2011-02-14

KTHIMI YNË NË EVROPË

Shkruan: Ali PODRIMJA


Ka shekuj qe trojet tona kanë marrë pamjen e tmerrshme: me plot kufij e murana pas të cilave fshihet shqetësimi ynë gjithëkombëtar. Siç e theksoi edhe shkrimtari ynë i nderuar Kadare në një intervistë, qetësia jonë antike u thye kur fiset sllave nisën të zbrisnin nga Karpatet dhe kur fqinji ynë jugor, për lirinë e mirëqenien e të cilit kontribuuam edhe ne shqiptarët, ia ktheu shpinën antikitetit dhe u turr pas Bizantit. Pse veproi kështu, dihet.
Ato që ndodhën pastaj ishin ngjarje të dhembshme. Marramendëse. Të paharruara. Fiset ilire u shpërngulën në ëndrrat tona dhe në kujtesën e brezave u ngulitën emra tragjikë si Morea, Toplica, Çamëria, Kosova. Është për t’u çuditur se për këto humbje të hapësirës sonë, gati në asnjë tekst shqiptar nuk u vërejt ndonjë mallkim apo hasmëri ndaj fqinjëve tanë, edhe pse trojet tona na i qitën shpesh në treg. Në bibliotekat tona renditen libra të dhembjes kombëtare, por edhe të shpresës se një ditë edhe fqinjët e të mëdhenjtë do ta kuptojnë hallin tonë gjithëkombëtar.
Vitet 1878, 1913, 1919, 1924, 1945 të kongreseve e të konferencave të shënuara e të pashënuara, janë akte të tragjedisë sonë kombëtare, të eksodeve, të ndjekjeve, të vrasjeve dhe shpërbërjeve të hapësirës sonë. Në mënyrë misterioze, për një gjysmë shekulli na shkëputën nga bota dhe na dënuan me natën e gjatë pansllave, duke na çoroditur si komb e karakter. Në vetminë tonë të vdekshme tentuan të na mbyllnin hermetikisht dhe monopolin mbi fatin e identitetin tonë kombëtar e morën të huajt dhe sharlatanët e oborreve… E kjo, a mund të quhet krenari kombëtare?!
Stolisje i kishim kampet e përqendrimit dhe kazamatet e panumërta: nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim. Nuk dinim ku gjendet Çamëria apo ku bie Kosova, ku nis Burreli e ku mbaron Idrizova famëkeqe. Thellë në qenien tonë ishte shtrirë nata e shkurrës dhe nga truri i kombit bëhej shpëlarja totale. Etiketimet e të gjitha kuzhinave na rrënonin dheun nën këmbë.
U desh të ndodhte 11 marsi i vitit 1981, kur studentët e Universitetit të Kosovës, ndër të parët në Evropën e Lindjes, ia kthyen shpinën ideologjisë bolshevike: një popull, një kushtetutë, një gazetë, që ishte rrena më ordinare e përgatitur për zhdukjen e popujve të vegjël. Ndodhi pastaj edhe dita e 22 marsit 1992, kur për herë të parë në historinë shqiptare, triumfoi opsioni demokratik dhe populli shqiptar zgjodhi atë që e deshi, pa diktatin e huaj. Ishte ëndrra jonë, e nisur që nga koha e rilindasve, kthimi ynë në Evropë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...