2011-02-18

Jusuf Gërvalla poet shqiptar dhe atëdhetar i shquar

Skeda:Jusufgervalla2.jpg

Jusuf Gërvalla poet shqiptar dhe atëdhetar i shquar, lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik, rrethi i Deçanit, nga një familje bujare. Vritet mizorisht më 17 janar 1982) në Untergrupenbah (Gjermani).
Shembulli i tij mbeti i gjallë nder intelektualë të kohës moderne, si shkrimtarë dhe atëdhetarë i shquar përe liri deri në vdekje.
Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. "Ora", Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.
Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të "lapidaristëve" të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.
Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para - "Fluturojnë e bien" (1975) dhe "Kanjushë e verdhë" (1978) - poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve "Shtëpia në kornizë" dhe "Skena nga jeta e fshatit". Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për "pak frymë njeriu e pak dritë qiriri". Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, "Shenjat e shenjta" (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si "hije", "pluhur", "frikë", "terr", "ftohtë", "varr". Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë "jeta". Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.

Tituj të veprave

Fluturojnë e bien (1975)
Kanjushë e verdhë (1978)
Shtëpia në kornizë
Skena nga jeta e fshatit
Shenjat e shenjta (1979)
Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare,Ora - Prishtinë, 1992




JUSUF GËRVALLA:LUFTA JONË ËSHTË E DREJTË




Sulmi i UDB’së dhe kundërsulmi i Jusuf Gërvallës në shtypin e kohës






Cerimonia e varrimit të J.Gërvallës, K.Zekës dhe B.Gërvallës në varrezat e Bad Canstadit në Shtutgart (05.02.1982)
Dihet mirëfilli, se në nëntor - dhjetor të vitit 1979 në Kosovë dhe në viset tjera Shqiptare në ish’Jugosllavi, regjimi titist përmes UDB’ës famëkqe ndërmori një fushatë të egër kundër Lëvizjes sonë Kombëtare, me ç’rast burgosi dhjetra veprimtarë të kësaj Lëvizjeje. Në këto zhvillime të rënda për popullin shqiptar, ishte zbuluar edhe aktiviteti i Jusuf Gërvallës. Më 14 dhjetor 1979, Jusuf Gërvalla, për t'i shpëtuar burgosjes nga UDB'a jugosllave, (pas konsultimit me shokët e Lëvizjes) - largohet nga Kosova dhe emigron në Gjermani. Jusufi largimin e tij nga Kosova për në Gjermani e përshkruan detalisht në ditarin e tij prej tetë faqesh në dorëshkrim.

Lajmëtari i lirisë, nr.1, gusht 1980, faqe 2 )


Jusuf Gërvalla, me të arritur në Gjermani, në janar 1980 nis aktivitetin e tij, për ta njohur opinionin e huaj lidhur me situatën e rëndë që po kalon populli shqiptar në Kosovë dhe në viset tjera etnike në ish’Jugosllavi. Jusufi me ndihmën e Bardhit (vëllaut të tij), fillimisht i shkruajti një letër organizatës ”Amnesty Intenacional” ku e njoftoi për burgosjet masive të shqiptarëve në Kosovë dhe pastaj me porosinë e revistës gjermane ”Der Spiegel” përgatiti një material prej 13 faqesh, në të cilin shpërfaqi historin e popullit shqiptar dhe hodhi në dritë burgosjet e fundvitit 1979 që kishin ndodhur në Kosovë.

Kopja e letrës së Jusuf Gërvallës, dërguar S.Novosellës (Mërgimit) më 13 Maj 1981 (fq.2)



Ato ditë janari, Jusuf Gërvalla (pasi ishte njohur edhe me disa veprimtarë që vepronin në Gjermani), shkruan disa artikuj që do të botohen në muajin shkurt në gazetën "Bashkimi", (që e nxirrte Ibrahim Kelmendi) dhe në numrin vijues në prill 1980. Ai do të shkruaj edhe për gazetën "LIRIA" që e nxirrte Kadri Zeka në Zvicër. Siç vihet në pah, Jusuf Gërvalla ia fillon punës duke i ndihmuar të tjerët në aktivitete të shumta që i kishin nisur prej kohësh, i bindur se ajo punë ishte me interes kombëtar. Në këtë kohë, UDB’ja kishte shtuar aktivitetin e saj në Evropë dhe i survejonte veprimtarët shqiptar në ato përmasa siç i ndiqte veprimtarët në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare.

Në pranverë të këtij viti, në kohën kur lufta shantazhuese kundër Jusufit në Shtutgart intensifikohet përmes provokatorëve të UDB’së, të cilët kurdisnin edhe atentate e kërcënime të ndryshme, duke shpresuar se Jusufi do të izolohet, më 4 qershor 1980, Gjykata e Qarkut në Prishtinë (në bazë të aktakuzës PP.nr.180/79 datë 9 maj 1980) në ”emër të popullit” i dënoi tetë anëtarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ). Pikërisht në këtë ditë, (më 4 qershor 1980) Jusuf Gërvalla kishte nisur përgatitjet për botimin e ”Lajmëtarit të lirisë”, një revistë Kombëtare që solli, shpresë, guxim e vetëbesim tek shqiptarët në mërgim dhe në gjithë etnikumin kombëtar në ish’Jugosllavi.

Kopja e letrës së Jusuf Gërvallës, dërguar S.Novosellës (Mërgimit) më 13 Maj 1981 (fq.3)

Cerimonia e kthimit të eshtrave të Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit në Kosovë ( Shtutgart – Bad Canstadt, Janar 2002)



Qysh në numrin e parë të ”Lajmëtarit të lirisë” (gusht 1980), Jusuf Gërvalla u vu në mbrojtje të bashkëveprimtarëve të tij të burgosur nga UDB’ja famëkeqe, duke sipërfaqësuar njëkohësisht, gjithanshëm edhe kauzën tonë kombëtare.

Me këtë rat për pashtriku.org po shkëpusim këtë fragment:

Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla

"Duke u nisur nga lufta jonë e drejtë, sepse ndryshe s’ka si cilësohet lufta për mbrojtjen e tokave të tua dhe të interesave jetike të popullit tënd; si dhe nga pjesëmarrja aktive e përhershme e shqiptarëve të Kosovës në vlimet e përgjithshme të historisë së Shqipërisë për ruajtjen e tokave dhe të popullit nga copëtimet e ndryshme barbare; pastaj, me vetëdije të lartë se qeveria titiste e Beogradit, mashë e imperializmit dhe e revizionizmit botëror meriton tek e fundit edhe urrejtjen e popujve jugosllavë, që lëngojnë si mos më keq nën këmbën e shovinizmit serb, është e natyrshme që ne, revolucionarët kosovarë të ndahemi diametralisht me mendime nga kjo qeveri dhe nga ky shtet.

