Nga: Lorenc Vangjeli
Lufta e ftohtë e ish-kryeministrit shqiptar Aleksandër Meksi me homologun e tij serb Milan Paniç, takimi “i fshehtë” në Tiranë. Zbardhen gjithë detajet e dialogut të mbetur mister për 15 vjet. Amerikanët ishin sponsorizuesit e takimit, Kosova kryefjalë e sherrit shqiptaro-serb. MAPO zbulon transkriptin origjinal të takimit
“Vetvendosje. Të jenë kosovarët që e vendosin të ardhmen e tyre”. Fraza e rëndë shkaktoi një heshtje të hidhur në godinën e kryeministrisë. Ballë për ballë Aleksandër Meksi dhe Milan Paniç, ish-kryeministri jugosllav. Vendndodhja Tiranë, koha, gusht 1992. Rrethanat, amerikanët kishin sponsorizuar politikisht takimin.
Janë 54 faqe te daktilografuara që zbulojnë misterin e asaj çfarë ka ndodhur mbas dyerve të mbyllura të zyrës së ish-kryeministrit Aleksandër Meksi fiks 15 vjet të shkuara. Nga takimi i parë i një drejtuesi shqiptar me një kryeministër serb që nga viti 1948, deri tani janë bërë publike vetëm deklarimet e tyre mbas shtypit, por ato ishin të pamjaftueshme të përcillnin atë kundërvënie të fortë dhe të parë në ato nivele mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa në mes ndodhej çështja e Kosovës. Për herë të parë, zyrtarisht, palës serbe ju bë i qartë se Shqipëria kishte vendosur të luante një rol aktiv në zhvillimet e pritshme për statusin e Kosovës dhe se Tirana ishte e vendosur që kosovarëve t´u njihej e drejta e vetëvendosjes.
MAPO ka mundur të sigurojë tekstin e plotë, origjinali ndodhet në arkivin e kryeministrisë, në të cilin dallohen qartë ndryshimet thelbësore mes palëve, armiqësia, por dhe nervoziteti ekstrem të cilin nuk mund ta zbuste as gjuha diplomatike. Ky ishte një takim të cilin e kishin propozuar amerikanët, por që u prit fillimisht me skepticizëm dhe nga vetë kosovarët. Ishte koha kur ish-Jugosllavia kishte nisur të dizintegrohej, ishte larguar Sllovenia e Kroacia, lufta kishte filluar në Bosnjë-Hercegovinë, por pritej që Kosova të ishte prova e madhe e zjarrit. Dhe në këtë provë, Shqipëria patjetër do të kishte vendin e saj. Fillimisht tek Paniçi ishin varur shumë shpresa nga ndërkombëtarët, por futurizmi i biznesmenit të ardhur nga SHBA-ja do të dështonte kohë më pas përballë furisë së nacionalshovinistit Milosheviç.
