Nga Ermira Ymeraj
(Doktorante në QSA)
2. Pse njeriu, letërsia dhe koha nuk i shmanget këtij trëkëndëshi mitologjik? Natyra e njeriut çfarë fsheh dhe çfarë tenton letërsia të zbërthejë përmes këtyre motiveve?
Historia mitike na sjell informacione bazë, rrethana, probleme, pozicione kontraverse që paraqiten nga tekste njësoj të bindshëm, e kundërshti, mbi të cilat aplikojmë përgjithësimin e njohurive të fituara si paratekste që na japin shtysë drejt formimit të një gjykimi të pavarur.
Ringjallja, flijimi, incesti janë polet e një trekëndëshi që rregullojnë ekzistencën, e para sfidon vdekjen, shkatërrimin, e dyta e afron njeriun me shkatërrimin e konceptit të jetës, e treta prek tabutë. Të paprekshme dhe tronditëse për mendësinë e njeriut, e afrojnë dhe bashkojnë njeriun në krijimin e kulturës, por letërsia këto kuptime i ndryshon. Letërsia vazhdon të ushqehet nga tentimi i së pamundurës duke krijuar marrëdhënie interpretative e ndërtekstuale me këto motive të përbotshme. Ndërsa ne përjetojmë atë çfarë letërsia prodhon, rrëfen dhe mediton.
Motivet baladaske transmodelohen në letërsi në forma, ndijime, përceptime subjektive, por të gjitha i lidh një paratekst mitik. Mitologjia është djepi ku u ngjizën domëthëniet e testamenteve letrare të shkrimtarëve.
Në këtë studim monografik trajtohet në mënyrë paradigmatike dhe analizohen në mënyrë gjithpërfshirëse, motivet të shfrytëzuara në mënyrë integrale me gjithë kuptimet e tij në letërsinë gojore dhe të shkruar. Të para si tekste mbartin tërësi paraqitjesh të miteve, duke u bërë një nga përbërsit kryesor e lëndëve letrare, ku metafora e mitit dhe motivit mitik fiton konotacione me përmasa dhe pikëshikime të veçanta.
Për të hulumtuar një problem apo një dukuri (si ringjallja, incesti, flijimi) të një natyre të shtrirë në hapësirë dhe në thellësinë e kohës, të transponura në letërsi autoriale, është e nevojshme të vihet në veprim jo vetëm intuita dhe shtytës të ndryshëm, por të shfrytëzohen shenjat që hasen a shfaqen si tregues forme materiale apo mendore e memorieje, e që, do të mund të përfshiheshin në arkikonceptin “shenjë apo gjurmë”. Së pari: janë hetuar e vërejtur treguesit e parateksteve, pastaj gjurmët e tyre në balada, për të vazhduar me hetimin në sisteme kontekstesh të vlefshme shkencore, ku edhe të përzgjidhen format metodologjike të trajtimit.
Për çështje konkrete, si marrja e transponimi i motivit nga miti në baladë dhe balada në letërsi, bazë e argumentimit do të jenë seritë paradigmatike. Këto seri paraqiten si vargje konceptesh, formash, fushash e disiplinash hulumtuese që konvergjojnë me probleme në funksion të shtimit të shkallës së probabilitetit, për njohjen dhe ndriçimin e problemit shkencor të parashtruar.
Një paradigme mund t’i takojë edhe një seri dijesh a disiplinash që konvergjojnë dhe marrin pjesë në ndriçimin e një problemi kompleks si ky që e kemi në trajtim e ku, paradigmatikisht (pra në sistem), do të merrnin pjesë psikologjia, historia, antropologjia kulturore, biologjia, etnologjia , etnopsikologjia, linguistika e teori letrare. Pra, edhe këtu paradigma del si një formë zinxhiri që bashkon elemente strukturore, nënsisteme e sisteme në kuadër të një makrosistemi më të gjerë njohës. Në këtë sens mund të gjejmë psh. në trevat shqiptare variante dhe invariante të motivit të ringjalljes, incestit dhe flijimit që si forma paradigmash, do na shpien te arketipi i motivit.