 
Hysen Gega( Vasili) dhe Riza Salihu (Rezili)


 Ç’ka quan Jugosllavia mik, për ne do të jetë (dhe ka qenë) armik. Dhe anasjelltas, kur ajo quan armiq djalërinë më përparimtare shqiptare, që s’i ka lënë vend harresës kombëtare dhe që s’e ka hequr mendjeje rrezikun nga zhdukja prej dorës jugosllave as dashurinë dhe respektin ndaj detyrave dhe nderit historik e kombëtar, atëherë ne atë djalëri do ta quajmë djalëri e vërtetë shqiptare.


Nënë Ajshja, Tushja(nusja e Kadri Zekës) dhe Faridin Tafallari - te varrezat e dëshmorëve në Shtutgart


 Në të tillë kontekst e shohim edhe aktivitetin revolucionar të të pesëdhjetë organizatave tona patriotike e revolucionare, që UDB-ja jugosllave i ka terrorizuar dhe i ka masakruar që nga Lufta II Botërore e deri më sot. Në të tillë kontekst do ta shohim patjetër edhe aktivitetin e patriotëve shqiptarë, që para disa muajsh i mbushën ding të gjitha burgjet dhe bodrumet e policisë jugosllave në Kosovë.


Vëllezërit e Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendi, pranë kufomave të Jusufit,Kadriut dhe të Bardhoshit (Janar 1982 – Untergrupenbach)

Nëse gjyqi, shtypi, radioja dhe televizioni jugosllav e shohin të arsyeshme t’i dënojnë “Për vepër penale të propagandës dhe të bashkimit me qëllim të veprimtarisë armiqësore kundër popullit dhe shtetit” patriotët dhe revolucionarët Shefqet Jashari, Ramadan Pllana, Avdi Kelmendi, Abdyl Lahu, Isa Demaj, Sylejman Quqalla, Skënder Jashari, Hysen Gërvalla, Ibrahim Shala, Asllan Loshi, Ruzhdi Saramati dhe gjithë kusurin që tepron nga dy mijë e më shumë të burgosur politikë shqiptarë brenda disa muajsh (që mund të supozojmë pse nuk shpallen botërisht emrat e tyre), ç’na mbetet neve tjetër pos t’i nderojmë këta revolucionarë dhe të mburremi siç mburret çdo popull me bijtë e vet më të mirë."

AKTGJYKIMI I GJYKATËS SË QARKUT NË PRISHTINË
P - nr. 137/80, datë 4 qershor 1980

N Ë E M Ë R T Ë P O P U LL I T

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në Kolegjin e përbërë nga gjyqtari Isak Nishevci. kryetar, gjyqtari Metush Sadiku dhe gjyqtarët porotë Azem Emini, Maksimoviq Dojqin dhe Qazim Goxhufi, anëtarë, me pjesëmarrjen e procesmbajtëses Bedrije Kasumi punëtore e kësaj gjykate, në çështjen penale të akuzuarëve:
Shefqet Jashari nga fshati Strofc, të cilin e mbronë sipas detyrës zyrtare Jusuf Hakaj av. nga Prishtina, për veprën penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1, lidhur me nenin 114 të LPJ,
Ramadan Pllana nga fshati Shtitaricë, të cilin e mbronë Zeqir Arni av. nga Prishtina, sipas detyrës zyrtare, për vepër penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1 lidhur me nenin 114 të LPJ,
Avdi Kelmendi nga Lipjani, të cilin e mbron Hasan Kryeziu av. nga Prishtina, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
Avdyl Lahu, nga fshati Gllamnik të cilin e mbronë sipas detyrës zyrtare Zeqir Arni av. nga Prishtina, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
Skender Jashari, të cilin e mbronë Latif Krasniqi av. nga Prishtina për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
Isa Demaj nga fshati Shkrel, të cilin e mbronë dr. Millutin Gjuriqiq av. nga Peja, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
Sylejman Qyqalla nga dshari Bellaqefci i Madh, të cilin e mbronë sipas detyrës zyrtare Hasan Kryeziu av. nga Prishtina, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ dhe
Hysen Gërvalla nga fshati Dubovik, të cilin e mbronë Gavrillo Vuleviq av. nga Peja, për veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ,
të akuzuar me aktakuzën e Prokurorisë publike të qarkut në Prishtinë PP. nr. 180/79 dt. 9 maj 1980, në praninë e të akuzuarëve, mbrojtësve të tyre dhe përfaqësuesit të akuzës publike, zëvendës propkurorit publik të qarkut, Ruzhdi Kozmaqi, më 4 qershor 1980 mori dhe publikisht shpalli këtë

A K T GJ Y K I M

Të akuzuarët:
Shefqet Jashari, i lindur më 15 maj 1944 në fshatin Strofc, KK Vushtërri, ku edhe jeton, ka kryer shkollën e lartë pedagogjike.
Ramadan Pllana, i lindur më 6 korrik 1947 në fshatin Shtitaricë, KK Vushtërri, ku edhe jeton, ka kryer vitin e tretë të Fakultetit filozofik - dega e gjuhës Frenge.
Avdi Kelmendi, i lindur më 21 dhjetor 1951 në fshatin Ribari i Vogël KK Lipjan, tani jeton në Lipjan, drejtor i repartit të Fabrikës “Mineks” në Ferizaj,
Avdyl Lahu, ka kryer fakultetin filozofik grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Skender Jashari, i lindur më 11 korrik 1954 në Prishtinë ku edhe jeton, punëtor në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.
Isa Demaj, i lindur më 12 janar 1946 në fshatin Shkrel KK Pejë, tani jeton në fshatin Pavlan, ka kryer Fakultetin filozofik - grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Sylejman Qyqalla, i lindur më 29 qershor 1954 në fshatin Bellaqefci i Madh KK Prishtinë ku edhe jeton, punëtor në Fabrikën e amortizatorëve në Prishtinë, ka kryer shkollën e nxënësve në ekonomi.
Hysen Gërvalla, i lindur më 11 dhjetor 1941 në fshatin Dubovik KK Deçan ku edhe jeton, ka kryer katër klasë të shkollës fillore.

