2011-02-14

Shkrim me shkas:Dritan Prifti: Lopa me numër 201





Nga: Luan  LAZE

Kur është ministër Dritan Prifti, të gjithë janë të ndershëm. Kur e largojnë, janë hajdutë! Njihet thënia, e bëre si lopa. Mbushe kovën me qumësht dhe e shkelmove. Dritan Prifti e bëri ndryshe. Nga inati që lopa nuk i dha aq qumësht sa donte ai, ia derdh në kokë asaj duke e sharë dhe mallkuar. Deri në ato çaste e kishte pirë vetë qumështin.Edhe trupi më i shëndetshëm ka një moment ku e zënë ethet. Atëherë i dalin disa puçrra që e detyrojnë të përpëlitet. Politikani Dritan Prifti, më ngjan si këto ethe, si këto puçrra. Jo se trupi i shoqërisë tonë është i shëndetshëm. Aq më pak, klasa politike. Por edhe një puçërr si Dritan Prifti,nuk është parë e dëgjuar ndonjëherë.Thotë gjëra që edhe disidenti më i guximshëm nuk do t’i deklaronte. Gazetari më investigativ do të ishte i kujdesshëm në atë që deklaron ky Prifti. Prokurori më i shquar do të hezitonte t’i thoshte këto akuza pa iu dridhur këmbët. Por ky yni i thotë, sepse nuk ka asnjë lidhje me këto profesione. Aq më pak me ndershmërinë. Me të kundërtën e kësaj, po. Ai ka vetëm një moto: më futët në politikë, tani më lini të vjedh! Kush më pengon, është hajdut. Do të bërtas sa ta dëgjojnë të gjithë! Më duket gaztori më i madh i jetës politike shqiptare. E ka një moment të veçantë që shpërthen. Dhe ai vjen pikërisht, kur atij i shkelet kontrata që ka bërë me veten, Nëse ju nuk më lini të vjedh, jeni të gjithë hajdutë!Le ta kthejmë filmin pas, për të kujtuar ethen politike me emrin Dritan Prifti. Kur ishte nën hyqmin e Fatos Nanos, nuk i ndjehej zëri. Sepse thanë se, po zhvaste. Kur kryeministri i asaj kohe e dërgoi për kurim jashtë Shqipërisë, në vend që të ishte mirënjohës, thonë se u nevrikos shumë. Për çfarë? Sepse nuk ndodhej këtu për tu pasuruar. Thonë, i dukej se Nano e largoi qëllimisht nga shpella e Ali Babait. Gjithashtu thonë se, edhe për sëmundjen e tij ka fajësuar kryeministrin e asaj kohe. Por këtë e ka bërë nëpër tavolina, jo në publik. Kur Nano e largoi nga drejtimi i KESH-it, ia plasi si ethe. U drodh dhe deklaroi se, Nano i ka kërkuar të pastrojë 2 miliard dollarë! Dikush e quajti të papërgjegjshëm, ndaj dhe Prokuroria nuk u mor as me atë që akuzoi, as me akuzuesin. Vend më të mirë për tu strehuar për këtë kategori se politika, nuk ka. Pastaj u bashkua me ata që kishin kundërshti të tjera me Fatosin. Betimi dhe mallkimi janë dy veglat që përdor Dritan Prifti për të dashur apo për të qenë në qendër të vëmendjes.Pasi ishte betuar dhe kishte mallkuar Nanon, thonë se, u betua para Ilir Metës. Aty gjeti strehë. U bë deputet në saj të votave të LSI-së dhe të një deklarate natën vonë direkt nga Fieri se, vota e tij do të ishte për Sali Berishën! Menjëherë iu hodh komerdarja e shpëtimit. U bë edhe ministër. Thanë se, tani nuk e kishte të qartë se cilit duhet t’i ishte mirënjohës, kryeministrit Sali Berisha, apo kryetarit të partisë së tij, Ilir Meta. Këtë dilemë, për të cilën nuk është menduar gjatë, e zgjidhi. Thonë se, zgjodhi rrugën më të lehtë. Të shtojë pasurinë e tij. Opozita deklaroi se gjatë kësaj kohe ka rubarur 1.8 milion dollarë. Nuk e dimë ende nëse është e vërtetë apo jo. Por dimë përgjigjen e Dritanit: Edi Rama merr drogë në zyrë! Këtë e ka parë me sytë e tij. Kur qëllon me top, krismat e një revolveri nuk dëgjohen fare. Thonë se, ky është parimi i tij psikologjiko- politik. Nëse të akuzojnë për një, ti akuzoi për dhjetë. Nëse të thonë plaç, thuaju vdeksh!Kështu kaloi vitet si ministër Dritan Prifti në xhaminë e tij të pasurimit. Kur partia vendosi ta largojë nga qeveria, sepse nuk mund të mbante koston e korrupsionit të tij, nuk duroi dhe ia plasi si në ethe: Më kanë kërcënuar me jetë! Thonë se, kur pa që kjo nuk pati jehonën e një krisme topi, u mendua dhe i dha vetes komandën tjetër: Zjarr mbi Ilir Metën! Ka pasuri, ka vjedhur, ka prona në bregdet dhe më ka mua, Dritan Priftin, deputet… Jo! Thonë