Gjuha e motiveve si mikrokozmosi i njeriut dhe më pas i shkrimtarit ende s'është trajtuar shpjeguar a interpretuar në tërë kompleksitetin e saj, Si rrjedhojë mendojmë se:
Së pari: me gjithë vëmendjen e kushtuar por dhe të kushtëzuar, kritika nuk ka arritur ende të përmbushë dëshirën e fshehtë të kohës së ngjizjes së motivit te shkrimtari "për t'u kuptuar".
Së dyti: Krijmtaria e hapur dhe e lirë e shkrimtarëve që u morën me këto motive, do vazhdojë të tërheqë vëmendjen e studjuesve dhe interpretuesve për shkak të veçantësisë së krijimit letrar dhe sfidës që i bën interpretimeve të deritsotme.
Motive të tilla nxisin dhe drejtojnë sjelljen e individit për arritjen e disa qëllimeve:
a) A janë motive biologjike, motive stimuluese, motive të mësuara në shoqëri apo shprehje e një psikologjie social-kulturore?
Motivet tona të studiura veçmas i përfshijnë të tëra. Janë pjesë e rritjes së njeriut, ndijimi, kërkimi, kurioziteti, kënaqësia e marrëdhënieve që e bëjnë njeriun të kërkojë stimulin ndijor duke bashkëvepruar me mjedisin si motiv i brendshëm e i pamësuar. Të gjitha nisin dhe vazhdojnë të drejtohen drejt një qëllimi. Ajo që ndryshon është intensiteti dhe qëndrueshmëria si veprime inicuese të komanduara e të urdhëruara nga brendia e vetë njeriut dhe mjedisi i tij.
Objekt vëzhgimi i studimit tonë, do jetë shkalla e motivacionit funksional e sjelljeve subjektive të heronjëve mitikë, baladeskë dhe letrarë, përballë këtij trekëndëshi motivor.
b) Pse bëjnë atë që bëjnë?
Për këtë do vlejë: 1. Teoria instiktive , si një sjellje e trashëguar nga gjithë njerëzit që formon prirjet si reagime dhe reflekse bazë mbi të cilat formohen përvojat dhe zakonet si kurioziteti, ndrotja, modestia, frika, keqardhja, xhelozia që na ndihmon vetëm t'i përshkruajmë. Sartri shkruan: “Për të pasur një të vërtetë të çfarëdoshme, duhet të kemi një të vërtetë absolute, e kjo e fundit është e thjeshtë, e lehtë për t'u arritur, është përpara të gjithëve; ajo duhet të kapet nga ne vetë pa ndërmjetës. Kjo teori është e vetmja që i jep njeriut një dinjitet dhe nuk e sheh atë si një objekt të thjeshtë” . Sipas tij (...) ajo që ne kuptojmë zakonisht me dëshirë, është një vendim i ndërgjegjshëm dhe për shumë nga ne vjen pas krijimit të qenies sonë nga ne vetë . 2. Teoria e antropologjisë kulturore (gjithashtu e njohur si, etnologji, studimi mbi popujt, apo antropologji social-kulturore) do na ndihmojë me studimin e sjelljeve shoqërore, strukturën ekonomike dhe fetare të popujve dhe të grupeve të popujve në zbërthimin e motiveve në kohë dhe vende të ndryshme. Si një rrymë e posaçme e antropologjisë bashkëkohore, “antropologjia kulturore”, sipas Landmanit e sheh njeriun si një qenie kulturore, ku kultura vetë, në anën tjetër, nuk është gjë tjetër veçse materializim i frymës objektive, e cila më parë gjendet vetëm në subjektin. Duke krijuar në mënyrë të lirë vlera kulturore, njeriu në të vërtetë e bart frymën objektive në një substrat të jashtëm. Sa më e madhe që të jetë kultura objektive si sendërtim i frymës, aq më e vogël do të jetë kultura subjektive dhe vetë njeriu. 3. Teoria hermeneutike apo interpretative si doktrinë filologjike dhe filozofike do na japë metodat e duhura të të kuptuarit dhe interpretimit të teksteve mitike, baladeske dhe letrare apo dhe të kuptuarin e strukturës së qënies njerëzore në botë. 4. Gjithashtu përmes studimit dhe analizëz së motiveve të ringjalljes, motivit të flijimit, motivit të inçestit, si fundamente psiko-sociale të njeriut të krijojmë një mozaik motivor gërshetues në mbamendjen kolektive të shumë epokave, duke krijuar kështu një substrat të gjithëkohshëm të motivit arketipor . Jungu thekson se: Imazhi primitiv duhet të jetë në raport të pakontestueshëm me proceset e dukshme në natyrë, të cilat procese pandërprerë përtëriten dhe janë gjithnjë aktive, por nga ana tjetër, po ashtu është e padyshimtë që kjo ka të bëjë edhe me disa kushte të brendshme të jetës shpirtërore dhe të jetës në përgjithësi.