JANË FAJTORË

Dhe atë:
I akuzuari Shefqet Jashari
Sepse për të kryer vepra penale kundër bazës së rregullimit shoqëror socialist vetëqeverisës, të sigurisë së RSFJ, e veçanërisht të cenimit kundër revolucionar të rregullimit shtetëror, të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore e njerëzve punues, shkatërrimin e bashkim-vllaznimit e të barazisë së kombeve e kombësive si dhe të ndërrimit antikushtetutar të rregullimit shtetëror federativ, gjatë vitit 1977 në Prishtinë, si një ndër organizatorët, në kontaktet e takimet e shpeshta me Sabri Novosellën dhe të akuzuarin Avdyl Lahu, me qëllim të masovizimit të grupit ilegal armiqësor të Kosovës dhe viset tjera të RSFJ ku jetojnë shqiptarët, merren vesh për formimin e organizatës “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës” të cilën edhe e formojnë në vitin 1978 dhe vendosin që të njejtën ta udhëheqë “Komiteti Qendror” e që njëri prej anëtarëve të tij të bëhet i akuzuari Shefqet Jashari, njëherit e aktualizojnë çështjen e përfitimit të anëtarëve të rinj, dhe të shkruarjes së afisheve e parullave me përmbajtje armiqësore, në tremujorshin e parë të vitit 1979 në Prishtinë, pas shumë kontakteve dhe bisedave të mëparshme gjatë viteve 1977 dhe 1978 që i pati me të akuzuarin Ramadan Pllanën e udhëzoi që grupin armiqësor ilegal “Shkëndija e Kuqe” të cilin e kishte formuar gjatë vitit 1978, ta pagëzoi me emrin e ri “Organizata e Lëvizjes së Rinisë nacionalçlirimtare Kosovare”. Me këtë rast i akuzuari Shefqet Jashari e njohton të akuzuarin Ramadan Pllana se është pranuar për anëtarë të “Komitetit Qendror”, e pastaj përveç udhëzimeve për veprime konspirative dhe formimin e grupeve të “Treshit”, ia jep letrën përshëndetëse, “Betimin”, “Vendimin” mbi formimin e grupit ilegal armiqësor me emërtim të ri dhe “Vendimin” se anëtarët ripajtohen t’i bashkangjiten “Lëvizjes”, të cilin grup edhe e formoi i akuzuari Ramadan Pllana më 12 mars 1979 në Prishtinë, gjatë muajit prill 1979 të akuzuarit Ramadan Pllana i jep Statutin e Lëvizjes prej pesëmbëdhjetë pikave, “Parathënien” dhe “Udhëzimin e qëndrimit të anëtarëve të Lëvizjes”, materialet: “Një komb shqiptar, një shtet shqiptar” në 9 faqe, “Rritja dhe kalitja ideopolitike e anëtarëve detyrë primare dhe permanente” dhe “Fjala e një renegati shqiptar” e me qëllim që tua shpërndaj anëtarëve të “Lëvizjes”, në fillim të muajit korrik 1979 në Prishtinë, afër stacionit të autobusave, i akuzuari Shefqet Jashari, pas një takimi i jep detyrë të akuzuarit Ramadan Pllana që në emër të “Lëvizjes NÇK” nëpërmes të anëtarëve të grupit të tij të ndërrmerrë akcionin e shkruarjes së parullës “NIN-i rren Ylli nuk rren”, të cilat parulla edhe janë shkruar më 10 korrik 1979, në gjysmën e dytë të muajit korrik të vitit 1979, në emër të “Komitetit Qendror” të akuzuarin Ramadan Pllana e udhëzon që të shkoi në Francë për të kontaktuar me udhëheqësit e fraksionit “Marksist-Leninist” të Partisë Komuniste Franceze, në mënyrë që ata të njoftohen për ekzistimin e “Lëvizjes” dhe qëllimet e saja, gjë që ky udhëton dhe qëndron në Francë prej 20 korrik gjer më 5 gusht 1979. Në fillim të muajit tetor 1979 në Prishtinë, në takimin me të akuzuarin Ramadan Pllana, këtij i jep detyrë të caktuar që në emër të “Lëvizjes” të shkoi në Stamboll dhe të kontaktoi me udhëheqësit e organizatës ilegale armiqësore që vepron në Turqi, me qëllim të bashkëpunimit, për çka i akuzuari Ramadan Pllana shkoi në Stamboll dhe qëndroi prej 5 deri më 8 tetor 1979 dhe kontaktoi me udhëheqësit e organizatës ilegale armiqësore e pastaj kur kthehet i raporton të akuzuarit Shefqet Jashari për të gjitha këto. Në fillim të muajit tetor 1979 i drejtohet Abdullah Hotit, e njohton për ekzistimin e organizatës “Lëvizja NÇK” dhe qëllimet e saja e pastaj nga ai kërkon që të bëhet anëtarë, por ky këtë ofertë e refuzon. Më 15 nëntor 1979 gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, janë gjetur poezitë “Mëngjesi i së nesërmes”, “Kosovës” dhe materialet tjera me përmbajtje armiqësore, me çka ka kryer veprën penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1 lidhur me nenin 114 të LPJ.

I akuzuari Ramadan Pllana
Gjatë vitit 1978 në Konviktin e studentëve në Prishtinë, organizoi dhe formoi grupin ilegal armiqësor “Shkëndija e Kuqe”, me përbërje prej pesë anëtarësh, të akuzuarit Ramadan Pllana si kryesor dhe anëtarëve Abdullah Hoxha, Musa Neziri, Demë Jashari e Latif Pllana, e pastaj të njejtëve u jep për lexim dhe përpunim literaturë e material propagandues duke i përfituar në këtë mënyrë që të punojnë armiqësisht ndaj sistemit të RSFJ, në fillim të vitit 1979 pas shumë kontakteve e bisedave të mëparshme gjatë viteve 1977 e 1978 që i pati me të akuzuarin Shefqet Jashari, nga ky është njohtuar se u pranua për anëtarë të “Komitetit Qendror” dhe ka marrë instrukcione që grupin armiqësor “Shkëndija e Kuqe” ta pagëzoi me emrin e ri “Organizata e Rinisë së Lëvizjes Nacionalçlirimtare Kosovare” me ç’rast ai përveç udhëzimeve për punë konspirative dhe formimit të grupeve të “Treshit”, mori “Letrën përshëndetëse”, “Betimin”, “Vendimin” e pajtimit për bashkangjitje “Lëvizjes”, “Vendimin” mbi formimin e grupit në emër të ri, pastaj më 12 mars 1979 në “Tokë bashqe” në Prishtinë me anëtarët e grupit të vet e mban mbledhjen ku e japin betimin dhe marrin përsipër detyrën e formimit të grupeve të reja të “Treshit”. Gjatë muajit prill 1979 nga i akuzuari Shefqet Jashari mori materiale propaganduese e udhëzime tjera për veprimtari armiqësore, e në të njejtën kohë i jep atij në shiqim punimin e vet “Rini shqiptare-Rini revolucionare”. Në fillim të muajit korrik 1979 pas marrjes së udhëzimeve dhe detyrës nga i akuzuari Shefqet Jashari se duhet të shkruhet parulla “NIN-i rren Ylli nuk rren” i organizaon anëtarët e grupit të vet Abdullah Hoxhën, Musa Nezirin e Hilmi Llugën, të cilët këtë parullë e shkruajnë natën e 10 korrikut 1979 në disa vende në Prishtinë. Prej datës 20 korrik deri më 5 gusht 1979 pas instrukcionave që i merr nga i akuzuari Shefqet Jashari në emër të “Komitetit Qendror” udhëton në Francë, me ç’rast udhëheqësit e frakcionit “Marksist-Leninist” të Partisë Komuniste Franceze i njohton për ekzistimin e “Lëvizjes NÇK”, qëllimet e saja dhe njëherit nga ata kërkon ndihmë. Prej datës 5 deri më 8 tetor 1979 pas udhëzimeve që i merr nga i akuzuari Shefqet Jashari, udhëton në Stamboll me qëllim të kontaktimit me udhëheqësit e organizatës ilegale armiqësore që vepron në Turqi, e pas kthimit të njejtin e njohton për bisedimet që ka patur atje. Gjatë vitit 1979 në Lipjan njohtohet me të akuzuarin Avdi Kelmendi dhe në bisedat e kontaktet e mëtutjeshme këtë e njohton për ekzistimin e “Lëvizjes NÇK” dhe i propozon që të formoj grupet e “Treshit”, ndërsa i akuzuari Avdi Kelmendi i pranon detyrat dhe në këtë kohë e fillon veprimtarinë armiqësore intensive duke e formuar “Komitetin Qarkor” në Lipjan prej pesë anëtarësh. Gjatë viteve 1978 dhe 1979 shumëherë kontakton me të akuzuarin Sylejman Qyqalla, shkëmben me te literaturë me përmbajtje armiqësore, me biseda të shpeshta shprehen negativisht ndaj sistemit të RSFJ dhe të njejtin e udhëzon për veprimtari armiqësore. Gjatë bastisjes së banesës së tij më 12 dhjetor 1979 dhe më vonë janë gjetur: “Statuti i LNÇK”, vendimet nga mbledhjet e mbajtura, “Letra përshëndetëse”, “Udhëzimi në tetë vargje”, “Parathënia”, “Fjala e një renegati shqiptar”, “Rrita dhe kalitja ideopolitike e anëtarëve detyrë primare dhe permanente” dhe shumë materiale tjera me përmbajtje armiqësore, -me çka ka kryer veprën penale bashkimi për veprimtari armiqësore nga neni 136 al. 1 lidhur me nenin 114 të LPJ.

