2011-02-16

AEROPORTI I “KRONIKËS NË GUR” RIKTHEHET NË JETË

Dikur thjesht element në subjektet letrare të veprave të Ismail Kadaresë, ndërsa tani, pas një studimi, Aeroporti i Gjirokastrës, po merr sërish jetë. Por, pas plot 80 vitesh, nga gushti i vitit 1929, kur u bë fluturimi i parë. Më parë përdorej nga tregëtarët vendas për fluturime çarter, ndërsa në vitet e fundit, aty u ul Vranicki, për të qetësuar gjakrat në Shqipërinë e ‘97 dhe kryeministri i sotëm italian Romano Prodi...

ndoshta përpara 80 vitesh, kur përfaqësuesit e shoqërisë ajrore gjermane "Adria -Aero-Llojd" do të vendosnin firmën në kontratën e bashkëpunimit me autoritet shqiptare të asaj kohe nuk do ta kishin menduar se njeri prej aeroporteve, i cili ishte pjesë e marrëveshjes, ai i Gjirokastrës, do të ndryshonte kaq shumë destinacione gjatë jetës së vet. Duke qenë për gati një shekull e vetmja pikëlidhëse nëpërmjet ajrit mes Jugut të Shqipërisë dhe pjesës tjetër të vendit, ku aeroporti do të bëhej dëshmitar i mjaft ngjarjeve historike në disa raste me peshë në zhvillimet kombëtare. Madje, nuk kanë munguar edhe veprat letrare, të cilat e kanë përfshirë aeroportin e Gjirokastrës në subjektet e tyre letrarë si në rastin e romanit "Kronikë në gur" të shkrimtarit Ismail Kadare.

Vitet e para
Ishte shtatori i vitit 1924, kur autoritetet shqiptare pranuan kontratën me shoqërinë "Adria -Aero-Llojd" dhe nxitën daljen e një projekt-ligji, i cili do të çelte siparin e historikut të aviacionit civil në vendin tonë. Ky projekt ligj bënte fjalë për vendosjen e linjave të rregullta të trafikut të aviacionit civil në linjat Tiranë-Shkodër-Durrës-Berat-Vlorë-Gjirokastër. Më vonë hartës së udhëtimeve civile nëpërmjet ajrit iu shtuan edhe Korça, Kukësi dhe Peshkopia. Në një studim të Shoqatës Italiane për Zhvillim (V.S.P.) (Volontari Senior Profesionali), të hartuar vitet e fundit dhe që ka në qendër aeroportin e Gjirokastrës, përmendet fakti se: "Linja ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë u inaugurua në 11 gusht 1929". Këto fluturime bënë të mundur lidhjen e qendrës së Jugut të Shqipërisë me kryeqytetin në një kohe të shkurtër. Megjithatë flurutimet e avionëve të vegjël që përdoreshin në këtë linjë realizoheshin vetëm në kushte atmosferike normale. Vështirësive të motit për kryerjen e fluturimeve i shtoheshin edhe gjetja e ekuipazhit që do të kryente shërbimin. Fillimisht në këtë linjë fluturimesh ka operuar një ekuipazh i reduktuar gjerman dhe më pas një ekuipazh i përbërë nga pilotë italianë.
Krahas pasagjerëve në linjën Gjirokastër-Tiranë dhe anasjelltas avionët realizonin edhe transportimin e postës. Për këtë linjë fluturimesh përdoreshin dy-tre aeroplanë të lehtë të tipit "Albatros E" dhe "Albatros G", të cilët kishin nga tre vende seicili.
E marrin italianët
Në vitin 1932 marëveshja me gjermanët u abrogua dhe qeveria Mbretërore Shqiptare ia dha konçensionin për shërbimin ajror civil shoqërisë italiane "Ala -Littoria". Kësaj periudhe i përket edhe ndërtimi dhe sistemimi i aeroportit të Gjirokastrës në përputhje me kushtet teknike të fluturimeve të asaj kohe.
Në vitet '30-'40 të shekullit të kaluar ky aeroport do të kishte një funksion të dyfishtë, atë civil dhe ushtarak. Në këtë kohë në pistën e aeroportit të Gjirokastrës u vendosën rreth
30 aeroplanë transporti, bombardues, civilë, etj. Krahas pistës së modernizuar edhe shërbimi në fluturimet civile erdhi në rritje. Gjatë kësaj kohe për fluturimet civile përdoren aeroplanë të tipit "Breda 44". Linjat kryesore të fluturimeve të kësaj periudhe që kishin si stacion aeroportin e Gjirokastrës do të ishin : Tiranë-Vlorë-Gjirokastër-Tiranë dhe Tiranë-Korçë-Gjirokastër-Tiranë. Ky lloj transporti do ti vinte ndjeshëm në ndihmë lëvizjes së pasagjerëve nga Jugu i vendit në drejtim të zonave të tjera. Grupet e pasagjerëve që udhëtonin me avion në linjat e aeroportit të Gjirokastrës ishin nga më të ndryshmet, tregtarë, administratorë, punonjës të administratës shtetërore, etj. Për tu përmendur është fakti se krahas fluturimeve në linja të rregullta shpesh nga aeroporti i Gjirokastrës niseshin edhe çartera me destinacion të përcaktuar nga klientët e interesuar kryesisht në drejtim të Napolit dhe Brindizit.