se, këtë të fundit nuk e ka thënë. Oh, Zot! Si është ky njeri kështu? Sa herë që e largojnë nga shpella e Ali Babait, shpërthen, e zënë ethet dhe i dalin puçrrat. Ju jeni hajdutë se nuk më lini mua të vjedh! Meqë nuk u tregua asnjëherë mirënjohës, nxori armën tjetër për të bërë zhurmë, denoncimin. Berishën hë për hë e ka ruajtur. Jo se e ka xhan, i dhimbset apo ka respekt për të, por i duhet si llogore tani që po qëllon mbi Ilir Metën. Me ju, nuk kam punë zoti kryeministër! Vetëm nëse më ngacmoni, atëherë edhe ti je i korruptuar. Unë të jam betuar për besnikëri, dhe e di që je i ndershëm! Por nëse më sulmon, të mallkoj dhe je i korruptuar.Gjithçka ka thënë opozita e Edi Ramës, do të dalin të vërteta si me magji. Prandaj, së paku ti mos më luaj! Tani për tani nuk e ka bërë denoncimin. Thonë se, një ditë do ta plasë edhe ndaj kryeministrit. Kujt i është betuar një herë, do t’i japë mallkimin më pas. Prisni dhe pak. Sapo t’i vijë një sms nga Edi Rama, ai të cilin Dritani e ka parë duke marrë drogë në zyrë!Mbijetesa politike kërkon rrugë të reja. Shërbeu të tjerëve me anë të denoncimit të kundërshtarëve. Një lloj mashe në duart e opozitës. Thonë se, edhe ky është një lloj biznesi. Thonë gjithashtu se, Dritani e bën mirë edhe këtë. Ka vite që mbijeton duke sulmuar sa njërin dhe tjetrin. Dikush duhet t’ia ketë mbushur mendjen se është shumë i besueshëm në akuza, kur ato i bën sapo është larguar nga karrigia. Ndoshta i kanë thënë se, ngjan shumë simpatik kur shan në largim e sipër. Dhe ai bam, bam, bam… Çfarë morali! Bjeri kryetarit të partisë tënde, bjeri atij që të bëri ministër, bjeri atij që të bëri njeri publik! Dhe për çfarë? Jo për ndershmëri. Por sepse, siç thonë se, nuk e lanë më për të vjedhur. Kur është ministër Dritan Prifti, të gjithë janë të ndershëm. Kur e largojnë, janë hajdutë!Bashkë me predhat, duke ikur lëshoi një mesazh të dyfishtë, si politikës ashtu edhe zonës së tij elektorale. Gjatë një interviste me gazetarin Sokol Balla, bëri një bam tjetër. Por tani, blegtoral. Sot e tutje që nuk do të jetë më ministër, do të merret me mbarështrimin dhe mbarëblerjen e 200 lopëve për tu ardhur në ndihmë votuesve të tij. Të gjithë udhët e reja historike fillokan me shifrën 200! 200 petritat komunistë, 200 grevistët e urisë dhe 200 lopët e Priftisë! Pra, merreni vesh ju demat e politikës që më goditët me brirë dhe më larguat nga ministria se, unë tani do të merrem me diçka krejt tjetër! Më lini të gëzoj ato që më akuzoni se i kam vjedhur, dhe nuk flas më për ju! Ndërsa votuesit, i lajmëroi që të bëjnë gati hauret dhe kazanët e qumështit, sepse lopët e racës janë nisur drejt Fierit! Janë 200 lopë me logon e PS-së që do t’i dërgojë atje. Por thonë se, jo 200 lopë të dërgojë ai, por çdo shtëpie shqiptari t’i nisë edhe nga një dem race, zor se i bën më përshtypje njeriu! I konsumoi në mënyrë të habitshme dhe të rrufeshme të gjithë predhat e besnikërisë dhe mallkimit që kishte brenda tij. Të gjithë njerëzit janë ndopak si Dritan Prifti. Betohen dhe mallkojnë shpesh herë. Por këtë e shtrijnë gjatë gjithë jetës së tyre dhe pa rënë shumë në sy nga një rast në tjetrin. Ndërsa ky mysliman me mbiemër Prifti, se çka një ngutje për t’i konsumuar vetëm në një dhjetë vjeçar e në mënyrë publike. Rasti i tij duhet analizuar dhe studiuar nga psikologët dhe moralistët.Po tani çfarë do të bëjë? Thonë se, pa betim dhe pa mallkim ai nuk ndjehet rehat. Berishën nuk ka nevojë ta sulmojë live. Këtë e bën opozita, por me armët e Dritanit. Tani nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të pranojë rolin e lopës. Ato që u premtoi fshatarëve të Fierit, t’ua nisë, ndërsa vetë të milet nga ustallarët gjatë fushatës. Si lopë politike me numër 201. Sepse, kur është ministër Dritan Prifti, të gjithë janë të ndershëm. Kur e largojnë, janë hajdutë! Mosmirënjohësi një ditë bëhet dhe i rrezikshëm.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...