Biseda ndjehet që është e tensionuar. Përkrah Meksit ndodhej ish-ministri i jashtëm Alfred Serreqi dhe zëvendësi i tij Arian Starova, me Paniçin, ministri i jashtëm jugosllav dhe disa këshilltarë, disa prej të clëve kishin shërbyer që në kohën e Jugosllavisë së Titos. Jashtë mureve të kryeministrisë shqiptarë dhe kosovarë protestonin paqësisht. “Me kohë, të gjithë gurët zënë vendin e tyre”, paralajmëroi që në nisje bisedën e tensionuar Meksi. Paniç përmend demonstruesit. “Të punojmë së bashku që ta përmirësojmë botën në drejtim të të drejtave të njeriut”, thotë më pas ai, por Meksi reagon ftohtë. Në mes ishte Kosova dhe vetëm Kosova dhe sipas kryeministrit të atëhershëm, ajo çka po ngjiste në Kosovë i kapërcente kufinjtë e respektimit apo shkeljes së të drejtave të njeriut. “Ne jemi për respektimin e kufinjve dhe mosndryshimin e tyre me dhunë, por në të njëjtën kohë, mbrojmë me këmbëngulje të drejtat e shqiptarëve të Kosovës që burojnë nga dokumentet ndërkombëtare, Karta e Helsinkit, të drejta që mund të shkojnë dhe shkojnë deri në vetvendosjen e kombeve”, i thotë Meksi bashkëbiseduesit të tij. Më pas shton se për të krijuar klimën për një dialog të frutshëm mes Tiranës dhe Beogradit, duhej të merreshin një varg masash për Kosovën dhe përmend “Heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, largimi i ushtrisë federale, respektimi i të drejtave të njeriut, lejimi i institucioneve shqiptare, i mjeteve të komunikimit publik dhe mbi të gjitha, dialogu të bëhej me përfaqësuesit e ligjshëm të shqiptarëve...”. Paniç reagon. “Unë nuk jam diplomat, nuk jam politikan, por jam këtu me mision paqeje. Gjëja e parë që duhet të njohim është fqinjësia e mirë. Dua që Shqipëria dhe Jugosllavia të bëhen fqinjë të mirë dhe ndoshta më tepër se kaq”, thotë Paniç, që më pas shton se ai vetë “nuk prodhon armë, por vetëm ilaçe”. Shembujt e njëpasnjëshëm të tij vijnë nga SHBA-ja ku ai kishte jetuar për 40 vjet. E sjell vazhdimisht në bisedë si shembull, por pritet sërish me skepticizëm nga bashkëbiseduesit, Ballkani dukej se nuk ishte terreni ideal për të kopjuar përvojën amerikane. Duhet të hidheshin shumë hapa të tjera që ëndrra amerikane të kishte të nesërme në Ballkan. Megjithatë Paniç insiston, propozimet e tij përfshijnë kryesisht temën ekonomike, por dhe atë të lëvizjes së lirë në të dy anët e kufirit. Por biseda që duhej të ngrinte ura mirëkuptimi, po vinte më shumë në pah, dallimet e jashtëzakonshme në qëndrime.
Teksti i bisedës
Meksi: Sipas mënyrës sonë të të konceptuarit, në krye në Beograd janë komunistët.
Paniç: E keni gabim, sepse unë nuk jam komunist. Unë përfaqësoj qeverinë.
Meksi: Një ndër ta është Slobodan Milosheviçi. Ai është president i Serbisë, për të mos thënë dhe të tjerët, si Bullatoviçi në Mal të Zi.
Paniç: Kjo është shoqëria demokratike, ata janë zgjedhur sepse edhe ata e kanë këtë të drejtë.
Meksi: Nuk janë zgjedhur me zgjedhje demokratike, as me struktura demokratike.
Paniç: Do të bëjmë zgjedhje përsëri për tre muaj.
Meksi: Nga përvoja ime joameriakane, por e një vendi që sapo ka dalë nga komunizmi, mund t´ju them se është e vështirë të bëhen zgjedhje të lira kur janë komunistët në fuqi.
Dhe më pas, sërish me të njëjtin ton ku fshihej me zor nervozimi. Njohja mes protagonistëve po bëhej gjithmonë e më e vështirë sepse qëndrimet ndodheshin në skajet e tyre.
Meksi: Nuk mund të jetë popull i lirë ai që i mohon lirinë popujve të tjerë. Komunistët e kuptojnë më mirë sepse e kanë shkruar dhe në librat e tyre një gjë të tillë.
Paniç: Unë jam i kënaqur që nuk jam shkolluar në komunizëm dhe nuk dua të mësoj për komunizmin, por dua të predikoj se çfarë është demokracia.
Dhe më pas vazhdon se ishte i gatshëm të firmoste në moment një dokument për krijimin e bashkimit ekonomik në Ballkan. Madje fton dhe Meksin në Beograd për vizitë, çka pasohet nga një tjetër pilulë e hidhur.
Meksi: Eshtë e vështirë për shqiptarët të shkojnë në Serbi apo në Kosovë.
