Nga Luan Çipi
Zoti Profesor Doktor Eshref Ymeri,
U çudita, këtë radhë, për qëndrimin e mbajtur nga Ju, për homologun tuaj Profesor Doktor, po që ka, veç gradës dhe titullit të njëjtë me ju edhe nderin e veçantë të jetë Ai, Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Fjala është pikërisht për një “Analizë” të fundit, që keni shkruar dhe postuar te revista prestigjioze Tribuna Shqiptare e Ajet Nuros(Vërejtja e redaksisë Floripress:Artikulli së pari është botuar më dt.16 shkurt 2011 në "Floripress" me titull :"Ca ngjarje “rastësore”:në karrierën e Presidentit Topi":
http://floripress.blogspot.com/2011/02/editorial-ne-floripress-ca-ngjarje.html), për Presidentin, zotin Bamir Topi, figurën kryesore nderimtare të Shtetit tonë,sië thotë Luan Çipi :
Jo pse keni paraqitur fakte veprimesh, ose referenca ku ai të ketë gabuar, po ti kishe këto do isha dakord me ju, porse sipas meje, keni bërë ose përcjellë pandehma, të palejueshme e në këtë kontekst deri ofenduese për të. Këto, në mbështetje të vërejtjeve dhe të dyshimeve të pavërtetuara dhe që thjesht mendoni ju se janë të tilla, sepse dyshoni, mendoni ashtu vetë, apo keni parë e dëgjuar të thonë të tjerët, pa i vërtetuar asnjëherë.
Duke parë nëpërmjet shkrimeve herë të tjera, pozicionin tuaj demokratik e patriotik, më vjen keq për guximin që keni marrë këtë radhë për t’u ballafaquar në këtë mënyrë me të, për këto arsye:
Bamir Topi ka qenë dhe ngelet ende një figurë e pastër prej demokrati e shqiptari të vërtetë. Kjo lidhet jo vetëm me prejardhjen e tij dhe qëndrimin korrekt gjatë gjithë jetës, si trashëgimtar nga familje e shquar patriotike, në një të kaluar të papërlyer me regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, po edhe si një intelektual shkencëtar, nga të rrallët që kemi, ndër përkrahësit dhe pjesëmarrësit e parë aktiv të Lëvizjes Demokratike dhe të krijimit të Partisë Demokratike.
Zgjedhja e tij si President i vendit ka entuziazmuar të gjithë shqiptarët e ndershëm, jo komunistë.
Juve nuk jeni dakord për shumë veprime të Presidentit Topi dhe shtroni dyshime e paraqisni pandehma, midis të tjerave: pse Presidenti Topi e bëri vizitën e parë në Greqi?
Unë jam i bindur se edhe arsye specifike ka pasur, po kam të drejtë të pyes: Pse mos ta bënte vizitën e parë Presidenti Shqiptar në Greqi. Në vendin fqinj, me të cilin si historikisht që nga Pellazgët, po dhe sot, kemi gjithë ato marrëdhënie e pleksje kapitaliste deri financiare, si një vend i NATOs dhe i Komunitetit Evropian, që ka minoritetin më të madh dhe njëkohësisht emigracionin më të madh e shumë të konsiderueshëm?
Sepse kemi probleme ndofta më të prekshme të pazgjidhura me Greqinë, është një arsye më shumë për ta bërë vizitën e parë atje dhe për t’u shtruar në bisedë, ose për ti biseduar e zgjidhur ato çështje, vërtet të mprehta e të lëna padrejtësisht pezull.
Se çfarë është biseduar dhe çnuk është biseduar atje, ju e thoni vetë, se nuk i dini. Kjo, që nuk e dini ju dhe nuk e di unë, mund të jetë një gabim i tij, dhe unë mund t’ia fal si për herë të parë dhe si pa përvojë, ndaj edhe mund të shtoj, në këtë rast nuk është asnjëherë vonë, edhe mund të pyetet direkt për të dhënë shpjegimet përkatëse publikisht dhe jo të anatemohet e për më tepër t’i hidhen pandehma dyshimi. Sipas meje, ju kini ecur shumë, duke arritur deri në dyshime, qe i mbani rezervë ndofta prej vitesh, ndërsa sot i shpalosni nga fillimi deri ne fund të shkrimit tuaj, për të numëruar disa herë rastësi të paqena...
