2011-02-15

Dy veprat e Omer Kaleshit “ruhen” në bodrum

Veprat që piktori i njohur me prejardhje shqiptare, Omer Kaleshi, ia ka bërë dhuratë Kosovës, Galeria e Arteve i ka vendosur në bodrum. “Çobani” dhe “Kokë në litar” - me të cilat Kaleshi u prezantua në konkursin më të madh në vend për arte pamore “Çmimi Muslim Mulliqi” - piktori i njohur vendosi t’ia falë institucionit më të lartë të artit pamor në vend. Por ky i fundit s’e ka gjetur zgjidhjen që për to të krijojë kushte më të mira. Ani pse për kreun e GAK-ut, Fahredin Spahija, dhurata e fundit ka pasuruar fondin e institucionit që drejton, ato kanë fatin e njëjtë të mbi 800 veprave sa numëron fondi. Në një ambient joadekuat - pos veprave të fundit që i janë bashkuar fondit - zënë vend “Patinazhisti” i Andy Warholit, veprat e Muslim Mulliqit, Nyret Salihamixhiqit e shumë punime të artistëve vendorë e botërorë.
Spahija pranon se vendi ku ruhen veprat e Kaleshit bashkë me të tjerat nuk është i përshtatshëm por shfajësohet. Por ai shfajësohet derisa thotë se kushte të tjera për ruajtjen e tyre s’mund të krijojë. Për të zgjidhja është ndërtimi i një objekti të ri. Në anën tjetër, artistët akuzojnë se nuk është bërë asgjë për të ruajtur veprat e fondit.
Dy veprat e Omer Kaleshit “ruhen” në bodrum
Për të parin e GAK-ut, akti dhurimit të veprave nga ana Kaleshit ishte fisnik. Të njëjtin ai pret që ta marrin si shembull edhe shumë artistë të tjerë. Spahija ka thënë se kështu duhet të ndihmohet Galeria Kombëtare e Arteve e Kosovës. Por e pranon që kushtet për ruajtjen e veprave të fondit nuk kanë ndryshuar në tri dekadat e fundit.
“Veprat e Fondit mbahen në po ato kushte që ishin tash e tridhjetë vjet”, ka thënë Spahija. Këtë gjendje thotë se është munduar ta ndryshojë me stafin e tij.
“Jemi përpjekur që t’i sistemojmë ato pak më mirë si dhe t’i evidentojmë tërësisht, ngase edhe në regjistrimin e tyre janë bërë shumë gabime dhe pasaktësi. Tani, secila vepër ka kartelën në të cilën, veç imazhit, ka edhe të dhënat për veprën si dhe numrin rendor të saj”, ka thënë Spahija.
Gjendjen jo të mirë të kushteve në të cilat ruhen veprat e fundusit të GAK-ut, nuk e ka mohuar as Sami Piraj, drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS.
Zgjidhja, sipas Pirajt, mund të gjendet kur institucioni më i lart i kulturës bëhet me ministër. Por MKRS-ja është pa ministër tash ketër muaj përderisa fundusi i GAK-ut ruhet në bodrum tash katër dekada.
“Besoj se Ministria e Kulturës do të ketë ndonjë fond emergjent për rastet e tilla”, ka thënë Piraj, teksa ka shtuar se kjo varet nga ministri i cili i cakton politikat e veta programore. Megjithëkëtë, Piraj nuk ia ka lënë krejt fajin veç Ministrisë së Kulturës.
“Konsideroj se një fond të tillë mund ta absorbojë edhe vet Galeria”, ka thënë Piraj.
Por Spahija nuk mendon njëjtë si shefi i tij. Ai ka shpresën se një ditë në krye të Ministrisë së Kulturës, siç thotë, do të emërohet një person më përgjegjësi dhe më pasionant për çështjet e kulturës.
“Problemin e objektit të ri të Galerisë apo Muzeut të Artit ta trajtojë më seriozisht”, ka thënë Spahija.
Ai është i bindur se vetëm me një objekt të ri zgjidhen përfundimisht ruajtja dhe trajtimi adekuat i vlerave të Fondit të Galerisë.


Piktori Rexhep Ferri thotë se i ka ardhur shumë mirë kur ka kuptuar që Omer Kaleshi do të vinte në Prishtinë, e edhe më shumë kur dy veprat e tij ai i ka lënë për fundusin e GAK-ut. Por Ferri është i mllefosur për mënyrën se si po “ruhen” veprat e fundusit, ku ka edhe vepra të tij. Ferri e ka një hall.
“Aty janë edhe veprat e Muslim Mulliqit, për të cilat nuk flet askush. Si nuk mundi të bëhej një mur për pikturat e tij, që presin tash 40 vjet, edhe të thuhet: ‘Ja, ky është muri i tij’”, ka shprehur shqetësimin Ferri.
Piktori akademik ka shprehur shqetësim edhe për faktin që nuk u bë kurrë Muzeu i Artit Modern, ani pse ai ka dekada që mban mend se është diskutuar për t’u bërë.
“Tri herë është bërë projekt për atë Muze. Njëherë shumë moti ishte paraparë që të bëhej te trekëndëshi, më vonë afër hotelit “Iliria’, e së voni afër GAK-ut”, kujton Ferri. “Asnjëherë nuk ka pasur vullnet për ta bërë atë”, ka shtuar ai.
Grafisti Shyqri Nimani, drejtori i parë i Galerisë së Arteve të Kosovës, kujton se dikur kishin një depo në Pallatin e Rinisë ku herë pas here mundnin të kujdeseshin për veprat e fundusit. Ai pranon se as atëherë ruajtja nuk ka qenë në nivelin e duhur.
“Drejtorët që kanë ardhur pas meje nuk kanë bërë atë që është dashur të bënin”, ka thënë Nimani.
Gjendjen aktuale të ruajtjes së veprave, ai e ka quajtur të mjerueshme.
“Punimet janë të mbështetura njëra mbi tjetrin, e në lagështi”, shprehet ai. E njëjtë, sipas Nimanit, do të mbetet kjo gjendje edhe për një kohë.
Projektin për Muzeun e Artit Modern, Nimani e ka quajtur ambicioz dhe kafshatë të cilën aktualisht Kosova s’mund ta kapërdijë.
“Është bërë projekt për hapësirë prej 14 mijë metra katrorë. Ai do të kushtonte miliona”, ka thënë Nimani. “Ndoshta bëhet pas 10 apo 15 vjetësh”, ka përfunduar ai.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...