5. Teoria e Frojdit dhe studimi i tij mbi fazat e zhvillimit ego, që përfshin tërë kohëzgjatjen e jetës, ku secila fazë shënon një konflikt, do na ndihmojë të zgjidhim kuptimin e jetës së përsonazhit rreth vetes dhe shoqërisë të favorizuara nga një ngjarje e rëndësishme. Letërsia e mirë tërheq gjithmonë kritikën në aspektin e vlerësimit, duke vënë në dukje e ricilësuar veçoritë e kësaj krijmtarie të hapur e të lirë.
6. Mbi bazën e kritikës analitike për romanin zakonisht do përqëndohemi në tre përbërës: te subjekti, karakteret dhe situata. Vetëkuptohet se secili prej këtyre elementeve është vendimtar për të tjerët.
Metoda me anë të cilës do i afrohemi këtij objekti të patrajtuar gjerësisht nga kritika, do jenë antropologjia strukturore, metoda interpretative, krahasimtare, ndërtekstuale, psikoanaliza dhe semiotika të gjitha mbi parimin e teorisë funksionale të ligjërimit .
Larushia e pikëshikimit të mitit në korelacionet filozofike, psikologjike, historike, etike, estetike, letrare, stilistike, apo studimet krahasimore të qarkullimit të mitit, huazimit, shndërrimit, vërtetojnë pashtershmërinë e lëndës mitike të temave, motiveve, a përsonazheve mitologjikë që ka krijuar historia njerëzore, në pyllin e së cilës do të përqëndrohet dhe një pjesë e studimit tim.
Në këtë anë studimi, përqëndrimi ynë do jetë në raportet: e tashme/e djeshme etnopsikologjike e motivit, si linja bazë (e supozuar) e kontaktit, para së cilës shoqëritë e versifikuan dhe e transmodeluan atë. Do hulumtohet në mënyrë të veçantë prania dhe funksioni i mitit të ringjalljes si ringjallje parabiblike-biblike dhe laike në balada dhe letërsi autoriale si dhe interferencat, marrëdhëniet dhe veçansitë e këtij motivi.
Duke u marrë kështu, me rolin e motiveve në balada si shprehje e natyrës kulturore të njerëzve, dhe transponimit të tyre në letërsi, do jenë çelësa për të depërtuar në shtresimet e pafundme të shpirtit njerëzor si një mënyrë e projektimit të ardhmërisë së tij. Shoqëritë territorit ballkanik përbëjnë një lloj mozaiku kulturor, ku çdo kulturë shihet si një shfaqje e veçantë unike e mendjeve njerëzore, çdo njëra prej tyre ka ngjyrimet e saj të veçanta si shprehje të diversitetit njerëzor, që do studjohen e vlerësohen me vete, prandaj duke studjuar motivet dhe rolin e tyre në botën e tyre shpirtërore, studjojmë dhe natyrat kulturore të mundshme, të dallueshme për njerëzit e pjesëve të këtij mozaiku kompleks për të parë varietetet kulturore nga kalimi kanonik në rishfaqjen e tij.
