Solanzh d` Anzheli
Mbresa pas dokumentarit “Shqiptarja e Parisit”, kushtuar humanistes së madhe Solanzh d` Anzheli.
Nga Kujtim Mateli
Në mbrëmjen e datës 1 qershor 2013, Televizioni Publik Shqiptar (TVSH) transmetoi një emision televiziv kushtuar Solanzh d` Anzheli (Solange d` Angely), titulluar “Shqiptarja e Parisit”. Shqiptarët e njohin atë se e kanë patur të pranishme në këto vite të demokracisë dhe kontributi i saj ka qenë i shumanshëm: një humaniste e madhe për të qënë pranë njerëzve në nevojë e një luftëtare e radhëve të para për të përshpejtuar proceset demokratike në Shqipëri. Ajo ka qenë në këto vite mes shqiptarëve dhe e lidhur ngushtësisht me ta. Ndaj në çdo cep të Shqipërisë e Kosovës, njerëzit tregojnë copëza kujtimesh për të duke shpalosur shpirtin e saj brilant, që gëzohej a hidhërohej bashkë me njerëzit që e shoqëronin , sepse Shqipërinë e kishte bërë pjesë të jetës së saj.
***
Dokumentari televiziv “Shqiptarja e Parisit” është realizuar me skenar dhe regji të shkrimtarit dhe diplomatit tonë në Paris, z. Luan Rama, operatorëve të talentuar Bujar Kore dhe Spartak Papadhimitri dhe montazhierit duarartë, Lulzim Sulaj.
Shqiptarët përjetuan një mbrëmje plot emocion duke i shprehur mirënjohjen e tyre kësaj shqiptareje të madhe dhe realizuesve të këtij dokumentari. Shqiptarët mësuan në këtë emision shumë gjëra që i dinin, por edhe episode për të cilat nuk kishin dijeni. Ndaj ky film dokumentar mund të konsiderohet si më i ploti i dhënë deri më sot, për të cilën u shprehim mirënjohjen gjithë stafit që bëri të mundur realizimin e tij. Ai na shpie në origjinën e hershme të familjes Anzhely (Angjeli), prej nga buron ajo dashuri e vrullshme për Shqipërinë.
*****
Nëna e Solanzh është nga Bënja e Përmetit, nga krahina e Shqerisë. Po trungu atëror i saj? Jo larg Bënjës, në një shpat mali, në fshatin Ogren, aty ku sot është ngritur shkolla, ka jetuar fisi imadh i Angjelëve. Po ku janë ata sot? Sipas tregimeve të më të vjetërve, fisi i Angjelëve kishte emigruar në Stamboll e Amerikë, prej nga nuk ishin kthyer më në vendlindjen e tyre. Po njëri nga djemtë e këtij trungu familjar, Roberti, jo vetëm që ishte kthyer, por kishte marrë për grua, një vajzë nga Bënja, Marigon. Sado larg që ikin njerëzit, zëri i vendlindjes i thërret. Janë ato zëra që mbushin qënien njerëzore teksa pi qumshtin e ëmbël të nënës. Njeriu është i prirur të kërkojë zanafillën e jetës njerëzore. Nga vjen, cilët janë të parët e tij? Sado që kjo botë të duket e trazuar dhe e largët, njeriu e gjen rrugëtimin e parardhësve të vet. Shkon e ndalet atje ku janë varret e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tij. Dhe në mos e gjen dot pllakën e moçme sipër varrit, e ndjen se ata janë aty poshtë nën dheun e zi. Pranvera i mbush me lule, në vend të një tufe të munguar e dimri u hedh pelerinën e bardhë. Aty, në të djathtë të lumit të Vjosës, në fshatrat Ogren dhe Bënjë, janë parardhësit e Solanzh d` Anzheli.
***
Dokumentari “Shqiptarja e Parisit” shpalos para shikuesve jetën e Solanzh. Ajo u lind në Paris nga dy bashkëshortët e mrekullueshëm Robert e Marigo. “Ëndrra e Solanzhit që të bëhej mjeke u realizua dhe ajo e mbaroi shkollën me “Diplomë të Artë”. Kështu, në vitet 1958-1962 e më pas ajo filloi punën si një pediatre e re, duke punuar në spitale të ndryshme të Parisit, si në “Bicêtre”, “Claude Bernard”, “Baujon”, “Saint Antoine” apo në “Saint-Joseph”, ku do të punonte gjatë dhe do të hynte në botën e madhe të shkencës duke kuptuar se para së gjithash duhej të ishte humanizmi” Profesioni i mjekut kërkon angazhim e përqëndrim, sakrificë e vetmohim, dashuri të jashtëzakonshme, cilësi që i gjen të harmonizuara te Solanzh.
