo gjithçka duhet filluar duke u nisur nga e para, në betejën për të ndërtuar “themelet morale” të kohës moderne?Është e natyrshme që në shoqërinë tone pas përmbysjes së madhe të vitit 1990, edhe në sferën e jetës morale do të shfaqej një situatë e thellë e shpërthimit të “nihilizmit moral”, nga që për gjysëm shekulli njohëm, mësuam dhe pranuam si parime morale ca dogma antihumane, që jo vetëm nuk e ndihmuan njeriun dhe shoqërinë në procesin e vetëpërsosjes morale, por përkundrazi dhanë kontribute shkatërruese edhe në sistemin e vlerave të trashëguara të shoqërisë dhe të nëpërkëmbjes banale të dinjitetit të njeriut.Në të vërtetë në këto dy dekada për shumë shkaqe të njohura dhe të panjohura ne kemi kaluar një situatë të thellë të nihilizmit moral, dhe ky është një nga shkaqet që mund të shërbejë si argument, për të justifikuar deri në një farë mase natyrën e sotme të sjelljeve moralisht kaotike që ka mbuluar realitetin tonë social.Por besoj se “nihilizmi moral” nuk mund të veprojë duke qenë vetëm me një kah, apo vetëm me anën destruktive të tij. Sepse nga njëra anë në shoqërinë tonë tani është e vështirë të gjenden qoftë edhe mbeturinat e moralit komunist, e cili është pothuaj destruktuar plotësisht në këto dy dekada të jetës demokratike. Ndërkaq, duket se nihilizmi moral po vazhdon gjatë të ndikojë në jetën e shoqërisë shqiptare, me anën e vet negative dhe destruktive. Filozofi i njohur Fridrih Nice, ky ikonoklast i moralit dogmatik ka patur të drejtë besoj, kur ndërsa idolatrizonte nihilizmin moral, apo e përbuzte praninë e rregullave morale të vendosura nga “lart” mbi shoqërinë dhe njeriun, ishte i bindur se duhet një proces i “nihilizmit aktiv”, si mundësi që mbi “gërmallat” e moralit të përmbysur të ngrihet moral human.Besoj se jemi në kohën kur duhet të angazhohemi të gjithë, për të filluar një “histori tjetër” për moralin dhe mënyrën e komportimit social të njerëzve tanë në kohën e sotme. Shpërbërja e parimeve, modeleve dhe moduleve të etikës sonë të vjetër, nuk është argument që ne të jetojmë në një “shkretëtirë etike” të frikshme. Kemi nevojë padyshim të ngutshme, për të ndërtuar jo një moral të madh metafizik, dogmatik, impersonal, por për të kristalizuar një këndvështrim etik qytetar të kultivuar dhe të kulturuar. Kjo do të thotë që duhet të ndërtojmë konsensualisht si qytetarë, atë “hierarki vlerash” që i duhen shoqërisë tonë dhe që duhen zbatuar në rrugë natyrale. Unë besoj se në rrugën për përsosjen etike të shoqërisë, për rregullimin e kodit të ri të sjelljes së qytetëruar, është duke na penguar jo vetëm nihilizmi total i vlerave dhe traditës sonë, por edhe një lloj ekzibicioni etik modernist, që shfaqet në nuancat e theksuara të një “përulje konsensuale”, të zgjerimit të situatës së pranimit të çdo gjëje që “është e re”, qofshin këto edhe disa shëmtira antihumane të qytetërimit të sotëm që në shumë aspekte është problematik.Unë besoj se në ndryshimin dhe përmirësimin e jetës dhe parametrave etikë të shoqërisë sonë, është e nevojshme që etikisht të shikojmë përpara, qoftë edhe ashtu si thotë filozofi i kohës sonë Gianni Vattimo, duke hedhur një “hap prapa”, duke u larguar nga improvizimet dhe përuljet morale që sjell situata e ditës. Mbase duhet të krijojmë kushtet që njerëzit të binden se në jetën morale, jo çdo gjë fillohet nga e para, nga një terren moral që të jetë “tabula rasa”. Në këtë kontekst, nihilizmi etik nuk është në çdo rast zgjidhja e duhur, as mënyra që të ndihmon të gjesh “rrugën e duhur”. Kjo ka bërë që në shoqërinë tonë të shfaqet një stepje morale, aq sat ë duket sikur po triumfon sulmi radikal i nihilizmit dhe relativizmit moral, që po e dëmtojnë rëndë situatën morale në shoqërinë shqiptare. Debati midis relativistëve dhe atyre që pranojnë nevojën e parimeve universale fillestare etike, si vlera të qëndrueshme, si bazë e moralit dhe e qytetërimit modern, tashmë është fare i hapur në shoqërinë tonë.Është koha kur me sa duket, jo por më shumë vetë individët duhet të jenë përgjegjës për zgjedhjet dhe zgjidhjet tona të problemeve morale. Në mendimin modern etik dhe sociologjik ka filluar të zbehet ideja që i jep prioritet zgjidhjeve dhe zgjedhjeve etike sociale, veprimeve të përbashkëta të “turmës morale”. Tani ka filluar të reduktohet besimi në ndikimet e mëdha morale, nga që me sa duket procesi i zhvillimit dhe përsosjes etike të njeriut, ka për të qenë më shumë një proces i vetëpërsosjes etike vetjake. Në shoqërinë e hapur është vështirë të kodifikosh deri në fund “nomenklaturën etike”, të definosh tipologjitë e sjelljeve morale të njeriut modern. Sot në mënyrë të natyrshme është zgjeruar gama konceptuale e “kornizës morale” dhe e njeriut të moralshëm, sepse janë duke u zgjeruar konturet e jetës morale, mënyrat e intereferimit të moralit social dhe moduleve të sjelljes personale.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...