2011-02-16

Shkruan: Sheradin BERISHA : TJETËRSIMI I PASURISË ÇAME NGA SHTETI GREK

Çështja çame

TJETËRSIMI I PASURISË ÇAME NGA SHTETI GREK
DHE INDIFERENCA E SHTETIT SHQIPTARË !
  
·        Greqia ndonëse është anëtare e BE-së, duhet të korrigjojë politikën e saj diskriminuese ndaj çamëve, të ndërtuar gjatë dhe pas LDB-së, të respektojë të drejtën e patjetërsueshme të çamëve, për t´u rikthyer në pronat e tyre të konfiskuara padrejtësisht (me vendime e ligje antishqiptare) si dhe t´i kompensojë të gjitha pronat që i ka shitur apo ua ka dhënë falas popullsisë greke.


        

Ligjet diskriminuese të shteti grek

        Më 9 shkurt 2006, me vendimin 5/2006 - Gjykata e Lartë e Greqisë i kishte dhënë të drejtë shtetit t´i shesë të ashtuquajturat “pasuri të armiqve grek, që banojnë në Shqipëri ose që kanë prejardhje shqiptare” (!!!) Propozimi për shitjen e tokave të konfiskuara është bërë që në tetor të vitit 2005 nga kryeprokurori grek, para Gjykatës së Lartë.

        Në vendim theksohet gjithashtu se, shteti grek ka të drejtën e zotësisë të përvetësojë pronat, sipas ligjit 26/361940, ndaj atyre që në të kaluarën janë quajtur persona që kanë luftuar ose kanë qenë kundërshtarë të shtetit grek, apo ndërmjetës të pasurive të këtyre kundërshtarëve. Pas këtij përvetësimi,  shteti grek ka të drejtën edhe të shesë këto prona. Pra, ky vendim u heq sekuestrot dhe i nxjerr në ankand të gjitha pasuritë e shqiptarëve të Çamërisë që kanë në Greqi.

        Ky lajm me të drejt ngjalli reagime të shumta në opinionin shqiptarë e veçanërisht te popullata çame, e cila jeton në Shqipëri, pas shpërnguljeve me dhunë (1913-1945) nga vatrat e tyre stërgjyshore. Për këtë qëllim në shkurt e qershor të vitit 2006, por edhe në vitin 2007 çamët në Shqipëri organizuan protesta, ndërkohë që  një  delegacion i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, në Parlamentin evropian ka  dorëzuar një dokumentacion përkatës lidhur me çështjen çame.  

Një histori e shkurtër për Çamërinë

        Çamëria është një krahinë, që përbënë pjesën më jugore të trevave shqiptare. Shtrihet gjatë bregdetit Jon dhe zgjerohet në Lindje deri në vargun e maleve që e ndajnë prej pellgut të Janinës. Nga Veriu ka kufi lumin Pavel, kurse në Jug Gjirin e Prevezës. Qendrat e banuara kryesore të Çamërisë janë: Filati, Gumenica, Paramithia, Margëllëçi dhe Parga, të cilat me vendim të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 që u mbajt në Londër, iu aneksuan Greqisë, ndërkaq vetëm rripi i saj Verior(me shtatë fshatra) me qendër Konispolin, u përfshi brenda kufijve të Shqipërisë londineze.

        Sipas dokumenteve, rezulton se deri në dhjetor të vitit 1912 në Çamëri jetonin 90 mijë banorë, 50 mijë myslimanë dhe 45 mijë të krishterë, prej tyre 18 mijë frymë flasin gjuhën greke, ndërsa 72 mijë të tjerë flasin gjuhën shqipe. Kështu, Shqipëria megjithëse doli si një shtet i pavarur, u copëtua për afër dy të tretat e territorit kombëtar, dhe gjysma e popullsisë shqiptare u bë “pakicë kombëtare” në shtetet fqinjë, si në: Greqi, Bullgari, Serbi e Mal të Zi.

Gjenocidi dhe spastrimi etnik i Çamërisë, sipas programit
grek “Megalo Idea”

        Që nga viti 1913 e këndej, Greqia me mbështetjen e fuqive të mëdha: Anglisë, Francës dhe të Rusisë, nis spastrimin etnik të Çamërisë, sipas programit nacionalist “Megalo Idea”, i ngjashëm me programin serb “Naçertanija” të Ilija Grashaninit. Për realizimin e këtij synimi, qeveria greke nxori dekrete të veçanta me të cilat çamët u ndaluan të blejnë, të shesin, ose të transferojnë pasuri të patundshme që u takonte atyre, ndërsa pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore(1918), hartoi një ligj për Reformë Agrare, e cila u aplikua vetëm në Çamëri, dhe kjo “reformë” shqiptarëve (të cilët shpërnguleshin me dhunë për në Turqi) ua grabiti tërë pasurinë e tundshme dhe të patundshme.

        Në gusht të vitit 1936 në Greqi u instalua regjimi fashist në krye me Joan Metaksain dhe viktimat e para të kësaj diktature ishin çamët. Shpërthimi i Luftës Italo-Greke (në vitin 1940) thelloi edhe më shumë vuajtjet dhe persekutimet e çamëve. Në këto rrethana lufte, qeveria Metaksai, shfrytëzoi momentin, për vazhdimin e spastrimit etnik të Çamërisë nga popullsia autoktone çame. Për realizimin e këtij qëllimi, fillimisht u burgosën rreth 5 mijë meshkuj çamë (nga mosha 16-70 vjeç) të cilët u internuan në ishujt e Egjeut: Chios, Medelin, Korynth, Lefkada.