Po sot në Paris jeton vetëm Solanzh. Pjesëtarët e tjerë të familjes Angjeli (Angely) jetojnë jashtë Parisit, në qytete të ndryshme të Francës. Po lidhjet e Solanzh me vëllezërit e saj: Roland, Gaston dhe Noël dhe me motrën Aleksandra, janë tepër të forta. Vizitat e shpeshta që i bejnë njëri-tjetrit shprehin dashurinë që ekziston brenda familjes Angely. Nipi i saj, Oliveri, e viziton më shpesh hallën e vet, se shtëpitë e tyre nuk janë shumë larg njëra-tjetrës. Olivieri është regjisor filmi në Televizionin «Francë 2». Para shumë vitesh ka realizuar një film dokumentar për Tedi Papavramin, duke treguar kështu se nuk është vetëm Solanzh që përkujdeset për atdheun e të parëve të familjes Angely, (Angjeli), por edhe pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje. Këtë dashuri për atdheun e të parëve të tyre e kanë ushqyer bashkëshortët Robert e Marigo. Kjo traditë ka për të vazhduar gjatë dhe urojmë të mos ndërpritet kurrë.
****
Po Solanzh e ka ndarë jetën e saj midis Francës dhe Shqipërisë. Ajo erdhi në Shqipëri që në ato ditë të para kur lindën proceset demokratike. Erdhi që të realizonte dy gjëra të rëndësishme: të njihej me atdheun e të parëve të saj dhe të kontribonte që Shqipëria t`u bashkohej sa më shpejt rrjedhave europiane. Erdhi dhe i realizoi të dyja në mënyrën më të shkëlqyer.
Rrugët e Tiranës e ndien hapin e saj që në vitin 1990. Ishte koha kur po shembej sistemi totalitar dhe një dritë e re shprese dhe besimi po lindnin tek shqiptarët. Ishte koha e përmbysjes së sistemit komunist që e kishte ndarë vendin tonë nga familja e vet europiane. Solanzh, takohej kudo me njerëz që ishin bërë pjesë e proceve demokratike, fliste me ta, u jepte zemër, i inkurajonte për të mos e ndalur për asnjë çast punën e nisur. Tirana pa në ato vite njeriun e përkushtuar, humanisten dhe shpirtin e bardhë si bora, të kudogjendur e të palodhur. Po nuk ishte vetëm Tirana. Në dimrin e vitit 1992, me një kamion me ndihma për fëmijë, ajo iu drejtua Tropojës. Aty ajo pa nga afër gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej familja shqiptare. Ndaj me një grup mjekësh krijoi shoqatën humanitare «Cempea» për fëmijët e Shqipërisë. Ajo e drejtoi këtë shoqatë për gati 20 vjet duke u gjendur pranë jetimoreve e spitaleve. U gjend pranë shkollave ku nuk mungonin problemet e shumta në ato vite tranzicioni. Solanzh u përkujdes shumë për binjakëzimin e shkollave shqiptare me ato franceze siç ishin ato të shkollës «De Rada» apo «Konferenca e Pezës» me shkollat «Paul Bert» në Paris apo «Robert Doisneau» në Montruzh, etj.
Nuk ndali së shkuari në rrethe të ndryshme të Shqipërisë duke e parë nga afër gjendjen e vështirë në të cilën gjendeshin institucionet shëndetësore. Për të ta nxjerrë shëndetësinë nga kjo gjendje e vështirë, u organizua në Tiranë Kongresi i parë i Pediatrisë Franko-Shqiptare, ku ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, z. Sadik Brokaj, dha një ndihmesë të veçantë. Po miq të Solanzhit do të jenë dhe ministrat e tjerë të Shëndetësisë si Maksim Cikuli, Leonard Solis apo mikja e vjetër e saj Anila Godo.
