2011-02-16

KLITHMAT E KRISTO FRASHËRIT: KJO AKADEMI MË BRAKTISI

Është një nga njerëzit e mëdhenj të shkencës së historisë, që nuk e gëzon më mbështetjen e Akademisë për ndihmën teknike. Kjo konsiston në asistimin e punonjësve ndihmës por edhe moralisht të lehtësisë në arkiva. Siç mund të kuptohet, tashmë që po i afrohet ngadalë shekullit të jetës së tij, historiani nuk mund të rendë më, ndërsa i duhet që të botojë atë mori gjërash që mban ende nëpër duar dhe që i duhen publikut

“Akademia ka mbaruar. Ajo nuk ka fonde që të mund të ndihmojë. Është e firasur“, thotë duke qeshur. Me këto fjalë, Profesor Kristo Frashëri i përgjigjet një pyetje bezdisëse për Akademinë e Shkencave, institucionit, që dikur përbënte krenarinë e shkencës shqiptare. Nuk ka pezëm për të, por i vjen keq që ata që menduan rikonceptimin e saj, nuk menduan se ky institucion kish nevojë për fonde, që të ndihmonte me kapacitetet e saj intelektuale shkencën shqiptare. E megjithatë, pak ditë më parë, kolegët e këtij institucioni, i kanë organizuar një festë të madhe për 90-vjetorin. Shumë kanë qenë të ftuar, por akademikët e rinj apo intelektualët që janë të lexueshëm për prirjet e tyre të djathta apo të majta s’kanë ardhur. “Po ja gjyko vetë!“, shprehet, kur pyetet. Profesor Kristo Frashëri nuk flet shumë, por mundohet që përmes shembujve të ndryshëm të tregojë jetën e tij. Kur, në emisionin televiziv “Opinion”, drejtuesi i kërkoi të rrëfente për planet e së ardhmes, ai iu përgjigj me shpoti: “Mos më detyro të them gjëra që nuk di a do t’i përfundoj”. Humori i ndërthurrur me shpotinë përbën një mënyrë shprehje tashmë të tij. Në fakt, për rastin në fjalë, ashtu si shumë nga akademikët e tjerë, që e kanë kaluar 75-vjetorin, është i privuar nga njeriu ndihmës (që dikur e jipte Akademia), që i asiston në punën e tij, por edhe nga lehtësia në arkiva. Aq e theksuar është kjo pengesë, saqë sipas tij, është e vështirë që të kontaktosh për materiale dhe vonesat e tyre janë të shumëllojta. Kjo e bën që të mbështetet përmes miqve të rinj dhe të kërkojë për të arritur nëpërmjet rrugëve të tërthorta. “Më zvarrisin dhe të zvarrisin shumë. Kërkoj në Arkiv dhe në Institutin e Historisë që vetë e kam themeluar, por është vështirë. Nuk di pse më pengojnë...”, thotë. Profesor Kristo Frashëri, megjithatë, kurrë nuk e ka bërë të pakënaqurin, përveçse në çdo moment kërkuesin dhe të dëshiruarin për punë. “Më duhet ky libër apo kjo temë dhe duhet ta gjej. Kjo i shërben kësaj teme”, u kërkon atyre që bashkëpunojnë. Çuditërisht i janë zvogëluar njerëzit që e ndihmojnë dhe kjo e bën të ketë trishtimin më të madh. Njësoj si ai, janë dhe ish-akademikë të tjerë aktivë, por të gjithëve kur u kërkon të prononcohen publikisht, atëherë të gjithë zgjedhin më mirë të rrinë në gjendjen e tyre.
Rikonceptimi i Akademisë së Shkencave dhe ulja e fondeve në mbështetje të saj ka bërë që institucioni prej kohësh të jetë jashtë funksionit të tij, ku një nga obligimet kryesore është që të ushqej disiplinat e ndryshme shkencore me materialin e duhur shkencor. Nuk do shumë për të gjetur shembuj. Përmbytjet e dy viteve të fundit kanë nxjerrë mungesën e eficiensës së institucioneve të saj teknike dhe punonjësve të saj shkencorë. Problemet e ndryshme të vendit me interes të gjerë publik, që janë përplasur në mjedise, ashtu edhe zvogëlimi deri në limite të paparashikueshme i fondeve i ka bërë historianët, inxhinierët, gjuhëtarët dhe të tjerë njerëz të shkencës, që të jenë vazhdimisht të papërgatitur për t’u përballur realisht me probleme madhore. Ndërkohë që një grup që ka ardhur ose që është gati të vijë dhe që shikohet më shumë si i afërt me pushtetin shquhet për reagimin e dobët dhe mungesën e dukshme të kompetencës. Kjo e bën në një farë mënyre të klithë në shpirtin e tij profesorin, që ka gjetur kohë të ngrejë vazhdimisht zërin për problemet e fushës së tij. Për profesonin e tij do të shprehej njëherë: “Ndershmëri profesionale do të thotë për historianin, që ai të trajtojë temën sipas bindjeve që ka formuar gjatë studimit të thelluar të fakteve dhe proceseve, që kanë lidhje drejtpërdrejt ose tërthorazi me temën që trajton. Në qoftë se jeton dhe punon nën saçin e një regjimi diktatorial, siç ishte regjimi komunist dhe, para tij, regjimin fashist, të cilin shumëkush e harron, dy regjime këto që nuk të krijonin hapësirë për të shprehur lirisht bindjet shkencore, ndershmëria profesionale kërkon nga historiani, që ai të zgjedhë bindjet dhe të heqë dorë nga tema, kur regjimi të detyron të shkruash në kundërshtim me bindjet shkencore. Në rast se zgjedh këtë të dytën, atëherë nuk je historian, por siç thoshin dikur: kalemxhi, në kuptimin e mercenarit të kalemit”.

