2011-02-16

Nga: Ben Andoni : HEBRENJTË NË SHQIPËRI: A U NDIHMUAN VËRTETË AQ SHUMË?!

Të përmendësh Shqipërinë në Izrael nuk je më i pambrojtur. Ashtu si ndodh rëndom me shqiptarët në vende të tjera. Hebrenjtë e sotëm e kanë të fiksuar se evropianët ‘e vegjël’ u bënë jatak për dhjetëra familje në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore. Por, pas kësaj fasade, a ishte vërtetë kaq e madhe ndihma e shqiptarëve...

Patjetër. Shqiptarët i ndihmuan hebrenjtë me të gjithë potencialin e tyre materialo-jetësor. Të paktën, këtë e vërteton fakti historik, që tashmë është i mirënjohur. Dhënia e besës ishte elementi kryesor, që ndihmoi ekzistencën e tyre, thotë Luan Pengili, drejtor i Shtëpisë Botuese OMSCA në Tiranë. Në fakt, shqiptarët ndihmuan, ashtu si do të ndihmonin çdo komunitet në nevojë. Në vite, ata ndihmuan të mbeturit e ushtrive që luftuan në Shqipëri, që u kishin sjell dëme, por edhe fqinjët e tyre, me të cilët patën probleme. Nëna ruse e z.Pengili ishte e bija e një funksionari të lartë hebre, që u ekzekutua bashkë me të shoqen në vitin 1937 në Rusi. Që atëherë, familja e të ëmës së tij nuk diti asgjë. Familja e Luanit në Shqipëri pati sikletet e Luftës së Klasave. Hebrenjtë janë miksuar në vite me shqiptarët. Referencat për ekzistencën e tyre janë që nga qindra vjet të shkuara, kur ata bashkëjetuan me shqiptarët.
“Qitrot hebraike janë një kulturë e jashtëzakonshme. Atë kulturë fshatarët e mi e zhvilluan shumë, brez pas brezi, sa u bë Dhërmiu metropoli i qitrove hebraike në botë. Me ato qitro çifutët bëjnë Pashkët. Një qitro, bashkë me një degë palme, është emblema e pritjes së Moisiut, ashtu si e kishin ortodoksët, që bënin Pashkë me vezë të kuqe”, shkruan Petro Marko në kujtimet e tij për Bregdetin e para luftës. Duke iu referuar një studimi të Bernd Fisher: Në vitin 1938, në Shqipëri ishin regjistruar zyrtarisht rreth 300 hebrenj shqiptarë dhe ndoshta 100 hebrenj të huaj. Pjesa më e madhe e hebrenjve vinin nga Gjermania dhe Austria, por deri në fund të Luftës në Shqipëri gjetën strehë edhe të tjerë nga Jugosllavia, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Turqia, Hungaria e Rumania. Sipas Bernstein-it, Shqipëria ishte ndër të paktat vende në Evropën e atëhershme “ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë”. Në Shqipëri, mbi të gjitha, nuk i diskriminonin.
Dimri i vështirë i vitit 1944, e kapi Hermina Steinovan në Shqipëri, rrugës drejt Dibrës së Madhe, ku kërkoi strehim te njerëzit e të shoqit, Gafur Langu. Familja e saj kishte përfunduar në Buckenwald, kurse pronat në Kiov të Moravisë u ishin bërë hi. Vetëm ungji i Steinovas kish mundur të shpërngulej në Palestinë, në hapësirën ku do të riformohej më vonë Izraeli. Por dashuria e saj për burrin simpatik shqiptar nuk përkonte me sikletin e shumë familjeve hebreje, që tashmë ishin vendosur në Shqipëri. Shumë prej tyre ishin befasuar më 1 mars të vitit 1937, kur Zyra sekrete e Ministrisë së Brendshme nxori Qarkoren e titullarit të saj Musa Juka, që kërkonte të identifikoheshin të gjithë hebrenjtë e Shqipërisë. Keqësimi i situatës evropiane ndjehet nga një urdhër të Kontit Çiano, që i kërkon legatës italiane dhe selive konsullore në Durrës dhe në Shkodër të përzihet elementi hebre nga vendi. Në fakt, në Shqipëri çështja ka një zgjidhje. Në Tiranë ambasadori amerikan Herman Bernstein, i cili shërbeu në Shqipëri ndërmjet viteve 1930 dhe 1933 bën hapa aktivë. Ai ishte në gjendje të kishte ca kohë të disponueshme për të kryer studime mbi hebrenjtë në Shqipëri. Botoi artikuj si rezultat i studimit të tij dhe qëndroi aktiv në çështjet e hebrenjve në Shqipëri deri në vdekjen e tij në vitin 1935. Kontributi i tij kryesor për komunitetin hebre në Shqipëri qenë bisedimet me Zogun për rivendosjen e familjeve hebre nga Austria dhe Gjermania, menjëherë sapo ardhja e Hitlerit në pushtet e bëri të qartë për shumë njerëz se hebrenjtë ishin të rrezikuar në të gjithë Evropën, shkruan Fisher.
Vetë Mbreti e kishte njohur zyrtarisht këtë komunitet që në prill të vitit 1937. Madje, në kohën e luftës ai kërkoi që të bënte një marrëveshje me komunitetin hebre në Britani, që të vendoseshin në Shqipëri rreth 50.000 familje, në këmbim të ndihmës për fronin. Përsëri nga Fisher, regjistrimet tregojnë për shembull se 100 hebre erdhën nga Vjena në shkurt të vitit 1939, kurse 95 familje hebre erdhën në Shqipëri, kryesisht nga Austria dhe Gjermania. Sapo erdhën në Shqipëri emigrantët e rinj morën përkrahje nga Komuniteti i hebrenjve të Shqipërisë, por shumë prej tyre iu dhanë leje qëndrimi, në mënyrë që ata të mund të punonin.