Për gjithë këtë veprimtari të spikatur, në vitin 1999, ishte presidenti i Republikës shqiptare, z. Rexhep Meidani që i akordoi Solanzhit urdhërin e lartë “Nënë Tereza» me motivacionin: «Për rolin aktiv si presidente e shoqatës “Cempea” si dhe për shërbime të shquara humanitare në ndihmë të fëmijëve shqiptarë”. Kjo ceremoni, që u zhvillua në ambasadën shqiptare në Paris nga ambasadori Rama, mblodhi shumë miq të Solanzhit, diplomat, veprimtarë në drejtim të Shqipërisë si dhe autoritetet franceze.
Po Solanzh nuk e ka shkëputur asnjëherë Shqipërinë nga Kosova. Ashtu siç u gjend pranë shqiptarëve të Shqipërisë në ato ditë të vështira të vitit 1990, po ashtu u gjend pranë shqiptarëve të Kosovës në kohën e Luftës në vitin 1999. U gjend pranë tyre në kampet e Kukësit, për t`u dhënë ndihmën e parë si mjeke. Nuk e ndali punën e saj vetem me kurimin e plagëve të luftëtarëve. Sapo Kosova u çlirua, ajo u gjend bashkë me ta në vendin e shkrumbuar nga dora gjakatare e Millosheviçit. Pa, dëgjoi, fotografoi. Ishin pamje tronditëse. Ajo shpejt hyri në veprime konkrete humanitare dhe e gjeje kudo: në Gjakovë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, kudo ku një qënie njerëzore kishte nevojë për ndihmën e saj.
Gjithë kjo veprimtari humanitare e Solanzh d’Anzheli, gjeti jehonë në shtypin francez si dhe interlokutorët e saj si: Këshilli i Evropës, « Gratë e Evropës » në Bruksel, apo « Urdhëri i Maltës », Spitalet e Parisit, etj. Pikërisht, për këtë kontribut te spikatur të saj, Bashkia e Parisit e nderoi atë me « Medaljen e kryeqytetit francez ».
Në vitin 2011, Solanzh d’Anzheli u dekorua nga presidenti i Republikes franceze me dekoratën e “Kalorësit të Legjionit të Nderit” për veprimtarinë e saj humanitare.
****
Solanzh ka bërë një punë të shkëlqyer në botimin e veprës së babait të saj Robert d` Angely.Vepra e tij mbeti në dorëshkrime, sepse veprat e mëdha kërkojnë përkushtim që nganjëherë zgjat gjatë gjithë jetës së një njeriu. Kjo ndodhi dhe me dijetarin e madh Robert d’Anzheli. Gjithë puna e tij studimore kërkon t`i japë përgjigje pyetjes se cila është origjina e shqiptarëve. Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka dhënë përgjigje kësaj pyetje duke e quajtur atë ilire, kurse ky dijetar i madh sheh tek shqiptarët atë popullsinë e lashtë që quhet pellazge apo dhe parahelene. Iu bashkua kështu plejadës së dijetarëve të mëdhenj që gjejnë tek shqiptarët popullsinë protoindoevropiane. Debati mbetet i hapur edhe sot, jo vetëm në qarqet shkencore europiane, por edhe në Shqipëri. Tre dijetarë të mëdhenj shqiptarë: Sami Frashëri, Spiro Konda dhe Robert d’Anzheli, u japin shqiptarëve një origjinë pellazge. Të tre këta dijetarë sjellin si provë gjuhën shqipe që është më e vjetra në Ballkan. Spiro Konda e provon me emrat e vjetër në të gjithë territorin e Greqisë që ai i shpjegon me gjuhën shqipe, duke provuar kështu një lidhje midis shqiptarëve me popullsinë parahelene a pellazge. Robert d’Anzheli e provon me mbishkrimin e gjendur në ishullinLemnos që gjendet në detin Egje. Ky mbishkrim është konsideruar parahelen apo pellazg nga të gjithë studiuesit europianë a botërorë, sepse nuk shpjegohet me greqishten e vjetër. Po Robert d’Anzheli sheh tek ky mbishkrim gjuhën e vjetër shqipe duke dhënë kështu provën e dytë të rëndësishme për origjinën pellazge të shqiptarëve. Kemi kështu dy dëshmi të rëndësishme që provojnë ekzistencën e shqiptarëve në këto troje, para se këtu të vinin popullsitë helene. Në këtë mënyrë vepra e Robert d’Anzheli është një vepër e dashur për shqiptarët dhe e konsideruar prej tyre si një vepër shkencore.