Pas luftës
Transporti civil nëpërmjet aeroportit të Gjirokastrës zgjati deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Pas vitit 1944, shërbimi civil në aeroportin e Jugut do të ndërpritej e megjithatë sërish aeropoti i Gjirokastrës do të vazhdonte jetën e vet. Pista e tij do të përdorej për fluturime për qëllime ushtarake, për nevoja qeveritare dhe humanitare. Në aeroport do të uleshin helikopterët, që transportonin jo vetëm politikanët por edhe ushtarakët, të sëmurët për një ndihmë më të specializuar në drejtim të kryeqytetit etj. Madje ky aerodrom do të përdorej si pistë fluturimesh edhe nga avionët e spërkatjes në bujqësi, të cilët hidhnin nga ajri- pesticidet në sipërfaqet bujqësore përgjatë luginës së Drinos. Por një tregim i titulluar "Aeroporti i Jugut", i shkrimtarit Ismail Kadare do të bënte që aerodromi i Gjirokastrës të mbetej më të veçantët krahasuar me pistat e tjera të fluturimeve. Ai ishte përjetësuar në një vepër letrare. Përgjatë tregimit Kadareja jep ndjesitë e tij dhe të banorëve të Gjirokastrës në lidhje me zhvillimet që pëson pista e fluturimit gjatë viteve 40-të të shekullit të kaluar. Madje nën titullin e këtij tregimi Kadareja do të realizonte në një vëllim më vete një përmbledhje të prozës së shkurtër të krijimtarisë së tij letrare. Por kulmin marrëdhëniet me botën e letrave aeroporti i Gjirokastrës i ka sërish në një vepër të Kadaresë. Në romanin "Kronikë në gur" historia, ngjarjet dhe zhvillimet e aeroportit të Gjirokastrës zënë faqe të tëra duke qënë kështu një dëshmitar i vetë historisë së qytetit të gurtë.

Vitet '90-të
Vitet '90 e gjejnë aeroportin e Gjirokastrës në gjendje pune, kjo falë kujdesit dhe mirëfunksionimit të tij në vitet e mëparshme, ku rregullat e forta ushtarake e mbajtën në kushte optimale. Avionët e shoqërisë amerikane MAF do të rikthenin në këtë aeroport fluturimet civile në linjat ajrore Tiranë - Gjirokastër - Korçë -Tiranë duke e bërë atë një nyje të rëndësishme të transportit ajror në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve, ditari i aeroportit të Jugut do të përfshinte një sërë fluturimesh VIP, ku krahas politikanëve shqiptarë spikasin edhe mbërritja në Gjirokastër e kryeministrit italian të atyre viteve Romano Prodi, ish kancelarit austriak Vraniski si edhe emri i shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbërriti me helikopter për një vizitë në qytetin e tij të lindjes.
Por në ngjarjet e vitit 1997 aeroporti i Gjirokastrës pësoi një shkatërrim total. Dolën nga funksioni të gjitha aparaturat dhe ambientet si pista, kulla e navigimit, stacioni meteorologjik dhe gjithë infrastruktura qe e mbante atë në punë.