Përkundër vështërsive që dalin gjatë kërkimit, veçmas për burimin dhe njësitë bibliografike, përmes këndvështrimit antropologjik (njerëzor) dhe krahasimit, them se ky angazhim, është vetëm një përpjekje imja. Prandaj shpreh se kjo fushë duke provokuar kureshtjen time, ka ngjallur interes për fuqinë e motivit dhe tronditjen e idhujtarive, tashmë të ruajtura jo vetëm brenda kopertinave të librave të shenjtë, kjo dëshmon se lënda është shumë më e gjërë për t’u studjuar, ngase këtu përfshihen studimet teozofike, apo qasjet e ndryshme teorike, filozofike, estetike, psikologjike, krahasuese e antropologjike që rrisin shumë gjërësinë e krahasimit.
Përballë kësaj etnografie dhe diversiteti kulturor brenda perspektivave rajonale, ndryshimet në veshje, në zakone, në mendësi, janë procesë të vazhdueshme sociale dhe të pandalshme brenda sistemeve rajonale. Këndëvështrimet e dikujt mbi botën apo ritualet fetare nuk janë thjesht një vështrim i mbyllur i kozmosit por një shpjegim i identitetit të tij përballë fqinjëve .
“Psikologjia mjekësore”, Tekst për studentët e shkollave të larta të infermierisë, A. Saliaj, Vlorë 2006. f. 22.
2 Jean Paul Sartre, Ekzistencializmi është humanizëm, Phoenix , Tiranë 1997, f. 46.
3 Po aty, f. 46.
Gashi, Osman.: Miti dhe romantizmi evropian, Prishtinë 2005, f. 23. Arketipi është paramodeli; figura simbolike, pamja dhe situata në të cilat janë paraqitur elementet më qenësore dhe më të qëndrueshme të ekzistencës njerëzore. Sipas Karl Gustav Jungut ato do ishin: pamje ose imazhe mitike e religjioze të parajsës dhe ferrit, të perëndisë dhe të djallit, lidhur me lindjen, vdekjen e ringjalljen, duke u quajtur ndryshe imazhe primordiale apo imazhe mitologjike. Gilbert Durand në veprën e tij: Strukturat antropologjike të imagjinares, thekson: “ Arketipet përbëjnë substantifikime skemash.( ...)
Warren, A . Wellek, R. Teoria e Letërsisë, Onufri 2000, f. 224.
Koncepti i ligjërimit mbështetet në përdorimin e gjuhës dhe funksionimin e saj. Fusha të veçanta të dijes letrare dhe letërsia kanë përmasa semantike të ndryshme teorike-letrare, stilistike, gjuhësore, përmasa polisemantike që dalin në ndërtimin e tekstit letrar si krijesa gjuhësore, me shenja të veçanta funksionimi në një vepër letrare, në një letërsie nacionale, apo në letërsinë si e përgjithshme në këtë kuptim ajo ruhet jo vetëm në dijen tradicionale, por edhe në perspektivën e dijes letrare. Shih dhe vepra analoge si: Eric Fromm, Gjuha e harruar apo Rene Wellek, Austin Worren, Një studim themelor mbi natyrën dhe funksionin e letërsisë në gjithë kontekstet e saj.