Jo kaq bamirës
“Informacionet e legatës italiane fillojnë të japin hollësira më të detajuara për këtë situatë. Në një njoftim që konsulli italian i dërgonte një ushtaraku italian më 30.11.1938, midis të tjerave shkruhet se emigracioni i izraelitëve po shndërrohej në një mjet të përshtatshëm për t’iu siguruar ryshfete të majme sferave qeveritare. Sipas konsullit, në këtë çështje, është përzierë edhe Shtëpia Mbretërore, e cila kishte lidhje të ngushta me elementin hebraik. Sot është përhapur fjala se Mbretëresha Geraldinë ka marrë një shumë që sillet nga 10.000 deri në 50.000 napoleonë, që duhet të jetë depozituar në një bankë jashtë. Duket se Qeveria shqiptare ka pranuar nga hebrenjtë 8 milionë franga ari në shkëmbim të koncesioneve për impiante industriale, që hebrenjtë do të ndërtonin, shkruan Artan Puto në studimin e tij “Hebrenjtë në Shqipëri në prag të Luftës së Dytë”. Ndër hebrenjtë shumë të njohur, që kërkonin të vinin në Shqipëri, ishte edhe Norbert Jokli. Por qeveria shqiptare me burokracinë e saj nuk e mundësoi ardhjen e tij dhe ai vdiq më 8 maj 1942 në një kamp përqendrimi. Pushtuesit e rinj gjermanë filluan duke pyetur për listat e të gjithë hebrenjve në Shqipëri, si nga komuniteti hebre, ashtu edhe nga regjimi i Mehdi Frashërit. Kjo kërkesë ishte, padyshim, një shenjë ogurzezë, sepse në rrethana të tjera një veprim i tillë ishte hapi i parë drejt arrestimit, shpërnguljes dhe zhdukjes së komuniteteve hebre. Por listat nuk iu dhanë gjermanëve as nga Komuniteti hebre shqiptar, as edhe nga regjimi dhe gjermanët nuk e ndoqën më këtë çështje. Hezitimi i tyre për të vepruar në këtë mënyrë mund t’i dedikohet, pjesërisht Herman Neubacherit, ish-kryebashkiak i Vjenës, i cili u bë përfaqësuesi special për Ballkanin i Ministrisë së Jashtme Gjermane dhe njëkohësisht përfaqësuesi personal i ministrit të Jashtëm gjerman, Joachim von Ribbentrop në Shqipëri, citojmë sërish Puton. Ai këmbënguli në një shpallje të re të pavarësisë së Shqipërisë dhe insistoi se Gjermania respektonte pavarësinë kurdo të ishte e mundur. Neubacher doli me atë çka ai e konsideroi se ishin dy kategoritë e reja në ligjin ndërkombëtar, “neutraliteti relativ” dhe “sovraniteti relativ”, shkruan historiani i ri. Por duket dhe largpamësia e z. Frashëri që përshtatet me këtë politikë.
Shumë vite më vonë, kjo ngjarje do të vinte në skenë, por si historianët shqiptarë nuk e kishin nxjerrë asnjëherë dokumentin, që tregonte dhe një fytyrë tjetër të kolaboracionistëve.
Vetë izraelitët, paçka ndarjes në kohën e komunizmit, nuk e harruan kurrë këtë ndihmë. Më shumë akoma në konfliktin e 1999, u shënua pikërisht dhe vlerësimi pa doreza i këtij kontributi. Izraelitët, madje, kapërcyen peshën e rëndë të paraleleve që ekzistojnë sot midis raporteve Serbi-Kosovë nga njëra anë e Izrael-Palestinë dhe zgjodhën shqiptarët si favoritë, duke sjellë holokaustin si provë.

