Kuvendi i Kosovës mund të mblidhet me 21 shkurt
Sipas burimeve të sigurta Kuvendi i ri do të konstituohet më 21 shkurt, ditë e hënë e jo më 24 shkurt siç është përcaktuar më parë. Kjo lëvizje e datës për konstituimin Kuvendit ë Kosovës bëhet pas arritjes së marrëveshjes për koalicion në mes të PDK-së e AKR-së. Deri më tash nuk është e sigurt se a do të zgjidhet edhe presidenti dhe Qeveria e re e Kosovës më 21 janar.
Prof.dr.Jakup Krasniqi: Nuk ndihem i tradhtuar, por i viktimizuar
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do ta ushtronte me dëshirë për pesë vjet postin e presidentit të Republikës, mirëpo arritja e marrëveshjes së koalicionit, ndërmjet partisë së tij, PDK me AKR-në, e ka pamundësuar një gjë të tillë. Për këtë, Krasniqi veten e konsideron “viktimë të kompromiseve”.
Këshilli Drejtuesi i PDK-së, të hënën në një mbledhje të gjatë dhe me debat të ashpër, ka vendosur që postin e presidentit t’ia ofrojë kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, përderisa një grup i madh brenda PDK-së e ka mbështetur fuqishëm Krasniqin për këtë post.
Krasniqi ka thënë se ka qenë i gatshëm ta ushtrojë postin e presidentit për një mandat të plotë.
“Thënë sinqerisht unë e kam pasur gatishmërinë t’i shërbejë vendit dhe popullit tim, por megjithatë edhe kështu si jam ndihem shumë mire”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, Krasniqi i cili është edhe sekretar i përgjithshëm i PDK-së, thotë se nuk ndihet i tradhtuar nga partia pse postin e presidentit i ka ofruar Pacollit.
“Jo nuk ndihem i tradhtuar. Koalicionet dhe bisedimet për koalicion i nënkuptojnë edhe kompromiset. Më ka rënë hise që unë të jem viktimë e kompromiseve”, ka thënë Krasniqi, pas mbledhjes së fundit të Kryesisë së vjetër të legjislaturës së tretë.
Ndërkohë, dy anëtarë të kësaj kryesie që nuk do të jenë më deputetë, Naim Maloku nga AAK-ja dhe Ibrahim Gashi nga AKR-ja, kanë vlerësuar pozitivisht arritjen e marrëveshjes së koalicionit, në mënyrë që në Kosovë të përfundojë ngërçi politik.
Maloku ka thënë se edhe partia e tij duhet ta vlerësojë si lajm të mirë arritjen e marrëveshjes mes PDK-së dhe AKR-së, përderisa i ka bërë thirrje Grupit Parlamentar të AAK-së që të jetë opozitë konstruktive.
“Sinqerisht lajm i mirë për Kosovën është marrëveshja e koalicionit. Personalisht mendoj ashtu, besoj se kështu duhet të mendojë edhe partia ime. Kosova duhet të bëhet me Qeveri, me Presidencë, me institucione. Ky është obligim që e kanë marrë partitë politike dhe deputetët me votën e qytetarëve të Kosovës. Mendoj që këtë ngërç institucional që po zgjat që katër muaj nuk e kanë merituar qytetarët e Kosovës, por edhe kjo besoj se është një pjesë e mësimit tonë në demokraci, pjesë e një rruge që si shoqëri dhe si parti duhet ta kalojmë. Ftoj publikisht grupin parlamentar të AAK-së që të jetë opozitë konstruktive në Kuvendin e Kosovës dhe normalisht ta luftojë shansin për të ardhur në pozitë”, ka thënë Maloku.
Ndërsa Ibrahim Gashi nga AKR-ja, përveç që ka thënë se me arritjen e marrëveshjes PDK-AKR është hequr çdo dilemë nëse Pacolli do të jetë president apo jo, ai ka paraqitur edhe kërkesën e madhe të partisë së tij për poste ministrore.
“Natyrisht AKR pa i specifikuar cilat, ka kërkuar gjashtë ministri, postin e zëvendëskryeministrit dhe shtatë zëvendësministra dhe pastaj pjesë të tjera të marrëveshjes që nuk janë detajizuar ende”, është shprehur Gashi.
Për ndarjen e resorëve ministrore, Gashi ka thënë se ende nuk ka biseda ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, mirëpo detaje për marrëveshjen do të dihen gjatë ditëve në vijim.