I akuzuari Avdi Kelmendi
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim vëllazërimit dhe barabarsisë së kombeve dhe kombësive të RSFJ, kështu që gjatë viteve 1975 deri 1978 si profesor i Shkollës së mesme në Lipjan, i frymëzuar nga i akuzuari Isa Demaj lexoi dhe këmbej libra me përmbajtje armiqësore, ndër të tjera edhe “Mëngjeset e bardha”, “Ç’thurje dhe degjenerim”, “Shota dhe Azem Galica”, kurse gojarisht është shpreh negativisht për gjendjen politike, ekonomike dhe shoqërore në RSFJ dhe ka cekur moszhvillimin e barabartë socialoekonomik e politik të kombësisë shqiptare në KSA të Kosovës. Prej gjysmës së vitit 1978 deri më 20 tetor 1979 është takuar disa herë me Sabri Novosellën, përndryshe një ndër anëtarët e “Komitetit Qendror” të “Lëvizjes NÇK” dhe në bisedat që i ka patur në Prishtinë kanë diskutuar për paknaqësinë e shqiptarëve me sistemin ekzistues të RSFJ, se “Revolucionarët” po bien nëpër burgje dhe se ka ardhë koha që të kalohet në punë ilegale e revolucionare, se në Kosovë ekziston një “Lëvizje” e madhe dhe e fortë, etj. Gjatë vitit 1979 pas kontakteve të shumta e bisedave me karakter armiqësor me të akuzuarin Ramadan Pllana, nga ky është njohtuar se ekziston dhe vepron “Lëvizja NÇK” e “Komiteti Qendror”, ka marrë udhëzime për ta formuar “Komitetin Qarkor” në Lipjan dhe në këtë drejtim i angazhon disa persona siç janë Ismajl Gashi, Beqir Leci, Qemajl Aliu, Banush Bytyqi, Muhamet Ademi dhe Ali Zejnullahu. Pastaj të njejtit i furnizon me materiale e literaturë propaganduese, i njohton për ekzistimin e “Lëvizjes” dhe qëllimin e “Komitetit Qarkor” të porsaformuar në Lipjan. Gjithashtu nën udhëheqjen e të akuzuarit Avdi Kelmendi kanë qenë të përgatitur që për festat e nëntorit të vitit 1979 të shpërndajnë pamflete e shkruajnë parulla me përmbajtje armiqësore, mirëpo akcioni mbetet në tentativë pasi që në ndërkohë janë paraburgosur, -me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.

I akuzuari Avdyl Lahu,
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim vëllazërimit dhe barazisë së kombeve dhe kombësive të RSFJ, e poashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështuqë gjatë viteve 1977 e 1978, në Prishtinë në kontaktet e takime me të akuzuarin Shefqet Jashari dhe Sabri Novosella e me qëllim të forcimit e masovizimit të grupit ilegal armiqësor të Kosovës dhe viseve tjera të RSFJ ku jetojnë shqiptarët merren vesh për formimin e organizatës “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës” e njëherit pajtohen që njëri prej anëtarëve të Komitetit Qendror të bëhet i akuzuari Shefqet Jashari, me ç’rast e aktualizojnë çështjen e përfitimit të anëtarëve të rinjë dhe shkruarjen e afisheve dhe parullave me përmbajtje armiqësore. Poashtu gjatë vitit 1978 në Prishtinë e në vendet tjera, me kontakte të shpeshta me të akuzuarin Skender Jashari e persona tjerë e ka kritikuar sistemin e ndarjes së të ardhurave personale në Jugosllavi, ka cekë se Kosova është në pozitë të vështirë dhe se fajin për këtë e ka RS e Serbisë, se kombësia shqiptare në Kosovë me paraqitjen e rastit të volitshëm duhet të ngritet në revolucion, duhet kërkuar e afruar persona me mendime identike në mënyrë që të njejtit të aktivizohen në grupe armiqësore, se shpejt sistemi në RSFJ do të përçahet e çdo republikë do të formohet si e pavarur dhe gjatë muajit maj 1979 të akuzuarit Skender Jashari në shtëpinë e tij ia ka dërguar materialin armiqësor të shkruar në makinë me titull “Informatë për situatën politike e ekonomike të krahinave shqiptare të bashkangjitura vullnetarisht në RSFJ” i cili tekst fillon me fjalinë se iu është dedikuar “Organizatave politiko-shoqërore shqiptare në Jugosllavi - si atyre legale ashtu edhe atyre në ilegalitet - popullit dhe klasës punëtore të Kosovës” dhe përfundon me fjalinë “Pa pavarësi territoriale, politike e ekonomike s’mund të ketë barazi nacionale, se pas këtyre elementeve mshehet eksploatimi kolonialist”, se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij janë gjetur shumë traka megnetofonike të inçizuara me këngë nacionaliste e armiqësore, -me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.