Paniç: Pse? Nuk mund të vinë dot shqiptarët në Beograd? Duhet të lejohet çdo shqiptar, mjafton të ketë një pasaportë.
Meksi: Atëherë përgatituni për nesër që t´i përgjigjeni 100 mijë kërkesave për të vizituar Kosovën, sepse ka mbi 100 mijë shqiptarë që kanë njerëzit e tyre në Kosovë, por që janë ndarë që nga koha e Luftës.
Paniç insiston dhe thotë se është i gatshëm të zgjidhë problemin e qarkullimit të lirë të qytetarëve nga të dy anët e kufirit, kurse Meksi sërish përmend Kosovën.
Meksi: Kosova është vendi ku mund të fillohet zgjidhja e problemeve.
Dhe më pas rreshton kërkesat e qeverisë shqiptare, heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, largimin e ushtrisë federale. Bashkëbiseduesi përgjigjet:
Paniç: A mendoni se mund të ndodhin vrasje atje, nëse nuk do t´u garantohet mbrojtja? Më lini mua të kujdesem për sigurimin e të drejtave njerëzore.
Meksi: Në këto të drejta ne përfshijmë edhe të drejtën e vetvendosjes.
Paniç: E njëjta gjë ndodh edhe me serbët në Kroaci dhe në Bosnje.
Meksi: Kjo është ajo që dëshirojnë ata atje, nuk jua diktojmë ne.
Paniç: Fatkeqësisht ne nuk jetojmë vetëm. Ne jetojmë në një bashkësi ndërkombëtare e nuk mund të marrim vendime të njëanshme. Në qoftë se ne të dy marrim vendime, por nuk janë dakort atje, atëherë ato harrohen.
Meksi: Kjo është e drejta për vetvendosjen. Organizimi politik i popujve është një e drejtë që e garantojnë organizmat ndërkombëtarë.
Paniç: Sipas pikpamjes së KSBE-së (sot OSBE), pakicat nuk e kanë të drejtën e vetvendosjes.
Meksi: Megjithkëtë shqiptarët në territoret e tyre në Jugosllavinë e djeshme nuk përbëjnë minoritet. Statusi i sotëm është thjesht rezultat i një padrejtësie të vitit 1913 apo e vitit 1945.
“U ngopa me Kosovën”, do të shfryjë më pas Paniç: “edhe po ta zgjidh unë problemin, kjo nuk do të jetë në të mirën e Shqipërisë”, thotë ai. “Erdha këtu edhe për të ndihmuar Kosovën. Eshtë një çështje që duhet zgjidhur, por e rëndësishme është të bëj më shumë se kaq”. Në bisedë ndërhyn dhe ministri shqiptar i jashtëm që insiston përsëri: “Kosova është problemi më i madh”. E pason menjëherë Meksi: “Çështja e Kosovës mund të zgjidhet me dialog, pa kushte, me përfaqësues të ligjshëm nga Kosova”. Pak minuta më pas dhe ndërhyn ambasadori i atëhershëm jugosllav në Tiranë: “Më duket sikur po hapen plagët e vjetra, sikur po bisedoj me rusët”.
Paniç: Ne nuk kemi luftë midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë.
Meksi: Ne jemi të bindur se po u vazhdua me këtë rrugë, lufta do të spostohet edhe në Kosovë.
Biseda vazhdon sërish e tensionuar. Fantazma e luftës që në të vërtetë do të niste shtatë vjet më pas, ishte gjithmonë e pranishme. Paniç thotë se si krishterë i mirë do të lutej dhe Meksi i përgjigjet që të fillohet me lutjen për paqe. Atë paqe që do të vinte më pas vetëm nga lufta. Kjo faqe e sapozbuluar e historisë së nderë mes Shqipërisë dhe asaj çka kishte mbetur nga ish-Jugosllavia, merr rëndësi të posaçme pikërisht tani kur po diskutohet statusi final i Kosovës. Sipas parimit, për të parashikuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, duhet të shihet mirë dhe e shkuara. Aq më tepër që bëhet fjalë për një të shkuar jo fort të largët.