Nga ana tjetër gjithashtu them se ai vërtetë nuk na pyeti mua apo juve, se ku do ta bënte vizitën e parë, po vendosi vetë me të drejtën e Presidentit, natyrisht, si e ka zakon modestie edhe të përfilljes dhe këshillave të Presidencës, personelit të tij të specializuar, ku, për fat të keq nuk ishim unë, juve, ose persona të tjerë, qe mendojnë ndryshe.
Po për Greqinë, më poshtë në shkrimin tuaj, ju e dyshoni si jo rastësor, qëndrimin dhe heshtjen e Presidentit të vendit, kundrejt thirrjeve antishqiptare dhe poshtëruese, të disa ushtarëve grek, gjatë parakalimit në rrugët e Athinës.
Unë mendoj se për këtë dhunim mistrecësh, u bë ajo që duhej nga Ministria jonë e Jashtme, nga masmedia, nga individë e grupe shqiptarësh patriotë dhe nga vetë përfaqësues të shtetit Grek, deri në masa disiplinore e dënimi të autorëve dhe iniciatorëve, aq sa gjykuan ata. Them se Presidenti, pa rënë në nivelin e tyre, bëri mirë që nuk u pleks, në këtë palaçollëk grekësh ekstremistë, për ta kthyer atë në problem madhor.
Lidhur me Genc Pollon si dhe formën dhe përmbajtjen e ligjeve për regjistrimin e ri të popullsisë, nëse do bëhet si dyshoni ju. Nuk ka pse të bëni me faj Presidentin, që për ketë nuk ka asnjë nismë presidenciale, madje asnjë kompetencë, përjashtuar ndonjë refuzim të radhës, kur ti vijë koha. Për këto duhet të pyesni Kryeministrin dhe Kuvendin Popullor.
Ndërsa, që të akuzosh, përçmosh dhe t’ia kujtosh prejardhjen e tij qoftë dhe fatkeqe nga gjyshi, të Gencit, apo të kujtdo tjetrit, tani në kohën lirisë e të pavarësisë sociale, të demokracisë e të përgjegjësisë personale direkte të secilit, më falni që jua them, po do të thotë të mendosh si në kohë të Enverit, kur detyrohej nipi të përgjigjej deri për gjyshërit e tij.
Po kështu edhe për problemet e tjera që lidhen me Edi Ramën, Ida Ramën, Skënder Gjinushin e aq me pak, për Spartak Ngjelën, mendoj se nuk ka vend ata ti ulësh në një gjysmësofër për të ngrënë bukë me Presidentin. Unë mendoj se Presidenti ka lidhje me gjithë Shqipërinë dhe me sofrën e madhe mbarë shqiptare.
Duke ngrënë bukë, patjetër edhe Presidenti njeri, benë thërrime. Gjatë punës së tij asnjeri nuk mund të jetë pa gabime. Këtë e vërteton dhe jeta jonë e gjatë.
Unë do ti evidentoja dhe dënoja, me të drejtën qytetare këto gabime gjatë punës, jo kur janë rastësore dhe pa faje penale e dëme shoqërore e financiare, me kujdes, respekt dhe dashamirësi, si për Presidentin e nderuar Bamir Topi më shumë, po dhe për këdo tjetër dhe asnjëherë nuk do të flisja me pandehma, duke kërkuar e rreshtuar rastësi të dyshimta, por kur do shihja qartë me fakte dhe dokumente dhe do bindesha për gabime të tilla, aq më tepër të qëllimshme. Në këto kushte edhe unë nuk do heshtja, po do të protestoja fuqishëm.