I akuzuari Skender Jashari
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror socialist vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim-vëllazërimit dhe barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e poashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, gjatë vitit 1978 në Prishtinë e vendet tjera në kontakte të vazhdueshme me të akuzuarin Avdyl Lahu ka cekur se KSA e Kosovës ka ngecur në zhvillimin ekonomik, se kombësia shqiptare duhet të organizohet për ngritje në revolucion ngase nuk kanë kurrfarë të drejtash dhe është e robëruar, se në Kosovë njerëzve të aftë e të arsimuar nuk iu mundësohet punësimi, se në rast nevoje pas ndonjë krize politike në Jugosllavi ai i ka të tubuar rreth vetes disa persona që do t’i kryejnë detyrat konkrete e që parashtrohen para tyre, poashtu se duhet gjetur ithtarë me qëllim që të bëhen anëtarë të grupit “Lëvizja NÇK” dhe të paguajnë anëtarësinë për blerjen e materialit propagandues. Gjatë vitit 1978 dëshmitarëve Vesel Veseli, Rexhep Maqedonci, Gafurr Ajvazi etj., u ka folur për grupin e organizatës “LNÇK” dhe u ka propozuar që edhe ata të bëhen anëtarë të kësaj organizate armiqësore e të paguajnë anëtarësinë. Gjatë muajit maj 1979 nga i akuzuari Avdyl Lahu në shtëpinë e vetë e ka marrë materialin të shkruar në makinë me titull “Informatë për situatën politike e ekonomike të krahinave shqiptare të bashkangjitura vullnetarisht në RSFJ” i cili tekst fillon me fjalinë se iu është dedikuar “Organizatave politiko-shoqërore shqiptare në Jugosllavi – si atyre legale ashtu edhe atyre në ilegalitet - popullit dhe klasës punëtore të Kosovës” dhe përfundon me fjalinë “Pa pavarësi territoriale, politike e ekonomike s’mund të ketë barazi nacionale, se pas këtyre elementeve mshehet eksploatimi kolonialist”. Së fundit gjatë bastisjes në shtëpinë e tij më 15 nëntor 1979 është gjetur “Informata” e përmendur, një afishe “Lexoje, shpërndaje, armikut mos ia dorëzo” dhe materiale tjera propaganduese e armiqësore, - me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.

I akuzuari Isa Demaj
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror-socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim – vëllazërimit e barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e po ashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështu që gjatë viteve 1975 deri në 1979 në Lipjan dhe vendet tjera gjatë bisedave me të akuzuarin Avdi Kelmendi, e pastaj me Ismajl Gashin, Beqir Lecin, Ekrem Llugiqin dhe persona tjerë ka deklaruar se në Jugosllavi nuk ekziston socializmi i vërtetë po vetëm politika revizioniste, se shoku Tito është antikomunist dhe se politika e tij të cilën e udhëheqë shkon në favor të kapitalizmit, se Beogradi udhëheqë politikë shfrytëzuese ndaj Kosovës, se RSFJ i shfrytëzon pasuritë natyrore të KSA të Kosovës. Poashtu ka kritikuar sistemin socialist vetëqeverisës dhe ka deklaruar se duhet punuar me rininë shqiptare në mënyrë që e njejta të ngritet ideologjikisht për veprimtari armiqësore ndaj RSFJ, e pastaj në banesën e Ismajl Gashit në Lipjan ka deklaruar se situata politike e Kosovës nuk ka ndryshuar pas Plenumit të Katërt, kurse para nxënësve të QAMO në Lipjan, ku ka qenë i inkuadruar në veti të profesorit të gjuhës shqipe ka recituar vargje nga “Lahuta e Malësisë” dhe shumë herë është shprehur armiqësisht ndaj sistemit socialist në RSFJ, dhe gjatë bastisjes në shtëpinë e tij më 27 dhjetor 1979 janë gjetur shtatë ekzemplarë të revistës “Ylli”, vjersha “Kosovës” e materiale tjera me përmbajtje armiqësore, - me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.

I akuzuari Sylejman Qyqalla
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror-socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim – vëllazërimit e barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e po ashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështu që nga viti 1978 e më tutje në fshatrat Bellaqevc e Shtitaricë dhe Prishtinë ka kontaktuar me të akuzuarin Ramadan Pllana, i është lavdëruar se në bibliotekën e tij ka libra me përmbajtje armiqësore dhe njëherit kanë bërë shkëmbimin e librave dhe materialeve propaganduese. Në bisedë me të ka theksuar se zhvillimi ekonomiko social e kulturor në RSFJ nuk është i drejtë, se në mënyrë sistematike duhet të organizohet e të frymëzohet kombësia shqiptare për shkëputjen nga RSFJ. Pastaj gjatë shërbimit ushtarak prej muajit qershor 1978 deri më 6 shtator 1979 e ka përpiluar ditarin me përmbajtje armiqësore të drejtuar kundër sistemit politiko-shoqëror në Jugosllavi, me përmbajtje nacionaliste e irredentiste dhe plot fyerje e përbuzje të drejtuara kombeve e kombësive që jetojnë në RSFJ. Pas kthyerjes nga shërbimi ushtarak në fillim të muajit shtator të vitit 1979 vazhdon bisedat dhe kontaktet me Ramadan Pllanën e pastaj rreth vetit tubojnë disa nxënës të QAMO “Milladin Popoviç” në Prishtinë, të cilët i organizoi për veprime propagandistike, iu dha të lexojnë literaturë me përmbajtje armiqësore, para dëshmitarëve Nexhmedin Melenica e Rrahim Rama dhe të tjerëve ka kritikuar sistemin shoqëror vetëqeverisës të RSFJ, duke cekur se në Jugosllavi ekziston papunësia e madhe, se Kosova ka ngec mbrapa në zhvillimin ekonomik mu për shkak se ndodhet në kuadër të RSFJ, dhe gjatë bastisjes së shtëpisë së tij më 10 nëndor 1979 janë gjetur 260 ekzemplarë të gazetës “Zëri i Popullit”, revista “Dielli”, “Drita”, “Shqipëria e Re”, “Zëri i Rinisë”, shtatë kopje të “Ditarit” e shumë e shumë libra, revista, gazeta dhe materiale tjera me përmbajtje armiqësore, - me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.