Meksi, kemi njohur Kosovën që në 1992
“Bëni kujdes çfarë flisni dhe çfarë u thoni të huajve që takoni. Gjithçka juaja regjistrohet dhe raportohet. Në mos ju vetë, do të turpërohen fëmijët tuaj nëse ju veproni kundër interesave të shpallura të vendit”. Kjo batutë e thënë që në një nga mbledhjet e para të qeverisë së drejtuar nga Aleksandër Meksi në pranverën e vitin 1992 kishte brenda edhe cinizëm, por dhe një të vërtetë të madhe. Disa nga anëarët e kabinetit të tij atëherë ulën kokat, të tjerë ndjenë peshën e humorit të zi që shefi i tyre, njohësi i shkëlqyer i historisë së mesjetës, po jua jepte si këshillë. Fetishizimi i të huajve dhe kontrasti i jashtëzakonshëm i servilizmit ekstrem në disa raste me qasjen plot dyshim të së djeshmes ndaj të huajit, kishte prodhuar figurën e zyrtarit të lartë shqiptar që përulte me dëshirë gojën tek veshi i cilitdo që fliste në gjuhë të huaj. Në ato vite të turbullta, kur mungesa e eksperiencës dhe gjendja më shumë se kaotike e vendit, ishte tepër e vështirë të sigurohej një orientim i saktë i asaj çka duhej të ishte marrëdhënia normale me partnerët e huaj dhe nuk dallohej mirë ku fillonte dhe mbaronte transmetimi i shqetësimeve normale me shumë më tepër se kaq. Por një shembull krejt të përkundërt afron një dokument i shkruar, zbardhja e bisedimeve të para zyrtare mes kryeministrit shqiptar Aleksandër Meksi dhe homologut të tij jugosllav Milan Paniç. Takimi i “armiqve” u bë me ndërmjetësinë e amerikanëve dhe ishte i pari që ndodhte në harkun e 44 vjetëve heshtje.
Për 15 vjet rresht, nga ai takim mjaft nervoz dhe i parë me dyshim nga të gjithë, nga kosovarët më së shumti, ishin bërë publike vetëm deklaratat e shtypit të dy kryeministrave, por sot, MAPO ka mundur të sigurojë tekstin e plotë të transkriptuar të takimit që ruhet në arkivin e kryeministrisë. Kosova, çështja shqiptare, por dhe marrëdhëniet e atëhershme shqiptaro-jugosllave ishin në qendër të takimit dhe për herë të parë, përballë “armikut” u deklarua qëndrimi i Republikës së Shqipërisë për të drejtën e popullit të Kosovës që shkonte deri në vetvendosje. Tani, në epilog të zgjidhjes së kësaj çështjeje, kujtesa e asaj çka është bërë në ato vite merr një rëndësi të posaçme. “Qeveria e Shqipërisë e ka njohur që atëherë Republikën e Kosovës dhe ky është një akt që ka mbetur në fuqi”, kujton Meksi, i cili duke u nisur nga ky fakt ngre pyetjen se cili do të jetë mekanizmi legal që do të zgjedhë Shqipëria për atë çka do të ndodhë me statusin e Kosovës mbas 10 dhjetorit, afatit të fundit të negociatave mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve për çështjet e statusit. “Eshtë e njëjta republikë që duhet të rinjihet, njohja nga Shqipëria do të jetë një akt thjesht formal apo është vazhdim i njohjes që Shqipëria ka bërë asaj që prej 15 vjetësh?”, pyet duke nënkuptuar përgjigjet e tij Meksi.