Pas lufte
Hermina Steinova dhe familja e saj e pati njësoj keq dhe në periudhën e regjimit diktatorial shqiptar. I shoqi i Herminas, për shkak të angazhimeve politike të paraluftës, vdiq më 1965, pasi ish endur burgjeve dhe internimeve. Kishin tre fëmijë, të cilët duhej të mbijetonin. “Gjyshja arriti të bënte epokë në Tiranë, falë makinës qepëse”, tregon Amosi, nipi i saj. Në Tiranën komuniste, tek zonja Hermiona, qepnin shumë nga familjet e fuqishme të Bllokut. Ishin duart e saj punëtore që do ta shpëtonin atë disa herë nga internimi. Hebrenjtë e tjerë ishin integruar në jetën shqiptare dhe punonin duke u spikatur kudo që kontribuonin.

Komuniteti hebre
Për hebrenjtë shqiptarë, sefaraditë (të përqendruar kryesisht në Vlorë, Gjirokastër, Lushnjë, Fier, Shkodër dhe Tiranë) dhe ashkinazë (kryesisht në Tiranë dhe Shkodër) nuk kishte sinagoga e rabinë. E vetmja sinagogë ishte shkatërruar gjatë Luftës I Botërore, dhe funksionin e saj e luanin tashmë shtëpitë e hebrenjve. Kurse ekzistenca e një rabini ishte fare e paimagjinueshme për bashkësinë e vogël hebreje shqiptare dhe pas vitit 1967 rabinëve iu ndalua rreptësisht hyrja në Shqipëri. Deri këtë vit bashkësia kishte marrë rregullisht pako me “matzo” nga organizata hebrenje holandeze. Pas ndalimit të fesë me ligj, kremtimi i festave dhe ngjarjeve të shënuara fetare dhe historike u kthye në një ritual “ilegal”. Sidomos në Vlorë, në “Rrugën e Çifutëve” ku ishte edhe numri më i madh i hebrenjve shqiptarë, besimtarët kremtonin rregullisht në fshehtësi, shkruan J. Godole në një artikull periodik të hebrenjve gjermanë. “Më kujtohet shumë mirë kur e festonim Rosh Hashanah-un (Vitin e Ri hebraik) dhe gjithë ne hebrenjtë uronim me këtë rast njëri-tjetrin”, kujton Amosi për fëmijërinë e tij. Ata festonin edhe Pesah-un, si dhe agjëronin në ditën e shenjtë të Pendimit “Yom Kippur”.