Partia Demokratike e Kosovës të hënën ka hequr dorë përfundimisht nga posti i presidentit, për të cilin ishte përmendur Jakup Krasniqi, i cili po ashtu kishte mbledhur rreth vetes dhe mbështetës të shumtë brenda PDK-së. Mirëpo, zyrtarët e PDK-së, kanë thënë se Krasniqi e ka mbështetjen e gjithë partisë për këtë post, porse janë marrëveshjet politike të koalicionit, ato që diktojnë formula tjera të ndarjes së posteve.
AKR: Gati lista e ministrave të rinj
Nga burime brenda AKR-së mësojmë se tashmë kjo parti politike është e përcaktuar për postet ministrore që do të udhëheqin në qeverinë Thaçi. Sipas këtij burimi, postin e zëvendëskryeministrit do ta drejtojë Muhamet Mustafa, atë të ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës Mimoza Kusari, Ministrin e FSK-së Agim Çeku. Dikasterin e Shëndetësisë thuhet se do ta drejtojë Ferid Agani, ndërsa atë të Drejtësisë do ta menaxhojë Ibrahim Makolli. AKR-ja do ta ketë edhe një ministri pa protofol, të cilën do ta drejtojë Ibrahim Gashi.
Në ndërkohë ende nuk dihet se cilët ish-ministra të PDK-së do të ruajnë postet e tyre dhe cilët do të jenë ministrat e rinj.
* * * * * *
PDK-AKR: Marrëveshja këtë javë
Dakordimi i Partisë Demokratike të Kosovës që lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, të kandidohet për president të Kosovës u konsiderua si hap vendimtar në arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës ndërmjet këtyre dy partive politike.
Sipas zyrtarëve të të dyja subjekteve, tani negociatat po shtrihen në ndarjen e ministrive dhe posteve tjera nën-ministrore.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi, shprehu beson se marrëveshja për koalicion do të finalizohet gjatë kësaj jave.
“Çështja themelore për këto biseda ka qenë pozicioni i presidentit. Tani kur Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme t’i japë presidencën AKR-së, besojmë se gjithçka do të ndryshojë edhe për sa u përket pozicioneve të tjera. Besojmë që dy-tri ditët e ardhshme pritet qartësim edhe për çështjet që ndërlidhen me përfaqësimin e AKR-së në numra të caktuar të ministrive, të PDK-së, por edhe të partnerëve tjerë”, deklari Memli Krasniqi.
Krasniqi tha se pjesë e koalicionit do të jetë edhe Lista Ibrahim Rugova, sikurse edhe pakicat.
Marrëveshja për presidentin i zhbllokon bisedimet dhe hap rrugën e marrëveshjes për ndarjen e ministrive, vlerësoi nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli.
Edhe Makolli tha së pret që marrëveshja të qartësohet gjatë dy-tri ditëve në vijim. Ai sqaroi pozicionin fillestar të AKR-së në këto negociata, por tash për tash ai nuk mund ta parashikojë se sa dhe cilat ministri do t’i takojnë AKR-së.
“Ajo që ne i kemi ofruar PDK-së pas ofertës së saj të parë ka qenë dhe vazhdon të jetë posti i presidentit, një zëvendëskryeministër dhe gjashtë ministri për Koalicionin për Kosovë të Re. Natyrisht, njëri pozicion është i përfunduar, ai i presidentit, ndërkaq ka mbetur të diskutohet qoftë për numrin, pastaj edhe për emrat e bartësve të mundshëm të këtyre dikastereve”, u shpreh Makolli.
Kryesia e Kuvendit tashmë të shpërndarë të Kosovës, e cila funksionon deri në konstituimin e legjislaturës së re, vendosi të martën që seanca konstituive e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, të mbahet më 21 dhe jo më 24 siç ishte marrë vendim javën e kaluar.
Në këtë seancë do të zgjidhen kryetari dhe Kryesia e re e Kuvendit.
Përshpejtimi i seancës, u tha se ndërlidhet me përafrimin e marrëveshjes për qeverinë e re. Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, i cili ditë më parë kishte marrë mbështetjen e Kryesisë së PDK-së për postin e ardhshëm të presidentit, tha se nuk ndihet i tradhtuar nga partia e tij, pas vendimit më të ri që ta mbështesë kandidaturën e Pacollit për president.
“Jo nuk ndihem i tradhtuar. Koalicionet dhe bisedimet për koalicione nënkuptojnë edhe kompromiset dhe më ka rënë hise që unë të jem viktima e kompromiseve”, tha Krasniqi.
Qeveria e re e Kosovës është paralajmëruar se do t’i ketë 16 ministri dhe 4 zëvendëskryeminstra. Jozyrtarisht thuhet se Partia Demokratike e Kosovës mund të marrë 7 deri në 8 ministri, AKR-ja apo Koalicioni për Kosovën e Re 4 ministri, Lista Ibrahim Rugova 1, si dhe pakicat 3 deri në 4 ministri, varësisht marrëveshjes.