Ish-kryeministri i parë i qeverisë së PD-së që nga viti 1992, Aleksandër Meksi thotë se takimi me homologun serb Milan Paniç, kishte ndodhur vetëm 21 ditë mbasi ky i fundit kishte marrë postin e kryeministrit. “Ai kishte qëndruar për 40 vjet në mërgim në SHBA dhe që andej u katapultua në postin e kryeministrit, si një frut fatkeq i bindjes se demokracia mund të katapultohet, një mëkat ky jo vetëm shqiptar. Me sugjerimin e Departamentit Amerikan të Shtetit u mundësua, që Paniç, mbas kthimit të vizitës së tij nga Athina, të qëndronte në Tiranë”, thotë Meksi, pa dhënë më shumë hollësi për prapaskenat diplomatike që çuan në takimin që shpresonte të thyente akullin e ngrirë mes dy vendeve. Mes Tiranës dhe Beogradit qëndronte Prishtina dhe që prej të paktën tre vjetësh, gjendja aty ishte bërë katastrofike. Kosova kishte Presidentin dhe qeverinë e saj në mërgim, por ishte praktikisht një tokë e pushtuar nga armata serbe. Në Kosovë gjendja ishte katastrofike, dhuna dhe shkelja totale e të drejtave të njeriut kishin krijuar aty një situatë shpërthyese. Kishte filluar dizintegrimi i ish-Jugosllavisë, me luftën e parë të shpërthyer në Evropë, që mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe ajo çka kishte nisur në të vërtetë në Kosovë, do të mbyllej si akt i fundit po në Kosovë. Në këtë kuadër dhe vetëm në këtë kuadër, roli i Shqipërisë do të ridimensionohej dhe Tirana do të tërhiqte vëmendjen e diplomacisë vendimmarrëse botërore. Kjo ishte dhe korniza në të cilin do të zhvillohej takimi i parë me kryeministrin serb. “Kishte shumë vështirësi dhe ne duhet të ishim shumë të vëmendshëm që të paraqisnim qëndrimin tonë zyrtar. Çështja e Kosovës, mendonim, duhej të zgjidhej nëpërmjet përfaqësueve legjitimë të saj dhe në prani të një pale të tretë. Ne parapëlqenim që këta të tretë të ishin amerikanët ose BE-ja dhe KSBE-ja (OSBE-ja e sotme). Zgjidhja duhej të gjendej në Kosovë dhe jo jashtë saj. Në bisedimet zyrtare ne u shprehëm qartë se bindja jonë ishte që Kosova duhet të vetëpërcaktohej dhe të vetëvendoste fatin e saj”, thotë Meksi, që shprehet se takimi ndodhte me gjithë ngarkesën e jashtëzakonshme të armiqësive të grumbulluara nga e shkuara dhe e tashmja. Sipas tij, problem ishte dhe skepticizmi i thellë me të cilin u prit ai takim nga përfaqësuesit e Kosovës që ndodheshin të akredituar në Tiranë, por dhe nga vetë Prishtina. “Edhe pse kishim shpjeguar qartë qëndrimin tonë, ky skepticizëm ndjehej dhe ishte mjaft i pranishëm. Vetëm mbasi ata dëgjuan deklarimet zyrtare mbas takimit dhe komentet e forta të bëra në Zërin e Amerikës, pati një lehtësim të tyre, thotë Meksi, që e konsideron atë hap të parë si mjaft të rëndësishëm edhe mbas kaq vitesh. “Jam krenar të them se PD mundi atëherë t´u mësonte bijve të komunistëve të dikurshëm shqiptarë që Kosova ishte Shqipëri, që kosovarët flisnin shqip. Atëherë ne kishim nisur të shfrytëzonim të gjitha tribunat ndërkombëtare për të folur për çështjen shqiptare. Gjykonim se edhe pse nga pikpamja administrative janë kosovarët atë që duhet të vendosnin për të nesërmen e tyre, e drejta për të folur dhe mbrojtur këtë të drejtë të tyre, ishte dhe është detyrim i të gjithë shqiptarëve”, thotë Meksi. Ai përmend se i njëjti qëndrim është mbajtur dhe me drejtuesit e Malit të Zi, Bullatoviç dhe Gjukanoviç, por dhe në Ëashington me vetë ish-Presidentin Klinton në 1993. “Në prill 1993 kemi deklaruar në Shtëpinë e Bardhë se vetëm ndërhyrja ushtarake në Serbi do të ndalte komunistin Milosheviç në rrugën e tij fashiste që e çoi në luftë gjithë rajonin. Çfarë mendoni ju se duhet të bëhet?, na pyeti atëherë Presidenti Klinton. Bombardime mbi Serbi, ju përgjigjëm”, kujton Aleksandër Meksi.