I akuzuari Hysen Gërvalla
Sepse me shkrim dhe gojarisht nxiti ndërrimin antikushtetutar të rregullimit shoqëror - socialist e vetëqeverisës dhe shkatërrimin e bashkim - vëllazërimit e barazisë së kombeve e kombësive të RSFJ, e po ashtu me qëllim të keq dhe rrejshëm i paraqiti rrethanat politiko-shoqërore në RSFJ, kështu që gjatë vitit 1979 në fshatin Dubovik, KK Deçan, nga Isuf Gërvalla, përndryshe vëllau i tij është njohtuar se ekziston dhe vepron organizata ilegale “Lëvizja NÇK” për çka edhe ka shprehur dëshirën që edhe ai të bëhet anëtarë, për çka edhe e ka marrë Statutin e organizatës “LNÇK” e libra e materiale propagandistike me përmbajtje siç janë: “Lidhja Kosovare”, “Kongresi i parë”, “Vetadministrimi Jugosllav – teori dhe praktikë kapitaliste”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Të njejtat i ka lexuar e pastaj ua ka dhënë Muharrem Blakajt, Mal Morinës e Ahmet Haxhiajt për lexim dhe ngritjen e tyre ideologjike si dhe për punë armiqësore. Gjatë muajit korrik 1979, pasi që më parë ka marrë instrukcione prej vëllaut të tij Isuf Gërvallës, Muharrem Blakajn e Mal Morinën i ka pregaditur e udhëzuar që në disa vende në Pejë e Istog të shkruajnë parullën “NIN-i rren Ylli nuk rren”, të cilat parulla këta nën ndikimin e tij edhe i shkruan më 10 korrik 1979, për çka në ditën e nesërme e informojnë se detyrën e dhënë e kanë kryer dhe gjatë bastisjes së shtëpisë së tij më 14 dhjetor 1979 janë gjetur shumë libra e materiale propagandistike, ndër të cilat edhe këto: “Rini shqiptare – rini revolucionare”, “Parathënia”, “Një komb shqiptar një shtet shqiptar”, “Bashkëpunëtorët e okupatorit nuk janë përfaqësues të popullit shqiptar”, “Statuti i LNÇK”, “Rrita dhe kalitja ideopolitike e anëtarëve detyrë primare dhe permanente”, “Udhëzime” dhe “Fjala e një renegati shqiptar”, - me çka ka kryer veprën penale propagandë armiqësore nga neni 133 al. 1 të LPJ.

Prandaj gjykata në bazë të neneve të lartcituara si dhe neneve 5, 33, 38, 41 dhe 50 të LPJ si dhe nenit 351 të LPP i

GJ Y K O N

Të akuzuarin Shefqet Jasharin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vjetësh.
Të akuzuarin Ramadan Pllanën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjetësh.
Të akuzuarin Avdi Kelmendin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetësh.
Të akuzuarin Avdyl Lahun me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Skender Jasharin me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh.
Të akuzuarin Isa Demaj me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Sylejman Qyqallën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjetësh.
Të akuzuarin Hysen Gërvallën me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tri) vjetësh.


Më 10 nëntor 1980 Gjykata Supreme e Kosovës, në kolegjin e përbërë nga kryetari i gjykatës Riza Fazlija dhe gjyqtarët: Aqif Tuhina, Nikë Lumezi, Ramo Vodopiq e Shefqet Bytyqi, anëtarë, me bashkëpunëtoren profesionale, Sadije Dedinca - procesmbajtëse, në praninë e zëvendësprokurorit publik krahinor Sahit Meraku, mbrojtësve Zeqë Arrni, Hasan Kryeziu dhe dr. Millutin Gjuriqiqi, shqyrtoi Aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, P - nr. 137/80 datë 4 qershor 1980, dhe me këtë rast me Aktgjykimin (Ap - nr. 248/80 dt.10 nëntor 1980) përveç uljes së dënimit të Ramadan Pllanës nga shtatë (7) në gjashtë (6) vjet dhe të Avdi Kelmendit nga pesë (5) në katër( 4)vjet, të gjithë të tjerëve ua vërtetoi denimin e dhënë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.


D O K U M E N T E



Faqja e parë e Akgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (Ap-nr.248/80, dt. 10 nëntor 1980)




Faqja e fundit e Akgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (Ap-nr.248/80, dt. 10 nëntor 1980)


I U DENUAN SHABAN KLAIQI E ISLAM RAFUNA PËR ZËRIN E KOSOVËS


 
Veprimtari Shaban Klaiqi



Shaban Klaiqi e Islam Rafuna - bartësit e parë të
Stafetës së Flakës së Janarit

Në nëntor të vitit 1981 Jusuf Gërvalla boton numrin e parë të "Zërit të Kosovës" si organ i "Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi". Në diskutimet se si të dërgohet ky numër në Kosovë, Shaban Klaiqi nga fshati Poliçkë i Komunës së Dardanës dhe Islam Rafuna nga e njejta komunë, e marrin për detyrë nga Jusuf Gërvalla që gazetën e tij ta fusin në Slloveni deri në një vend të caktuar. Gjatë kryerjes së kësaj detyre arrestohen nga policia jugosllave dhe më 3 korrik 1982, dënohen me nga 3 vjet burg, nga Gjykata e Qarkut të Gjilanit.
Të njejtin dënim ua shqipton Gjykata Supreme e Kosovës, më 17 janar 1983, pikërisht në njëvjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Në këtë mënyrë Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna bëhen bartësit e parë të Stafetës së Flakës së Janarit, e janareve që do të vinin më pas. Për Shaban Klaiqin e Islam Rafunën, për këta dy punëtorë të guximshëm të rrethit të Shtutgartit, që kanë bërë e sakrifikuar shumë për Jusuf Gërvallën, për tokën e për qiellin e Kosovës, është folur pak apo gati aspak.





Ballina e numrit të parë “Zëri i Kosovës”- Nëntor 1981.

Për burgosjen e veprimtarëve Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna, Jusuf Gërvalla përmes një letre ka informuar edhe bashkëveprimtarin e organizatës LNÇKVSHJ z.Sabri Novosella, i cili asokohe ishte strehuar në Turqi. Jusufi këtë letër e ka shkruar më 14 janar 1982, vetëm tri ditë para vrasjes në Untergrupenbach të Gjermanisë (më 17.01.1982).

Në letrën dërguar S.Novosellës, Jusufi ka shkruar:

    "Siç e di, ne kemi pas bërë këndej njëfarë transporti të shtypit. E kemi futur atë në Atdhe, por atje s’i kemi pasur njerëzit që do ta shpërndanin si duhet. Tani, në drejtimin e transportit, kemi pësuar më në fund edhe një disfatë. Me numrin 1 të “Z.K.” dërguam për në Atdhe dy punëtorë. Rruga e futjes së materialit ishte po ajo që kishim ndjekur në tri raste të suksesshme të transportit. Por kësaj radhe puna dështoi dhe ata dy punëtorët ndodhen në duartë e UDB’së. Pas kësaj e kemi shumë vështirë të ndjekim të njejtën rrugë. Tani a ta qajmë materialin që nuk ra në duartë e lexuesit, apo të qajmë njerëzit që na u dëmtuan. Aktualisht s’po i bëjmë ballë dot t’u japim rrugë. Është disfata e parë kësodore qe dy vjet e këtej dhe na ka demoralizuar shumë. Sa patëm zënë të kënaqemi e të marrim krah nga materialet që po na arrinin për revistën, tash u desh të na dilte ky problem." (Jusuf Gëvalla,14 janar 1982).