Malinovski, B.: Mitet në psikologjinë primitive, London. Citim i A. Klosi në: Mitologjia në veprën letrare. Revista “Nëntori” 1991/1,: “Mit për një shoqëri primitive, në formën e saj jetësore, nuk është vetëm një tregim, por një ngjarje e përjetuar. Natyra e vertetë e saj nuk është fiksioni, ashtu siç është për shembull në romanet e sotme, miti është një realitet i gjallë i cili besohet të ketë ndodhur shumë kohë më parë dhe vazhdon të ketë një ndikim të vazhdueshëm mbi njerëzit dhe fatet e tyre”; Gashi, Osman.: Miti dhe romantizmi evropian, Prishtinë 2005, f. 22. citim i H. Bergson në: Les deux sources de la morale et de la religion, Paris 1932: “Miti është një formë simbolike autonome e kulturës, e cila dallohet veçanërisht për nga mënyra specifike e objektivizmit simbolik të fakteve sensuale si dhe të emocioneve”. Neumann: “Miti është një vetë-reflektim i pandërgjegjshëm i situatave të rëndësishme në historinë e njerëzimit”; sipas Eliade: “Ndër karakteristikat më të rëndësishme të mitit është se disa ngjarje primare që janë konsideruar të jenë të shenjtë nuk janë parë si ngjarje të kaluara sjellë përsëri në kujtesën, si imitime, por si një e tashme e përjetshme, ose si diçka që e përsëritur në mënyrë identike”; Fromm, E. Gjuha e harruar, Tiranë 1993, f. 133. “Në gjuhën simbolike, përvojat e brendshme, ndjenjat dhe mendimet, shprehen si përvoja të shqisave, për ngjarjet e botën e jashtme. Të shtyra drejt një logjikë të ndryshme nga ajo e zakonshme që përdorim në jetën e përditshme, një logjikë në të cilën kategoritë kryesore nuk janë hapësira dhe koha, por intensiteti dhe shoqërizimi, ajo është ndoshta e vetmja gjuhë universale e krijuar nga njeriu, i cili ka mbetur i njëjtë për çdo qytetërim dhe që përfshihet në të gjithë historinë. Është një gjuhë që ka gramatikën dhe sintaksën e vet, e cila është për të mësuar, nëse duam të kuptojmë domethënien e miteve, përrallave dhe ëndrrave. "
Shapllo, D & Jonson, S. Çështje të Folklorit Shqiptar, Nr/2, Tiranë 1978. f. 269. Sipas Shapllos: “Balada popullore është një zhanër i përshkruar si poemë epike e cila nis prej ngjarjeve dramatike dhe tragjike, në një sfond të dukshëm moralizues është një zhanër në të cilin përveç ngjarjeve melankolike tregojnë vëmendje për fatet individuale të çdo lloji. Njerëzit shpesh e përkufizojnë në mesin e tyre këtë lloj zhanri si: këngë legjendare, këngë të dhimbshme dhe këngë melankolike”.
Shapllo, D & Jonson, S. Çështje të Folklorit Shqiptar, Nr/2, Tiranë 1978, Mbi përcaktimin e baladës, kohës së lindjes së tyre dhe emërtimit se ç’këngë janë, ka pasur dhe ka mendime e qëndrime të ndryshme: Sipas studjuesit Jonson, në studimin e tij mbi baladat thotë se: “Deri më sot, midis studiuesve skandinavë termi “baladë mesjetare” është përdorur për të treguar këngë epike (...). Jonson baladën e ndan në 6 kategori: 1. balada me elementet mbinatyrore / 2. balada legjendare, balada rreth shenjtorëve të krishterë dhe martirët / 3. balada historike / 4. balada kalorësiake / 5. balada heroike (bashkangjitur me përrallën popullore) / 6. balada humoristike. Ndërsa duke iu referuar studiuesve shqiptarë, nëndarje tipologjike e baladës është si vijon: 1. Balada mitike / 2. balada të murimit të gruas / 3. balada e vëllait të vogël ose e besës / 4. balada të rinjohjes (burrit me gruan, vëllait me motrën, vëllait me vëlla) / 5. motivi i vëllavrasjes / 6. balada të tjera me motive dashurie. Shih dhe Rolf W. Brednich në Zeqirja Neziri: Epika gojore shqiptare, Shkup 2010, f. 68-83.
Shih: Llotman, Jurij. Kultura dhe Bumi, përkth. Agron Tufa, Sh. L. K. G. Aleph 2004, f 37. Bolleku i ngjarjeve të ruajtura në kujtesë, konstrukton linjën e vazhdimsisë në fundamentin e së cilës rri rastësia e mbuluar përsipër me një shtresë të tërë lidhjesh spontane, dhe lidhjesh shkak-pasoj, mbase dhe jo krejt bindëse që përftojnë karakterin mistik ku triumfon destinacioni hyjnor dhe koha si bartëse e të kuptuarit të të gjitha proceseve pararëndëse.