Ai vetë nuk pranon se në të njëjtën kohë, në politikën zyrtare të Tiranës kishte dy linja, njëra e vijës së ashpër përballë serbëve dhe tjetra e ndryshme. Dhe që supozohej se furnizonte me naftë makinën serbe të luftës. Kontrabanda e naftës, e pranuar në dhjetor të vitit të kaluar nga kryeministri Berisha, atëherë president i vendit, nuk pranohet si e tillë nga ish-bashkëpunëtori i tij Meksi. “Kanë qenë shifra krejt minimale. Trafiku i naftës nisi me shishe benzine, vazhdoi me bidonë e serbatorë dhe më pas edhe u ekzagjerua me forma të tjera. Po ju kujtoj se ka pasur dhe përplasje me armë të policisë shqiptare me trafikantët. Edhe “Shqiponja”, ndërmarrja ekonomike pranë PD-së ka sjellë në Shqipëri vetëm 10 për qind të gjithë sasisë së naftës dhe e ndërpreu aktivitetin në mes të periudhës kur ishte vendosur embargoja ndërkombëtare kundër Serbi-Malit të Zi”, thotë Meksi që rezervohet të shprehet për takimin mes Berishës dhe Bulatoviç në fund të vitit 1992, atëherë kryeministër i Malit të Zi, që është konsideruar dhe si fillesa e një marrëveshjeje për furnizim të naftë duke thyer embargon.
Aleksandër Meksi flet dhe për situatën aktuale në Kosovë. Ai i konsideron zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë si një shenjë e qartë se kosovarët kanë kuptuar përfundimisht se çfarë është demokracia. Madje më mirë edhe se në Tiranë. “Vota vret më shumë se plumbi dhe kjo është aksiomë, nëse perifrazojmë Benxhiamin Franklinin. Dhe në Shqipëri nuk do të ketë kurrë përparim pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fatkeqësisht, zgjedhje të tilla ka pasur dy herë vetëm në vitin 1992 dhe në votimin referendar për Kushtetutën e rrëzuar të ´94-ës. Dhe të jeni të bindur se çdo defekt i demokracisë në Shqipëri, ka pasoja negative dhe matanë kufirit. Megjithatë, unë besoj se Kosova do të fitojë përfundimisht pavarësinë, të cilën e ka marrë praktikisht që nga qershori i 1999-ës, kur serbët u tërhoqën dhe NATO hyri në Prishtinë, thotë Meksi. Që megjithatë sheh me skepticizëm qëndrime të vazhdueshme të diplomacisë shqiptare në këto vite, e cila në formë dhe përmbajtje, “shpesh sillet në rolin e miqve të të huajve për të bërë shkesinë e tyre me kosovarët. Shpesh, politikanët e dy anëve të kufirit absurd mes nesh, sillen si dikur Ali Pasha dhe Mehmet Pashë Bushatlliu, secili për veten, por jo për gjithë Shqipërinë, të ndarë dhe zemërakë me njëri-tjetrin. Ne jemi përqëndruar në diplomacinë formale dhe në asnjë rast nuk kemi përdorur dhe mjete të tjera. Do të ishin nevojitur dhe emisarë të besuar për të lobuar pranë diplomacive të vendeve me qëndrim të lëkundur për Kosovën. Po të ishte vepruar kështu, do të kishte shumë më shumë përfitime që nuk do të ishin të individit, por të të gjithë kombit”, thotë historiani Meksi, i bindur që një popull i cili nuk mëson nga pësimet, do ta pësojë sërish.
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...