Në ketë rast akuzat më duken të pambështetura dhe thjesht zëdhënie e ndonjë grupi që e sheh nga pozicione antidemokratike dhe antishqiptare Presidentin Bamir Topi, të cilin unë e respektoj për maturi e mençuri dhe që më duket se i shikon Shqiptarët, nënshtetas të tij të vlerësua apo të nderuar njësoj, si rrallë homologë të tjerë, edhe pse i ardhur nga Partia Demokratike dhe me të drejtë, aq sa i japin kufi ligjet, për derisa është në këtë pozicion, dhe gjithnjë jashtë mendësive të ngushta partiake.
Unë, që jam më i moshuar nga ju, për më tepër edhe si mësues të hershëm, do mendoja të sillesha më me kujdes ndaj më të rinjve dhe për korrigjimin e hapave të gabuara të tyre, së pari të merrja kontakte direkt, pa i publikuar dhe aq me pak pa i akuzuar e pa dyshuar me pandehma të pagjykuara e të pavërtetuar, pra me rastësi të paqena.
Sidoqoftë, këto janë mendimet e mia, që për respektin ndaj jush, guxoj këtë radhë, ashtu si vepruat edhe ju, t’i paraqes publikisht, duke pritur me dashamirësi komentet përkatëse, sido që të jenë.
Luan Çipi
Çikago, Janar 18. 2011
EDITORIAL NË FLORIPRESS :
Ca ngjarje “rastësore”në karrierën
e Presidentit Topi
Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri
Në korrik të vitit 2007, pas disa mosmarrëveshjesh mes shumicës dhe pakicës parlamentare, president i vendit u zgjodh zoti Bamir Topi. Kam bindjen se asokohe të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të kënë përjetuar një ndjenjë gëzimi, meqenëse zoti Topi, si ish-zëvendëskryetar i Partisë Demokratike dhe ish-kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, kishte rënë në sy për një qëndrim gjakftohtë gjatë diskutimit të shumë problemeve të mprehta në praktikën e punës parlamentare. Dhe besoj se të gjithë prisnin që zoti Topi do të ishte i paanshëm në ushtrimin e detyrës së vet në marrëdhëniet institucionale me subjektet politike. Por në të njëjtën kohë, askush nuk mund të dyshonte se zoti Topi do të ishte i paanshëm në qëndrimin ndaj problemeve që lidhen drejtpërsëdrejti me disa shqetësime me rëndësi të madhe kombëtare.
Me sa jam në dijeni, vizitën e parë jashtë vendit, zoti Topi e bëri në Greqi. Arsyen e vërtetë të kësaj vizite të parë në atë vend e di vetë zoti Topi, por qytetarët e vendit tonë mund të shtrojnë pyetjen e thjeshtë: kjo vizitë e parë duhej bërë në një vend dashamirës ndaj Shqipërisë, apo duhej bërë në Greqi, një vend ky, i cili, që prej vitit 1844 dhe deri tani, është dalluar për një qëndrim aspak dashamirës ndaj etnisë shqiptare në Evropën Juglindore. A thua të ishte malli për emigrantët që zotin Topi e nxiti për të bërë atë vizitë të parë në Greqi? Kjo arsye nuk të duket fort bindëse. Një miku im më thoshte para do kohësh se zoti Topi shkoi për vizitë së pari në Greqi, meqenëse i duhej të jepte “provimin” para Athinës zyrtare për mbrojtjen e interesave greke në Shqipëri dhe për avancimin e kërkesave të shovinizmit grekomadh ndaj klasës politike shqiptare. Kur zoti Topi u kthye nga Greqia, ai nuk tha asgjë nëse në takimin që pati me homologun grek e pati prekur ose jo problemin e zgjidhjes së çështjes çame. Aq më tepër kur komuniteti çam në Greqi, së bashku me dy milionë arvanitas, nuk gëzojnë absolutisht të drejtën e vetëdeklarimit si minoritet shqiptar. Prandaj çdo njeri i thjeshtë me vetëdije kombëtare, ka të drejtë të mendojë se zoti Topi duhet t’i jetë nënshtruar një “provimi” të tillë në Greqi, “provim” ky që ka pasur si qëllim sigurimin e premtimeve para Athinës zyrtare për vazhdimin e misionit të Janullatosit në Tiranë, në cilësinë e kreut të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke, mision ky që ka si qëllim greqizimin e Shqipërisë së Jugut.