*****
Po kjo vepër e madhe e këtij dijetari të madh nuk humbi, se atë e solli për lexuesin europian e atë botëror, Solanzh d` Agely. Në këtë këndvështrim, përmasat e Solanzh rriten në sytë e shqiptarëve. Në vitin 1991 botoi vëllimin e parë të librit “L`Ènigme…résolue” (Enigma…e zgjidhur) i cili u prezantua në Lidhjen e Shkrimtarëve, në Tiranë dhe që ngjalli mjaft interes tek shqiptarët. Në vitin 1998, libri “Enigma ….” u përkthye nga filologu i shquar shqiptar Xhevat Lloshi dhe u botua në një vëllim të vetëm nga shtëpia botuese “Toena”. Në vitin 2000 “ Enigma ….” u botua në Prishtinë nga shtëpia botuese “Buzuku”.
Po puna e Solanzh ka vazhduar pa ndërprerje për ta sjellë sa më të plotë veprën e babait të saj. Vazhdimisht ka kërkuar në dorëshkrimet e tij. Kështu, në vitin 2010, në një botim frëngjisht, “L`Ènigme…résolue” (Enigma…e zgjidhur) erdhi në botimin më të plotë të deritanishëm.
Po Solanzh, as tani në moshën 80-vjeçare, nuk e ka ndërprerë punën e saj që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët. Kur nata e mbështjellë Parisin me vellon e magjishme që të sjellë gjumin, ndërsa parizienët fillojnë të flenë, ajo vazhdon ende të shkruaj. Shkruan kujtimet e saj të pleksura me kujtimet e prindërve të saj që midis tyre flisnin shqipen e bukur nga të cilët Solanzh e ka mësuar që në fëmijëri. Në të njënjtën kohë ajo rron me të ardhmen. Ajo ende ka projekte të cilat kërkon t`i realizojë.
***
Përmeti e do shumë dhe ruan për Solanzh një nderim të veçantë. Ata e njohën për herë të parë në vitin 1992, në ato vite të vështira. Ajo është pjesë e bisedave që përmetarët tregojnë për të, si për bijën e tyre më të dashur e më të përkushtuar. Solanzh, Robert e Marigo d` Angely, kanë hyrë tashmë si pjesë e historisë përmetare. Njëra nga rrugët e Përmetit, qysh nga viti 2008, mban emrin “Robert d’Anzheli”. Ndërsa në vitin 2010, bashkia e Përmetit e nderon Solanzh me titullin “Qytetare nderi”, për kontributin e saj si humaniste e madhe dhe për lidhjet e forta shpirtërore që ka me banorët e Përmetit.
***
Të gjitha këto mbresa dhe emocione, meditime e përshkrime janë pasqyrim i dokumentarit “Shqiptarja e Parisit” të sjella aq bukur nëpërmjet skenarit dhe regjisë së Luan Ramës dhe gjithë stafit realizues. Çfarë kam shkruar janë vetëm një pjesë e asaj që pasqyronte ky dokumentar . Do t`u sugjeroja realizuesve të tij që të bëhej një CD në disa mijëra kopje, që ta ketë çdo familje shqiptare që kërkon të mësojë më shumë për të, ta kenë bibliotekat e shkollave dhe ato të qyteteve. Po një CD e tillë do të ishte mirë edhe në frëngjisht që miqtë dhe mikeshat e Solanzh të njohin edhe këtë pjesë të jetës së saj në këtë hapësirë të Ballkanit perëndimor ku jetojnë shqiptarët. Ndërsa TVSH, është mirë ta shfaq here pas here, se kemi nevojë të frymëzohemi nga shembulli i Solanzh d` Anzheli. Kemi nevojë të përcjellim më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin. Më shumë humanizëm. Jo se këto na mungojnë, por nën modelin e Solanzh d` Anzheli, duhet t`i bëjmë më të përsosura. Solanzh është shembulli që njeriu duhet ta ndjekë në jetë.