Diplomacia e huaj paralajmëron qytetarët të shmangin tubimet politike të PS dhe PD-së
Protestat në Tiranë dhe rrethe kanë detyruar trupin e huaj diplomatik në Tiranë të njoftojnë shtetasit e tyre duke u përcjellë mesazhin që të tregohen të kujdesshëm gjatë ditëve të demonstratave. Disa përfaqësi diplomatike i kanë publikuar këshillat për shtetasit e tyre në Tiranë në faqen online të internetit. Ambasada britanike në Tiranë nëpërmjet një njoftimi ka publikuar këshilla për shtetasit e saj për “të qenë të kujdesshëm në udhëtimet e tyre në Tiranë dhe qytete të tjera për t’i koordinuar dhe për të kufizuar udhëtimet e panevojshme”. Nga ana tjetër, ambasada amerikane u ka dërguar këshilla dje shtetasve të saj në Shqipëri që të kenë kujdes për zhvillimet e dy tubimeve politike, më datë 18 shkurt të opozitës dhe më 20 shkurt të Partisë Demokratike. Në njoftimin e ambasadës amerikane bëhet e ditur se “Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e një tubimi politik ditën e diel në 20 shkurt. Ambasada amerikane nuk ka informacione specifike për protestën e propozuar”. Në këtë njoftim specifikohet se më parë tubime të tilla të mëdha publike kanë prekur të gjitha arteriet kryesore të zonave kyç të kryeqytetit, Kuvendit, Kryeministrisë dhe bulevardit kryesor “Dëshmorët e Kombit”. Shmangia e frekuentimit të këtyre zonave dhe kufizimi i të gjitha udhëtimeve të panevojshme gjatë protestave është këshilla që ambasada amerikane ofron gjatë kësaj fundjave. Ambasada amerikane ka paralajmëruar qytetarët amerikanë të kenë kujdes ditën e sotme kur Partia Socialiste ka organizuar mbajtjen e një proteste. Sipas selisë diplomatike, ka informacione që protesta mund të zgjasë për disa ditë. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të evitojnë vendet ku do të zhvillohet demonstrata dhe të jenë gjithnjë në kontakt me njoftimet që publikohen në media dhe në faqen e saj zyrtare. “Partia Socialiste ka lajmëruar mbajtjen e një demonstrimi të gjerë publik në qytetin e Tiranës, pasditen e 18 shkurtit. Ambasada nuk ka asnjë informacion specifik për vendin ku ajo do të mbahet… Ka informacione që demonstrata e nesërme mund të zgjasë për disa ditë… Kujtojmë shtetasit amerikanë që edhe pse demonstrata synohet të jetë paqësore, mund të kthehet e dhunshme dhe e paparashikueshme. Duhet ta evitoni atë, sa më shumë të jetë e mundur”, është specifikuar në njoftimin e parë të ambasadës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ambasada amerikane ka përcjellë këshilla për shtetasit e saj edhe për tubimin politik që parashikohet të mbajë Partia Demokratike më 20 shkurt. Në njoftimin e ambasadës amerikane specifikohet se edhe pse përflitet për demonstrata paqësore në Tiranë, një demonstrim i 21 janarit ishte i dhunshëm dhe rezultoi me vdekjen e katër personave dhe shumë lëndime, përfshirë edhe Policinë e Shtetit. Ambasada bën thirrje për qytetarët e SHBA-së se edhe demonstratat paqësore mund të kthehen në dhunë të paparashikueshme. Për këtë arsye, ambasada e SHBA-së në Tiranë këshillon shtetasit e saj të shmangin këto demonstrata nëse është e mundshme. “Demonstratat në qytet kanë potencial që të çojnë në mitingje të tjera publike edhe në vendet e tjera në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.