Fakti që pikërisht më 25 mars 2010, atë ditë kur në bulevardin kryesor të Athinës ushtarët shovinistë grekë, në një parakalim rreshtor festiv, shfrynin tërë urrejtjen e tyre kundër etnisë shqiptare, kur shumica parlamentare demokratikase, po atë ditë, kaloi ligjin për ngritjen e varrezave të ushtarëve agresorë grekë dhe Presidenti Topi e firmosi atë menjëherë, të bind vetvetiu se ai ka mbajtur një premtim që duhet t’u ketë dhënë autoriteteve greke. Faktin në fjalë e bën edhe më të besueshëm heshtja e Presidentit Topi para fyerjes së rëndë të kombit shqiptar nga ana e ushtarëve shovinistë grekë në bulevadin kryesor të Athinës, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti Karolos Papulias. Presidenti Topi nuk i dërgoi ndonjë mesazh proteste Presidentit Papulias. A duhet menduar se heshtja e Presidentit Topi ishte “rastësore”?
Krahas dekreteve që Presidenti Topi ka firmosur për dekorime të ndryshme, publikut të gjerë dhe sidomos shtresës së të përndjekurve politikë, u kanë rënë në sy edhe dekrete të tij për dekorime kriminelësh të ndryshëm, në ndërgjegjen e të cilëve rëndojnë krime të rënda politike. I tillë është prokurori që kërkoi pushkatimin e Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos në kampin e Spaçit në vitin 1979. Një tjetër dekret pati firmosur Presidenti Topi edhe për dekorimin e dy figurave të gjyqësorit shqiptar, fajtorë kryesorë këta për vrasjen e Tom Ndojës, Sandër Sokolit dhe Sokol Sokolit në revoltën e Qafës së Barit në vitin 1984. Pas protestës së familjarëve të viktimave dhe të të përndjekurve politikë, Presidenti Topi u detyrua t’i shfuqizonte dekretet në fjalë.
Vallë a duhet menduar se këto dekorime ishin “rastësore”, apo strukturat e prapavijës së Presidentit Topi kishin sjellë informacionte të gabuara në tryezën e tij të punës?
Por Presidenti Topi edhe më pas vazhdoi të dërgojë në parlament emra te kriminalizuarish, si kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese, si ai i njërit prej tyre që u hodh poshtë nga parlamenti për pjesëmarrje në gjyqe politike në kohën e diktaturës.
Atë Nikollë Marku ka pas deklaruar me shumë të drejtë se Janullatosi përfaqëson në vetvete një simbiozë të përsosur të Jagos me Tartufin. Atë Nikollë Marku përfaqëson dinjitetin kombëtar të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe deklarata e tij i përgjigjet tërësisht realitetit. Në librin e publicistit të mirënjohur Nuri Dragoj, me titull “Shqiptarët dhe grekët. Realitete historike”, Shtëpia Botuese “Wespo”, Tiranë 2009, me fakte konkrete, zbulohet fare lakuriq qëndrimi armiqësor i Janullatosit ndaj kombit shqiptar. Por faktet në fjalë Presidentit Topi nuk i ngjallin kurrfarë emocioni dhe Janullatosit, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, i dërgon një mesazh fort të ngrohtë.