Angazhimet
Profesor Kristo Frashëri është i rrethuar në një apartament të zakonshëm me kubaturë të vogël, i rrethuar nga librat. Pesha më e madhe e të cilave është e atyre që nuk po botohen ende. Paguan me pensionin e tij një grua, që kujdeset për shtëpinë dhe po ashtu dhe një vajzë, që tashti e asiston në punën e tij të vazhdueshme. Për këtë dhe pak gjëra më duhej ndihma dhe jo për të tjera, thotë. Edhe në këtë moshë nuk mbarojnë zhgënjimet.
“Nuk pata as edhe një reagim të thjeshtë nga Kosova për ‘Historinë e Kosovës’. Jo vetëm nuk ndihmuan, por as edhe reaguan në asnjë farë forme”, thotë me pezëm. Dhe, pak më pas, kur një grup i interesuar për “Historinë e Çamërisë”, i kërkuan që ta ndante nga “Historia e Epirit”, ai iu përgjigj “Kur përgatitet diçka, duhet që të përgatitet në madhësi. Dhe, unë kam një punë që po bëj për historinë e Epirit, që nuk mund të ndaj dhe të veçoj vetëm një copëz të saj”. Çudirat nuk mbarojnë këtu, si p.sh. një njeri që i premton ta ndihë për një vëllim masiv kushtuar historisë së njërës prej krahinave tona, i kërkon që të veçojë gjëra, kryesisht për areale të ngushta gjeografike-historike. Harrojnë se mbi të gjitha është interesi shkencor i historianit dhe me atë s’mund të bëhet kurrë “pazar”.
Pak minuta me Profesor Kriston do të mjaftojnë që të mbushesh me ide ose të shtrihesh përnjëherë në interesa pune të jashtëzakonshme. Duket se dëshira për punë është shumë e madhe. Dhe, nëse do të përshtateshin, mundësitë, ndihma dhe aspekti financiar, atëherë nga ai do kishte shumë e shumë gjëra të mira. Kjo e bëri që pak ditë më parë, ndryshe nga shumë kinse intelektualë t’i drejtohej direkt kryepeshkopit të Shqipërisë, duke e akuzuar direkt, por duke ruajtur etikën shkencore: “Në kanonet kishtare nuk thuhet se kryepeshkopi duhet të zgjidhet me shumicë votash, sepse kisha nuk pranon asnjëherë numërim votash. Kisha kërkon që krerët e saj të pëlqehen unanimisht nga besnikët e pranishëm në çastin e fronëzimit. Si rrjedhim, mjafton prania e një grupi sado të vogël kundërshtarësh që thërrasin “anaksios” për ta bërë të pavlefshëm zgjedhjen e prelatit, në rastin tonë të A. Janullatosit”.
...
Vetë jeta e tij është një histori e bukur: Kur lindi Kristo Frashëri në Stamboll, atëherë në fuqi ishte ende Sulltani i fundit. Pak vite më vonë, kur u largua nga Turqia e la vendlindjen e tij Republikë dhe jetoi në vendin e tij të ri të shpirtit Monarkinë. Ose “më mirë, si do thoshte -ata që e themeluan Republikën, e përmbysën atë dhe bënë Monarkinë. Atje Monarkinë e zëvendësuan me Republikën dhe këtu bënë të kundërtën. Më pas, 11 vjet më vonë, po ata që formuan Monarkinë e shpallën Zogun mbret dhe po ata e rrëzuan Zogun. Kjo vijoi për disa dekada dhe Shqipëria vendosi demokracinë më pas. Por nuk dihet se çfarë demokracie u vendos në Shqipëri“. Dhe, vërtetë, kjo demokraci qëlloi e dhimbshme për të. Në një shfrim të fundit, ndaj kolegut të tij të ri Shmitt, do t’i përgjigjej, me një frazë, që ishte një mësim dhe për të tjerët:
“Në bazë të lirisë së pakufizuar të fjalës, demokracia jonë, edhe pse çalamane, falë Zotit, i ka dhënë të drejtë historianit të mbrojë figurat e ndritura të kombit tonë nga fyerjet, përdhosjet dhe shpërfytyrimet e atyre që kanë zgjedhur si mënyrë jetese të fyejnë, të përdhosin, të shpërfytyrojnë ku të mundin - në shtyp, në radio, në televizion - vlerat e ndritura të historisë së Shqipërisë, madje edhe identitetin tonë kombëtar”.
Ky është me pak fjalë në ditët tona Kristo Frashëri, klithma e të cilit është gjithnjë kambanë për shqiptarët e përgjumur.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...