Rrikthimi i avionëve
Në projektin e titulluar "Studimi i fizibilitetit për riaktivizimin e aeroportit të Gjirokastrës" Shoqata Italiane për Zhvillim (VSP) bën një studim teknik dhe profesional të mundësisë së rikthimit të fluturimeve në aeroportin e Gjirokastrës. Sipas këtij studimi, i cili i është dorëzuar Këshillit të Qarkut Gjirokastër, ky aeroport i ka të gjitha kapacitetet teknike për rikthimin e fluturimeve dhe kryesisht të atyre me avionë më kapacitet të vogël. Bazuar në raportin në fjalë janë një sërë elementësh të komunikimit, zhvillimit ekonomik, kulturor, turistik etj të cilët janë faktorë të rëndësishëm në rikthimin e fluturimeve në aeroportin e Gjirokastrës.
"Nevoja e riaktivizimit të aeroportit konsiderohet esenciale në proçesin e zhvillimit të të gjithë rajonit të Jugut", pohohet në studimin në fjalë. Sipas ekspertëve italiane rivënia në punë e aeroportit të Gjirokastrës ndikon në uljen e kohës dhe kostos së komunikimit të zonës së Jugut me pjesë të tjera të vendit. Në këtë drejtim përgjatë studimit në fjalë ky aeroport konsiderohet i përshtatshëm për aktivitetet e aeronautikës, çarterat dhe aeroklubet, të cilët sot në vende të ndryshme të botës janë elementët kryesorë të nxitjes së zhvillimit të turizmit pasi krijojnë lehtësira në lëvizjen e njerëzve. Në vijim të studimit specialistët italianë japin edhe disa elementë teknikë në lidhje me punën që duhet bërë për rikonstruksionin e pistës së fluturimit, godinave ekzistuese në mjediset e aeroportit si dhe aksesorëve të tjerë të nevojshëm për rivënien në punë të aeroportit të Jugut.
Parashikohet që avionët që do të përdorin pistën do të kenë një autonomi për rreth 500 km dhe një kapacitet prej rreth 30 - 40 pasagjeresh, pra do të jenë të tipit ATR 42 (40 vendesh), SAAB 340 (34 vendesh), Embraer EMB 110 (21 vendesh) dhe Dornier 328 (32 vendesh).
Ndërkohë gjatë viteve të fundit riaktivizimi i aeroportit të Gjirokastrës ka qenë në qendër të disa iniciativa të ndërmarra edhe nga faktorë të tjerë si pushteti vendor në Gjirokastër, ministria shqiptare e Mbrojtjes apo DIE ( Delegacioni Italian i Ekspertëve). Këto iniciativa kanë konsistuar në frenimin e shkatërrimit dhe rikonstruksionin e disa prej aksesorëve të aeroportit.
Ndërkohë në muajin shtator të këtij viti një iniciativë e përbashkët mes disa prej institucioneve dhe organizmave shqiptarë, konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë dhe pushtetit vendor në Gjirokastër synon rikthimin e fluturimeve në pistën e aeroportit të avionëve me kapacitet të vogël. Kjo iniciativë parashikon një aktivitet promovues duke organizuar me këtë rast ardhjen në Gjirokastër të disa avionëve të aeroklubeve italiane me turistë si dhe fluturime të lira nga ajri nga anëtarët e aeronautikës shqiptare dhe të huaj.

Shkruan nga Gjirokastra, Blerim Kore

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...