Lexuesit e nderuar le të njihen konkretisht me ngazëllimin e Presidentit Topi që përcillet në mesazhin në fjalë:
“Fortlumturia Juaj Anastas,
Është një kënaqësi e veçantë që në këtë 80-vjetor të ditëlindjes suaj të përfitoj nga rasti për t’ju uruar jetë të gjatë, shëndet të mbarë, forcë dhe energji në kryerjen e misionit tuaj të shenjtë në drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Duke pasur parasysh veprimtarinë tuaj të gjatë e të vyer në shërbim të Zotit dhe të mësimeve të shenjta për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të vlerave dhe virtyteve shpirtërore, do të dëshiroja që në këtë ditë të veçantë për ju, të shpreh dhe një herë vlerësimin tim të lartë për kontributin dhe veprimtarinë tuaj në drejtim të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në ringjalljen e besimit fetar dhe shpresës njerëzore për një jetë të ardhme sa më të begatë dhe në konsolidimin e mëtejshëm të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri. Edhe një herë, Fortlumturia juaj, edhe njëqind dhe Zoti ju bekoftë, ju dhëntë një jetë të gjatë e të frytshme në të mirë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Por Presidenti Topi nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ai firmos edhe një dekret të posaçëm për dekorimin e tij.
Këto fakte dëshmojnë bukur fare se Presidenti Topi, si “student i zellshëm”, duhet të ketë qenë përgatitur mirë për “provimin” që ka dhënë në Athinë gjatë vizitës zyrtare që bëri atje.
Personalisht ndiej keqardhje të thellë që presidenti i vendit tim shpreh gjithë ato konsiderata të larta për një uzurpator të Kishës sonë fanoliane, veprimtarinë e të cilit në Shqipëri zoti Nuri Dragoj e ka pasqyruar me një vërtetësi befasuese. Presidenti ynë nuk mund të mos e dijë që zhvarrimet e Kosinës janë vepër e Janullatosit, që ndërtimi i kishave greke në jugun e Shqipërisë me simbolikë greke është vepër e Janullatosit, që ndërtimi i kadetrales gjigante në qendër të Tiranës, një sfidë e hapur kjo ndaj mbarë kombit shqiptar, a thua se Shqipëria, në shumicën e saj dërrmuese, na qenka një vend ortodoks, është vepër e Janullatosit.
A duhet menduar se ngritja lart e figurës së Janullatosit dhe dekorimi i tij prej Presidentit Topi duhen vlerësuar si ngjarje “rastësore”?
Dikur Presidenti Topi, bashkë me zotin Edi Rama, është parë në të njëjtën kabinë të teleferikut Tiranë-Dajt. A duhet menduar se në këtë mes kishim të bënim thjesht me një përkim “rastësor”?
Dikur Presidenti Topi, bashkë me zotin Edi Rama, është parë në të njëjtën tribunë të një mjedisi sportiv në Tiranë. A duhet menduar se kjo ishte një ngjarje “rastësore”?
Në emisionin “Fakt”, të drejtuar prej gazetarit Çlirim Peka dhe të transmetuar më 31 janar 2011 prej kanalit televiziv UTV, zoti Frrok Çupi deklaroi se Presidenti Bamir Topi është parë duke bërë pushime në Selanik, bashkë me të shoqin e Prokurores së Përgjithshme, zonjës Ina Rama. A duhet menduar se Presidenti Topi fare “rastësisht” është takuar me bashkëshortin e zonjës Rama në mjediset e qytetit të Salanikut?
Përshtypjet e veta për sulmin barbar të forcave paramilitare, të cilat zoti Edi Rama dhe klika rreth tij i kishin organizuar me kohë dhe më 21 janar 2011 i hodhën në veprim kundër Kryeministrisë, për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, Presidenti Topi i bëri publike, duke u mjaftuar vetëm me disa rreshta, a thua se në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” paskej plasur ndonjë sherr i zakonshëm mes të rinjve. Si është e mundur që kreu i shtetit, simboli i unitetit kombëtar, heshti para asaj masakre të rëndë që “hunvejbinët maocedunistë” të Edi Ramës u turrën me tërë egërsinë e tyre shtazarake kundër forcave të rendit dhe të Gardës së Republikës që mbrojtën me një qëndresë të jashtëzakonshme rendin kushtetues, ndërkohë që zoti Edi Rama dhe klika e tij u fshehën nëpër “skutat” e dy kullave përballë, duke e ndjekur me zell të madh zhvillimin e situatës?