Me rastin e 28 vjetorit të vrasjes së Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, në faqen  nttp://www.floart-press.blogspot.com dhe www.pashtriku.org, për herë të parë e  publikum  aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës - datë 17 janar 1983, ku shpërfaqet veprimtaria e Shaban Klaiqit dhe Islam Rafunës.

Le të jetë ky një satisfaksion sado i vogël për z.Klaiqi dhe z.Rafuna.

 Veprimtari Shaban Klaiqi burgoset edhe në vitin 1989. Ai arrestohet me vendim të Sekretariatit Krahinor për Punë të Brendshme nr.330/1, datë 28. 03. 1989, të nënshkruar nga kryeudbashi i Kosovës Jusuf Karakushi, dhe për dy muaj rresht (deri më 25. 05. 1989) përjeton masën e izolimit nëpër kazamatet serbe.
* * *

Ap - Kzh. nr. 372/82

N Ë E M Ë R T Ë P O P U LL I T

Gjykata Supreme e Kosovës - kolegji i përbërë nga kryetari i gjykatës Riza Fazlija dhe gjyqtarët: Tadej Rodiqi, Aqif Tuhina, Durmish Koqinaj dhe Halil Halilaj, anëtarë, me bashkëpunëtoren profesionale Milica Smajli, procesmbajtëse, në çështjen penale të të akuzuarve Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna, për veprën penale të pjesëmarrjes në veprimtari armiqësore, të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ, të kryer si bashkekzekutorë, duke vendosur përkitazi me ankesën e prokurorit publik të qarkut dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarve Zhivana Bersavleviq, paraqitur kundër aktgjykimit P-nr. 34/82 datë 3 korrik 1982 të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, në seancën jopublike të mbajtur më 17 janar 1983, zëvendësprokurori publik krahinor Ndue Selmani, mori këtë

A K T GJ Y K I M

Në rastin e ankesës së prokurorit publik dhe ankesës së mbrojtëses së të akuzuarve, e sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi P-nr. 34/82 datë 3 korrik 1982 i Gjykatës së Qarkut të Gjilanit ndryshohet sa i përket zbatimit të ligjit penal, kështu që Gjykata Supreme konstaton se në veprimet e të akuzuarve Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna qëndrojnë elementet e veprës penale të propagandës armiqësore, të parashikuar nga neni 133 par. 3 të LP të RSFJ.

A r s y e t i m i

Me aktgjykimin P - nr. 34/82 datë 3 korrik 1982, Gjykata e Qarkut të Gjilanit i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Shaban Klaiqi dhe Islam Rafuna për veprën penale të propagandës armiqësore, të parashikuar nga neni 133 par. 1 të LP të RSFJ dhe i ka dënuar me nga tri vjet burgim, duke i detyruar edhe t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale për paushallin gjyqësor prej 1000 dinarësh.

Kundër këtij aktgjykimi ankesa brenda afatit kanë bërë:

- prokurori publik, për shkak të shkeljes së ligjit penal dhe vendimit për dënimin, duke propozuar që aktgjykimi të ndryshohet dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprën penale të pjesëmarrjes në veprimtari armiqësore, të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ dhe të dënohen më ashpër;

- mbrojtësja, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe të mangët të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit për dënimin, duke propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i jepet një dënim më i lehtë. Ajo njëkohësisht iu përgjegj edhe ankesës së prokurorit publik dhe propozoj që kjo të refuzohet si e pabazuar.

Zëvendësprokurori publik krahinor Ndue Selmani deklaroi se qëndron prapa propozimit me shkrim që të akuzuarit të shpallen fajtor për veprën penale të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ, për të cilën t’u jepen dënime të merituara, ndërsa ankesa e mbrojtësit të refuzohet si e pabazuar.

Gjykata Supreme shqyrtoi shkresat e lëndës, ekzaminoi aktgjykimin sipas nenit 376 par. 1 të LPP, vlerësoi pretendimet ankimore dhe konstatoi se ankesat janë të pabazuara.

Gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar drejt gjendjen faktike, duke konstatuar se të akuzuarit, gjatë vitit 1981 gjatë kohës që ndodheshin me punë në RF të Gjermanisë, më sakt në firmën “Daimler Benz” në Sindelfingen, u morën me veprimtari armiqësore kundër vendit tonë, ashtu që u inkuadruan në demonstratat armiqësore të mbajtura në Zurich, në Gjenevë, në Shtutgart dhe në Munih, kurse i akuzuari Islam Rafuna e voziti Nuhi Sylejmanin me veturën e vetë për të shpërndarë thirrje për demonstratat; që të dy këta, në nëntor të po atij viti, së bashku me të tjerët hodhën parullën “Kosova-Republikë” kurse me anë të fishkëllimave ndërprenë koncertin e RTP’së, që ishte organizuar për nder të Ditës së Republikës, kurse më 13 dhjetor 1981 nga Nuhi Sylejmani morën në dorëzim 1000 ekzemplarë të “Zërit të Kosovës”, botim i organizatës armiqësore në emigrim “Fronti i Kuq” dhe u përpoqën që ata t’i sjellin në RSFJ, por më 14 dhjetor 1981 u zunë nga milicët e postkomandës së milicisë së hekurudhës të Lublanës.

Këtë gjendje faktike gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në radhë të parë në mbështetje të deponimeve të të akuzuarve. Ata gjatë hetimeve pranuan se morën pjesë në demonstratat armiqësore, duke mohuar i akuzuari Shaban Klaiqi pjesëmarrjen në demonstratat e Gjenevës, kurse i akuzuari Islam Rafuna, pjesëmarrjen në demonstratat e Munihut. Me atë rast që të dy këta deklaruan se nuk kishin pasur dijeni që demonstratat të ken qenë të organizuara nga organizata armiqësore në emigrim “Fronti i Kuq”, porse shkuan për të marrë pjesë mbasi ishin ftuar me thirrje që i kishin marrë, i pari tek porta e banesës së vet, kurse i dyti nga Nuhi Sylejmani.

Për pjesëmarrjen e të akuzuarit Shaban Klaiqi në demonstratat e zhvilluara në Shtutgart dhe në Munih në shkresa ndodhen edhe fotografitë e tij.

Për këto arsye dalin të pabazuara pretendimet ankimore të mbrojtëses se i akuzuari Shaban Klaiqi “kishte shkuar të interesohej të gjente punë për të vëllan” e se i akuzuari Islam Rafuna, ndonëse shoqërohej me Nuhi Sylejmanin, nuk mori pjesë në asnjërën nga demonstratat e zhvilluara.