        Gjatë Luftës së Dytë Botërore përgjegjësi kryesor i gjenocidit ndaj çamëve, padyshim ishte gjenerali grek Napolon Zervas , (kryetar i partisë së djathtë greke EDES). Në periudhën qershor 1944 - mars 1945, forcat e Zervas, kanë vrarë e masakruar rreth 3 mijë civilë të pambrojtur çamë. Sipas të dhënave që dalin nga raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, rezulton se shifra e çamëve të larguar me forcë nga Greqia për në Shqipëri gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore është rreth 35 mijë vetë. Gjatë kësaj periudhe të spastrimit etnik, u dogjën dhe plaçkitën 86 fshatra me rreth 5800 shtëpi. Në humbjet e tjera materiale llogariten 110 mijë krerë bagëti të imta, 2400 gjedhë, 80 mijë kuintalë vaj ulliri, 21 mijë kuintalë grurë pa llogaritur këtu edhe dramën e madhe të shkombëtarizimit të këtyre trojeve.

        Të theksojmë, se çamët deri në vitin 1940 përveç shtëpive kishin pyje me sipërfaqe 65 mijë hektarë, 108 mijë ha kullota dhe 30 mijë ha tokë bujqësore me një vlerë prej 1 miliardë USD. Ndërsa sipas të dhënave të Shoqatës “Çamëria” vlera totale e pronave çame në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte 340 milionë USD dhe që me vlerën e sotme të këmbimit vlerësohet 2, 5 miliard dollarë. Pas LDB, shteti grek miratoi ligje diskriminuese, me të cilat konfiskonte pasurinë e shqiptarëve çamë, pasi i akuzonte ata se kishin bashkëpunuar me nazifashistët italianë e gjermanë.

Indiferenca e Shqipërisë – karshi çështjes çame !

        Vendimi i shkurtit 2006 i Gjykatës së Lartë Greke për shitjen e pasurisë së çamëve, është një vendim tërësisht politik, i cili mohon katërçipërisht të drejtën e zotimit të pronave nga pronarët e ligjshëm siç është populli çamë. Sakaq, dihet se shteti grek ka një proces të hapur në Strasburg, pikërisht për çështjen e pronave të çamëve dhe mos vallë ky proces do të prolongohet, deri sa të shiten këto prona ?!

        Nga kjo situatë e krijuar, padiskutueshëm kërkohet urgjentisht ndërhyrja e Tiranës zyrtare, e cila asnjëherë më herët nuk e ka trajtuar këtë problem seriozisht. Për më tepër, shpeshherë Shqipëria zyrtare është treguar tolerante karshi veprimeve ksenofobe të shtetit grek, të cilët gjithmonë kanë shprehur pretendime territoriale, nëpërmjet elementit grek në jug të Shqipërisë.

        Këtë tolerancë duket se ka dëshmuar edhe vizita e presidentit Bamir Topi në Greqi (nga data 25 – 27. 11. 2007) . Presidenti Topi gjatë qëndrimit në Greqi u takua me presidentin grek Karolos Papulas, kryeministrin Kostas Karamanlis, Kryetarin e Parlamentit Siufas, ndërkohë që pati takime të veçanta edhe me përfaqësues të partive parlamentare në Greqi: me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë Komuniste së Greqisë, Aleka Papariga, me Kryetarin e Partisë Popullore Ortodokse (LAOS) Jorgos Karaxhaferri, me Kryetarin e Koalicionit të së Majtës Radikale, Alekos Alavanos dhe me Kryetarin e Partisë më të madhe opozitare greke, PASOK, Jorgos Papandreu.

        Kreu i shtetit shqiptar, për çudi në të gjitha këto takime, as që e zuri në gojë çështjen e pazgjidhur çame, përkundrazi në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar anëtarëve të Dhomës së Tregtisë dhe industrisë greke u shpreh: “Populli grek dhe populli shqiptar që, ndër shekuj, ndërtuan dhe farkëtuan një miqësi të pathyeshme nga dallgët e historisë, hodhën një urë që, asnjëherë dhe nga askush, nuk u prish” dhe me këtë rast u bëri thirrje investitorëve grekë të rrisin praninë dhe kapitalet e tyre investuese në Shqipëri për të përfituar nga klima e favorshme ekonomike e vendit tonë. Shumë interesante! Z. President, Askush nuk është kundër farkëtimit dhe ndërtimit të urave të miqësisë me Greqinë, por të konstatosh se këta dy popuj ndër shekuj, paskan ndërtuar dhe farkëtuar një miqësi të pathyeshme nga dallgët e historisë, kur dihet mirëfilli se ndër shekuj ( të paktën gjatë gjysmës së parë të shekullit XX) shteti grek ka kryer gjenocid ndaj popullit autokton çamë, kjo më duket apsurde dhe si e tillë skajshmërisht e pandershme.

Foto nga vizita e Presidentit Bamir Topi në Greqi :


        Ky veprim i shtetit shqiptar bjer ndesh me obligimet kushtetutare të vendit për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve jashtë kufijve saj.

Si përfundim

        Greqia ndonëse është anëtare e BE-së, duhet të korrigjojë politikën e saj diskriminuese ndaj çamëve, të ndërtuar gjatë dhe pas LDB-së, të respektojë të drejtën e patjetërsueshme të çamëve, për t´u rikthyer në pronat e tyre të konfiskuara padrejtësisht (me vendime e ligje antishqiptare) si dhe t´i kompensojë të gjitha pronat që i ka shitur apo ua ka dhënë falas popullsisë greke.

……………………………


Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...