A mendon Presidenti i Republikës se deklarata e konsullit grek në Korçë Theodhoros Ikonomus, e publikuar me rastin e 20-vjetorit të organizatës “Omonia” nuk ishte rastësore kur u lëshua në efir pikërisht pas tentativës së dëshpëruar që zoti Edi Rama bëri për grusht shteti në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”?
Me sa duket, shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke, menduan se më 21 janar dhe pas kësaj date, në Shqipëri do të bëhej deti kos dhe ata nxorën në skenë konsullin shovinist Thedhoros Ikonomus, për të deklaruar haptazi synimet e tyre të kahershme për greqizimin e Shqipërisë së Jugut. Me deklaratën e konsullit në fjalë, shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke paralajmëruan qeverinë shqiptare për kryerjen e regjistrimit të popullsisë sipas orekseve të Athinës zyrtare, me të vetmin qëllim që të shtohet artificialisht në maksimum numri i minoritarëve grekë në Shqipëri, me pikësynimin që Shqipëria, sipas tekave të Greqisë shoviniste, të zhvishet nga identiteti kombëtar dhe të shpallet si vend multietnik. Në këto kushte, është përgatitur një formular i posaçëm, i strukturuar nga ministri Genc Pollo, i cili, çuditërisht, përfaqësuaka “Kalin e Trojës” në qeverinë e zotit Berisha.
Si është e mundur që Presidenti Topi të heshtë për këtë mënyrë regjistrimi të popullsisë në vendin tonë, sipas një formulari, të shpikur në zyrën e Kryeministrit Papandreu dhe të kreut të kishës shoviniste greke dhe të përcjellë për strukturim dhe zbatim zotit Genc Pollo. A ia ka bërë vetes pyetjen Presidenti Topi se si shpjegohet që strukturimi i formularit për regjistrimin e popullsisë, me urdhër të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke, i qenka ngarkuar për zbatim pikërisht zotit Genc Pollo? A duhet menduar se misioni që i është ngarkuar zotit Pollo është “rastësor”, kur dihet që gjyshi i tij ka qenë mik i andartëve , të cilët në vitin 1914 kryen masakra të përbindshme në Shqipërinë e Jugut?
Po si shpjegohet që Presidenti Topi heshti pas botimit të deklaratës së konsullit shovinist grekë në Korçë? Ministria jonë e Punëve të Jashtme u mundua të na mbushte mendjen se deklarata e konsullit grek na paskej qenë personale. Por deklarata e përfaqësuesit të Ministrisë së Punëvë të Jashtme të Greqisë Gregory Delavekouras, sipas faqes së internetit “Athina zyrtare kërcënon”, datë 11 shkurt 2011, e nxjerr zbuluar Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, duke nënvizuar se Greqia është pro konsullit për manipulimin e kombësisë shqiptare, nëpërmjet regjistrimit të popullsisë.
A nuk ishte momenti më i përshtatshëm që Presidenti Topi të ndërhynte me këtë rast dhe të thoshte fjalën e vet me shumë peshë në mbrojtje të interesave tona kombëtare, përballë arrogancës së shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke për greqizimin e Shqipërisë së Jugut?