I akuzuari Islam Rafuna deklaroi në seancën kryesore se para demonstratave të zhvilluara në Shtutgart e kishte vozitur Nuhi Sylejmanin deri në Grubingen dhe ai kishte një çantë me vete, por ky nuk e dinte se ç’kishte brenda. Mirëpo, nisur nga deklarata e të akuzuarit se ky edhe më parë i ishte përgjegjur disa herë kërkesës së Nuhi Sylejmanit, të cilit i kishte dhënë veturën dhe e kishte vozitur vet tri herë, duke supozuar se këto udhëtime kishin lidhje me demonstrata, mund të përfundohet se ai kishte dijeni se në çantë ndodheshin thirrjet për të marrë pjesë në demonstrata, të cilat i shpërndau Nuhiu. Lidhur me këtë gjykata e shkallës së parë përmban arsye bindëse, të cilat i pranon edhe kjo Gjykatë.

Gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se koncerti i RTP’së, me rastin e Ditës së Republikës, qe ndërprerë në fillim të tij, për shkak se spektatorët, ndër të cilët edhe i akuzuari, filluan të hedhin parullën armiqësore “Kosova-Republikë!”, dhe duke fishkëlluar, gjë që çoi në interve- nimin e policisë Gjermane.

I akuzuari Shaban Klaiqi u mbrojt gjatë gjithë procedurës se nuk kishte marrë pjesë në futjen ilegale të revistës “Zëri i Kosovës” në RSFJ dhe se të akuzuarin Islam Rafuna e njohu për herë të parë në Postkomandën e Milicisë së Lubjanës.

Mirëpo, sipas deklaratës së të akuzuarit Islam Rafuna, këta të dy, duke mbartur valixhen dhe çantën ku ndodhej materiali që e kishin marrë prej Nuhi Sylejmanit, ishin nisur së bashku nga RF e Gjermanisë, duke i respektuar udhëzimet e pranuara.

Në bazë të këtyre rrethanave e duke pasur parasysh faktin se i akuzuari Islam pikërisht nën ndikimin e Nuhi Sylejmanit filloi të merret me veprimtari armiqësore kundër vendit tonë, mund të përfundohet se të akuzuarit e kishin të ditur se për çfarë materiali ishte fjala. Këtë konkluzion e përforcon edhe fakti se të akuzuarit, gjatë udhëtimit, ndërronin trenat, kurse për të hyrë në vendin tonë zgjodhën trenin që shkonte për në Kardelevë, që kontrollohet më pak, në krahasim me trenat që shkojnë drejt Kosovës.

Për këto arsye mund të konstatohet se mbrojtësja e të akuzuarve e kundërshton aktgjykimin pa baza për shkak të vërtetimit të gabuar e të mangët të gjendjes faktike.

Nisur nga gjendja faktike e vërtetuar, Gjykata Supreme vlerësoi se gjykata e shkallës së parë mbi këtë gjendje ka zbatuar gabimisht ligjin penal, duke i shpallur fajtorë të akuzuarit për veprën penale të propagandës armiqësore të parashikuar nga neni 133 par. 1 të LP të RSFJ.

Qëndron fakti se të akuzuarit, me veprimtarinë e tyre, sulmuan ato vlera shoqërore që janë nën mbrojtjen e dispozitës së nenit 133 par 1 të LP të RSFJ. Mirëpo në këtë rast nuk është kontestues as fakti se të akuzuarit tentuan të futin revistën në fjalë në RSFJ nga një vend i huaj, nga RF e Gjermanisë, në të cilën, siç u tha edhe më sipër, morën pjesë në demonstratat armiqësore dhe në pengimin e koncertit të RTP-së, kurse i akuzuari Islam Rafuna edhe në vozitjen e Nuhi Sylejmanit për të shpërndaë thirrjet për demonstratat e zhvilluara në Shtutgard.

Revista “Zëri i Kosovës” i organizatës armiqësore emigrante “Fronti i Kuq” dhe ajo përmban shkrime me karakter propagandues armiqësor kundër bazave të shoqërisë vetëqeverisëse socialiste dhe rendit e sigurisë së RSFJ.

Prandaj, në veprimet e të akuzuarve, sipas konstatimit të kësaj gjykate, qëndrojnë elementet e veprës penale të propagandës armiqësore, të parashikuar nga neni 133 par. 3 të LP të RSFJ.

Për këtë arsye del i pabazuar pretendimi i prokurorit publik se me veprimet e sipërme të akuzuarit kanë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ. Kjo vepër penale i ka dy forma kryesore: hyrjen në lidhje me një shtet të huaj ose emigrante ose me një grup njerëzish, dhe ofrimi i ndihmës për kryerjen e veprim- tarisë armiqësore.

Në rastin konkret nuk është provuar që të akuzuarit kanë qenë anëtarë të organizatës armiqësore “Fronti i Kuq”, që të kenë pasur dijeni që kjo organizatë t’i ketë organizuar demonstratat dhe që njëri nga udhëheqësit e saj të jetë i përmenduri Nuhi Sylejmani, si dhe që të kenë njohur vëllezërit Gërvalla.

Mbasi nuk është provuar që të akuzuarit të kenë hyrë në lidhje me organizatën armiqësore të përmendur dhe me udhëheqësit e saj dhe, siç u tha edhe më tepër, mbasi këta kryen veprimet e përshkruara në paragrafin 3 të nenit 133 të LP të RSFJ, nuk mund të pranohet pretendimi i prokurorit se në veprimet e tyre qëndrojnë elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 131 të LP të RSFJ.

Vendimin për dënimin e kundërshtojnë si të pa baza si prokurori publik, ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarve.

Duke u dhënë të akuzuarëve dënimin me nga tri vjet burgim, gjykata e shkallës së parë u njohu atyre si rrethana lehtësuese: pagjykueshmërinë e mëparshme, qëndrimin e mirë para gjykatës dhe gjendjen familjare. Dënimi i dhënë sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, i përgjigjet peshës së veprës dhe shkallës së përgjegjësisë penale të të akuzuarve dhe si i tillë ai është i domosdoshëm që të arrihet qëllimi i dënimit, i parashikuar nga dispozita e nenit 33 të LP të RSFJ.

Nga sa u parashtrua dhe në mbeshtjetje të nenit 387 par. 1 të LPP u vendos si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.

GJYKATA SUPREME E KOSOVËS NË PRSIHTINË
Ap - Kzh. nr. 372/82 Më 17 janar 1983


Procesmbajtëse                                                Kryetar i kolegjit
Milica Smajli                                                       Riza Fazlija





D O K U M E N T E



Faksimili i aktgjykimit të Shaban Klaiqit e Islam Rafunës

***


Aktvendimi nr.330/1, datë 28. 03. 1989, për arrestimin e Shaban Klaiqit,
i nënshkruar nga Sekretari Krahinor për Punë të Brendshme - Jusuf Karakushi.



Pergatiti Sheradin Berisha dhe Flori Bruqi

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...