Nju Jork: Ambasadorët i japin mbështetje Vloar Çitakut
Zëvendësministrja në largim e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku po qëndron në Nju Jork dhe nesër do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për të diskutuar gjendjen në Kosovë, kurse gjatë qëndrimit atje ajo ka shfrytëzuar rastin të takohet me ambasadorë të shteteve të Amerikës Latine, Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, ku është kërkuar njohja e Republikës së Kosovës.
MPJ përmes një komunikate për media njofton se në këto takime, Çitaku ka theksuar zhvillimet institucionale dhe demokratike në Kosovë, të cilat në mënyrë të veçantë u theksuan gjatë zgjedhjeve të fundit, në një proces i cili tregoi maturinë e zhvillimit të një sistemi demokratik në shoqërinë kosovare.
“Ambasadorët i kanë dhënë mbështetje zv.inistres Çitaku, duke premtuar se akti i njohjes është çështje kohe dhe e procedurave burokratike të vendeve përkatëse. Në të njëjtën kohë ambasadorët i kanë dhënë mbështetje gjatë prezantimeve të Republikës së Kosovës në OKB”, thuhet nga MPJ.
Ndër të tjerash zv.ministrja Çitaku, sot ka pasur një mëngjes pune me ambasadoren Amerikane në OKB, Rosemarie Di Carlo, ku është diskutuar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe për perspektivat e së ardhmes, siç është konsolidimi i institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve, procesi i dialogut me Serbinë, raporti i Kosovës me OKB-në, etj.
Në këtë rast, zv.ministrja Çitaku ka vënë në pah mbajtjen e zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e kënaqshme të minoriteteve, në veçanti atij serb, si rezultati i së cilës ky minoritetet tani do të kenë 25 vende në Kuvendin e ri të Kosovës.
“Ishte mendim i përbashkët i këtij takimi që Kosova po kalon në një proces shumë të rëndësishëm të zhvillimit demokratik të saj dhe se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm. Dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet në çështje teknike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ndërkaq zv.ministrja në largim Vlora Çitaku gjatë qëndrimit në Nju Jork do të takohet edhe me ambasadorë të shteteve të Quint-it të akredituar në OKB, ku do të diskutohet përkrahja e mëtutjeshme Kosovës në OKB dhe reprezentimi i drejtë i çështjes së Kosovës pranë kësaj organizate të rëndësishme.
Edhe AAK me kandidat për president të vendit
Si duket Behgjet Pacolli nuk do të jetë kandidati i vetëm për president të Kosovës. Në garë për këtë post ka gjasa të hyjë edhe përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.Sipas mediave, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi mund të jetë i propozuar tjetër për postin e presidentit të vendit.
Aktualisht kjo ide po shqyrtohet ndërmjet zyrtarëve të lartë të partisë, por ende nuk ka asgjë zyrtare në forumet e AAK-së. Gjërat pritet të sqarohen më tepër gjatë ditëve në vijim.
Haraqija i çon “selam” Mustafës: “ Listës... nuk i duhen deputetët e LDK-së”
Një nga themeluesit e Listës dr.Ibrahim Rugova, Astrit Haraqija i ka dërguar ‘selam” liderit të LDK-së Isa Mustafës që të mos shqetësohet se ai do t’ia “korruptojë” ndonjë nga deputetët e LDK-së. “Isa Mustafa mund të “flejë dathë” se Lista Dr.Ibrahim Rugova nuk ka nevojë për deputetët e LDK-së. Ne kemi forcë të mjaftueshme politike e parlamentare që të funksionojmë si forcë e re politike e parlamentare pa tentuar që të marrim ndonjë nga deputetët e LDK-së”, ka thënë për “Bota sot”, Astrit Haraqija.Çështja e kalimit të disa deputetëve të LDK-së në radhët e Listës Ibrahim Rugova ka qenë një nga temat e përfolura disa herë jo vetëm në media por është deklaruar edhe nga zyrtarët e lartë të Listës... përfshirë këtu edhe vetë zotin Haraqija. Madje është thënë dhe është shkruar se Lista Ibrahim Rugova do të formojë grupin e vet parlamentar në të cilin do të jenë edhe disa deputetë të LDK-së. Në media gjithashtu është përfolur se pjesë e Listës... do të jetë edhe Blerim Shala, nënkryetari i parë i AAK-së i cili ka shfaqur shenja të pakënaqësisë për refuzimin e AAK-së që të jetë pjesë e koalicionit qeverisës me PDK-në.