A duhet menduar se indiferenca e Presidentit Topi është “rastësore” për vendimet e gjykatave në disa rrethe të Jugut, të cilat, me disa gjykatës të shitur për një dorë aspra te shovinizmi grekomadh dhe te kisha shoviniste greke, kanë marrë vendime për ndërrime kombësie të mjaft qytetarëve të verbuar nga çorba greke? Presidenti Topi ka heshtur para një skandali të tillë, të paparë ndonjëherë në historinë e asnjë vendi në rruzullin tokësor. Dhe tërë barra për sqarimin e këtij skandali unikal i ka mbetur mbi shpatulla nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zotit Kreshnik Spahiu, i cili duhet falënderuar publikisht për denoncimin e hapur që i bëri formularit të Genc Pollos për regjistrimin e popullsisë. Të shikojmë se sa do të jetë në gjendje zoti Spahiu për ta shbërë këtë skandal me pasoja të gjëmshme për tërësinë territoriale të vendit tonë dhe nëse Presidenti Topi do të bëhet i gjallë ndonjëherë për t’i dalë në krah ose jo zëvendësit të vet Spahiu në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
U bënë kaq vjet që gjyqësori i të tria shkallëve ka vendosur me kohë për kthimin e Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri” në përdorim të qytetarëve përmetarë. Por po kaq vjet u bënë që zyra e përmbarimit nuk e zbaton vendimin e gjyqësorit, duke e lënë këtë institucion kulturor të pushtuar prej Janullatosit dhe sahanlëpirësve të tij. Në këtë situatë, duhej të ndërhynte prokuroria për zbatimin e vendimit të gjyqësorit. Por edhe kaq vjet pas vendimit të gjyqësorit, prokuroria vazhdon të heshtë. Atëherë a nuk duhet që Presidenti Topi, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si mbrojtës i drejtësisë, i rendit kushtetues, i sovranitetit të vendit, të ngrejë zërin e tij të fuqishëm dhe të dalë para opinionit publik me një deklaratë të posaçme për të kërkuar zbatimin e vendimit të gjyqësorit? A duhet vlerësuar si “rastësore” heshtja e Presidentit Topi?
Fakti që edhe për Presidentin Topi, edhe për Kryeprokuroren Ina Rama, pas një viti do të diskutohet mandati i tyre i dytë, ndërkohë që për zotin Edi Rama më 08 maj 2011 do të diskutohet mandati i katërt në postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të bën të mendosh se ndodhemi para një triumvirati që kërkon të qëndrojë në pushtet me domosdo. Pikërisht ky trekëndësh-triumvirat e ka vënë në mes zotin Berisha dhe kërkon që ta rrëzojë nga pushteti me çdo kusht. Në aleancë të ngushtë me këtë trekëndësh-triumvirat ndodhet zoti Skënder Gjinushi, një deklaratë të paradokohshme të të cilit, të hedhur në efir në prag të 21 janarit, ca ekrane televizive që janë më afër me zotin Berisha, e ritransmetojnë çdo ditë në formë reklame. Sipas zotit Gjinushi, shtytjen e fundit për rrëzimin e Berishës, do ta jepte populli më 21 janar 2011. Si matematikan që është, zoti Gjinushi nuk di të lëshojë deklarata kuturu. Ai me siguri që ka qenë në dijeni të plotë të skemës së parapërgatitur për rrëzimin me dhunë të zotit Berisha nga pushteti, duke hedhur në sulm falangat paramilitare të zotit Edi Rama dhe të klikës rreth tij. Dhe vendimin që qe marrë për rrëzimin e zotit Berisha, qoftë edhe me një kosto shumë të lartë, e zbuloi fare hapur zoti Spartak Ngjela në mbrëmjen e 21 janarit, kur nga ekrani i kanalit televiziv “Top Channel” deklaroi pa iu dridhur fare qerpiku:
“Janë vrarë tre. Ju garantoj: jemi të përgatitur ta korrim fitoren edhe me 13 mijë. Asgjë nuk janë”.
Të vjen të vësh duart në kokë që Presidenti Topi, në vend që të jetë simbol i unitetit të popullit shqiptar, i lejon vetes të bëhet pjesë e një afere politike, e cila dëmton rëndë autoritetin e vendit tonë në sytë e opinionit ndërkombëtar.
Me sa duket, zgjedhja e zotit Topi në postin e Presidentit të Republikës paska qenë aksidentale, meqenëse ai nuk paska qenë i aftë për të mbajtur fort në duar “peshoren e Femidës”.
Tiranë, 15 shkurt 2011