Në tranzicion dhe ... sot
I nipi i Herminës, aty nga fillimi i viteve ’90, e la Shqipërinë. Fillimisht u nis drejt Gjermanisë për të përfunduar pastaj, falë disa organizatave hebreje, në Tel Aviv.
Fatin e Amosit dhe familjes së tij e pasuan edhe 350 hebrenj të tjerë shqiptarë, që u larguan drejt Izraelit, si dhe 37 drejt SHBA-ve. “Sot këtu kanë mbetur rreth 10 familje me gjithsej 32 frymë”, tregon kryetari i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Izrael, Prof. Petrit Zorba. Mungesa e një sinagoge bën që komuniteti i vogël i hebrenjve të mbetur shqiptarë të mblidhet një apo dy herë në vit, kur vjen përfaqësuesi i JOINT-it (American Jewish Joint Distribution Committee) nga Roma që e asiston atë. Herë pas here bashkësisë së vogël hebreje në Shqipëri i bashkohet edhe komuniteti i trupit diplomatik, ndërsa festojnë një “Seder” apo të tjera festa tradicionale me hebrenj vendas e të huaj. Përpos këtyre, asnjë ndihmë tjetër, nuk u afrohet hebrenjve të mbetur në Shqipëri nga SHBA-të dhe Izraeli. Jetojnë me punën e tyre dhe ndjekin të interesuar politikën e Izraelit. Presin që dy qeveritë të sistemojnë problemin e vizave në pasaportat respektive dhe ata të mund të lëvizin të lirë. Në vend operojnë tani sipërmarrje të fuqishme izraelite si Benny Staitmetr, grupi afrikanojugor-izraelit, grupi Sari Arison, Gilat Satalid, G.M.U.L. Bashkëpunimit kulturor i shtohet ardhja së shpejti e Filarmonisë së Tel Avivit etj.
...
Edhe pse e vogël, bashkësia e hebrenjve shqiptarë ka arritur të nxjerrë figura të rëndësishme në jetën kulturore, politike e shoqërore të Shqipërisë. Më i njohuri ndër ta mbetet padyshim përkthyesi i madh i letërsisë gjermane Robert Schwartz, një ish-ministër shëndetësie dhe një botues. Të tjerët ikin e vijnë, “sidomos të ikurit në vitet 1990-1991 kthehen herë pas here në Shqipëri”, thotë kryetari i shoqatës së miqësisë Zorba. Amosi është njëri prej tyre. Së bashku me të vëllanë zotërojnë në Tiranë një biznes ndërtimi. Në Shqipëri, Amosi kaloi fëmijërinë, rininë, në tokën e re luajti volejboll me Mateashar-in dhe kreu shërbimin ushtarak. Krenarë duhet të ndihen edhe 120 familjet që strehuan hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, sipas Shoqatës së Miqësisë mes dy vendeve. Mbrojtja e hebrenjve vazhdon të mbetet nyja e fortë e marrëdhënieve mes dy vendeve, edhe pse konsulli Cani shprehet, se “diplomacia e Izraelit është shumë e kujdesshme ndaj Shqipërisë”.
Hermiona Steinova ndërroi jetë në Shqipëri, më 1988, në një vend, i cili i shpëtoi jetën dhe të cilin ajo mësoi ta respektonte, por jo ta donte si të vetin. 2-3 vjet më vonë fëmijët e saj si dhe shumica e hebrenjve shqiptarë u riatdhesuan duke u larguar përfundimisht drejt Izraelit, në bazë të një marrëveshjeje të fshehtë mes Izraelit dhe Shqipërisë, firmosur nga Ramiz Alia. Zoti Pengili dhe të tjerë ushtrojnë bizneset e tyre dhe janë të mprehtë ndaj marrëdhënieve Shqipëri-Izrael. Shqipëria, gjithsesi, është më afër Izraelit. “Kështu me radhë të gjithë familjet thanë se nga rridhnin. Na doli vetëm një që ishte i huaj: Josif Averbahu, me origjinë çifute nga Austria”, shkruan Petro Marko.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...